Ulje e shpenzimeve, pa i ulur pagat në PTK

Në Postë-Telekomin e Kosovës nuk do të ketë reduktim të të punësuarve, pavarësisht akuzave të vazhdueshme se numri i tyre nuk korrespondon me nevojat që ka kjo kompani dhe se numri që kalon shifrën mbi 3.000 është njëri nga fajtorët për uljen e vlerës së PTK-së në procesin e privatizimit.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Postë-Telekomit të Kosovës, Nuredin Krasniqi, thotë se do të punohet në shkurtimet e shpenzimeve, ashtu si ka kërkuar Qeveria e Kosovës, por jo edhe duke ulur pagat dhe duke shkurtuar vendet e punës. “Qeveria ka aprovuar në tërësi planin e biznesit të përgatitur dhe të aprovuar nga menaxhmenti, element ky shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë . Në këtë kuptim kemi pasur dhe disa sugjerime profesionale që të rishikohet niveli i shpenzimeve për stafin që realisht ka qenë pak i lartë. Pas marrjes së udhëzimeve nga Bordi ne kemi marrë veprimet e duhura në interes dhe dobi të PTK-së”, thotë Krasniqi.
Numri i madh i punëtorëve që kjo kompani ka pranuar në punë pa pasur nevojë, sipas tij, nuk do të shkurtohet. Ai në një intervistë për Koha Ditore thotë se të gjithë do të mbesin në punë dhe shpenzimet do të ulen vetëm nëpërmjet uljes së gradave.
Krasniqi mohon të ketë pasur dallavere në procesin e uljes së shpenzimeve për staf dhe këtij procesi, sipas tij, nuk i kanë shpëtuar ata që kanë pasur “krah të fort”, siç është thënë nga punëtorët. “Në asnjë rast nuk mund të jenë të gjithë punëtorët të kënaqur. Edhe mua më është ulur niveli i pagës mujore, gjithashtu edhe të gjithë menaxhmentit të lartë. Ne kemi arritur që përmes kësaj metode të mos u preken të ardhurat personale punëtorëve që kanë pasur grada të ulëta”, theksoi ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë më fitimprurëse në vend.
Pos ristrukturimit të gradave të punëtorëve, PTK-ja ka filluar edhe me një ristrukturim të përgjithshëm. Kjo është bërë pas kërkesës së Qeverisë për ndarjen e njësisë së Postës nga PTK-ja.
“PTK-ja tash është në fazën e privatizimit të saj, po ashtu kemi dhe vendimin e aksionarit që deri në fund të muajit mars të kemi ndarjen legale të njësisë së biznesit, Posta e Kosovës dhe ta kthejmë atë në ndërmarrje publike, dhe ky hap përbën ristrukturim të veçantë pasi që do të kemi më pas vetëm dy njësi të biznesit, VALA dhe Telekomi me njësitë e tjera mbështetëse, ndoshta do të kërkohet nga këto akte që dhe emri PTK të riemërtohet, sepse në shërbimet tona nuk do të kemi më shërbimet postare”, thotë Nuredin Krasniqi.