Kosovarët me shtetësi edhe të Serbisë nuk do të mund të realizojnë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale dhe në ato parlamentare serbe, nëse fqinji verior do të insistojë që zgjedhjet t’i organizojë vetë në Kosovë. E kundërta mund të ndodhë nëse zgjedhjet i organizon një mekanizëm ndërkombëtar.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka thënë gazetës “Koha Ditore”, të enjten se praktika e deritashme tani do të stopohet.
“Zgjedhjet nacionale nuk mund të mbahen pa një koordinim, pa një pëlqim dhe pa organizim të institucioneve vendore”, ka thënë numri dy i Qeverisë, Kuçi. “Nuk mund të mbahen zgjedhjet, por vetëm në kuptimin për t’ua mundësuar serbëve, nëse ata dëshirojnë të votojnë”.
Me Kushtetutë të Kosovës qytetarët gëzojnë të drejtën e dyshtetësisë. Për rrjedhojë, mund të marrin pjesë edhe në procese të këtilla zgjedhore nacionale, siç janë zgjedhjet. Sikur të kishte raporte ndërfqinjësore Kosovë-Serbi, midis të tjerave forma votimi, vota do të mund të hidhej edhe në kuti në ambasada, konsullata apo vende të tjera.
Një burim i gazetës ka thënë se kryeministri Thaçi ia ka transmetuar Brukselit zyrtar se organizimi i zgjedhjeve nga Serbia do të ndeshet me forcën që ka Kosova. Sipas tij, këtë do ta bëjë të qartë edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar, në raportin e radhës për Brukselin.
Ndërkaq, autoritetet në Kosovë kanë përmendur disa nga mekanizmat ndërkombëtarë që do të mund të merreshin me zgjedhjet serbe, përjashtuar ato lokale.
“Në asnjë rast nuk mund t’i realizojë nëse ato nuk janë të organizuara nga institucionet vendore, që mund të jenë edhe OSBE-ja, Komisioni Evropian, apo dikush tjetër. Pra, qysh bëhet në shtetet tjera”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.