Zgjedhjet serbe në Kosovë, hedhje parashë kot

Zgjedhjet,të cilat do t’i organizonte qeveria serbe në Kosovë, do të jenë të paligjshme dhe do të ishte një hedhje parashë kot. Ky është qëndrim i autoriteteve të Kosovës, por edhe i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës qendrore.

Kundër këtyre zgjedhjeve janë shprehur dy zëvendëskryeministrat në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi dhe Slobodan Petrovic.
Kuçi thotë se ekzistojnë të gjitha indikacionet se Serbia do të ketë qëndrim evropian dhe nuk do të organizojë zgjedhje në Kosovë, sepse mbajtja e tyre do të ishte ilegale. Kurse Petrovic beson se Serbia duhet të tërhiqet nga organizimi i zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas tij organizimi i zgjedhjeve fiktive lokale do të ishte hedhje kot e parave dhe tensionim i panevojshëm i situatës.
Kundër organizimit të zgjedhje lokale serbe në Kosovë është shprehur edhe Rangel Nojkic, kryetar i këshillit për Kosovë të Lëvizjes për Ringjalljen Serbe (SPO), por ai nuk është kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe.
"Mendoj se Beogradi nuk duhet të organizojë zgjedhje lokale, sepse pikërisht zgjedhjet lokale kanë prodhuar probleme të cilat më vonë kanë ndodhur në veri", tha ai për “DW”.
Nojkic paralajmëroi se do të jetë e rrezikshme nëse Beogradi lejon që materiali zgjedhor futet në Kosovë nëpërmjet kanaleve ilegale. "Mendoj se Beogradi nuk duhet të bjerë në kurthin apo presionin e njerëzve në veri, që nëpërmjet kanaleve ilegale të bartë materialin zgjedhor në Kosovë dhe pastaj të akuzohet Beogradi për shkelje të Rezolutës 1244 dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura".