Mancini: Do ta godisja Balotellin

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pranuar se ai frustrohet shpesh me sulmuesin Marioi Balotelli, aq shumë sa që duhet ta ndalojë veten për ta goditur B45.
Tekniku italian thotë se po që se do të kishte luajtur përkrah Balotellit, atëherë do të kishte telashe dhe zënka me të çdo ditë.
“Unë i thashë Marios se nëse do të kishte luajtur dhjetë vite më parë me mua, atëherë çdo ditë do ta kisha goditur me grusht në fytyrë”, ka theksuar Mancini pas telasheve së fundmi me sulmuesin italian.

Ronaldo: Mourinho do të qëndrojë

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i impresionuar nga puna e trajnerit Jose Mourinho dhe beson se ai do të qëndrojë në Bernabeu edhe sezonin e ardhshëm.
Ronaldo ndjen se Real Madridi mund ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon, por përkundër kësaj nëse ndodh apo jo, ai e sheh bashkëkombasin e tij në Bernabeu.
“Ai ka mentalitet fituesi dhe aftësi të jashtëzakonshme për të shkuar përpara me lojtarët e tij. Ai ka një ekip të Real Madridit të aftë për të fituar gjithçka. Mendoj se ai do të qëndrojë te Real Madridi. Nuk mendoj se ai do të largohet, jo derisa ai t’i ketë arritur qëllimet e tij”, ka thënë Ronaldo. 

Wenger: Fitorja jonë nuk vendos titullin

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se humbja e mundshme e Manchester Cityt në duelin që do të zhvillohet në Emirates, nuk do ta vendoste luftën për titull të kampionit në Ligën Premier.
“Nuk do të mbarojë lufta, por gjërat do të përkeqësoheshin për Cityn. Ata do të luftojnë deri në fund, por besoj se ne duhet të presim dhe të shohim çfarë ndodhë gjatë fundjavës”.
“Fatkeqësisht ne nuk jemi të përfshirë në luftën për titull dhe do t’i lëmë ata t’i sqarojnë hesapet, por për momentin Manchester United e ka përparësinë në këtë luftë”, ka thënë Wenger.

Guardiola falënderon Mourinhon për besimin

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, me sarkazmë e ka falënderuar trajnerin e Real Madridit, Jose Mouirnho, për besimin e tij te Blaugranët.
Mourinho deklaroi së fundmi se Barcelona sigurt është në finalen e Munichut, pas skenarëve skandalozë të gjyqtarëve në sfidën ndaj Milanit.
“Unë vetëm mund të falënderoj Mourinhon për besimin e tij te Barcelona. Ne falënderojmë atë që mendon se do të jemi në finale. Sidoqoftë, të gjitha ekipet tona mund të arrijnë në finale”.
“A jam lodhur nga këto lojëra mediatike? Jo, ato janë pjesë e punës”, ka deklaruar Guardiola.

Klopp: Do të dërgojmë një sinjal

Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp, ka deklaruar se ekipi i tij do të dërgojë një sinjal te të gjithë rivalët për titull në duelin ndaj Wolfsburgut të shtunën, teksa lufta për titull në Bundesliga është intensifikuar më shumë se kurrë.
“Ne jemi stërvitur mirë gjatë javës dhe jam i sigurtë se dy seancat e fundit stërvitore do të jenë po ashtu shumë të mira”.
“Më pas duhet të shikojmë se kë kemi në dispozicion, të ndërtojmë një ekip, të shkojmë në Wolfsburg dhe të dërgojmë një sinjal te të gjithë ata që dyshojnë tek ne”, ka thënë Klopp. 

Milani beson në Paton

Milani nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se klubi beson në Alexandre Paton dhe se ai do të kthehet kur të rikuperohet, kurse nuk do të shitet.
Pato ka një problem të rëndë muskulor të cilin ende nuk kanë arritur ta diagnostifikojnë mjekët, ndërsa klubi nuk ka hezituar t’i besojë brazilianit.
“Të gjithë te Milani janë të përkushtuar për të zgjidhur problemet me dëmtimet e lojtarëve, sidomos të Patos, në kohë të shkurtër. Shumë rrugë janë ndjekur për të gjetur formën ideale të rikuperimit dhe nuk ka dyshime se kjo situatë do të tejkalohet mirë. Pato do të kthehet shpejt dhe më i fortë se kurrë”, shkruan në komunikatën në faqen zyrtare.

