Chelsea, 10 milionë për Maicon

Gjiganti anglez, Chelsea, është në gjendje që të kënaqë apetitet e bosit të Interit, Massimo Moratti, duke bërë ofertë prej 10 milionë eurosh.
Mediat angleze raportojnë se Chelsea dëshiron të ndalojë forcimin e Real Madridit, duke bërë një ofertë të dyfishuar për dallim nga ajo e Los Blancos që ishte vetëm 5 milionë euro.
Kështu, braziliani mund të përfundojë te Chelsea, në një ekip të rinovuar që synon të tejkalojë edhe gjigantët e mëdhenj evropian Real Madrid dhe Barcelona, ashtu sikurse rimarrjen e statusit të forcës më të madhe futbollistike në ishull.

Del Bosque rinovon me Spanjën

Përzgjedhësi i kombëtares spanjolle, Vicente Del Bosque, ka rinovuar kontratën me Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) deri pas Botërorit të vitit 2014.
Teknikut spanjoll i skadonte kontrata pas përfundimi të Euro 2012 dhe kështu u paraqit nevoja që ai të rinovojë.
Del Bosque e udhëhoqi Stuhinë e Kuqe drejt Botërorit të vitit 2010, ndërsa ish-trajneri i Besiktasit dhe Real Madridit është në rrugë të mirë që t’i përsërisë sukseset në Euro 2012 dhe më pas edhe në Brazili 2014. 

Pires: Ronaldo nuk është makinë

Ish-reprezentuesi francez, Robert Pires, është solidarizuar me lojtarin që konsiderohet më i kompletuari në planet, Cristiano Ronaldo, duke thënë se ai nuk është makinë.
“Ai tashmë është nën presion të madh te Reali, por në Portugali ndoshta presioni është edhe më i lartë. Nuk është e lehtë për të, ai nuk është makinë. Ai herë luan mirë, herë është i lodhur, kjo është normale”.
“Nuk mund të krahasosh dikë kur luan në klub dhe në kombëtare. Në klub, ju kaloni çdo ditë me të njëjtë lojtarë, në kombëtare, vetëm për disa ditë i njeh bashklojtarët. Ndonjëherë fanella e kombëtares është tejet e rëndë”, ka thënë Pires. 

M’Vila: Dua të luaj për Arsenalin

Mesfushori i Rennes, Yann M’Vila, ka thënë se ai dëshiron të luajë vetëm për Arsenalin dhe nuk dëshiron të dëgjojë oferta tjera.
Arsenali deri tani ka refuzuar ta paguajë 17 milionë funte për mesfushorin fantastik francez, por ai tani dëshiron kalimin në Emirates.
“Unë kam dëgjuar për interesim të Arsenalit. Më pëlqen Arsenali dhe Liga Premier. Nuk e di çka po ndodh me klubet, por po, unë do të isha i interesuar që të kaloj në Ligën Premier dhe të luaj për Arsenalin”, ka theksuar francezi.

Chelsea ofron Sturridge për Walcott?

Chelsea është duke planifikuar që të shfrytëzojë Daniel Sturridge për të joshuar sulmuesin Theo Walcott që të largohet nga Arsenali.
Walcott është i pëlqyer nga Roman Abramovich dhe ky është i vetdishëm se mund të shfrytëzojë pa qartësinë kontraktuale të anglezit te klubi nga Emirates.
Mirror shkruan se Chelsea është i gatshëm që të ofrojë edhe Daniel Sturridge në një marrëveshje shkëmbimi me Arsenalin vetëm e vetëm që Walcott të vishet Blu. 

Malaga ofertë për Robinhon

Gjiganti spanjoll, Malaga, është duke e përgatitur një ofertë për sulmuesin e Milanit, Robinho.
“Unë mund të konfirmoj se Malagas i pëlqen klienti im, por me gjithë respektin, mendoj se ata nuk mund të transferojnë një lojtar të këtij niveli”.

“Një rikthim në Brazil? Në futboll gjithçka është e mundur. Ai është mirë te Milani dhe kështu e ardhmja e tij varet nga vullneti i Rossonerëve për ta shitur”, ka deklaruar agjenti i Robinhos, Juan Figer.

Nani ka frikë se po e largojnë nga United

Anësori i Manchester United, Nani, ka frikë se mediat dhe bisedimet e dështuara kontraktuale janë duke e larguar atë nga Old Trafford.
Mirror shkruan se Nani ka frikë se po detyrohet të largohet nga Manchester United, pasi klubi nga Old Trafford nuk dëshiron të rinovojë me portugezin.
Në pritje të zyrtarizimit të largimit të Nanit nga United janë skuadra si Inter, Milan, Juventus, Barcelona dhe Real Madrid.

Arsenali i vë çmim Van Persiet

Arsenali ia ka vënë një çmim sulmuesit holandez, Robin Van Persie për skuadrat e interesuara për firmën e tij.
Mirror shkruan se Arsenali do të ishte i gatshëm që të pranonte një ofertë prej 30 milionë funtesh nga skuadrat e interesuara si Manchester City, Barcelona dhe Juventus.
Të interesuar për Van Persien janë edhe skuadra ruse Anzhi dhe gjiganti francez, PSG. 

Tottenhami kërkon Blanc

Tottenhami besohet se është duke e kërkuar në postin e menaxherit përzgjedhësin e Francës, Laurent Blanc.
Mirror shkruan se Spurs janë interesuar te Federata Franceze e Futbollit mbi gjendjen kontraktuale të Blanc, për të bërë një ofertë për të. Kontrata e tij pikërisht skadon pas Euro 2012 dhe rasitn dëshiron ta shfrytëzojë Tottenhami.
Skuadra angleze shkarkoi Harry Redknapp nga pozita e menaxherit të ekipit, pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. 

