Jahjaga: Më shumë hapësirë për kontributin e gruas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga uroi gratë me rastin e 8 Marsit, duke veçuar rolin e gruas kosovare në kohërat e rënda dhe ngjarjet shumë të rëndësishme nëpër të cilat kaloi vendi ynë.

Ajo në mesazhin e urimit theksoi se gruaja kosovare ishte pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve të ndërtimit të shtetit të Kosovës, e barabartë në përgjegjësitë dhe kontributin e saj në kohëra shumë të vështira.
“Gruaja sot është bartëse e funksioneve shumë të rëndësishme dhe pjesë e të gjitha institucioneve të vendit, duke dhënë kontribut të pamohueshëm për krijimin e hapësirave të reja për gratë, por edhe duke i dhënë kontribut zhvillimit të shtetit në përgjithësi”, shprehet Jahjaga.
Ajo theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjithë shoqëria kosovare në përgjithësi do të bëjë edhe më shumë për krijimin e hapësirave të reja për kontributin e gruas në të mirë të familjes, shoqërisë dhe shtetit.