Policia nis konfiskimin e tabelave të reja serbe

Policia kufitare e Republikës së Kosovës ka filluar t’i konfiskojë të gjitha tabelat e reja të veturave të lëshuara nga Republika e Serbisë për qytetet e Kosovës. Të premten, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Beta, Policia e Kosovës, në pikën kufitare në Merdarë, ia ka hequr tabelat e reja një autoambulance nga Graçanica.
 Sipas drejtuesve të Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, ky veprim i policisë së Kosovës, ka bërë që medikamentet dhe materialet sanitare të nevojshme për pacientët të mos arrijnë në destinacion, dhe se “si rrjedhim, tani përgjegjësinë për keqësimin e shëndetit të tyre duhet ta mbajnë institucionet e Kosovës”.
Për konfiskimin e tabelave të reja ‘PR’, të lëshuara nga Serbia, drejtuesit e Spitalit në Graçanicë, kanë informuar autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. Por autoritetet e Kosovës, ditë më parë kanë bërë të ditur se tabelat e reja të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës, janë të pavlefshme. Po ashtu qytetarëve serbë të Kosovës u është bërë me dije që deri më 1 qershor kanë afat t’i heqin tabelat e vjetra (PR, GL, etj) dhe të pajisen me tabelat e reja ‘KS” ose “RKS”.

Rexhepi përsëritë, policia do të pengojë zgjedhjet serbe

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se policia ka plan operativ për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ai ka thënë po ashtu se kushdo që përpiqet që të pengojë policinë në kryerjen e punës së saj, do të arrestohet.
 “Plani operativ i ka tri komponente: e para është zbulimi i informacioneve se ku nisin dhe nëse zgjedhjet po organizohen diku; e dyta është pengimi i tyre, konfiskimi i materialit zgjedhor në kufi dhe pamundësimi i fushatës, që mund të krijojë tensione dhe të cenojë sigurinë në Kosovë; si dhe e treta është konfiskimi i atij materiali që ia del të hyjë në Kosovë”, ka thënë ministri Rexhepi.
Zgjedhjet lokale të Serbisë mbahen më 6 maj. Serbia ka shpallur zgjedhjet edhe për disa komuna të Kosovës, veprim ky që është konsideruar i paligjshëm nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.

Liderët institucionalë urojnë besimtarët për Pashkët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergjin dhe gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve. Telegrame urimi për Pashkët kanë dërguar edhe kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe lider të partive politike.
 “Në emrin tim dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e Festës së Pashkëve, me dëshirat më të mira që këtë festë ta kaloni në gëzime e në begati të gjithë së bashku me më të afërmit dhe me më të dashurit tuaj”, thuhet në urimin e presidentes.

“Festa e Pashkëve është festë e paqes, e dashurisë dhe e shpresës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e rikthimit në vlerat më sublime shpirtërore. Në këtë ditë kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë, kujtojmë përpjekjet shekullore për liri, pavarësi e demokraci, për një jetë në paqe dhe në harmoni ndërmjet gjithë njerëzve”.

Festa e ringjalljes të na shërbejë në forcimin e besimit në njëri-tjetrin, në vlerat tona humane të solidaritetit, të ndihmës e të përkujdesjes për familjet tona, për të afërmit, për miqtë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë... Në këtë ditë feste, uroj që mes qytetarëve të vendit tonë dhe qytetarëve të mbarë botës të mbretërojë paqja, dashuria dhe harmonia e përhershme”, thuhet ndër të tjera në urimin e presidentes.

Serbët e veriut kërcënojnë KFOR-in

Përfaqësuesit e KFOR-it i kanë njoftuar të ashtuquajturat struktura politike serbe në veriun e Kosovës, me urdhrin e krahut jugor të NATO-së në lidhje me mbylljen e pikave kufitare në veriun e Kosovës. Serbët kanë deklaruar se nëse ndodhë një gjë e tillë do të bllokojnë të gjitha rrugët e veriut.
Ata madje kanë kërcënuar KFOR-i se nuk do të ketë më qarkullim të lirë në këtë pjesë të Kosovës, bën të ditur korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Mitrovica.
Koloneli Adolf Kondat, komandat i forcave të KFOR-it në veriun e Kosovën, të premten ia ka dorëzuar porosinë e komandantit të KFOR-it, Erhadr Drews, të ashtuquajturve kryetarëve ilegalë të komunave të veriut të Kosovës si dhe të ashtuquajtur kryetar të qarkut të Mitrovicës.
Porosia thekson se nga komanda e NATO-së në Napoli ka arritur urdhri që të mbyllen të gjitha rrugët alternative në veriun e Kosovës.
Pas pranimit të kësaj porosie, i ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka theksuar se iniciativat e këtilla të KFOR-it nuk shkojnë në drejtim të qetësimit të situatës.
“Serbët kurrë nuk do të pranojnë mbylljen e rrugëve alternative. Nëse ndodhë kjo, qytetarët serbë përsëri do të dalin në barrikada dhe do të bllokojnë të gjitha rrugët. Por, kësaj radhe bllokimi i rrugëve nuk do të jetë vetëm për EULEX-in. Edhe për KFOR-in dhe nuk do të këtë liri të lëvizjes”, ka thënë Pantic.
Marko Jaksic, lider i Këshillit Nacional Serb së ka shtuar se paralajmërimi i KFOR-it nuk është i mundshëm, sepse askush nuk ka të drejtë që serbëve në veri “t’ua ndalojë qarkullimin e lirë”. Sipas tij, KFOR-i e ka një dëshirë të tillë, “por që nuk është e realizueshme”.
“Ajo e cila për ne është shumë e vështirë dhe e rëndë është sjellja e xhandarmërisë së Serbisë, policisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, pasi që bllokimi i rrugëve shkon me xhandarmëri të Serbisë”, ka thënë ai. 

Gerrard bën thirrje për durim

Ikona e Liverpoolit, Steven Gerrard, u ka bërë thirrje tifozëve që të kenë durim pas rezultateve katastrofale të The Reds në Ligën Premier.
Liverpooli i ka humbur gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit në Ligën Premier dhe kjo është ecuria më e keqe në 50 vitet e fundit për klubin nga Anfield.
“Ka shumë sfida para këtë sezon. Unë kërkoj nga tifozët të jenë të durueshëm, ne do të rregullojmë gjithçka. Ne kemi pasur një mars të përzier. Jemi në një vend në tabelë që nuk na pëlqen dhe të cilin duam ta përmirësojmë dhe duam që të ngritemi sa më shpejt”, është shprehur Gerrard për faqen zyrtare të Liverpoolit. 

Alves: Goli i Iniestës, baza e suksesit

Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, beson se impakti i golit të Andres Iniestës në gjysmëfinalen ndaj Chelseat në vitin 2008/2009 ishte krucial për suksesin e Barcelonës.
“Kujtesa nuk do të fshihet kurrë. Është goli që na dërgoi në finale dhe falë atij goli e fituam këtë titull. Ky gol na dha besim për të vazhduar tutje dhe kjo formoi bazën e suksesit në luftën tonë për trofe”.
“Është e pa evitueshme që të kujtojmë atë moment të rëndësisë së lartë”, deklaroi Alves.

Di Maria titullar ndaj Valencias

Anësori i Real Madridit, Angel Di Maria, do të jetë titullar në sfidën e të dielës kur Valencia u shkon madrilenëve në Bernabeu.
Argjentinasi shfaqi paraqitje shumë të mirë ndaj APOEL-it në Ligën e Kampionëve, sfidë që shënoi rikthimin e tij nga lëndimi dhe tani Mourinho dëshiron ta ketë Di Marian në formacionin startues.
Xabi Alonso, Mesut Ozil dhe Karim Benzema do të jenë po ashtu në formacionin startues, kurse Alvaro Arbeloa do ta zëvëndësojë Sergio Ramosin për shkak të suspendimit për kartonët e verdhë.

Emery: Nuk e deshëm Atleticon

Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka thënë se ai nuk ka dashur të përballet me ATletico Madridin në gjysmëfinale të Europa League, pasi skuadra e tij eliminoi AZ Alkmaar në çerekfinale të kësaj gare.
Los Che janë caktuar të përballen me skuadrën tjetër spanjolle në katërshen e fundit, pasi eliminuan holandezët e AZ Alkmaar me rezultat 5-2 nga të dyja ndeshjet.
“Sfida kundër Atletico Madrid do të jetë shumë kërkuese. Ne deshëm ta shmangin Atleticon dhe ata deshën të na shmangin neve”, ka thënë Emery.
Valencia ka një sfidë të vështirë këtë vikend, pasi të dielën viziton Real Madridin në Santiago Bernabeu në derbin e javës në kampionatin spanjoll. 

Dell: Të gjitha partitë e korruptuara, veç në shkallë të ndryshme

“Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare”, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, duke shtuar se “partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme”.
Këto komente ai i bëri në intervistën për të përditshmen "Kosova Sot". “Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë, ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit”, ka thënë Dell.
Sipas tij, “fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit”, tha Dell.
Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme, që duhet të ndryshojë në Kosovë është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin.
“Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci”, ka thënë Dell. 