Dafina dhe Ledri injorojnë armiqt, lansojnë klipin

Çifti më i përfolur shqiptar, Dafina Zeqiri dhe Ledri Vula, kanë lansuar klipin e tyre të ri, një projekt i jashtëzakonshëm ky që i bashkohet këngës “Tonight”.
Klipi i xhiruar në Los Angeles dhe i punuar nga Jay Veesualz në shikim të parë të lë përshtypje në një klip të zakonshëm sikurse që kanë ditur të bëjnë në të kaluarën artistët shqiptarë, por në fakt nëse përqëndroheni do të vëreni klasin e jashtëzakonshëm të tij. Vërtet një prej klipeve më të mira.
Kënga “Tonight” bën pjesë në albumin e ri të Dafina Zeqirit, ndërsa kjo këngë është punuar nga producenti Çekic.
Së fundmi Dafina Zeqiri dhe Ledri Vula kanë pasur një varg problemesh. Së pari incidenti me ish-të dashurin e Dafinës dhe më pas edhe një diss i rëndë nga Noizy kanë qenë vetëm disa prej gjërave me të cilat është përballur çifti në fjalë, por ky klip fantastik shihet si kundërpërgjigje ndaj të gjithë armiqve të yjeve të Babastars. 

Zayn Malik xheloz në Liam Payne

Një prej anëtarëve të One Direction, Zayn Malik, ka shprehur hapur xhelozinë ndaj anëtarit tjetër Liam Payne për trupin e tij muskuloz, teksa ky i fundit është xheloz në Louis Tomlinsonin dhe sensin e tij për humor.
Bendi britanik i djemve simpatik që ka rrëmbyer zemrat e miliona vajzave anë e mbanë botës kanë zili edhe ndërmjet vete.
“Jam pak xheloz në trupin e Liam Paynes, kurse siç e di ky e xhelozon Tomlinsonin, pasi ai është shumë qesharak”, ka theksuar Zaynb Malik për radion amerikane Hot 99.7.

Justin Bieber kërkoi të pensionohej

Përderisa duket se nuk ka sensacion më të madh se sa Justin Bieber dhe përderisa duket se ai është në kulmin e karrierës së tij, tinejxheri ka zbuluar se kjo nuk ka ndikuar që ai të mos e mendojë largimin nga muzika.
Bieber thotë se ka pasur momente në karrierën e tij kur ai ka dashur të pensionohej, sidomos pas pohimeve të Mariah Yeater se Bieber është babai i fëmiut të saj, një pohim i pa vërtetë ky.
“Unë erdha në një pikë ku thashë: ‘Unë nuk dua ta bëj këtë. Unë dua të jem vetëm njeri normal’. Dhe ishte e vështirë pasi kurrë nuk përjetova diçka të tillë, të më akuzojë dikush për diçka të tillë. Ishte e tmerrshme, vështirë e përballova”, ka theksuar Bieber.

Vazhdojnë polemikat Drake - Brown

Chris Brown duket se nuk është i gatshëm për t’i dhënë fund dramës për incidentin e fundit me Drake, teksa polemikat mbi rrahjen vazhdojnë.
Menaxhmenti i Chris Brown me anë të një komunikate ka bërë të ditur se ngjarja në VIP ‘clubin’ e natës në New York nuk ishte inicuar nga Brown, duke i hedhur poshtë pohimet se ai i ka dërguar një shishe shampanjë reperit Drake, si gjest provokativ duke e bërë këtë të fundit t’ia kthejë një letër Brownit ku shkruante: “Unë jam duke e q*rë dashurinë e jetës tënde”, si referencë kjo për Rihannën.
Përderisa Drake dhe kampi i tij mbesin të heshtur mbi gjithë incidentin, kampi i Brown ka sqaruar se ka dashur vetëm të pajtohet me reperin Drake, por se ishte ky i fundit ai që kërkoi përleshjen fizike.
Policia është i vetmi organ që ka pasur të drejtë qasjen në këtë incident, pasi gjatë përleshjes është lënduar një femër e pa fajshme, kurse ende nuk ka ndonjë rezultat nga hetimet e policisë amerikane mbi motivet e ngjarjes në klubin e njohur në New York. 

AAK dhe VV: PDK po bën presion mbi votuesit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh brengosje për manipulim të zgjedhjeve gjatë ditës së sotme, në vendvotime të ndryshme në Komunën e Kaçanikut, kurse Lëvizja Vetëvendosje pretendon se PDK po bën presion mbi votuesit.

Shtabi Zgjedhor i AAK-së ka vërejtur se janë nxjerrë jashtë mbi 100 fletëvotime nga vendvotimi në shkollën fillore në fshatin Bicaj dhe dyshohet se ato do të keqpërdoren, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga kjo parti.

SHZ i AAK-së, gjithashtu, ka vërejtur se në Kaçanikun e vjetër janë parë lëvizje të vazhdueshme të militantëve të PDK-së, me tendenca manipulimi të procesit zgjedhor.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme është vërejtur prezencë e madhe e zyrtarëve qeveritarë dhe prezenca e vazhdueshme e vetë kryeministrit të Kosovësnë Kaçanik.

