Nis vlerësimi në arsimin e lartë

Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) ka nisur procesin e vlerësimit për akreditim dhe riakreditim të programeve. Ky proces do të përfshijë të gjitha institucionet private të arsimit të lartë dhe universitetet publike.

Megjithëkëtë kjo agjenci ka bërë të ditur se nuk do të nis vlerësimin e asnjë programi të Universitetit të Prishtinës (UP), nëse ky institucion nuk i dëshmon agjencisë se ka siguruar fondin për mbulimin e shpenzimeve të procesit të vlerësimit, duke paralajmëruar këtë universitet edhe me ndëshkim të mos shpalljes së konkursit për programet që duhet të riakreditohen, shkruan “Zëri”.
Përfaqësues të AAK-së së bashku me ekspertë austriakë, sllovenë dhe gjermanë kanë filluar të enjten fazën e akreditimit dhe riakreditimit.
Grupi vlerësues i agjencisë ka nisur vizitat së pari në një institucion privat në Prizren. Gjatë muajit mars, prill dhe maj, agjencia do të vizitojë sipas agjendës dhe aplikacioneve të dërguara në këtë agjenci edhe institucionet tjera, përderisa rezultatet e këtij procesi sërish do të shpallën në muajin qershor.
Në këtë muaj siç është bërë praktikë, do të publikohen rekomandimet të ekspertëve, të cilat do t’i dërgohen sipas ligjit në fuqi ministrit të Arsimit, Ramë Buja për të deklaruar vendimin përfundimtar rreth (mos) aprovimit.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) Ferdije Zhushi-Etemi ka bërë të ditur për “Zërin” se procesi i vlerësimit ka filluar dhe në muajin prill do të mbahet mbledhja e radhës e bordit të AAK-së ku do të shqyrtohen veçanërisht aplikacionet e institucioneve që kanë dërguar me programe që do të akreditojnë apo riakreditojnë.
Zhushi-Etemi ka theksuar se Universiteti i Prizrenit ka siguruar fondet për t’iu nënshtruar vlerësimit të ekspertëve dhe shumë shpejt do të inkuadrohet në agjendë. Por, ajo ka adresuar kritikat ndaj universitetit tjetër publik, UP-së, që sipas saj, nuk ka kthyer ende përgjigje për fondin që duhet të sigurojë për të mbuluar shpenzimet e këtij procesi.
“Asnjë program i UP-së nuk do akreditohet apo riakreditohet në qoftë se nuk sigurohen këto mjete”, ka thënë ajo duke i kujtuar UP-së se nuk mund të shpallë konkurs për pranim të studentëve për programet që duhet të riakreditohen, nëse me kohë nuk siguron fondin dhe merr riakreditimin për këto programe.
Agjencia ka kritikuar menaxhmentet e institucioneve të arsimit të lartë që nuk po aplikojnë për akreditim me programe të reja, të cilat kërkohen në treg dhe janë të nevojshme për shoqërinë kosovare.
“Institucionet janë duke aplikuar me programe “copy paste” dhe kjo nuk do të tolerohet”. Me këto programe, ajo ka thënë se është ngopur tregu i Kosovës. Agjencia ka marrë qëndrim që të mos akreditojë sivjet programe që tashmë janë prezent në çdo institucion.
Zhushi-Etemi iu ka bërë thirrje institucioneve që të aplikojnë me programe që ka nevojë tregu i Kosovës.
Institucionet private të arsimit të lartë edhe vitin e kaluar u patën kritikuar nga agjencia për mosprofilizim të tyre dhe ofrim më shumë të programeve të shkencave shoqërore që janë më të sigurta për të ardhur më shpejt deri tek përfitimi i mjeteve financiare.
“Shumica e institucioneve ofrojnë pothuajse programe të ngjashme mes vete dhe KKC-ja ka kërkuar që këto institucione të profilizohen dhe secili të ketë një identitet të vetin dhe të veçohet për një fushë të posaçme të cilën e ofron”, ka qenë deklarimi i AAK-së vjet, por që sipas aplikacioneve del se nuk është respektuar.
Institucionet kosovare të arsimit të lartë tash për tash ofrojnë studime më shumë në shkencat shoqërore dhe më pak në fushën e inxhinierisë, bioteknologjisë..., në të cilat fusha Kosova ka kuadër deficitar.