Lëvizja studentore: Rektorati të ç’bunkerizohet

Lëvizja studentore për barazi “Studim Kritikë Veprim”, përmes një aksioni simbolik ka kërkuar nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës që të ç’bunkerizohet, pasi sipas tyre është shndërruar në bunker të atyre që merren me korrupsion dhe të cilët fshihen nga publiku i cili duhet t’i mbikëqyrë.
Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës i cili nuk është transparent dhe të cilit çdo muaj i plasin skandale financiare edhe pse i varfër, tashmë po e shpërfaq izolimin e tij edhe në nivel simbolik, duke u shndërruar në një bunker të njerëzve që përfliten në shoqërinë tonë për korrupsion.
“Rektorati i Universitetit e ka bërë të pamundur komunikimin me studentët duke u rrethuar me hekura e duke vënë personel sigurimi në porta. Për tu takuar me shërbyesit civil në këtë institucion duhet të caktohen termine joformale njëjtë si caktohen termine në agjencitë turistike për pushime verore. Mbase na duhet t’ia rikujtojmë Rektoratit të UP-së që studentët mund të kenë nevoja urgjente, aq më shumë në Universitetin me kaq shumë parregullsi. Qasja në këtë institucion publik dhe të studentëve nuk duhet të jetë me kaq shumë pengesa. Studentët e Universitetit kanë të drejtë t’i qasen lehtë shërbyesve civil të këtij institucioni”, theksuan ndër të tjera përfaqësues të kësaj lëvizje.
Sipas tyre, tash në kohën kur është marrë vendimi për zgjedhjet studentore në UP, Universiteti i Prishtinës nuk e ka bërë publik me kohë vendimin. “Marrja e informatave është bërë pothuajse e pamundshme. Kalimi i linjave telefonike nga njëra në tjetrën mund të zgjasë shumë, ndërkaq në fund informacioni i kërkuar jepet përgjysmë, ose nuk jepet fare”, thotë kjo lëvizje.
Sipas Rregullores për Zgjedhjet, informimi dhe administrimi i zgjedhjeve në UP është rregulluar dhe informacioni i kërkuar nga organizatat studentore duhet të jepet.
“Lëvizja Studentore për Barazi – STUDIM KRITIKË VEPRIM, do të angazhohet që hapësirat e Rektoratit të mbeten publike dhe që studentët të mund tu qasen atyre. Rektorati i UP-së nuk është bunker e as zonë ushtarake në çka e keni shndërruar”, thonë ata.

Pas 46 ditëve zgjohet nga koma

Pacientja 59 vjeçare, Fikrije Kazazi nga Prishtina, ka arritur të zgjohet nga koma. Pas 46 ditësh pa vetëdije dhe më shumë se 3 muajve të trajtimit në Klinikën Infektive, pacientja ka gjendje të përmirësuar shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak.
Mjeku Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive, thotë se më 21 shkurt pacientja ishte nga Qendra Klinike Universitare e Shkupit, në gjendje kome, pa shpresa për jetën.
“E sëmura diku me datën 16 janar udhëton për Maqedoni dhe pranohet në Qendrën Klinike të Shkupit, ku qëndron deri me datën 21 të muajit shkurt”, ka thënë ai për Kosovapress. “Sipas të dhënave të familjarëve, e sëmura ka shkuar e pavetëdijshme, është trajtuar gjatë këtij intervali kohor dhe në gjendje të rëndë shëndetësore është lëshuar për trajtim të mëtutjeshme shtëpiak. Për shkak të situatës së rënd të të sëmurës, ajo sillet në QKUK, ku pas konsultimit të infektologut transferohet në klinikën infektive në mjekimin intensiv”.
Pacientja kishte ardhur pa ndonjë diagnozë të përcaktuar më herët. Pas shtrirjes në Klinikë kishte filluar trajtimi me terapi etiologjike, meqë bëhej fjalë për tuberkulozë në tru.
Fikrije Kazazi nuk e fsheh gëzimin dhe lëvdatat për stafin mjekësor. E emocionuar që pas një kohe të gjatë po i kthehej jetës normale, çmallet duke biseduar me vajzën e saj dhe familjarët e tjerë.
“Po më thonë se 5 javë ke qenë si e vdekur. Apo ndoshta edhe më shumë”, thotë ajo.
Sipas mjekut Dreshaj, në këtë klinikë me TBC të trurit dhe mushkërive brenda viti trajtohen 20-30 raste, përderisa para luftës numri ka qenë më i madh.
Ky nuk është rasti i vetëm kur pacientët, të cilët kërkojnë shërim jashtë vendit, kthehen përsëri në QKUK.

Feith: Të vazhdohet me integrimin e romëve në shoqëri

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve (8 prill), inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë përpjekjet e saj për implementimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Feith në një deklaratë për media theksoi se projekti pilot për implementimin e plan programit të arsimit fillor në gjuhën rome dhe për kulturën dhe historinë rome si dhe ndërtimi i shtëpive të reja për komunitetin rom janë arritje të mëdha, por nevojitet akoma më tepër progres.
“Një shoqëri e qëndrueshme, shumetnike dhe demokratike kërkon përpjekje të vazhdueshme për të krijuar, mbështetur dhe financuar mekanizmat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit. Kushtet e jetesës së komunitetit rom në Kosovë dhe sfidat e tyre të vazhdueshme për qasje në arsimin bazë dhe shërbimin shëndetësor janë tepër të rënda. Unë kam besim se Qeveria do të vazhdojë të implementojë masa të prekshme për të përmirësuar integrimin e romëve në Kosovë”, tha Feith.