Shtabi Zgjedhor i AAK-së tërheqë vërejtjen për rrezikun evident të manipulimit të zgjedhjeve të sotme në Komunën e Kaçanikut, dhe fton të gjithë mekanizmat kompetentë, KQZ-në, vëzhguesit dhe monitoruesit e këtyre zgjedhjeve, për të mbikëqyrur me më shumë vëmendje procesin dhe për të mos lënë hapësirë për manipulimin dhe keqpërdorimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme në Kaçanik.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar duke akuzuar PDK-në se po e shkel Ligjin për zgjedhjet, Kodin e mirësjelljes, Rregullave për fushatën e zgjedhjeve duke u dërguar qytetarëve të Kaçanikut mesazhe përmes telefonave celularë që të dalin e ta votojnëkandidatin e këtij subjekti politik në garë për kryetar të Komunës.

KQZ: Deri në orën 15.00 votuan 22 për qind e votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), mbajti konferencën e tretë për media për zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Kaçanikut, ku konfirmoi se deri në orën 15.00 kanë votuar 22 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, duke iu referuar të dhënave të KKZ-së në Kaçanik, tha se deri në orën 15.00, kanë dalur të votojnë 22.07 për qind, ose 6.947 votues.
Ndërsa sipas pilot-projektit K-vote të KQZ-së, kanë votuar 21.82 pwr qind e qytetarwve, ose 6.868 votues.

Kandidatët: Ditë festive për Kaçanikun

Në orët e paradites, të gjithë kandidatët e partive politike për kryetar të Komunës së Kaçanikut në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen të dielën i ftuan qytetarët që të dalin masovikisht në këtë zgjedhje.
Ata e quajtën këtë një ditë festive për Kaçanikun, ditë kjo në të cilën sipas tyre qytetarëve të këtij vendi, u jepet mundësia për të dhënë verdiktin, për të zgjedhur të preferuarin e tyre, njofton KosovaPress.
Sahit Bela, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) uroi që këto zgjedhje të zhvillohen në mënyrë demokratike. Ai ftoi qytetarët e Kaçanikut që të dalin masovikisht në zgjedhje për ta dhënë verdiktin e tyre.
Bela po ashtu tha se pret nga këto zgjedhje mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe një zhvillim më të mirë për Kaçanikun.
Edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besim Ilazi i ftoi qytetarët e Kaçanikut që të dalin të votojnë të qetë dhe në mënyrë demokratike.
“I ftoj qytetarët e Komunës së Kaçanikut të dalin të votojnë të qetë dhe të votojnë në mënyrë demokratike, për ata që mendojnë që më së mirë do t’i përfaqësojnë në mandatin që do të vjen. Edhe njëherë falënderoij qytetarët e Kaçanikut për një fushatë të bukur, duke uruar që kjo ditë e zgjedhjeve të jetë sa më e qetë”, tha ai.
Ndërsa për kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Tahir Çaka kjo është një ditë festive për Kaçanikun. Ai u bëri thirrje qytetarëve, që të dalin për të votuar, nëse janë të interesuar ta ndryshojnë gjendjen në të cilën kanë qenë tash e disa vite. Me gjithë thirrjen për dalje në votim, ai tha se ky është një maltretim, i cili po u bëhet qytetarit të Kaçanikut, që në këtë gjysmë mandati të dalin të votojnë.
Edhe kandidati i Vetëvendosjes, Shukri Luta ftoi qytetarët që të votojnë për ndryshime, duke i siguruar se do ta mbrojnë vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune.
“Ftoj gjithë qytetarët e komunës së Kaçanikut, që të dalin sot masovikisht në zgjedhje dhe me votën e tyre të shprehin vullnetin e tyre për ndryshimin e madh dhe shpresoj dhe besoj që procesi zgjedhor do të kaloi mirë. Ne në të gjitha qendrat e votimit jemi pjesë aktive me aktivistët, komisionerët dhe vëzhguesit tanë, dhe besoj që do ta mbrojmë vullnetin e lirë të qytetarëve në Komunën e Kaçanikut”, tha ai.
Edhe kandidati i AKR-së, Kjani Berisha, i ftoi qytetarët të votojnë në këtë ditë festive për Kaçanikun.

Vushtrria kremton ditën e çlirimit

Me nderime në varrezat e dëshmorëve e me vënie kurorash, zyrtarët komunalë kanë shënuar 13 vjetorin e çlirimit të Vushtrrisë.
Me një akademi solemne që është organizuar në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, kryetari i komunës Bajram Mulaku, kujtoj këtë datë si datë të triumfit e të shpresës.
“17 qershori i vitit 1999 hapi një etapë të re për popullin e Kosovës dhe të komunës sonë. Është kjo etapa e lirisë dhe krenarisë kombëtare, etapa e prosperitetit dhe integrimeve kombëtare e ndërkombëtare”, tha i pari i komunës Mulaku.
Ndërkaq, siç njofton “Koha”, prezent në këtë akademi ka qenë edhe ish gjenerali i ushtrisë shqiptare Kudusi Lama, i cili deklaroj se ndjehej i lumtur me mundësinë e dhënë që t’iu drejtohet qytetarëve të vendlindjes së Hasan Prishtinës në përvjetorin e lirisë.
“Do të dëshiroja në këtë moment të isha në çdo familje dëshmori, të kisha pranë çdo luftëtar të asaj ushtrie, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që na dha lirinë, do të dëshiroja të përkëdhelë të gjitha lulet dhe drurët e tokave shqiptare, për të provuar freskinë e ajrit të maleve dhe fushave, duke shikuar fytyrat e fëmijëve të lumtur, pleqve të qetë, burrave e grave dinamike për të ndërtuar Kosovën e lirë, duke dhënë mesazhin se tokat shqiptare në të gjithë shtrirjen e tyre do të jenë të lira e shqiptarët do të jenë të fortë e të lumtur”, ka theksuar ai.
Në këtë manifestim, drejtuesit e pushtetit lokal ndanë mirënjohje për qytetarët e merituar të së kaluarës dhe së tashmes. 

