Zgjedhjet serbe në Kosovë, hedhje parashë kot

Zgjedhjet,të cilat do t’i organizonte qeveria serbe në Kosovë, do të jenë të paligjshme dhe do të ishte një hedhje parashë kot. Ky është qëndrim i autoriteteve të Kosovës, por edhe i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës qendrore.
Kundër këtyre zgjedhjeve janë shprehur dy zëvendëskryeministrat në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi dhe Slobodan Petrovic.
Kuçi thotë se ekzistojnë të gjitha indikacionet se Serbia do të ketë qëndrim evropian dhe nuk do të organizojë zgjedhje në Kosovë, sepse mbajtja e tyre do të ishte ilegale. Kurse Petrovic beson se Serbia duhet të tërhiqet nga organizimi i zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas tij organizimi i zgjedhjeve fiktive lokale do të ishte hedhje kot e parave dhe tensionim i panevojshëm i situatës.
Kundër organizimit të zgjedhje lokale serbe në Kosovë është shprehur edhe Rangel Nojkic, kryetar i këshillit për Kosovë të Lëvizjes për Ringjalljen Serbe (SPO), por ai nuk është kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe.
"Mendoj se Beogradi nuk duhet të organizojë zgjedhje lokale, sepse pikërisht zgjedhjet lokale kanë prodhuar probleme të cilat më vonë kanë ndodhur në veri", tha ai për “DW”.
Nojkic paralajmëroi se do të jetë e rrezikshme nëse Beogradi lejon që materiali zgjedhor futet në Kosovë nëpërmjet kanaleve ilegale. "Mendoj se Beogradi nuk duhet të bjerë në kurthin apo presionin e njerëzve në veri, që nëpërmjet kanaleve ilegale të bartë materialin zgjedhor në Kosovë dhe pastaj të akuzohet Beogradi për shkelje të Rezolutës 1244 dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura". 

Hoxhaj: Nuk do të bisedojmë me Serbinë për veriun

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e gatshme dhe në çdo kohë, që të ketë një proces bisedash ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve serb në veri të Kosovës, mirëpo sipas tij, ky dialog duhet të ndodhë brenda shtetit të Kosovës dhe në asnjë mënyrë në një dialog të tillë nuk do të duhej të involvohet Serbia.
Duke iu referuar një deklarate të Philip Gordon, zëvendës-sekretar amerikan i shtetit, i cili thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë për gjendjen në veriun e Kosovës, ministri Hoxhaj tha se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesve të tyre në Prishtinë, apo përmes formave tjera mund ta japin kontributin e tyre që tri komuna e gjysmë të veriut të integrohen me pjesën tjetër të Republikës së Kosovës.
Në një intervistë për Deutsche Welle, shefi i diplomacisë kosovare u shpreh i sigurt se procesi i njohjeve nuk do të ndalet.
“Pavarësia e Kosovës dhe njohjet e Kosovës nuk bien ndesh me rezolutën 1244 dhe jam i sigurt që disa shtete në javët që do të vijnë do të bëjnë publike vendimet e tyre që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, vlerësoi Hoxhaj.
Duke folur për marrëveshjen e arritur për fusnotën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë theksoi se është një marrëveshje e cila për herë të parë në historinë e Kosovës dhe në periudhën e shtetësisë së saj i mundëson Kosovës që të marrë pjesë në forume rajonale, evropiane dhe globale, që të flasë në emrin e saj, që të ketë autoritet të nënshkruajë marrëveshje multilaterale dhe të njëjtën kohë të ketë mundësi përfaqësimi si shtet sovran dhe demokratik.
“Marrëveshja si e tillë është e përkohshme, është një zgjidhje e cila ofron kornizë të përfaqësimit të vendit tonë. Unë si ministër i jashtëm e kam kuptuar marrëveshjen si një mundësi e mirë që ne jo vetëm të jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe ta ruajmë sovranitetin, por ta ushtrojmë këtë sovranitet në të gjitha këto forume rajonale, evropiane dhe më gjerë. Pjesa tjetër ku Kosova ka pasur përfitime është vendimi i Këshillit Evropian për fillimin e studimit të fizibilitetit”, theksoi Hoxhaj.
Pos marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, Hoxhaj thotë se është një marrëveshje tjetër thelbësore për Republikën e Kosovës, ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, ku Republika e Serbisë e pranon në mënyrë legale kufirin me Republikën e Kosovës.
“Nëse ne e kemi parasysh edhe këtë marrëveshje, mendoj se dy marrëveshjet kanë vendosur një bazë solide edhe për vendosjen e sovranitetit të brendshëm në territorin e Kosovës si dhe sovranitetin e jashtëm në nisma rajonale dhe më gjerë”, thotë Hoxhaj.
Se sa mund ta pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, pas Serbia ka marrë statusin e kandidatit për në BE, Hoxhaj tha se secili vend lëviz në agjendën evropiane në përputhje me dinamikën e vet të brendshme.
“Në rastin e Kosovës ne duhet ta kemi parasysh që Kosova është shpallur shtet para katër vjetësh dhe ne kemi një agjendë tjetër kohore në rrugën tonë evropiane karshi të gjitha vendeve të Ballkanit... Kërkesa jonë e vazhdueshme ka qenë që një Serbi evropiane duhet të sillet si evropiane jo vetëm karshi Brukselit, por duhet të sillet si evropiane edhe karshi Kosovës dhe ta trajtojë Kosovën si shtet partner të barabartë dhe në përputhje me standardet evropiane ta hartojë edhe qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Unë nuk besoj se Serbia mund të lëvizë shpejt drejt integrimeve evropiane pa e pranuar pavarësinë e Kosovës. Të dy marrëveshjet që janë arritur është një dëshmi konkrete që Serbia e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur si fazë e parë dhe jam shumë i bindur se në një periudhë kohore pas disa vitesh do të pasojë edhe njohja e Kosovës nga vetë shteti serb”, tha ndër të tjera, ministri Hoxhaj.
Duke folur për politikën gjermane në raport me Kosovën dhe Serbinë, ministri tha se qëndrimi gjerman duhet të kuptohet si një qëndrim parimor.
“Nuk mundet një vend si Serbia e cila aspiron anëtarësimin në BE, të bëjë edhe më tutje përpjekje përmes strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë ta kontrollojë një pjesë të territorit të Kosovës. Nuk mundet një vend si Serbia të mos lejojë që në veri të mos ketë sundim të ligjit, të mos ketë pjesëmarrje demokratike në institucione demokratike përmes zgjedhjeve. Unë jam i sigurt që këto kushte evropiane, këto standarde evropiane të cilat i bëri të qarta zonja Merkel, edhe më tutje vlejnë për Serbinë.
Mirëpo vendimi që u mor në mars të këtij viti për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë ka të bëjë edhe me një gjeopolitikë të re. Përshtypja ime është që pjesa perëndimore e botës, do të thotë SHBA dhe Bashkimi Evropian, kanë qenë të interesuara që pas 20 vjetësh njëherë e përgjithmonë ta shkëputin Serbinë nga ndikimi i Rusisë...”, u shpreh ministri i Jashtëm i Kosovës. 