Certifikohen 56 kandidatët me Provim Jurisprudence

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se provimi i Jurisprudencës është pjesë e projektuar si arkitekturë e drejtësisë në Kosovë dhe si pjesë e standardeve të domosdoshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë.
Kuçi këto komente i bëri në ceremoninë e organizuar me rastin e ndarjes së certifikatave për 56 kandidatë që kanë dhënë Provimin e Jurisprudencës.
“Ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie të mëdha dhe me synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim”, theksoi Kuçi.
Sipas ministrit Kuçi, 56 juristë të certifikuar sot me provim të dhënë të jurisprudencës, do ta kenë barrën dhe privilegjin për t’i mundësuar Kosovës një aspiratë më të madhe drejt fuqizimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, qoftë si gjyqtar, prokuror, avokat, noter apo ndërmjetësues dhe shtoi se bashkërisht me partnerët vendës dhe ndërkombëtar, kanë paraparë edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës, i cili do të jetë edhe me efektiv dhe më pragmatik për juristët e rinj.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Rexhep Haxhimusa tha se certifikatat e marra sot nga kandidatët, dëshmojnë se ata janë të përgatitur për të qenë gjyqtar, prokurorë dhe avokatë të nesërme të Kosovës.
 
.

Familja e shëndoshtë garanton shtet në shërbim të qytetarit

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në konferencën lidhur me gjendjen dhe problemet e familjes bashkëkohore theksoi se një familje e shëndoshë garanton një shoqëri të shëndoshë që i ndërton bazat e një shteti që është në shërbim të qytetarit.
Në këtë konferencë të organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Fondacioni për Arsim dhe Kulturë, Jahjaga tha se familja ka qenë ajo që e ka mbajtur të gjallë, brez pas brezi, ëndrrën dhe aspiratën tonë për liri dhe pavarësi.
“Për të pasur një familje të shëndoshë, duhet të flasim hapur edhe për probleme, duke mbrojtur integritetin e familjes nga të gjitha fenomenet negative. Mos-heshtja ndaj problemeve është mënyra e vetme se si mund të ecim përpara dhe të ndryshojmë për të mirë”, tha Jahjaga.
Ajo u shpreh se familja e shëndoshë cenohet kur dhuna në familje tolerohet, kur fëmija nuk e gjen shembullin e qytetarit ideal tek prindi i vet dhe kur femra nuk ndjehet e sigurt nga më të afërmit dhe më të dashurit e saj.
“Ne si institucione dhe shoqëri e organizuar do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm, që familja jonë, si qelizë themelore e shoqërisë, të mos ndjehet e kërcënuar në asnjë segment të saj... Parimet e familjes bashkëkohore reflektojnë vizionin tonë të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri në të cilën të drejtat, liritë dhe fjala e çdo individi respektohet, si qytetar i denjë i Evropës”, u shpreh ndër të tjera Jahjaga.

Arrestohen tre aktivistë të Vetëvendosjes në Drenas

Aktivistë të Vetëvendosjes të premten realizuan një aksionin për vendosjen e posterëve, për të pasqyruar sipas tyre ndarjen joefikase dhe të padrejtë të buxhetit për vitin 2012 nga Komuna e Drenasit. Pas këtij aksioni, Policia ka arrestuar tre prej aktivistëve që thuhet se ishin pjesë e aksionit.
Në posterat e Vetëvendosjes, shihej fotografia e kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku, ku shkruhej “Ky person po i kushton komunës tonë shumë shtrenjtë”, si dhe shifra për shpenzimet e komunës.
Në njoftimin për media të Vetëvendosjes thuhet se aksioni për shpërndarjen e posterëve në hapësirat publike ka filluar në ora 11:00.
Mirëpo, sipas VV-së, në ora 11:14, policia e stacionit të Drenasit, arrestoi tre prej aktivistëve që ishin pjesë e aksionit, duke i dërguar ata në stacion, ku sipas aktivistëve policët ishin shprehur se kanë urdhër nga Komandanti i Stacionit, Valdet Bujupi.
Të arrestuarit janë: Ismet Dibrani, Zahir Morina dhe Albert Ramaj
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas e dënon arrestimin e padrejtë dhe të paarsyeshëm të aktivistëve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