Hoxhaj lobon në Amerikën Latine

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar disa ditë në shtete të ndryshme të Amerikës Latine, në përpjekje për t’i bindur ato që ta njohin pavarësinë e Kosovës. MPJ premton disa njohje shumë shpejt.
Kosova pret që së shpejti të njihet nga disa shtete të Amerikës Latine, Amerikës Qendrore si dhe nga vende të botës arabe, njofton KosovaTimes.
Kreu i diplomacisë së Kosovës, ministri Enver Hoxhaj ka ndërmarrë një fushatë lobuese për rritjen e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës.
Hoxhaj ka zhvilluar një sërë takimesh me krerë të vendeve të Amerikës Latine që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Artan Behrami, këshilltar i ministrit Hoxhaj ka konfirmuar për Kosovatimes.net se vizita disa ditshme ka pas për qëllim rritjen e numrit të shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ministri Hoxhaj ka zhvilluar shumë takime me ministra të Punëve të Jashtme të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në këto takime ministri Hoxhaj ka kërkuar nga këto shtete që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të lidhin marrëdhënie diplomatike”, ka thënë Behrami.
Ai është i bindur se brenda një periudhe shumë të shkurtër Kosova do të ketë disa njohje nga ky dhe kontinente tjera.
“Ministri Hoxhaj ka marr premtime të qarta se shumë shpejt disa shtete të Amerikës Latine dhe Amerikës Qendrore do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Edhe kryeministri i Kosovës ka marr premtime që do të ketë njohje nga bota arabe, por do të ketë edhe nga Afrika”, paralajmëroi Behrami. 

LDK: Ende nuk jemi anëtarë të Organizatës së PPE-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka sqaruar opinionin lidhur me shkrimet në media rreth anëtarësimit të LDK-së në Organizatën e Partive Popullore Evropiane. Bëhet e ditur se LDK nuk është anëtare e kësaj organizate, ndërsa vendimi final për anëtarësimin e LDK-së në Organizatën e PPE-së do të merret në vjeshtë të këtij viti.
Në njoftim bëhet e ditur se LDK-në e ka vizituar një Komision faktmbledhës i Partive Popullore Evropiane, i përbërë nga përfaqësues të dhjetë shteteve dhe se ky Komision ka takuar Kryesinë e LDK-së, Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë, Grupin Parlamentar, strukturat e tjera të partisë dhe subjekte të tjera.
“Në disa medie të vendit është dhënë lajmi i gabuar për anëtarësimin e LDK-së në Organizatën e Partive Popullore Evropiane... Siç tha dje në konferencë për medie kryesuesja e Komisionit, nënkryetarja e PPE, Vortman-Kol, Komisioni shkon me përshtypje dhe me vlerësimet më të larta për organizimin, punën dhe profilin e LDK-së, si parti e qendrës së djathë... Vendimi final për anëtarësimin e LDK-së në Organizatën e PPE do të merret në vjeshtë të këtij viti”, thuhet në kumtesë

D4D-INPO: 70 vjeçarja voton dy herë ?!

Demokracia për Zhvillim dhe INPO kanë njoftuar se deri në mesditë janë shënuar disa parregullsi gjatë procesit të votimit në Kaçanik, si votime të dyfishta, probleme në listën e votuesve, votime familjare, problemet me vëzhguesit e subjekteve politike.
D4D dhe INPO njoftuan se në qendrën e votimit 0719D (Kovaçec) vendvotimi 01, një të moshuare (mbi 70 vjeçare) gjatë procesit të kontrollimit të gishtit bateria ka treguar që votuesja e ka gishtin e spërkatur.
“Për këtë arsye Këshilli i vendvotimit ka thirr në ndihmë KKZ-në për të vendosur nëse duhet lejuar ajo që të votojë apo jo. Përfaqësuesit e KKZ-së duke u arsyetuar me moshën e votueses, kanë vendosur që atë ta lejojnë të votojnë. D4D dhe INPO konsiderojnë se kjo është shkelje nga ana e KKZ-së sepse nuk mund të përjashtohet mundësia që votuesja ka qenë e manipuluar dhe është dërguar më herët që diku tjetër të votojë me kusht”, thuhet në kumtesë.
Po ashtu raportohet për problemet me listën e votuesve. “Në qendrat e votimit 0707D (fshati Doganaj), 0702D (fshati Glloboçicë), 0703D (fshatin Kaçanik i Vjetër) dhe 0706D (Dubravë), një numër i konsideruar i qytetarëve nuk janë duke e gjetur emrin e tyre në listat e votuesve”.
Edhe votimet familjare dhe në emër të dikujt tjetër, si dhe votuesit me asistencë janë raportuar si parregullsi në këtë proces zgjedhor.
Mësohet se në qendrën e votimit 0707D (fshati Doganaj) vendvotimi 03R një votues ka shkuar në vendvotim me letërnjoftime të anëtarëve të familjes me qëllim që të votojë për të gjithë, por kryesuesi i vendvotimit nuk e ka lejuar dhe personi në fjalë ka votuar vetëm për veten e tij.
Në qendrën e votimit 0706D (Dubravë) 02R dhe vendvotimi 04D, si dhe në qendrën e votimit 0701D (Kaçanik) vendvotimi 01R ka pasur votim familjar, ndërkaq në qendrën e votimit 0701D (Kaçanik), vendvotimi 01R, një person ka asistuar me shumë se një person, gjë që është në kundërshtim të ligjit.
D4D dhe INPO raporton edhe për problemet me vëzhguesit e subjekteve politike.
“Në qendrën e votimit 0713D (fshati Begracë) vendvotimi 02R nga subjekti politik AAK ka pasur më shumë vëzhgues sesa është e lejuar me ligj dhe është dashur që menaxheri i qendrës së votimit të ndërhyjë që aty të mbesin vetëm dy vëzhgues nga ai subjekt politik, aq sa edhe e lejon ligji”, thuhet në kumtesë. 