Serbët sërish ia mbyllin rrugën EULEX-it

Në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok, serbët e veriut sot kanë ndaluar një kolonë të automjeteve të EULEX-it, e cila ishte nisur drejt pikë kalimit kufitar në Jarinë.
Menjëherë kanë reaguar ushtarët bullgarë të KFOR-it, të cilët kanë vendosur në pikë kontrolli në hyrje të fshatit Zitkovac, transmetojnë mediat serbe.
Serbët e kishin mbyllur rrugën me drunj, duke pamundësuar kalimin e automjeteve të EULEX-it.
Ushtarët bullgarë të KFOR-it në pikën kufitare në fshatin Zitkovac kontrollojnë automjetet, prandaj në dy drejtimet e rrugës janë krijuar kolona të gjata automjetesh.
Edhe në Jagnenicë KFOR-i ka vendosur një pikë kontrolli, kështu që rruga Zubin Potok - Zvecan –Mitrovicë është e bllokuar. 

DASH: Kosova shtet transit për drogat

Kosova kryesisht është shtet transit për drogat që kanë destinacion Evropën dhe nuk është prodhues narkotikësh, thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Policia nuk ka gjetur se në Kosovë rafinohet droga apo ka laborator për prodhimin e tyre, thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit në të cilin përfshihen të gjitha aspektet e tregtisë ndërkombëtare të drogës gjatë vitit 2011.
Në raport vlerësohet se Kosova ka bërë përparim në iniciativat kundër substancave narkotike në vitin 2011, kryesisht duke përmirësuar koordinimin në mes të agjencive të përfshira.
Në raport thuhet se Kosova merr ndihmë teknike dhe trajnime përmes programeve OPDAT dhe ICITAP, të themeluara nga administrate e Shteteve të Bashkuara.
“Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje që të ofrojë trajnime dhe të financojë programet kundër substancave narkotike për uljen e trafikimit të tyre.
Policia e Kosovës dhe prokurorët duhet të rrisin kapacitetin e tyre në kryerjen e hetimeve dhe përndjekjeve të trafikantëve të drogës, të krimit të organizuar dhe spastrimit të parave si dhe të çrrënjosë trafikimin ilegal. Kjo mund të kërkojë që lufta kundër narkotikëve të vihet si prioritet i lartë.
Vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare dhe një nivel i lartë i vëmendjes dhe një koordinim i Qeverisë së Kosovës, do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve”, thuhet në raport.

Serbia synon ‘kompromis’ për zgjedhjet në Kosovë

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë kushtëzohet nga “formula magjike” e kompromisit ndërmjet Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244, vlerëson Oliver Ivanovic, në një bisedë për gazetën “Tribuna Shqiptare”.
Ai thekson se referendumi në pjesën veriore të Kosovës mund të llogaritet si fillim i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet serbe. Ai nuk mendon se përmendja e Rezolutës 1244 në marrëveshjen për “fusnotën’, u bë për të krijuar favore për partinë e presidentit serb Boris Tadic, pasi që çdo parti serbe është e detyruar t’u bindet kushteve të BE-së.
Ndërsa, Ivanovic thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës “po e teprojnë” kur po kërkojnë reciprocitet në raport me pakicën serbe në Kosovë. Për këtë çështje, ai thotë se Serbia mund të negociojë vetëm me Shqipërinë. 