VV: Projektligji për ndërtim– ikje e shtetit nga përgjegjësia

Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi të premten se miratimi i Ligjit për ndërtim një ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës është simptomë e rrugëtimit shkatërrimtar të shtetit dhe e nënshtrimit ndaj interesit dhe logjikës së biznesit, e që sipas tyre bie në kundërshtim me retorikën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, për forcimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarit.
Vetëvendosje më tej shprehet se është e pakuptimtë që ligji për ndërtim t’i paraprijë atij për planifikim hapësinor.
“Dje në kuvend pas presioneve të shumta u kontrabanda futja në rend dite dhe miratimi në parim i projektligjit për ndërtim. I pakuptimtë duket në shikim të parë presioni për kalimin e këtij ligji, pasi kemi të bëjmë me ndërtimet, diçka që duket se është larg politikës. Por ja që pikërisht te ky ligj presioni po merr trajtën e vet brutale që nuk e shohim shpesh”, vlerëson Vetëvendosje.
Sipas VV-së, praktikat moderne të ndërtimeve dhe projektimeve urbane e janë të lidhura ngushtë me qytetarin, të drejtat e tij për jetë cilësore dhe ambient të shëndoshë dhe kushte të mira për punë e zhvillim shoqëror.
“Projektligji i ndërtimit i posakaluar në kuvend në qendër të tij nuk e ka qytetarin. Në qendër të tij është ‘të bërit biznes’ dhe atë në formën më brutale të mundshme. Biznesit i përshtatet ligji i ardhshëm për ndërtim i cili është në kundërshtim më planin hapësinor dhe ligjin për planifikim hapësinor dhe pritet që pas miratimit të ndryshohet edhe ligji për planifikim hapësinor, pra t’i përshtatet ligjit të ndërtimit”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.
Vetëvendosje thekson se për pasojë do të ketë rënie të shtetit në mbrojtje të interesit qytetar.
“Liberalizimi ekstrem i procedurave, madje liria totale për biznesin e ndërtimit, përpos rrezikimit të ambientit dhe interesit qytetar, rrezikon edhe bizneset vendase të ndërtimit para mafias ndërtimit”, thotë Vetëvendosje, duke shtuar se gjatë draftimit janë injoruar të gjitha palët që përfshihen.

Zyrtarët e lartë të shtetit hetohen për korrupsion?

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke hetuar më shumë se 90 raste që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar
Përfaqësues të këtij misioni bënë se deri më tani janë marrë 46 vendime për raste të tilla.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton i tha Radios Evropa e Lirë, se nga hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion nuk do të përjashtohen as zyrtarët e lartë të institucioneve të ndryshme kosovare.
“Nuk do të komentoja detajet e hetimeve apo individët që po hetohen. Ajo që mund të them është se EULEX-i do të hetojë rastet serioze të krimit të organizuar e korrupsionit kudo që ndodhin këto krime dhe këdo që përfshijnë ato”, tha Hawton.
Ditë më parë, me urdhër të prokurorëve të EULEX-it, ishte arrestuar ish-kreu i Task-Forces kundër Korrupsionit, Nazmi Mustafi, i cili bashkë me Reshat e Xhelal Zherkën dyshohet të jenë të përfshirë në shpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim të ndikimit. 

Tadici do të detyrohet ta pranojë pavarësinë e Kosovës

Analisti serb, Dusan Janjic, ka thënë se nëse Boris Tadici mendon që edhe pas 6 majit ta formojë qeverinë e Serbisë, do të jetë i detyruar që formalisht ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, Kosova do të jetë temë kryesore e pjesës së dytë të fushatës parazgjedhore.
“Kjo shton pasigurinë e rezultateve të mira, sidomos nëse nisin protestat e qytetarëve që mendojnë se Beogradi e ka tradhtuar Kosovën”, ka pohuar Janjic për Danas.
Sipas tij, nëse në vend të mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë bëhet emërimi i koordinatorëve ose këshillave të përkohshëm komunal, Serbia do ta shtoj ndikimin në komunat tek të cilat nuk kanë pasur më parë kontroll. Kjo, për Janjicin, do të jetë alibi se “Beogradi ka luftuar aq sa ka mundur dhe e ka arritur maksimumin”, edhe pse heqja dorë nga zgjedhjet lokale është pjesë e marrëveshjeve të mëparshme me Brukselin dhe Gjermaninë për shuarjen e institucioneve paralele serbe.
Ai vlerëson se për shkak të kësaj sjelljeje të Beogradit duhet pritur dy lloje të reagimit – protesta dhe presione të qytetarëve, para së gjithash të serbëve të shpërngulur nga Kosova, si dhe organizim të zgjedhjeve në terren.
“Për serbët nuk do të jetë hera e parë disa të ecin rrugës e disa malit. Votimi në Zubin Potok dhe Zveçan do të kalojë si barrikadat dhe referendumi. Më së shumti përfitime do të kenë politikanët lokalë, pastaj bashkësia ndërkombëtare, sepse do të ketë mundësi të zgjedhë mes shumë partnerëve, si dhe Qeveria e Kosovës e cila ka instaluar koordinatorin për veriun, e tash shfaqet si tolerante, meqë nuk e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë”, vlerëson Janjic.
Ai pohon se Beogradi zyrtar ka flijuar votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale në mënyrë që BE ta pranojë kandidaturën e tretë të Tadicit për president të Serbisë. Janjic tërheq vërejtjen se vendimi i Tadicit për dorëheqjen e tij dhe për zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale, do të lë një vakuum institucional në Serbi, “të cilën pastaj e presin vendimet për pavarësinë e Kosovës dhe periudha e krizës sociale e të sigurisë”.
“Pas 6 majit Beogradi nuk do të ketë qeveri. Nuk ka punuar për zbatim të kushteve për integrime të tjera evropiane, as për marrëveshjet nga Brukseli. Nëse pushteti i tanishëm mendon që përsëri të formojë qeverinë, do të jetë i detyruar që edhe formalisht ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar Janjic.