KFOR-i ka hequr barrikadat në Rudare të Zveçanit

Ushtarët e KFOR-it dy orë pas mesnate kanë hequr barrikadat të cilat serbët lokalë i patën vënë në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit. Gjatë aksionit të KFOR-it, nuk ka pasur incidente.
Gjendja në Rudare është e qetë, ndërsa serbët të cilët janë tubuar në barrikada dhe ushtarët e KFOR-it qëndrojnë aty njeri pranë tjetrit.
Në të vërtetë, sipas mediave serbe, ushtarët e KFOR-it, mbrëmë, katër orë pasi serbët lokalë patën vendosur barrikadat, kanë hequr ato te lokaliteti Rudare në veri të Kosovës. Aksioni ka kaluar pa incidente, kurse pjesëtarët e KFOR-it pastaj kanë shkuar në drejtim të Leposaviqit në bazën e tyre.
Pengesat nga drunjtë dhe bllokat e betonit janë hequr tërësisht, kurse ura mbi lumin Ibër në Rudare është debllokuar nga bllokada totale gjatë kohës së operacionit të cilin e ka realizuar KFOR-i. Gjatë kësaj kohe mbi veriun e Mitrovicës dhe Zveçanit është vërejtur një helikopter i KFOR-it, njofton “Zëri”.
Pas heqjes së bllokadave, gjendja e sigurisë në Rudare është e qetë, kurse drejtimet e rrugëve të cilat shpijnë drejtë Zveçanit janë të lira.
Barrikadat e reja serbët i kanë vënë në shenjë pakënaqësie për mbylljen e rrugëve alternative në veri të Kosovës nga ana e KFOR-it, i cili të shtunën në mëngjes patën filluar aksionin e mbylljes së rrugëve alternative në lokalitetin Banje në vendin e quajtur Shtuoce, afër të këtij vendkalimi. 

Benfica mohon ofertat për Witsel

Benfica ka lëshuar një komunikatë ku ka mohuar plotësisht se ka marrë ndonjë ofertë për mesfushorin Axel Witsel.
Mesfushori sensacional belg, i cili ka shfaqur formë të jashtëzakonshme për klubin portugez është duke u kërkuar nga Milani, por Benfica ka mohuar se ka marrë ndonjë ofertë.
“Pas publikimit të disa lajmeve të shtunën, Benfica dëshiron të sqarojë se nuk ka marrë ndonjë ofertë nga ndonjë klub për Axel Witsel dhe se ai ka një klauzolë në kontratën e tij prej 40 milionë eurosh”, shkruan në komunikatën e klubit portugez.

Dalglish: Carroll i heshti kritikët

Ish-menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, thotë se Andy Carroll, ka arritur që me sukses t’i heshtë kritikët e tij pas golit të shënuar në Euro 2012 për Anglinë.
“Andy Carroll ka shfaqur një performancë të kompletuar për një qendërsulmues tipik. Ai shënoi një gol fantastik me kokë dhe mbajti topin mirë dhe arriti të largojë disa topa të rrezikshëm nga zona”.
“Unë gjithmonë kam thënë se njeriu i madh është Carroll dhe do të shihni edhe në vazhdim të kampionatit dhe sezonit të ardhshëm se kush është Carroll dhe sa gola të realizojë. Unë besoj te ky djalosh”, ka deklaruar Dalglish.

Veriu, strehë për kriminelët e kërkuar në Serbi

Veriu i Kosovës është bërë strehë për kriminelë të shtetit serb. Personat që kanë probleme me ligjin e drejtësinë të këtij vendi strehohen në veri të Mitrovicës, nga grupe kriminale dhe politike serbe, siç është rasti i Damjan Shobicit, i cili kërkohet në Serbi për vrasje.
Shobicin pjesëtarë të Policisë së Kosovës të Stacionit veri e kanë arrestuar të enjten në veri të Mitrovicës, për shkak të sulmit ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtjes pa leje, shkruan “Koha Ditore”.
I arrestuari Damjan Shobic, 29-vjeçar nga Beogradi, është i kërkuar nga MUP-i serb, për shkak të dyshimit të pjesëmarrjes së tij në një vrasje që kishte ndodhur më herët në Beograd.
Ndaj Shobicit, i cili një periudhë të gjatë është duke u fshehur në veri të Mitrovicës, Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar më 15 nëntor 2011 fletarrestim, për shkak të dyshimit të pjesëmarrjes së tij në vrasjen e një qytetari me emrin Ivan Perovic, si dhe në vrasjen e një tifozi francez në vitin 2008, kanë njoftuar burime të gazetës.

Barca ia kthen Realit...por në basket !

