Agjencia Kosovare e Privatizimit përmes një komunikate njoftoi se Komisioni i Bordit të Drejtorëve për Spin-ofe Speciale dje kishte shqyrtuar situatën rreth Hotelit “Grand”. Por pasi kishte parë dokumentacionin e pranuar nga blerësi i ndërmarrjes së re “Hotel Grand“, të sjellë në Agjenci, Komisioni nuk ishte bindur që të kërkojë nga Bordi anulimin e vendimit të 16 dhjetorit 2011 për kthim të aksioneve.
Mirëpo, nga dokumentacioni i pranuar Komisioni ka konstatuar se ekziston vullneti i mirë i blerësit që t’i përmbushë zotimet e marra dhe ka kërkuar nga Bordi që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit për kthim të aksioneve.
Bordi i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese dhe si rrjedhojë afati për ekzekutim të vendimit për kthim të aksioneve të Hotelit “Grand” është shtyrë deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, që do të mbahet më 29 mars të këtij viti, saktëson komunikata.
Dje u njoftua se blerësi zyrtar i “Grandit”, Zelqif Berisha, kishte pranuar se bashkëpronarë të hotelin ishin edhe “Mabetex” e “Eurokoha”, të cilit që më herët thuhej se kishin paguar 60 për qind të vlerës së tij.