Vetëm 1244-shi e GJND-ja në fusnotë

Dy temat e vetme të raundit të sot të bisedimeve do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e kontrolluar të kufirit (që BE dhe Serbia e quajnë menaxhim të pikëkalimeve).

Sa i përket bashkëpunimit rajonal, në BE pohojnë se janë afër arritjes së marrëveshjes për mënyrën sesi do të përfaqësohej Kosova në nismat rajonale, sikur edhe në takimet e BE-së me vendet e rajonit, raporton “Koha Ditore”.
Burimet e BE-së thanë se presin marrëveshje rreth formulës për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, përmes së cilës do të pranohet insistimi i Serbisë për përmendjen e Rezolutës 1244, por do t’i dilet në ndihmë Kosovës për të përballuar këtë duke përmendur edhe GJND-në.
Rreth përmendjes së Deklaratës së Pavarësisë, në BE thanë se „nuk janë të sigurt, por mund të gjendet ndoshta mundësia e një formulimi që do ta përmendte tërthorazi“.
Pala kosovare kishte paralajmëruar se gjithsesi do të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë nga 17 Shkurti i vitit 2008, ndërsa pala serbe kishte hedhur poshtë një gjë të tillë. Në BE ndërkaq nuk kanë dashur të konfirmojnë as se do të përmendet e as që nuk do të përmendet. Nga disa burime diplomatike mësohet se një prej mundësive është që të përmendet në pjesën e fusnotës ku do të përmendej Mendimi i GJND-së.