Kuçi thotë se nuk do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të jenë pjesë e garancës për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Kuçi përsëriti se mbajtja e atyre zgjedhjeve ndikon negativisht në raportet ndëretnike në Kosovë.
Edhe pse kanë shprehur bindjen se nuk do të ketë zgjedhje serbe në veri të vendit, Kuçi ka thënë se edhe në rast se ndodhë e kundërta ato nuk kanë fuqi juridike.
Pas mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri tha se gjitha rrjedhat politike tregojnë se Serbia nuk do të organizojë mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, raporton Rtk. Lidhur me këtë çështje Qeveria e Kosovës tashmë ka biseduar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nga të cilat ka kërkuar të ndalin një veprim të tillë të Serbisë.
Ai ka folur edhe për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit. Një ditë pasi misioni EULEX bëri të ditur se do të shtojë kapacitetet e tij në veri, Kuçi, theksoi se ekziston një plan sesi të vendoset rendi dhe ligji në atë pjesë të vendit.
Në mbledhjen e sotme qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ndërtim, që buron nga Pakoja e Ahtisaarit.
Kryeministri Hashim Thaçi ftoi zyrtarët qeveritarë që sa më shpejt ta rregullojnë bazën juridike të legalizimit të ndërtimeve pa leje.
Qeveria po ashtu miratoi projektligjin për ndërmarrjet publike që po ashtu buron nga Pakoja e Ahtisarit.
Qeveria mori vendim edhe për themelimin e Akademisë Diplomatike që do të veprojë në kuadër të Ministrisë së Jashtme. Akademia do të merret me trajnime të stafit të Ministrisë dhe hulumtime nga politika e jashtme.

Jahjaga: Më shumë hapësirë për kontributin e gruas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga uroi gratë me rastin e 8 Marsit, duke veçuar rolin e gruas kosovare në kohërat e rënda dhe ngjarjet shumë të rëndësishme nëpër të cilat kaloi vendi ynë.
Ajo në mesazhin e urimit theksoi se gruaja kosovare ishte pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve të ndërtimit të shtetit të Kosovës, e barabartë në përgjegjësitë dhe kontributin e saj në kohëra shumë të vështira.
“Gruaja sot është bartëse e funksioneve shumë të rëndësishme dhe pjesë e të gjitha institucioneve të vendit, duke dhënë kontribut të pamohueshëm për krijimin e hapësirave të reja për gratë, por edhe duke i dhënë kontribut zhvillimit të shtetit në përgjithësi”, shprehet Jahjaga.
Ajo theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjithë shoqëria kosovare në përgjithësi do të bëjë edhe më shumë për krijimin e hapësirave të reja për kontributin e gruas në të mirë të familjes, shoqërisë dhe shtetit.

Përfaqësimi i gruas në pushtetin komunal-veç prej zorit

Në 37 komuna të Republikës së Kosovës, asnjë grua nuk është kryetare komune. Po të mos ishte detyrimi ligjor, gruaja nuk do të ishte e përfaqësuar as në kuvende komunale. Faji për këtë gjendje u adresohet partive politike, por edhe grave që nuk votojnë për gratë.
Përfaqësimi i gruas në pushtetin lokal në Kosovë është mjaft i kufizuar. Përveç që nuk kemi asnjë kryetare komune, grave u janë besuar shumë pak poste udhëheqëse në qeveritë komunale. Në 37 komuna janë mbi 320 drejtorë drejtorie, ndërsa prej tyre rreth 300 janë meshkuj, shkruan KosovaTimes.
Në kuvendet komunale të Republikës së Kosovës, një e treta e këshilltarëve janë gra, por kjo është siguruar me detyrim ligjor.
”Po të mos ekzistonte kuota, në kuvendet komunale nuk do të kishte asnjë femër. Po ju garantoj”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës.
Për pozitën në të cilën gjendet femra kosovare sa i përket përfaqësimit në institucione, Rogova i bënë fajtorë udhëheqësit e partive politike. Ajo tha se partitë e kanë përmirësuar pak gjendjen në nivelin qendror, por në atë lokal gjendja është e rëndë.
Pavarësisht se Ligji për Barazinë Gjinore specifikon se pjesëmarrja e barabartë gjinore në institucione është arritur në rastet kur pjesëmarrja në nivelin e pushtetit është 40 për qind, nuk ka komuna që e kanë zbatuar këtë.
Në anën tjetër, në Ligjin për Shërbyesit Civil dhe Ligjin e Punës nuk theksohet përqindja Gjinore në institucionet dhe organet udhëheqëse. Mosmarrëveshja në mes këtyre Ligjeve krijon mangësi në interpretimin dhe zbatimin e Ligjeve ekzistuese, duke u lejuar komunave të marrin vendime të lira në lidhje me numrin e femra të punësuara.
Në tetë komuna të Kosovës, Viti, Novobërdë, Ranillug, Hani i Elezit, Kamenicë, Kaçanik, Kllokot dhe Shtërpce, të cilat ndihmohen nga projekti LOGOS që financohet nga qeveria Zvicerane, numri i stafit femra arrin deri në 15 për qind, në total.
Që nga zgjedhjet e fundit lokale, zyrtaret më të larta në komunat tona janë tri gra, që mbajnë postet e kryesueseve të kuvendeve komunale në Novobërdë, Pejë dhe Mamushë.
E para nga to që ka fituar këtë post me votat e kolegëve të saj është Shefkije Mehmeti. Ajo drejton me sukses Kuvendin Komunal të Novobërdës. Ajo është nënë e pesë fëmijëve, por e ka përkrahjen e burrit për t’u marrë me politikë.
“Është vështirë për një femër të udhëheqë një Kuvend Komunal”, thotë ajo. Megjithëkëtë, ajo ka ambicie që edhe në të ardhmen të merret me politikë dhe nuk e përjashton mundësinë që të kandidohet edhe për kryetare të komunës.
Kryetari i Komunës së re të Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka treguar se nuk ka të emëruar asnjë drejtoreshë, por shefe e personelit është një femër, që është pozita më e lartë e stafit civil në komunë. Ai ka thënë se kur është zgjedhur në pozitën e kryetarit i ka pranuar në punë dy femra dhe nuk ka pasur mundësi të pranojë të tjera për shkak numrit të limituar të vendeve të punës.
Edona Hajrullahu, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit thotë se në vitin 2011 është realizuar hulumtimi: “Gratë në procesin e punës dhe vendimmarrjes” me të cilin është vlerësuar kuadri ligjor, institucional si dhe politikat të cilat promovojnë mundësitë e pjesëmarrjes së grave në procesin e punës dhe vendimmarrjes.
Ky hulumtim, sipas Hajrullahut, ka nxjerrë në pah që përfaqësimi i grave në institucionet publike dhe posaçërisht në pozita vendimmarrëse nuk është proporcional me përqindjen gjinore të popullsisë.
“Është mëse evidente që numri i grave në ekzekutiv, në nivelin lokal, nuk është në përqindjen që ne do dëshironim, por duhet pasur parasysh që në shumicën e rasteve shkollimi është përcaktues për sigurimin e vendit të punës apo pozitës së caktuar”, tha Hajrullahu.
Për këtë vit, Agjencia për Barazi Gjinore ka paraparë mbështetjen e grave të cilat janë shërbyese civile përmes ofrimit të 10 bursave për studime master, si dhe do të jap kontributin e saj rreth plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit Zgjedhor dhe harmonizimit të tij me Ligjin për Barazi Gjinore.
Njëra ndër arsyet kryesore për pozitën e pabarabartë të gruas në qeverisjen lokale është te partitë politike që nuk u japin hapësirë të mjaftueshme grave politikane, por edhe mospërkrahja e grave nga vetë gratë.
Nexhmije Kallaba kishte konkurruar për kryetare të Kamenicës, në zgjedhjet e fundit, por nuk kishte mbështetje as nga fshati ku jeton – Rogaçicë. “Nga kjo kam mësuar shumë. Tek ne, femra nuk shihet e denjë për të udhëhequr me komunën apo institucione tjera me rëndësi”, thotë ajo.
Kallaba thekson se vota e shumicës e femrave në Kosovë ndikohet nga të tjerët.
Sipas Kallabës, ata që udhëheqin me komunat nuk po bëjnë asgjë për përmirësimin e pozitës së gruas dhe punësimin e tyre në institucione. /