Nisin hetimet ndaj Behgjet Pacollit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën ligjore ndaj zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, për konflikt interesi me rastin e nënshkrimit të memorandumeve në Nigeri, si përfaqësues i kompanisë “Seagas”.
Procedura është bazuar në raportet e “Kohës Ditore”, të publikuara javën e shkuar. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë, i ka thënë “Kohës Ditore” të enjten se tek pasi të përfundojë e gjithë procedura, do të mund të flasë publikisht për rastin.
Kjo, për shkak se me ligj zyrtarëve të Agjencisë u imponohet të mbajnë të fshehura informacionet gjatë procedurës së hetimit. Megjithëqë ka premtuar publikimin e rezultateve, kur të jepet fjala e fundit në këtë rast.
“Ne i kemi përcjellë të gjitha shkrimet. Në bazë të Ligjit Nr.04/L-051 (Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik), e gjithë procedura është e mbyllur për publikun”, ka thënë Preteni. “Publik do të bëhet vetëm vendimi final”.
Gazeta ka publikuar gjatë javës së shkuar dy raporte, që flasin për përfaqësim biznesesh nga Pacolli, ndonëse ka funksion prej zëvendëskryeministri.
Në të parin është treguar se në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë së shtetit nigerian, me pompozitet është lansuar lajmi që Qeveria e Kosovës do të ndërtojë një impiant 500 megavatësh të energjisë elektrike.
Në emër të Kosovës, sipas ueb-faqes “imostate.gov.ng”, firmën e ka vënë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Në të dytin gazeta ka publikuar përmbajtje të dy memorandumeve ku Pacolli vë nënshkrimin në cilësinë e përfaqësuesit të firmës “Seagas”. 

Kaq nga Washingtoni

Kryeministri Hashim Thaçi do të kthehet nga Amerika pa takuar presidentin Barack Obama. Sipas njoftimit të qeverisë për aktivitetet në Washington, takimi me zëvendëspresidentin Joseph Biden i ka dhënë fund agjendës së Thaçit në Shtëpinë e Bardhë.
Të enjten , kreu i qeverisë takoi ish sekretaren amerikane Madeleine Allbright, e cila ritheksoi mbështetjen për Kosovën.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me gjasë do ta përfundojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa e takuar numrin një të këtij shteti, Barack Obama, shkruan “Express”.
Para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Thaçi ka udhëtuar drejt SHBA-ve me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, ku do të ketë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë.
Sido që të jetë, pritjet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në kushte anonimiteti kanë proklamuar një takim Thaçi –Obama, nuk kanë dalë të sakta.
Por, delegacioni i Kosovës të enjten në Washington ka takuar Zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, i cili kishte rezervuar një pritje për Thaçin në Shtëpinë e Bardhë edhe gjatë vitit 2010.
Sipas një kumtese, në takim është rikonfirmuar mbështetja e “fuqishme dhe e gjithanshme e SHBA-ve për Republikën e Kosovës”. 

