Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i kishte prezantuar si njohje komunikimet me presidentin e Ugandës dhe zyrtarë të Nigerisë, por nota verbale, me të cilat Kosova do të njihej formalisht, nuk i janë dërguar asnjëherë institucioneve të Kosovës nga këto dy shtete afrikane. “Njohja” nga Uganda, e shpallur pikërisht në Ditën e Pavarësisë, është bazuar në një letër që presidenti i këtij vendi i kishte dërguar Pacollit në dhjetor 2011.
Notat zyrtare të njohjes nga Uganda dhe Nigeria nuk kanë arritur asnjëherë në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës, megjithëse zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i ka prezantuar “njohjet” tash sa kohë para gazetarëve.
Zyrtarë të MPJ-së i thanë Gazetës Jeta në Kosovë se “janë në pritje të notave verbale” nga këto dy shtete afrikane.
Ndërsa përfaqësues të opozitës e quajtën joserioze që MPJ i prezanton si njohje, përfshirë në faqen e saj të internetit, edhe ato që nuk janë konfirmuar.