Avokati Khan denoncon prokurorin Salustro për shkelje ligjore

Kur pronat e Fatmir Limajt po bastiseshin nga policët e EULEX-it, dy vjet më parë, nën dyshimin për krime ekonomike, hetime po zhvillonte edhe prokurori Maurizio Salustro, nën dyshimin për krime lufte.
Kolegu i tij, Eduardo Guerrof, kishte konfiskuar materiale të shumta që lidheshin me tenderë të Ministrisë së Transportit, ndërsa Salustro kishte konfiskuar gjithçka që kishte lidhje me luftën si fotografi, uniforma të UÇK-së.
Është dashur që të kalojnë gati dy vjet që mbrojtja e Fatmir Limajt, i dyshuar për katër vepra të korrupsionit, të zbulojë detaje të atij aksioni, i cili shënonte bastisjen e parë të madhe të kryer nga EULEX-i, njofton “Koha Ditore”..
Avokati i Limajt, Karim Khan, ka thënë të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë se prokurori Guerrof kishte leje nga Gjykata për të kryer bastisje, por jo edhe Salustro, i cili po kryente hetime paralele për vepra penale të krimeve të luftës.
Sipas tij, ato hetime kanë qenë të paligjshme dhe pa vendim të Gjykatës.

Thaçi uron gratë e Kosovës

Me rastin 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri Hashim Thaçi, ka uruar të gjitha gratë e Kosovës.
“Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, është një festë e rëndësishme për gruan dhe nënën, si pjesë e shoqërisë, që shënohet në tërë botën demokratike.
Përgjatë gjithë historisë roli i nënës dhe i gruas ka qenë i domosdoshëm për krijimin e vlerave të përgjithshme shoqërore, kulturore, politike dhe jetësore”, thuhet në telegramin e kryeministrit.
Më tej në telegram thuhet se në të gjitha institucionet e shoqërisë sonë gruaja është duke zënë vendin e merituar dhe duke dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me ndërmarrjen e hapave konkretë që ky përfaqësim të jetë edhe më meritorë.
Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua që të gjitha nënave dhe grave të Kosovës ua uroj Festën e 8 Marsit, dhe dua të riafirmoj përkushtimet dhe vizionin e qeverisë për avancimin e barazisë gjinore në vendin tonë”, përfundon telegrami. 

B e H lëshon viza për personat me dokumente të Kosovës

Këshilli i Ministrave të Bosnjë Hercegovinës dje ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti që personave me dokumente të udhëtimit të Kosovës t’u lëshojë viza në një dokument të veçantë vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Në Këshillin e Ministrave të B e H e kanë arsyetuar këtë vendim duke thënë se në këtë mënyrë do të lehtësohej çështja e lirisë së lëvizjes së njerëzve, dhe harmonizimin e praktikës së përpunimit të aplikimeve për viza me vendet e tjera të BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan “Dnevni avaz” në numrin e djeshëm.
Këshilli i ministrave, duke u thirrur në konkluzionin nga mbledhja e 7 majit të vitit 2009, ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të B e H, që të pranojë kërkesa për lëshuarjen e vizave, të vlerësojë arsyeshmërinë e tyre dhe, në rastet e jashtëzakonshme, kur këtë ta vlerësojnë të arsyeshme, të lëshojnë viza në një letër të veçantë për personat që kanë bërë kërkesë dhe për periudhën për të cilën është potencuar në deklaratën e bërë. 

Zhbogar: Zgjedhjet serbe përkeqësojnë situatën

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë mund ta përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet.
Ai për mediet lokale serbe, ka thënë se “do të dëshironte që Serbia të mos organizojë zgjedhje në Kosovë dhe se BE pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me dialog, dhe jo njëanshëm.”
Diplomati slloven, që është edhe shef i zyrave të BE-së në Kosovë, ka thënë se madje edhe Rezoluta 12 44 flet qartë se kush ka përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, dhe kjo nuk është Serbia.
“Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk do të na afrojë kah dialogu, por do të përkeqësojë situatën dhe retorikën dhe kjo nuk na çon në zgjidhje”, ka vlerësuar Zhbogar.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, ka deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht se a janë ato në jug apo veri të Kosovës.

Nafta e Londrës mbi 124 dollarë për fuçi

Edhe sot çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë vijuar të jenë të larta. Nafta e papërpunuar e Londrës prinë për ka çmimi kundrejt asaj amerikane.
Nafta bruto Brent e Londrës për prillin u rrit 13 cent në 124.25 dollarë për fuçi. Nafta bruto amerikane për prillin u rrit 21 cent në 106.37 dollarë për fuçi. 

Banka Botërore, 3 femra kandidaturat e SHBA

Burime nga Shtëpia e Bardhë thanë se, administrata e presidentit Obama po peshon 3 kandidatura për kreun e ri të Bankës Botërore, që do të zëvendësojë kreun aktual, Robet Zoellick, mandati i të cilit përfundon këtë verë.
Kandidati kryesor është ish-këshilltari i presidentit, Lawrence Summers, diplomatja Susan Rice dhe drejtoresha ekzekutive e Pepsi, Indra Nooyi. Një tjetër burim i administratës amerikane ka thënë se edhe kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, John Kerry, është në listën e personave por zëdhënësja e tij e mohoi.
Banka Botërore është krijuar bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara janë aksionarët e parë në këtë bankë, misioni i të cilës është lufta kundër varfërisë. Banka është drejtuar gjithmonë nga një qytetar amerikan, ndërsa Fondi Monetar nga një europian.
Bordi do të marrë vendim në prill. Burimet kanë thënë se, Timothy Geithner, dhe këshilltari për sigurinë në Shtëpinë e Bardhë po drejtojnë procesin e gjetjes së kandidatit. Deri më tani është përmendur edhe kandidatura e Hillary Cinton. 

Gratë po angazhohen në biznes

Femrat janë duke u angazhuar ngadalë, por sigurt në biznes, pasi ato përballen më vështirësi të mëdha, duke filluar nga paragjykimet për aftësitë e tyre udhëheqëse, pastaj qasja në burime të financimit, etj. Kështu u tha në një tryezë me gra afariste, të organizuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar.
Gratë kosovare janë duke u angazhuar në vazhdimësi për të ndryshuar pozitën e tyre në shoqëri. Pavarësisht vështirësive të mëdha, ato janë duke u marrë edhe me veprimtari afariste, por në një shkallë mjaft të ultë krahasuar me burrat.
Udhëheqësja e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar, Ardiana Bunjaku, thotë se mentaliteti i përgjithshëm i shoqërisë ka pasur ndikim mjaft negativ tek femrat afariste.
Por, me kalimin e viteve, sidomos gjatë dekadës së fundit, ka pasur një hov më të madh të qasjes së tyre në edukim, si pikë kyçe, e rrjedhimisht edhe në pjesëmarrjen e tyre në biznes.
Udhëheqësja e Organizatës joqeveritare “Lady”, Sanija Murati, thotë se gratë duhet të angazhohen edhe më shumë për të arritur përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes. Por, sipas saj, ekziston një dallim i madh ndërmjet femrave në viset urbane dhe rurale, raporton Radio Kosova.
Drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar, Maurin Shauket, në tryezën e sotme përmendi shumë shembuj të grave afariste të suksesshme nëpër botë, duke nxitur edhe femrat kosovare të angazhohen në këtë sferë.
Edhe zyrtarët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj amerikane në Kosovë thanë se ka femra të suksesshme në biznes, por kërkuan angazhim më të madh të tyre.
Ndryshe, sipas një ankete të vitit 2005 me 600 ndërmarrje të vogla e të mesme, të kryer nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, vetëm 2 për qind e tyre janë në pronësi të femrave, ndërkaq rezultatet e vitit 2008 të kësaj ankete treguan një rritje të vogël në 3.83 për qind.

Guardiola: Ibra është i jashtëzakonshëm

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se ai është një admirues i Zlatan Ibrahimovic, duke e përshkruar sulmuesin e Milanit, si një lojtar “të jashtëzakonshëm”.
41-vjeçari drejtoi Ibrahimovicin gjatë sezonit 2009/10, kur suedezi ishte pjesë e Barcelonës, por dyshja nuk kishin një raport të mirë dhe sulmuesi u largua një vit më pas drejt Milanit.
“Messi dhe Ibrahimovic janë dy lojtarë të jashtëzakonshëm. E njoh Ibrën mirë, por jo shumë mirë pasi kam qenë trajner i tij vetëm për një sezon. Ai gjithmonë bën diçka fantastike në Itali”, ka thënë Guardiola për Mediaset. 

Capello: Lazio mund ta fitojë titullin

Fabio Capello beson se Lazio e trajnerit Edy Reja është e aftë ta fitojë Scudetton këtë sezon.
“Edy mund të besojë pasi ata janë gjashtë pikë prapa dhe kjo nuk është shumë për t’u rikuperuar në javët e ardhshme”.
“Shpesh ju i shihni ekipet që luftojnë për ligë me më pak se 10 runde të mbetura, pasi ata besojnë të ngushtojnë diferencën e pikëve gjatë pranverës, që është koha kur kampionatin vendoset”.
“Andaj më duket logjike dhe e drejtë që ta shohim pozicionimin e Lazios në ligë si interesante. Liga nuk është vendosur dhe askush nuk mund të përjashtojë një befasi. Milani dhe Juventusi pa dyshim janë favoritë, për shkak të skuadrave dhe pozicionimit të tyre, por asgjë nuk është e definuar”, ka thënë Capello. 

City t’ia trefishojë pagën Van Persiet

Manchester City raportohet se është i gatshëm t’i ofrojë Robin Van Persiet më shumë se trefishin e pagës që merr tash te Arsenali, për ta sjellë atë në Etihad Stadium gjatë verës.
Daily Mail shkuan se City dëshiron t’i paguajë holandezit 220 mijë funte në javë në katër vitet e ardhshme – duke përshirë edhe shtesat – për ta joshur atë t’i bashkohet skuadrës.
Kjo shumë, që do të arrinte në 46 milionë funte brenda katër vitesh, do të ishte vetëm shtesë e asaj çfarë City do të duhet t’i paguajë Arsenalit për ta transferuar lojtarin.
Arsenali mendohet se do të kërkojë 25 milionë funte – një shumë të madhe parash për një lojtar në vitin e fundit të kontratës së tij. 

Barbara: Kemi nevojë për fushë më të mirë

Drejtoresha e Milanit, Barbara Berlusconi, thotë se klubi ka nevojë për një stadium të ri.
Pasi ka parë ambientin në Emirates Stadium të Arsenalit në mesjavë, Barbara ka thënë se tifozët e Milani meritojnë një stadium të tillë.
“Kundër Arsenalit ne vuajtëm shumë, por Emirates ka një atmosferë magjike. Në vitin 2015, San Siro do të ketë strukturë të re, por tifozët duhet të ndjehen të përkëdhelur. Ne kemi nevojë për një shtëpi të duhur”, ka thënë vajza e pronarit të klubit, Silvio Berlusconit. 

NBA: Clippers befasohen nga Nets

Jordan Farmar a shënuar një trepikësh të vonshëm për t’i dhënë skuadrës së tij New Jersey Nets fitoren e ngushtë 101-100 ndaj Los Angeles Clippers, me këtë të fundit që humbi rastin për të shmangur kryesimin ndaj rivalit lokal, LA Lakers.
Nets, që kanë raport fitore – humbje 3-13 në shtëpi këtë sezon, kishin avantazh prej 18 pikësh në çerekun e tretë dhe u ndaluan nga një rikthim i shpejtë i mysafirëve nga Los Angeles.
Clippers ishin në disavantazh 71-53, por gjetën fuqinë për të përmbysur rezultatin dhe për të kaluar 100-98 në epërsi në funt të çerekut të katërt, para se Farmar të jetë i saktë nga tentimi për trepikësh në fund të ndeshjes.
Deron Wiliams ishte më i sakti te Nets me 21 pikë, derisa Blake Griffin udhëhoqi te Clippers me 28 pikë. 

Hamsik: Nuk do të vuajmë si Milani

Mesfushori i Napolit, Marek Hasik, thotë se ata janë do të jenë të kujdesshëm në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve ndaj Chelseat.
“Ne përpiqemi t’u qasemi gjërave duke menduar vetëm për një ndeshje. Tash është Cagliari, por çdokush pret Chelsean”.
“Milani vuajti shumë në Londër, andaj ne nuk duhet t’i lëmë gurët pa i kthyer. Ne duhet të bëjmë atë që Milani nuk e bëri në pjesën e parë, kur ata vuajtëm aq shumë. Ne kemi nevojë për përqendrim maksimal”, ka thënë Hamsik. 

Tello në qiell pas dy golave të shënuar

Ylli në ngritje i Barcelonës, Cristian Tello, ishte i ngazëllyer me dy golat e tij të shënuar në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve ndaj Bayer Leverkusen.
Dy golat ishin edhe të parët e mesfushorit në garat evropiane.
“Fitorja është lënë në prapavijë pasi goleada ishte e rëndësishme. Te goli im i parë, e pashë se doja një pasim të thellë dhe me pasimin e Cesc, isha i vetëm përballë portierit. Më pas, vetëm duhej ta dërgoja atë brenda”.
“Menaxheri më tha se duhej ta kërkoja topin përderisa kisha mundësi për të shënuar gol. Ai më tha të jem vetja. Ritmi im është i rëndësishëm”, ka thënë Tello.

