Serbia nuk e përfshinë Kosovën në të dhënat zyrtare

Ndonëse Serbia, edhe me kushtetutë, e sheh Kosovën si pjesë territoriale të saj, kjo e fundit nuk figuron si e përfshirë në të dhënat e qeverisë së Serbisë, të publikuara në ueb-faqen e saj zyrtare.

Edhe pse kohëve të fundit vetë Serbia ka nxjerrë në qarkullim edhe idenë për ndarje të Kosovës, e cila ka si synim ta marrë pjesën veriore të Kosovës, ajo as këtë pjesë nuk e ka përfshirë në të dhënat e saj zyrtare.
“Popullsia (duke përjashtuar Kosovën e Metohinë) është 7,120,666”, shkruan ndër të tjera në faqen zyrtare të qeverisë së Serbisë, transmeton “Kosovapress”.
Edhe pse pjesa veriore e Mitrovicës është pothuajse në duart e strukturave paralele të financuara nga Republika e Serbisë, prapëseprapë ajo nuk ka kontroll të mjaftueshëm sa ta përfshijë edhe në të dhënat zyrtare të saja në regjistrimin e popullsisë së Serbisë.
Po ashtu, e njëjta gjë është edhe me të dhënat e territorit të Serbisë. “Territori është 88.407 km2”, thuhet aty.
Këto të dhëna themelore statistikore mbi Serbinë janë botuar sipas të dhënave paraprake të regjistrimit të familjeve, të popullsisë dhe banesave në Republikën e Serbisë nga 2011.
Rezultatet përfundimtare të regjistrimit pritet të dalin nga gjysma e dytë e vitit 2012 deri në fund të vitit 2013.