Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë mund ta përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet.
Ai për mediet lokale serbe, ka thënë se “do të dëshironte që Serbia të mos organizojë zgjedhje në Kosovë dhe se BE pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me dialog, dhe jo njëanshëm.”
Diplomati slloven, që është edhe shef i zyrave të BE-së në Kosovë, ka thënë se madje edhe Rezoluta 12 44 flet qartë se kush ka përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, dhe kjo nuk është Serbia.
“Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk do të na afrojë kah dialogu, por do të përkeqësojë situatën dhe retorikën dhe kjo nuk na çon në zgjidhje”, ka vlerësuar Zhbogar.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, ka deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht se a janë ato në jug apo veri të Kosovës.