Conte: Scudetto do të ishte mrekulli

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, thotë se barazimi ndaj Bolognës nuk është goditje për shanset e tyre për titull.
Bianconerët tash janë dy pikë prapa liderit, Milanit, derisa mbeten të pamposhtur, por kanë barazuar në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në Serie A.
“Nuk mendoj se ne po e humbim ritmin, jo. Nuk mendoj se është e drejtë të flasim se Juventusi po e humb vrullin pas ndeshjes së sotme. Ne sonte dëshmuam se mund të llogarisim në djelmoshat e shkëlqyeshëm”.
“Nëse ka ngadalësim, atëherë ishte vetëm sa i takon rezultateve. Nëse ne arrijmë ta fitojmë Scudetton, do të jetë mrekulli që do të na bëjë të lumtur”, ka thënë Conte. 

Messi i ngazëllyer me pesëshen

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është më se i kënaqur me pesë golat e shënuar në fitoren ndaj Bayer Leverkusen.
Messi ishte i jashtëzakonshëm në ndeshjen e kthimit të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve.
“E rëndësishme është që ne jemi kualifikuar për në çerekfinale. Jam shumë i lumtur. Është hera e parë në karrierën time që e kam bërë këtë (të shënoj pesë gola)”, ka thënë Messi pas takimit në Camp Nou. 

Pedro: Është privilegj të luash me Messin

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, është i ngazëllyer për Lionel Messi pas pesë golave të shënuar në fitoren e Blaugranëver ndaj Bayer Leverkusen.
Barcelona u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi mposhti skuadrën gjermane me rezultat 10-2 nga të dy takimet (3-1 në takimin e parë, dhe 7-1 në takimin e dytë).
“Është kënaqësi dhe privilegj të luash me të, ta kemi atë në skuadrën tonë, ai është i shkëlqyeshëm si lojtar dhe personalisht, isha i kënaqur tejmase nga këto gola dhe ne të gjithë jemi të lumtur me formën e tij”, ka thënë Pedro. 

Alban Skenderaj sjell këngën “Më prit atje”

Këngëtari Alban Seknderaj ka sjellë projektin e tij më të ri muzikor.
Ai ka realizuar videoklipin e këngës “Më prit atje”. Klipi i kësaj kënge është realizuar nga produksioni ‘Pro Video”.
“Më prit atje” është këngë e albumit të fundit të këngëtarit.
Më poshtë mund ta dëgjoni këngën më të re të Albanit. /Telegrafi/

Uma Thurman do të lindë vajzë

Aktorja e Hollywoodit, Uma Thurman, do të sjellë në jetë një vajzë.
Burime të afërta me aktoren, e cila është duke pritur fëmijën e tretë, por të parin me të dashurin e saj biznesmen, Arpad Busson, thonë se ajo pret vajzë.
“Uma do të ketë një foshnjë vajzë. Ajo do të lindë më vonë gjatë kësaj vere”, ka thënë burimi për edicionin e ri të revistës “Life & Style”.
Uma ka edhe djalin 10-vjeçar Levon dhe vajzën 13-vjeçare Maya me ish-burrin e saj, Ethan Hawke.

Love Hewitt: Më pëlqen gjoksi im

Jennifer Love Hewitt është e kënaqur me dukjen e gjoksit të saj.
Në një intervistë për revistën Maxim, aktorja ka zbuluar pjesët e saj favorite të trupit.
“Është tmerr ta thuash, por më pëlqejnë gjinjtë. Ato gjithmonë më kanë shërbyer mirë. Ato janë të mirë”.
“Është një mënyrë e mirë për të rënë në kontakt me seksualitetin tuaj”, ka thënë aktorja.

“Chat Room” - shkopi magjik

Në kohët që jetojmë, në të cilat komunikimi midis njerëzve shpesh mungon, nuk janë të paktë njerëzit që i drejtohen rrjetit elektronik për të gjetur një partner të përkohshëm apo të përjetshëm.
Gjithashtu, me përparimin e teknologjisë bëhet e mundur që ky lloj komunikimi të jetë thuajse real, në kushte gati të barabarta me ato të një takimi normal në rrugë apo në një kafene. Dhe kjo falë mundësisë për të dëgjuar dhe shikuar personin me të cilin komunikojmë dhe jo vetëm për të shkëmbyer mesazhe.
Kështu, tek të gjithë ata të rinj apo të kaluar në moshë (të mos harrojmë se shumica komunikon në përgjithësi me emra të rremë) të cilët disponojnë kompjuter ose frekuentojnë "Internet cafe", iu jepet mundësia që përmes rrjetit elektronik të kapërcejnë vetminë dhe pamundësinë për të gjetur partner si dhe të shprehin dëshirat e tyre (edhe ato më të veçantat) tek njerëz që i dëgjojnë, në anën tjetër të kompjuterit. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti se ‘chat room’ funksionon si një shkop magjik që magjeps dhe i mban me orë të tëra frekuentuesit e tij përpara ekranit të kompjuterit.
Përdorimi i rrjetit elektronik mund të ndihmojë në njohjen e njerëzve të rij, por në asnjë mënyrë ai nuk mund të zëvendësojë marrëdhëniet dhe komunikimin klasik midis njerëzve. 