Barcelona e ka mposhtur Real Madridin në finalet e kampionatit spanjoll në basketboll, duke realizuar kështu atë që djemt e klubit të futbollit dështuan ta bëjnë këtë sezon.
73 me 69 përfundoi ndeshja e fundit vendimtare e play-offit, kurse njeriu që ishte më meritori për fitoren e Barcelonës ishte Vasquez me 16 pikë.
Ky është titulli i 14-të në historinë e klubit basketbollistik të Barcelonës, ndërsa shumë e shohin si hakmarrje për disfatat në El Clasicon e futbollit, ku Reali këtë edicion e mposhti Barcelonën në Camp Nou për ta fituar më pas La Ligën.

Clichy: Mirë që u largova nga Arsenali

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Gael Clichy, ka thënë se transferimi i tij në Etihad Stadim nga Arsenali ka qenë vendim i drejtë për të.
“Është qesharake, por unë jam shumë lojtar tjetër prej se kalova te City. Në kokën time, është pika kthyese e karrierës. Unë kam dashur të shoh ku do të më shpjerë City. Nuk pendohem në asnjë moment që u largova, pasi kam fituar vetbesim”.
“Tashmë dhjetë vjet janë që kam luajtur në Ligën Premier dhe kjo nuk është keq. Unë jam kampion i Anglisë dhe kjo është me rëndësi në jetën e një lojtari, ndihesh më i fortë”, ka thënë Clichy. 

Massa: Mosha fajtore për mossuksesin e Schumit

Piloti i Ferrarit, Felipe Massa, ka komentuar rezultatet e dobëta të shtatëherë kampionit botëror në Formula 1, Michael Schumacher.
43-vjeçari, i cili vozit bolidin e Mercedesit, është tërhequr pesë herë në shtatë garat e këtij viti, ndërsa ato dy që i përfundoi zuri vetëm vendet e dhjeta.
“Nuk e di, ndoshta ka të bëjë me vitet e tij”, ka thënë Massa përSport 360.
Në vitin 2006, Schumi u pensionua nga Formula 1, mirëpo u kthye pas tre vitesh, megjithatë asnjëherë nuk e ktheu formën e tij të dikurshme në pistë.
“Formula 1 ka ndryshuar shumë që kur Michael u largua. Unë kam qenë vazhdimisht brenda dhe e kam shumë të vështirë të përballem me ndryshimet, prandaj mund ta imagjinoj si e ka ai. Më e rëndësishmja është që njeriu të argëtohet, ndërsa Michael e bën pikërisht këtë”, ka deklaruar braziliani.

Çekia dhe Greqia në çerekfinale

Republika Çeke ka regjistruar fitore minimale përballë njërit nga bashkënikoqirët e Euro 2012 – Polonisë, që i mjaftoi për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit të sivjetmë EvropianFraksioni i parë i lojës u mbyll pa gola, me polakët që e filluan më mirë, mirëpo me kalimin e kohës çekët e morën lojën në dorë.

Goli i fitores erdhi në minutën e 72-të, kur pas një asistimi të Milan Baros, Petr Jiracek heshti tifozët vendas.



Fitore me rezultat identik ka shënuar edhe Greqia kundër Rusisë duke e siguruar vizën për raundin e eliminimit direkt të turneut më të madhe evropian.



Ishte kapiteni Giorgos Karagounis njeriu që në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+2) shënoi golin që i dërgon helenët në fazat finale të Euro 2012.

Republika Çeke me dy fitore dhe një humbje kualifikohet nga vendi i parë në Grupin A me gjashtë pikë, kurse Greqia pas një fitoreje, një barazimi dhe një humbje kualifikohet nga pozita e dytë me katër pikë, po aq sa ka Rusia një pozitë më poshtë. 

Lady Gaga, album me Tony Bennet

Pop ylli, Lady Gaga, do t’i përvishet punës në studio me veteranin e muzikës Tony Bennet, për të regjistruar bashk me të një album të plotë.
Gaga performoi një vit më parë me Bennet dhe eksperienca i ka pëlqyer aq shumë sa që dëshiron të regjistrojë një album të tërë.
“Ajo është shumë te talentuar. Unë isha së fundmi me prindërit e saj dhe ata thanë se ajo dëshiron të bëjë album me mua. Mua më pëlqen ideja. Mezi e pres”, ka theksuar 85 vjeçari.

Pozicioni kult i tantrës?

Është Yab-Yum që konsiderohet si pozicioni më efikas i dashurisë. Çfarë e bën atë kaq të veçantë?
Në ndryshim nga të gjitha pozicionet, në pozicionin Yab-Yum (ajo e ulur mbi të, përballë njëri tjetrit, mundësisht duke u vështruar në sy dhe me këmbët të mbledhura që të rrethojnë tërë shpinën e partnerit) me kokën lart.
Ky pozicion të jep mundësinë të perceptosh më mirë energjinë seksuale që sa vjen e rritet gjatë një akti. Nëse të dy partnerët lëvizin vithet, në mënyrë që lëvizjet e tyre të ndjekin njëra tjetrën duke qenë ritmike do të arrijnë të vendosin një harmoni të qëndrueshme midis trupave të tyre.
Është shumë e rëndësishme që gjatë këtyre çasteve të partnerët të preken, pasi në këtë mënyrë asgjë nuk do të arrijë të pengojë bashkimin e thellë shpirtëror mes tyre. 

