Jahjaga ndërkombëtarëve: Ndalni zgjedhjet serbe, rrezikojnë dialogun

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër presidentit të Këshillit Evropian, Herman von Rompuy, shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton dhe shteteve të Quint-it, në të cilën shpreh shqetësimin lidhur me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar këtë si shkelje të sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Presidentja në letrën dërguar ndërkombëtarëve thekson se tolerimi i këtij akti, të ndërmarrë nga Republika e Serbisë, gjithashtu rrezikon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
“Ju bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Republikës së Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se një nga kërkesat kyçe për rrugën e saj drejt integrimit në BE është parimi i respektimit të fqinjësisë së mirë”, shprehet Jahjaga.
Ajo në letrën e saj dërguar ndërkombëtarëve po ashtu thekson se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës, duke shtuar se Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës.
“Që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet e demokracisë me synime të qarta për anëtarësim në organizatat euroatlantike. Bashkimi Evropian, për shumë vjet ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që respekton ligjin. Rruga jonë evropiane është një përpjekje e përbashkët me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ndërtuar një shtet stabil, faktor paqeje dhe stabiliteti dhe një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e vendit”, shprehet presidentja.
Më tej ajo thekson “Si Presidente e Republikës së Kosovës unë jam e përkushtuar ndaj këtyre parimeve demokratike. Prandaj, po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkel sovranitetin e shtetit tim, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës”.
Presidentja vlerësoi se çfarëdo përpjekje e Republikës së Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore Evropiane. dhe si të tilla këto përpjekje janë të papranueshme dhe ilegale.
Sipas saj, procesi i zgjedhjeve lokale dhe çdo lloj zgjedhjesh të tjera në Republikën e Kosovës, përcaktohet nga institucionet e saj dhe me ligjet e Kushtetutën e Republikës dhe ato zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës.
“Mbajtja e zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës shënon një kthim prapa të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës, që kanë punuar shumë në dy dekadat e fundit për të rikthyer normalitetin në rajon. Është kthim prapa i progresit të përbashkët të arritur me aq shumë mund në tejkalimin e dallimeve të së kaluarës, progres i cili ka hapur rrugën drejt integrimeve në BE për vendet tona respektive dhe qytetarët e rajonit. Është kthim në retorikën dhe veprimet e së kaluarës që nuk i përkasin një vendi i cili kërkon anëtarësim në BE”, shprehet ndër të tjera Jahjaga.
Presidentja në këtë letër po ashtu i përkujton faktorit ndërkombëtarë se institucionet e Kosovës e kanë përfunduar me sukses procesin e decentralizimit, që ka mundësuar krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, siç është paraparë me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, i cili garanton një gamë të gjerë të të drejtave për komunitetin serb në Republikën e Kosovës.