Përfaqësimi i gruas në pushtetin komunal-veç prej zorit

Në 37 komuna të Republikës së Kosovës, asnjë grua nuk është kryetare komune. Po të mos ishte detyrimi ligjor, gruaja nuk do të ishte e përfaqësuar as në kuvende komunale. Faji për këtë gjendje u adresohet partive politike, por edhe grave që nuk votojnë për gratë.

Përfaqësimi i gruas në pushtetin lokal në Kosovë është mjaft i kufizuar. Përveç që nuk kemi asnjë kryetare komune, grave u janë besuar shumë pak poste udhëheqëse në qeveritë komunale. Në 37 komuna janë mbi 320 drejtorë drejtorie, ndërsa prej tyre rreth 300 janë meshkuj, shkruan KosovaTimes.
Në kuvendet komunale të Republikës së Kosovës, një e treta e këshilltarëve janë gra, por kjo është siguruar me detyrim ligjor.
”Po të mos ekzistonte kuota, në kuvendet komunale nuk do të kishte asnjë femër. Po ju garantoj”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës.
Për pozitën në të cilën gjendet femra kosovare sa i përket përfaqësimit në institucione, Rogova i bënë fajtorë udhëheqësit e partive politike. Ajo tha se partitë e kanë përmirësuar pak gjendjen në nivelin qendror, por në atë lokal gjendja është e rëndë.
Pavarësisht se Ligji për Barazinë Gjinore specifikon se pjesëmarrja e barabartë gjinore në institucione është arritur në rastet kur pjesëmarrja në nivelin e pushtetit është 40 për qind, nuk ka komuna që e kanë zbatuar këtë.
Në anën tjetër, në Ligjin për Shërbyesit Civil dhe Ligjin e Punës nuk theksohet përqindja Gjinore në institucionet dhe organet udhëheqëse. Mosmarrëveshja në mes këtyre Ligjeve krijon mangësi në interpretimin dhe zbatimin e Ligjeve ekzistuese, duke u lejuar komunave të marrin vendime të lira në lidhje me numrin e femra të punësuara.
Në tetë komuna të Kosovës, Viti, Novobërdë, Ranillug, Hani i Elezit, Kamenicë, Kaçanik, Kllokot dhe Shtërpce, të cilat ndihmohen nga projekti LOGOS që financohet nga qeveria Zvicerane, numri i stafit femra arrin deri në 15 për qind, në total.
Që nga zgjedhjet e fundit lokale, zyrtaret më të larta në komunat tona janë tri gra, që mbajnë postet e kryesueseve të kuvendeve komunale në Novobërdë, Pejë dhe Mamushë.
E para nga to që ka fituar këtë post me votat e kolegëve të saj është Shefkije Mehmeti. Ajo drejton me sukses Kuvendin Komunal të Novobërdës. Ajo është nënë e pesë fëmijëve, por e ka përkrahjen e burrit për t’u marrë me politikë.
“Është vështirë për një femër të udhëheqë një Kuvend Komunal”, thotë ajo. Megjithëkëtë, ajo ka ambicie që edhe në të ardhmen të merret me politikë dhe nuk e përjashton mundësinë që të kandidohet edhe për kryetare të komunës.
Kryetari i Komunës së re të Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka treguar se nuk ka të emëruar asnjë drejtoreshë, por shefe e personelit është një femër, që është pozita më e lartë e stafit civil në komunë. Ai ka thënë se kur është zgjedhur në pozitën e kryetarit i ka pranuar në punë dy femra dhe nuk ka pasur mundësi të pranojë të tjera për shkak numrit të limituar të vendeve të punës.
Edona Hajrullahu, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit thotë se në vitin 2011 është realizuar hulumtimi: “Gratë në procesin e punës dhe vendimmarrjes” me të cilin është vlerësuar kuadri ligjor, institucional si dhe politikat të cilat promovojnë mundësitë e pjesëmarrjes së grave në procesin e punës dhe vendimmarrjes.
Ky hulumtim, sipas Hajrullahut, ka nxjerrë në pah që përfaqësimi i grave në institucionet publike dhe posaçërisht në pozita vendimmarrëse nuk është proporcional me përqindjen gjinore të popullsisë.
“Është mëse evidente që numri i grave në ekzekutiv, në nivelin lokal, nuk është në përqindjen që ne do dëshironim, por duhet pasur parasysh që në shumicën e rasteve shkollimi është përcaktues për sigurimin e vendit të punës apo pozitës së caktuar”, tha Hajrullahu.
Për këtë vit, Agjencia për Barazi Gjinore ka paraparë mbështetjen e grave të cilat janë shërbyese civile përmes ofrimit të 10 bursave për studime master, si dhe do të jap kontributin e saj rreth plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit Zgjedhor dhe harmonizimit të tij me Ligjin për Barazi Gjinore.
Njëra ndër arsyet kryesore për pozitën e pabarabartë të gruas në qeverisjen lokale është te partitë politike që nuk u japin hapësirë të mjaftueshme grave politikane, por edhe mospërkrahja e grave nga vetë gratë.
Nexhmije Kallaba kishte konkurruar për kryetare të Kamenicës, në zgjedhjet e fundit, por nuk kishte mbështetje as nga fshati ku jeton – Rogaçicë. “Nga kjo kam mësuar shumë. Tek ne, femra nuk shihet e denjë për të udhëhequr me komunën apo institucione tjera me rëndësi”, thotë ajo.
Kallaba thekson se vota e shumicës e femrave në Kosovë ndikohet nga të tjerët.
Sipas Kallabës, ata që udhëheqin me komunat nuk po bëjnë asgjë për përmirësimin e pozitës së gruas dhe punësimin e tyre në institucione. /