Hipnoza, antidot për narkomanët

Në mjekësi hipnoza është tepër e rezultatshme sidomos për kurimin e ankthit, depresionit dhe shqetësimeve të tjera psikologjike.
“Në të gjitha rastet pacienti duhet të jetë i vendosur për të realizuar një procedurë të tillë, me qëllim që hipnoza ta ndihmojë për t'u shkëputur nga alkooli, duhani, ushqimi apo edhe lëndët narkotike”, shprehet Grejam Juagstaf, psikolog në Universitetin e Liverpulit..
Pavarësisht se cili është problemi, suksesi varet ekskluzivisht nga besimi që ka pacienti tek mjeku si dhe nga arsyet që e shtyjnë drejt finalizimit të terapisë.
Nëse personi, përdorues i lëndëve narkotike apo ai që vuan nga mbi pesha i drejtohen mjekut të detyruar nga prindërit e tyre, dhe në thelb nuk janë të bindur për të atë që do të kryejnë, terapia nuk ka dyshim që nuk do të ketë sukses. 

Përtërihet Google Search për WP7

Google deri tani kryesisht injoronte Windows Phone-in e Microsoft. Por, kompania paraqiti aplikacionin e përditësuar për kërkim në këtë SO që do të bëj të lumtur të gjithë ata të cilët në Windows Phone përdorin Google në vend të Bingut i cili është i integruar.
Përveç vet ndërfaqes, dukja e të cilës tani është më moderne dhe në përputhje me pjesën tjetër të shërbimeve të Google, ndryshimet kyçe prapëseprapë kanë të bëjnë me plotësimin automatik të termave të kërkuar, ndërsa janë mundësuar edhe kërkimet zanore, e kërkimi mund të bëhet edhe sipas lokacionit. Kërkimet zanore bëhen përmes ikonës së mikrofonit përkrah fushës për kërkim, e në lidhje me kërkimet sipas lokacionit, Google në mënyrë eksplicite thekson se për këtë funksion nevojitet miratimi i shfrytëzuesit.
Ky është përditësimi i parë i aplikacionit të Google për WP7 prej paraqitjes së saj në nëntor të vitit 2010. Aplikacioni është në dispozicion për shkarkim pa pagesë nga Windows Phone Marketplace. 

Iraniania sfidon ligjet për ndalimin e këndimit (Video)

Një tinejxhere nga Irani pëlqen shumë të këndojë, mirëpo këndimi në publik në vendin e saj është i ndaluar që nga viti 1979. Megjithatë, ajo ka kënduar këngë të Adele dhe e ka lansuar një xhirim në YouTube.
13-vjeçarja Tara në këtë mënyrë kundërshton qeverinë iraniane për shkak të ndalimit të këndimit.
Madje thuhet se Tara nuk është emri i saj i vërtetë, sepse do t’u nënshtrohej sanksioneve dhe dënimeve të ndryshme për shkak të thyerjes së ndalesës. 

Me drita që tregojnë puçrrat në mbrojtje të rinisë

Autoritetet në Cardiff po mundohen t’i ndalojnë tinejxherët që të mos qëndrojnë nëpër qoshet e rrugëve duke përdorur drita speciale të cilat nxjerrin në pah puçrrat e tyre.
Ngjyrat speciale për akne lëshojnë një shkëlqim roze që ekzagjeron çdo puçërr ose njollë në fytyrat e njerëzve.
Zyrtarët shpresojnë se këto llamba, të cilat normalisht përdoren nga kozmetologët, do të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të të rinjve të cilët sorollaten nëpër vende ku qëndrojnë njerëzit me sjellje anti-sociale.
Nga ana tjetër, këto drita janë kritikuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë. Sipas tyre, gjithçka që ka për qëllim turpërimin e njerëzve nuk është e mirëpritur. 

Robotët bëjnë striptiz (Video)

Një çift robotësh dhe një ‘DJ’ robot kanë tërhequr vëmendjen në panairin CeBIT në Hanover.
“Vitin e kaluar, kemi pasur një çift valltarësh të vërtetë. Këtë vit, menduam, në rregull, po vijmë në CeBIT, është një panair teknologjie, duhet të marrim disa robotë”, ka thënë ka thënë Julian Hangschlitt.
Robotët e dizajnuar nga britaniku Giles Walker, punojnë me motorë të automjeteve të vjetra, ndërsa lëvizjet e tyre kontrollohen nga një kompjuter përmes teknologjisë “wireless”.

Mashkulli që ka lindur tre fëmijë: Më quajnë përbindësh!

Thomas Beattie është mashkulli i parë në botë që ka lindur fëmijë, edhe atë tri herë, falë faktit se ka lindur si femër. Edhe pse tani ai dëshiron të bëjë jetë të qetë në Arizona, shpeshherë përballet me kritika nga shoqëria.
“Kërcënohemi me vdekje. Më kanë quajtur përbindësh. Të gjitha gjërat e tilla janë publikuar në internet, përmes Facebook dhe YouTube. Disa komente janë vetëm të çuditshme, por disa të tjera janë të tmerrshme. Një njeri ka publikuar një video në të cilën shtirret se ka kidnapuar Susanin (vajzën e tij) dhe e rreh. Kjo është e dhimbshme! Madje është përfshirë edhe FBI, sepse bota është përplot të çmendur”, ka thënë Thomas, ndërsa citon Daily Mail.
Duke qenë se dëshironte që një ditë të bëhej prind, Thomas gjatë transformimit të tij në mashkull vendosi që të mos e largojë mitrën, prandaj, teknikisht, është bërë mashkulli i vetëm në botë që ka lindur. Ai është i martuar me gruan Nancy Roberts dhe ka tre fëmijë.
Babai biologjik i fëmijëve nuk dihet, sepse dhuruesi i spermës është anonim, ndërsa fëmijët është dashur t’i lindë ai, sepse Nancy nuk ka mundur të lindë për shkak se në moshën 28-vjeçare është detyruar ta largojë mitrën.