Hoxhaj: Nuk do të bisedojmë me Serbinë për veriun

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e gatshme dhe në çdo kohë, që të ketë një proces bisedash ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve serb në veri të Kosovës, mirëpo sipas tij, ky dialog duhet të ndodhë brenda shtetit të Kosovës dhe në asnjë mënyrë në një dialog të tillë nuk do të duhej të involvohet Serbia.

Duke iu referuar një deklarate të Philip Gordon, zëvendës-sekretar amerikan i shtetit, i cili thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë për gjendjen në veriun e Kosovës, ministri Hoxhaj tha se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesve të tyre në Prishtinë, apo përmes formave tjera mund ta japin kontributin e tyre që tri komuna e gjysmë të veriut të integrohen me pjesën tjetër të Republikës së Kosovës.
Në një intervistë për Deutsche Welle, shefi i diplomacisë kosovare u shpreh i sigurt se procesi i njohjeve nuk do të ndalet.
“Pavarësia e Kosovës dhe njohjet e Kosovës nuk bien ndesh me rezolutën 1244 dhe jam i sigurt që disa shtete në javët që do të vijnë do të bëjnë publike vendimet e tyre që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, vlerësoi Hoxhaj.
Duke folur për marrëveshjen e arritur për fusnotën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë theksoi se është një marrëveshje e cila për herë të parë në historinë e Kosovës dhe në periudhën e shtetësisë së saj i mundëson Kosovës që të marrë pjesë në forume rajonale, evropiane dhe globale, që të flasë në emrin e saj, që të ketë autoritet të nënshkruajë marrëveshje multilaterale dhe të njëjtën kohë të ketë mundësi përfaqësimi si shtet sovran dhe demokratik.
“Marrëveshja si e tillë është e përkohshme, është një zgjidhje e cila ofron kornizë të përfaqësimit të vendit tonë. Unë si ministër i jashtëm e kam kuptuar marrëveshjen si një mundësi e mirë që ne jo vetëm të jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe ta ruajmë sovranitetin, por ta ushtrojmë këtë sovranitet në të gjitha këto forume rajonale, evropiane dhe më gjerë. Pjesa tjetër ku Kosova ka pasur përfitime është vendimi i Këshillit Evropian për fillimin e studimit të fizibilitetit”, theksoi Hoxhaj.
Pos marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, Hoxhaj thotë se është një marrëveshje tjetër thelbësore për Republikën e Kosovës, ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, ku Republika e Serbisë e pranon në mënyrë legale kufirin me Republikën e Kosovës.
“Nëse ne e kemi parasysh edhe këtë marrëveshje, mendoj se dy marrëveshjet kanë vendosur një bazë solide edhe për vendosjen e sovranitetit të brendshëm në territorin e Kosovës si dhe sovranitetin e jashtëm në nisma rajonale dhe më gjerë”, thotë Hoxhaj.
Se sa mund ta pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, pas Serbia ka marrë statusin e kandidatit për në BE, Hoxhaj tha se secili vend lëviz në agjendën evropiane në përputhje me dinamikën e vet të brendshme.
“Në rastin e Kosovës ne duhet ta kemi parasysh që Kosova është shpallur shtet para katër vjetësh dhe ne kemi një agjendë tjetër kohore në rrugën tonë evropiane karshi të gjitha vendeve të Ballkanit... Kërkesa jonë e vazhdueshme ka qenë që një Serbi evropiane duhet të sillet si evropiane jo vetëm karshi Brukselit, por duhet të sillet si evropiane edhe karshi Kosovës dhe ta trajtojë Kosovën si shtet partner të barabartë dhe në përputhje me standardet evropiane ta hartojë edhe qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Unë nuk besoj se Serbia mund të lëvizë shpejt drejt integrimeve evropiane pa e pranuar pavarësinë e Kosovës. Të dy marrëveshjet që janë arritur është një dëshmi konkrete që Serbia e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur si fazë e parë dhe jam shumë i bindur se në një periudhë kohore pas disa vitesh do të pasojë edhe njohja e Kosovës nga vetë shteti serb”, tha ndër të tjera, ministri Hoxhaj.
Duke folur për politikën gjermane në raport me Kosovën dhe Serbinë, ministri tha se qëndrimi gjerman duhet të kuptohet si një qëndrim parimor.
“Nuk mundet një vend si Serbia e cila aspiron anëtarësimin në BE, të bëjë edhe më tutje përpjekje përmes strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë ta kontrollojë një pjesë të territorit të Kosovës. Nuk mundet një vend si Serbia të mos lejojë që në veri të mos ketë sundim të ligjit, të mos ketë pjesëmarrje demokratike në institucione demokratike përmes zgjedhjeve. Unë jam i sigurt që këto kushte evropiane, këto standarde evropiane të cilat i bëri të qarta zonja Merkel, edhe më tutje vlejnë për Serbinë.
Mirëpo vendimi që u mor në mars të këtij viti për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë ka të bëjë edhe me një gjeopolitikë të re. Përshtypja ime është që pjesa perëndimore e botës, do të thotë SHBA dhe Bashkimi Evropian, kanë qenë të interesuara që pas 20 vjetësh njëherë e përgjithmonë ta shkëputin Serbinë nga ndikimi i Rusisë...”, u shpreh ministri i Jashtëm i Kosovës.