Gani Thaçi, vëllai i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, këtë javë është avancuar në detyrë. Nga pozita e zëvendësdrejtorit të Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve ka kaluar si Drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), për të cilin post do të paguhet rreth 4 mijë euro në muaj.
Ky institucion mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe e përfaqëson Kosovën në byronë ndërkombëtare të kartonit të gjelbër. Ky mekanizëm mundëson kalimin e kufijve pa paguar sigurime kufitare shtesë, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.
Rrahim Pacolli, kryetar bordi i BKS-së, ka thënë të enjten për Gazetën Jeta në Kosovë se “Gani Thaçi i plotësonte më së shumti kriteret për këtë pozitë”.
Bordi Drejtues i kësaj byroje në konkursin e hapur më 29 shkurt e të mbyllur më 6 mars të këtij viti kishte vënë si kriter që drejtori të ketë tri vite përvojë menaxheriale.
Thaçi, sipas Pacollit, kishte 3 vjet e gjysmë si zv/drejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve. Gjithsej ka pasur dymbëdhjetë kandidatë për këtë pozitë.
“Ka pasur edhe kandidatë që kanë pasur më shumë vite përvojë pune. Përvoja e tyre ishte jashtë kompanive të sigurimeve”, ka thënë Pacolli, njofton Jeta në Kosovë.
Nga të gjithë kandidatët, më së shumti përvojë menaxheriale kishte pasur Nuredin Krasniqi, ish-ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK). Më parë ai kishte punuar edhe si Drejtor Financiar në PTK si dhe si administrator i Bankës Kreditore të Prishtinës i emëruar nga BQK-ja pasi banka ishte në falimentim e sipër.
Kryetari i Bordit të Byrosë, Pacolli, e ka përshkruar si pozitë me përgjegjësi postin e Drejtorit Ekzekutiv të BKS-së. Paga në këtë vend pune, sipas tij, është afër 4 mijë euro.
Rrahim Pacolli që drejton kompaninë e sigurimeve Dardania për një kohë ka drejtuar edhe subjektin politik Aleanca Kosova e Re (AKR) që është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që udhëhiqet nga i vëllai i Drejtorit të ri të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
“Nuk ka pasur asnjë intervenim nga jashtë. Nuk më ka thënë askush që të emërojë këtë apo atë. Gani Thaçi ka ardhur në intervistë tek unë dhe i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë”, ka thënë Pacolli.
Byroja Kosovare e Sigurimit u themelua më 1 gusht të vitit 2011. Kompanitë e sigurimit që operojnë në Kosovë kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e saj.