Depresivët vuajnë nga ndjenja e fajit dhe vetakuzimit

Depresionin nga pikëllimi i zakonshëm e dallon ndjenja e fajit dhe vetakuzimit, prandaj njerëzit të cilët më shpesh e fajësojnë veten për ngjarjet e jetës janë më të prirë për depresion, sepse truri reagon ndryshe.
Njerëzit që shpesh e fajësojnë veten për situatat dhe problemet e jetës shumë më shpesh bëhen depresivë, ka vërtetuar studimi i Universitetit Manchester.
Shkencëtarët me ndihmën e incizimeve të rezonancës magnetike të trurit kanë dëshmuar që pjesët e caktuara të trurit të të sëmurëve nga depresioni reagojnë ndryshe se sa tek njerëzit e zakonshëm, transmeton Daily Mail. Me këtë kanë vërtetuar tezën e psikoanalistit, Sigmund Freud, i cili ka thënë që depresionin nga pikëllimi i zakonshëm e dallon ndjenja e fortë e vetakuzimit dhe fajit.
Madje, edhe pasi që simptomat e depresionit largohen, lobi i përkohshëm i të sëmurëve nga ai ka mekanizëm të ndryshëm të reagimit ndaj të menduarit për fajin; kanë shpjeguar shkencëtarët. Ata në eksperiment kanë vëzhguar trurin e njerëzve, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë depresivë, si dhe të atyre të cilët qysh një vit kanë qenë të sëmurë nga depresioni dhe tani janë në remision.
“Është interesante që truri i njerëzve te prirë për depresion reagon ndryshe në situatat në të cilat e fajësojnë veten për diçka dhe jo nëse janë të zemëruar në të tjerët. Kjo shpreh joracionalitetin e tyre në vlerësimin e situatës dhe kanë kritere shumë më të forta për vete se sa për tjerët, për ç’arsye si pasojë ndihen me faj edhe për gjërat dhe ndodhitë të cilat nuk i kanë shkaktuar”, ka thënë dr. Roland Zahn, udhëheqës i studimit. 

Kalon Niagarën mbi litar (Video)

Nick Wallenda është njeriu i parë që i kalon ujëvarat e Niagarës mbi një litar të tendosur. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën pranë ujëvarave dhe miliona të tjerë e ndoqën nga televizori aventurën e 33-vjeçarit në 61 metra lartësi mbi një litar rreth gjashtë centimetra të trashë.
Rreth 25 minuta pasi e nisi aventurën, Wallenda triumfues më në fund vuri këmbë në tokën kanadeze pas 550 metrash udhë. Pasi përshëndeti të shoqen dhe familjen, atij iu afruan agjentët doganorë që i kërkuan pasaportën, të cilën ai ua paraqiti.
“Nuk kam asgjë tjetër me vete”, tha 33-vjeçari.
“Cili është qëllimi i udhëtimit tuaj, zotëri?”, e pyetën agjentët.
“Të frymëzoj njerëz në mbarë botën”, u përgjigj ai.
Siç transmeton Gazeta Start, Wallenda ka thënë se ky ishte realizimi i një ëndrre të hershme dhe një mundësi për të nderuar stërgjyshin e tij, i cili vdiq pasi ra nga një litar i tendosur në Puerto Riko në vitin 1978. 

BE ia tërheq vërejtjen Beogradit

Zyrtarë të Bashkimit Evropian ia kanë tërhequr vërejtjen Beogradit zyrtar që të mos i keqinterpretojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në procesion e dialogimit.
Ky reagim i Brukselit zyrtar ka ardhur pas deklaratave që i ka bërë shefi i delegacionit serb të bisedimeve, Borko Stefanovic, sipas të cilit pjesa veriore e Kosovës nuk përfshihet në marrëveshje për lëvizje të lirë, dhe fusnota duhet të jetë e obligueshme para tavolinës së Prishtinës nëpër takimet rajonale.
“Beogradi nuk do të marrë pjesë në takimet rajonale, nëse Kosova nuk paraqet para saj përmbajtjen e fusnotës, që është Rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND-së”, ka thënë Stefanovic për mediet serbe.
Mirëpo, Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, ka thënë se Serbia qëllimisht po i keqinterpreton marrëveshjet e arritura. Sipas saj, përmbajtja e marrëveshjeve është shumë e qartë dhe të dyja palët duhet t’i përmbahen ashtu siç janë, shkruan gazeta “Zëri”.
Ajo thotë se nuk qëndrojnë deklaratat e zyrtarëve serbë, se kinse veriu nuk përfshihet në marrëveshje për lëvizje të lirë. “Të gjitha marrëveshjet përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, nuk ka ndarje gjeografike”, tha Maja Kocijancic.
Ndërsa sa i përket fusnotës, Kocijancic thotë se marrëveshja e lejon që përmbajtja e fusnotës të vendoset aty ku duan vetë organizatorët e takimeve rajonale.
“Prej fillimit kemi qenë shumë të qartë. Fusnota ekziston, por përmbajta e saj, kemi thënë që mund të paraqitet aty ku e vlerësojnë vetë organizatorët e takimeve rajonale”, tha Kocijancic.
Ajo u bëri thirrje palëve që t’u përmbahen marrëveshjeve. Sipas saj, për të parë implementimin e këtyre marrëveshjeve, javën e ardhshme do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, Robert Cooper, ndërmjetësuesi i bisedimeve nga BE.
Edhe ky i fundit, njëjtë pati akuzuar para disa ditësh Serbinë që po e keqinterpreton marrëveshjen për fusnotën.
Pavarësisht kësaj, zyrtarë nga Serbia insistojnë që Beogradi ka të drejtë për atë që e thotë.
“Stefanovic ka të drejtë kur thotë se veriu nuk përfshihet në marrëveshje. Për veriun duhet të ketë marrëveshje të veçantë. Nuk ka zgjidhje tjetër”, tha për “Zëri”, Oliver Ivanovic, i ashtuquajtur sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën. 

