Diplomati shqiptar, Lisen Bashkurti, ka thënë se përfaqësimi i Kosovës në bashkëpunimet rajonale nëpërmjet një fusnote, në të cilën pritet të përfshihet edhe Rezoluta 1244, nuk është e rrezikshme.
Në intervistë për “Epokën e re”, Bashkurti ka thënë se krerët e institucioneve të Kosovës duhet t’i qëndrojnë besnikë Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, Opinionit të GJND-së dhe 88 shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën.
“Kjo fusnotë nuk mund të rrezikojë, as të kërcënojë, as nuk mund të sjellë de facto asnjë ndryshim në statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Bashkurti.
Sipas tij, Rezoluta 1244 në asnjë rast, as nga pikëpamjet de facto e as de jure, nuk e pengon subjektivizmin ndërkombëtar të Kosovës.
Megjithatë, Rezoluta 1244, thotë ai, do të krijojë një barrierë lidhur me pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Kosova e ka rrugën e hapur drejtë Kombeve të Bashkuara. Nuk duhet ta shikojmë Rezolutën 1244 si një barrierë afatgjatë, por si një rezolutë transitive, e cila po shkon drejtë shuarjes”.