Në opinionin kosovar, në disa raste është debatuar dhe analizuar gjuha parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Deputetët jo rrallë rrëmbehen dhe gjatë debateve, sikur i tejkalojnë kufijtë e fjalës dhe sjelljes etike në institucionin që përfshinë në vete të zgjedhurit e popullit.
Nganjëherë deputetët përdorin edhe batuta, satirë e ironi. Në vijim, do të ndjekim disa nga debatet që kanë përshkuar seancat e legjislativit aktual, filluar nga seanca e të enjtes gjatë debatit për zgjedhjet e paralajmëruara të Serbisë në Kosovë, shkruan Evropa e Lirë .
Më poshtë mund ta lexoni debatin ndërmjet deputetit të LDK-së, Sabri Hamiti dhe zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi.
“Kam dëgjuar edhe variantin e zëvendëskryeministrit Kuçi, i cili e lakon gjuhën në mënyrë figurative dukagjinqe edhe thotë s’do të rrimë duarkryq, do të thosha që nëse s’janë duart kryq i bie që s’bën asgjë, atëherë duart munden me qenë të shtrënguara që i bie gatitur ose duart e ngritura lart që i bie dorëzohem”, tha Hamiti.
“Profesor Sabri, pasi hyre në këtë logjikën e Dukagjinit, ju jeni dhëndër i Dukagjinit, por s’ti kanë treguar krejt. Kur nuk rrinë duarkryq, nënkupton ose e mbron veten ose i sjell dikujt”, ia ktheu Hamitit, Kuçi.
“Po edhe kjo është dukagjinqe me familje me i shpjegu problemet e mëdha, po unë s’do t’i shpjegoj. Por, që e pranoi që është alternative e pranoi se tha, ose – ose”, ia kthen Kuçit, Hamiti.
Kryesuesit e seancave, nganjëherë janë të shpërqendruar. Kjo i ndodhi edhe kryesuesit Xhavit Haliti, i cili miratimin e rezolutës për moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë e ngatërron me pavarësinë e Kosovës.
“Konstatoj që me 76 vota për asnjë kundër, asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Republikën... atë rezolutën...”, u ngatërrua Xhavit Haliti.
Ish-partnerët e dikurshëm të koalicionit, PDK dhe LDK jo rrallë ballafaqohen në Kuvend. PDK mbron qeverinë qendrore, ndërkaq LDK qeverisjen në nivelin e komunës së Prishtinës.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri janë shpesh protagonist të replikave të ndërsjella se kush po qeverisë më mirë.
“Unë e di që të pat mbet pak merak me qenë pjesë e qeverisë së kaluar, por partia e jote vendosi që t’i të mos jesh për shkak të dështimeve pesëvjeçare që të ka ndodhë në kryeqytet- Prishtinë”, i drejtohet Thaçi deputetit Beqiri.
“Sa i përket dështimit pesë vjeçar, ju alodoni se unë kam qenë kryetar komune, po të kanë tregu votat. Ka me të mbet merak se asnjëherë s’ke me e marrë Prishtinën”, ia kthen kryeministrit, Beqiri.
Gjatë seancave, debatet më të zjarrta janë zhvilluar ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes Florin Krasniqi dhe atij të PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën Kamishi.
Ja se si debatojnë ata në foltoren e Kuvendit të Kosovës. “Kamish mshele, kur të foli unë. Kur të foli unë, mshele”, i drejtohet me ton të lartë Florin Krasniqi deputetit Haxhiu.
“Ky është tempulli i demokracisë zotni Krasniqi. Sa buburreci je i vogël me i than dikujt mshele...bash shumë i ulët je”, ia kthen Haxhiu.
Fjalori joparlamentar dhe ngritja e çështjeve jashtë rendit të ditës, nganjëherë e bën nervoz kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
“Ngritni çështjet për të cilat është bërë kjo pikë e rendit të ditës jo për gjithçka, mos e bëni Parlamentin strajcë, strajcë të lypëses. Ju lutem a”, u drejtohet deputetëve kryeparlamentari Krasniqi.
Debatet parlamentare për dialogun me Serbinë zakonisht kanë nxitur reagime të ashpra të opozitës.
Ja se çka i thanë kryenegociatores Edita Tahiri, deputeti i AAK-së, Ardian Gjini dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.
“Zonja Edita Tahiri me syza të diellit piktoreske, kur kthehet prej Brukselit thotë kemi pas një bisedim shumë substancial”, përshkruan sjelljen e kryenegociatores Tahiri, deputeti i AAK-së, Gjini.
“Në njëvjetorin e dialogut ajo ka zgjedhur që të festoj dështimet e Kosovës në këtë proces për 8 Mars me koleget e saj në Shqipëri. Në fakt, unë do t’i rekomandoja asaj (Edita Tahirit) që as mos të kthehet fare kur shkon në udhëtimin e ardhshëm”, rrëmbehet Vjosa Osmani.
E si e nisi dialogun Edita Tahiri dhe çka u pati thënë ajo deputetëve që nuk besonin në bisedimet me Serbinë.
“Ju mas pari më njihni mua. Unë jam 20 vjet në politikë...20 vjet kam luftuar për pavarësinë e Kosovës. Po a mendoni se mund të shkoj në Bruksel për diçka tjetër përveç se me e forcu pavarësinë”, zotohet bindshëm Edita Tahiri.
Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, në disa raste me qëndrimet e tij ka qenë më afër opozitës sesa qeverisë. Por, nganjëherë kur ai konsideron se opozita e teproi, ja se si u kundërpërgjigjet akuzave.
“Pa jo bre se e patët bë fet edhe ju kur keni qenë në pushtet”, i drejtohet opozitës, përkatësisht LDK-së, Jakup Krasniqi.