Kaçanik: Tenton të votojë me kopje të letërnjoftimit

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Iniciativën për Progres kanë filluar vëzhgimin e procesit të votimit në komunën e Kaçanikut. Ata kanë raportuar për parregullsitë e para në proces.
Siç njoftojnë përmes një komunikate në qendrën e votimit 0707D (fshati Doganaj) ka ndodhur një mosmarrëveshje në mes të kryesuesit (AAK) të vendvotimit 01R pasi që i njëjti nuk ka lejuar të votoj një vëzhgues të subjektit politik të PDK-së, i cili ka tentuar të votojë me kopje të letërnjoftimit.
Pas insistimit të kryesuesit të vendvotimit, vëzhguesi ka dalë jashtë për disa momente dhe është kthyer me një letërnjoftim tjetër, por që sipas vëzhguesve të D4D dyshohet se edhe ky letërnjoftim ka qenë kopje dhe jo origjinal.
Po ashtu, në bazë të informacioneve të para, në qendrën e votimit 0712D (fshati Elezaj) bëhet e ditur se materiali udhëzues për votim ka munguar brenda vendvotimit.
Ndryshe, sipas D4D dhe INPO-së, procesi i shpërndarjes së materialit të ndjeshëm ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe materiali i është dorëzuar ekipeve përkatëse me kohë.
“Sipas vëzhguesve tanë, të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk ka pasur ndonjë problem në hapjen e tyre.
D4D dhe INPO kanë nga një vëzhgues në çdo vendvotim dhe po ashtu kanë vënë në dispozicion katër (4) ekipe mobile", thuhet në kumtesë.

Jahjaga rrezikon reformën kushtetuese!

Dëshira e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që me çdo kusht të mbesë në kolltukun e të parës së vendit, mund t’u kushtojë shtrenjtë qytetarëve dhe institucioneve kosovare. Pretendimet e saj për të qëndruar pesë vjet në Presidencën e Kosovës, mund ta rrezikojë tërë punën që është bërë për reformën kushtetuese dhe zgjedhore.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë deklaruar haptazi se nëse Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë amendamentin e dhjetë të Kushtetutës, i cili e përcakton se mandati i Jahjagës përfundon gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së amendamentuar, atëherë LDK-ja nuk do t’i votojë amendamentet tjera, me ç’rast reforma kushtetuese do të rikthehet në pikën zero.
Pos LDK-së, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe deputetët e Vetëvendosjes. Vota e tyre do të shkojë kundër amendamenteve për shkak se, sipas tyre, presidenti i ardhshëm do të duhej të zgjidhej në kuvend, sikurse që janë zgjedhur deri më tani, dhe jo me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve, shkruan “Zëri”.
Por, pavarësisht se Kosovës i kanoset rreziku që reforma kushtetuese të dështojë falë dëshirës së Jahjagës për të mbetur presidente, zyrtarët e Presidencës nuk janë në gjendje të deklarohen për këtë çështje.
I kontaktuar nga gazeta, Arbër Vllahiu, këshilltar për medie i presidentes Jahjaga, ka thënë se nuk komenton asgjë meqenëse Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka kryer procedurën e saj në raport me amendamentet dhe nuk ka marrë ndonjë vendim. 

Ka filluar votimi për kryetar të Kaçanikut

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media njoftoi se procesi për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Kaçanikut është duke rrjedh normalisht, ndërsa vendvotimet janë hapur në ora 7 të mëngjesit.
Në konferencën e parë për media u bë e ditur se kutive të votimit, qytetarët do t’u drejtohen në 16 Qendra Votimi (QV) me 42 Vendvotime (VV).
Në këto zgjedhje, të drejtë votimi kanë gjithsej 31473 votues. Ndërkaq, për kryetar të komunës së Kaçanikut në këto zgjedhje garojnë pesë kandidatë: Besim Ilazi (PDK), Sahit Bela (LDK), Shukri Luta (VV), Kjani Berisha (AKR) dhe Tahir Çaka (AAK). 

Tony Blair në Kosovë

Njeriu kyç që vuri në lëvizje intervenimin e NATO-s kundër okupatorit serb, Tony Blair do të qëndrojë të hënën për një vizitë në Kosovë.
Ish-Kryeministri britanik, përmes Fondacionit të tij “Faith Foundation”, do të ndihmojë dy universitete kosovare në promovimin e tolerancës dhe debatit kritik për rolin e feve në shoqëritë demokratike. Charlotte Keenan, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit, tregon për “Express” agjendën e Tony Blairit dhe lidhjen e tij personale me Kosovën.
“Blair Tony Faith Foundation, e themeluar nga RT. Hon Tony Blair në vitin 2008, fokusohet në të kuptuarit e ndikimit të fesë në botën e sotme, dhe përpiqet për respekt dhe mirëkuptim midis feve kryesore të botës”, tha ajo.
Evropa Lindore dhe Ballkani kanë parë ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe sociale gjatë tri dekadave të fundit, si dhe konflikte të tmerrshme. Sipas saj, në këtë kontekst, Fondacioni beson se duhet hulumtuar me involvimin e institucioneve akademike dhe arsimore të kuptuarit e forcave kryesore sociale dhe fetare.
Tony Blair ka edhe një marrëdhënie historike dhe angazhimin për Kosovën dhe rajonin dhe është kjo dëshirë e përbashkët me popullin e Kosovës për paqe të qëndrueshme dhe zhvillimin e vazhdueshëm të një shteti të ri që ne shpresojmë bën punën e Fondacionit të tij të duhur në këtë kohë.