Bujqësia nuk mund të shihet vetëm si një resurs i mbijetesës së njerëzve, por edhe si një mundësi shumë e mirë për të bërë biznes, pasi që kjo fushë premton shumë për ata që mendojnë të merren me të. Kështu u vlerësua nga të pranishmit të premten në një tryezë me temën “Bujqësia si një biznes”, me ç’rast u prezantuan dy raporte, ai i përmirësimit të biznesit për fermerë, i hartuar nga Helvetas Swiss Intercoorporation, dhe çështja e TVSh-së në Kosovë, i hartuar nga Instituti Riinvest.
Nils Roremann, nga Zyra zvicerane në Kosovë, ka thënë se qëllimi i kësaj konference është që të promovohet sektori i këtij biznesi, i cili ka një perspektivë afatgjate.
"Qëllimi i konferencës së sotme është të promovojë këtë sektor si një biznes të përditshëm dhe perspektivë afatgjatë. Kjo do të thotë se fermerët nuk do të prodhojnë vetëm për nevojat e tyre, por edhe për tregun lokal dhe për të identifikuar potencialin e tyre për tregun rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se për projekte të tilla nuk do të mungojë mbështetja e Zyrës Zvicerane në Kosovë.
Ndërsa, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka thënë se është hapë një etapë e re për bujqësinë dhe për të gjithë ata që merren me të.
Ndërsa, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka thënë se është hapë një etapë e re për bujqësinë dhe për të gjithë ata që merren me të.
Por ai ka përmendur edhe pengesat në këtë sektor duke thënë se më shumë është mentaliteti psiko-sociologjik i njerëzve që bujqësinë e kanë parë më shumë si një fushë për ekzistencën e tyre se sa si një mundësi të mirë për biznes.
“Ajo që e pengon më së shumti për ta kuptuar bujqësinë si një biznes, mundësitë që ajo ofron për të kaluar në stadin komercial të saj, janë më shumë karakteristika dhe veçori të natyrës, më shumë psiko-sociologjike të njerëzve tek ne, të fermerëve tek ne, të cilët normalisht se për shkak të kaluarës dhe një niveli jo shumë të lartë të edukimit, e kanë parë më shumë bujqësinë si një aktivitet ekzistencial dhe jo si një mundësi për të bërë biznes”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Nora Efendija – Gola, zyrtare për biznes në “Intercoorporation”, ka thënë “Nuk presim ndonjë mrekulli pas kësaj konference dhe nuk presim që të gjithë fermerët të bëjnë regjistrime ose të gjitha bizneset në agro-kulturë të regjistrohen menjëherë, mirëpo është një çështje e cila duhet të ngritët, si nga ana e shoqërisë civile, si nga ana e prodhuesve po ashtu edhe nga ana e qeverisë”, ka thënë ajo.
Kurse Fisnik Bajrami nga Instituti Riinvest, i cili e prezantoi hulumtimin për çështjen e TVSh-së në Kosovë, ka thënë se hulumtimi i tyre ka nxjerrë se TVSh-ja nuk është pengesë për zhvillimin e një biznesi në Kosovë, e sidomos të agro-kulturës, pasi që TVSh-ja nuk paguhet nga prodhuesi, por paguhet nga konsumatori.
“Studimi jonë është iniciuar nga vetë akterët e sektorit, meqenëse deri tani ka qenë një breng shumë e madhe për shkak se të gjithë akterët që marrin pjesë në bujqësi, e posaçërisht në hortikulturë, kanë besuar se TVSH-ja e lartë, pra 16 për qind që është në këtë sektor si në gjithë sektorët e tjerë, shkakton shumë problem në zhvillimin e biznesit të tyre. Specifikisht ata kanë menduar që TVSH-ja është shkaktari kryesor i ngritjes së çmimit të tyre, prandaj ata kanë besuar në njëfarë mënyre edhe këtë e them nga hulumtimet që i kemi bërë ne paraprakisht se ata kanë besuar se TVSH-ja e lartë nuk mund të jetë, pra duhet të ulët TVSH-ja në mënyrë që të ketë një zhvillim më të lart”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ulja e TVSh-së siç kërkohet nga shumë biznese, do ta nënkuptonte ngritjen e standardit të jetesës së tyre, e jo zhvillimin më të madh të biznesit në vend.