DASH: Kosova shtet transit për drogat

Kosova kryesisht është shtet transit për drogat që kanë destinacion Evropën dhe nuk është prodhues narkotikësh, thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Policia nuk ka gjetur se në Kosovë rafinohet droga apo ka laborator për prodhimin e tyre, thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit në të cilin përfshihen të gjitha aspektet e tregtisë ndërkombëtare të drogës gjatë vitit 2011.
Në raport vlerësohet se Kosova ka bërë përparim në iniciativat kundër substancave narkotike në vitin 2011, kryesisht duke përmirësuar koordinimin në mes të agjencive të përfshira.
Në raport thuhet se Kosova merr ndihmë teknike dhe trajnime përmes programeve OPDAT dhe ICITAP, të themeluara nga administrate e Shteteve të Bashkuara.
“Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje që të ofrojë trajnime dhe të financojë programet kundër substancave narkotike për uljen e trafikimit të tyre.
Policia e Kosovës dhe prokurorët duhet të rrisin kapacitetin e tyre në kryerjen e hetimeve dhe përndjekjeve të trafikantëve të drogës, të krimit të organizuar dhe spastrimit të parave si dhe të çrrënjosë trafikimin ilegal. Kjo mund të kërkojë që lufta kundër narkotikëve të vihet si prioritet i lartë.
Vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare dhe një nivel i lartë i vëmendjes dhe një koordinim i Qeverisë së Kosovës, do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve”, thuhet në raport.