Dragodani zbut opozitën

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë gjetur “ilaçin” për t’i “urtuar” partitë opozitare. Një presion triorësh i ardhur nga “Dragodani” ka mjaftuar që deputetët e LDK-së dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të kthehen në vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës për të vazhduar seanca e së enjtes.
Deputetët opozitarë, që javën e kaluar kanë braktisur punimet e Kuvendit, dhe të cilët u zotuan se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe në seancën plenare të së enjtes, i kanë “hëngër fjalët”, shkruan “Zëri”.
Megjithatë, i njëjti “ilaç” nuk dha efekt te deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët u treguan më të fuqishëm, duke refuzuar rikthimin në Kuvend.
“Mollë sherri” për gjithë këtë “hallakamë” në mes grupeve parlamentare është bërë Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare. Fillimisht seanca plenare nisi punimet me praninë e opozitës, por pas pak minutash është ndërprerë, pasi që grupet parlamentare opozitare këmbëngulën se do ta lëshojnë sallën nëse nuk tërhiqet nga rendi i ditës Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare.
Ky “kërcënim” i opozitarëve bëri që kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi t’i thërrasë në një takim shefat e grupeve parlamentare, për të gjetur një zgjidhje.
Në konsultën e dytë ndërmjet Krasniqit dhe nënkryetarëve të legjislativit është parë të jetë i pranishëm edhe zëvendësambasadori amerikan, Michael Murphy. 

Lojërat e fatit “nxehin” debatin në kuvend

Deputetët e Kuvendi të Kosovës në seancën e sotme kanë miratuar disa projektligje, por debati është “nxehë”, derisa po shqyrtohej Projektligji për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve dhe Projektligjin për lojërat e fatit. Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, as sot nuk ka qenë prezentë në seancë.
Ligjvënësit kanë miratuar Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve, por për amendamentin e dytë të propozuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, u zhvillua një debat më i gjerë.
Deputeti Haxhiu e arsyetoi këtë amendament, duke thënë se mosha e punëkërkuesve të ndryshohet nga 15 vjeç në 18 vjeç. “Kam propozuar që mosha 15 vjeç për evidencën e të papunëve të zëvendësohet me moshën 18 vjeçare, sepse ashtu si është propozuar nga ana e komisionit është në kundërshtim edhe me nenet 5, 6 dhe 7 të këtij ligji dhe kushtetutën e Kosovës me nenin 50 për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, ka thënë Haxhiu, raporton Kosovapress.
Ndërkohë, një debat më i gjatë është zhvilluar gjatë shqyrtimit të Projektligjit për lojërat e fatit.
Disa amendamente të propozuara nga deputeti i PDK-së Shaip Muja nuk kanë marrë mbështetjen e deputetëve, madje as të atyre të PDK-së. Për këtë, ai ka thënë se qëllimi i tij ishte që të ketë më shumë transparencë në lojërat e fatit.
Por deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë lojërat e fatit në ekonominë e tregut nuk mund të ndalohen.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se ka evazion fiskal nga këto lojëra dhe se të interesuar për to ka edhe në sallën e Kuvendit. “Unë nuk kam dyshim që në këto lojëra ka të interesuar edhe brenda kësaj salle edhe jashtë sallës, por evazion fiskal në Kosovë ka edhe shumë dhe këtë nuk mund ta bëjnë atë që s’kanë pushtet në këto lojëra”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti me ironi ka përgëzuar pronarët e lojërave të fatit, pasi, siç ka thënë ai, paskan lobuar mirë.
Ndryshe deputetët gjatë seancës së sotme kanë miratuar Projektligjin për bibliotekat në Kosovë, ndërsa në rend dite është Projektligji për fondet pensionale në Kosovë, kërkesa e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Turizmin dhe Shërbimet Turistike dhe shqyrtimi i Planit Hapësinor i Zonës me interes të veçantë "Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë dhe Divjakë".

Kryeministri Thaçi u takua me Elizabeth L. Littlefield

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi të premten u takua me Elizabeth L. Littlefield, Presidente e Korporatës për Investime Private të Jashtme (OPIC), institucion financiar i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Në takim është diskutuar lidhur me mënyrat se si OPIC do të mund të ndihmonte nxitjen e investimeve private të kompanive amerikane në Republikën e Kosovës, me fokus të veçantë në zëvendësimin e importit.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Thaçi falënderoi, Littlefied për ndihmën që OPIC i ka dhënë Kosovës në sektorin e energjetikës dhe në atë të institucioneve mikrofinanciare.
Po ashtu, Kryeministri Thaçi e njoftoi ate për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist dhe mundësitë e ndryshme që ofron ekonomia e Kosovës për investime në sektorët, që do të mundësonin zëvendësimin e importit, si dhe në sektorët e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe turizmit.
Presidentja e Korporatës për Investime Private të Jashtme, Elizabeth L. Littlefield e informoi Kryeministrin Thaçi për projektet në sektorin e institucioneve mikrofinanciare dhe ato të efiçiencës së energjisë, projekte këto që janë në zhvillim e sipër. Po ashtu, ajo rikonfirmoi mbështetjen e nxitjes së investimeve amerikane në Kosovë, përmes ofrimit të fondeve për financim dhe përmes shërbimeve të sigurimit nga risku politik për investimet.
Në vitin 2009, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve me Qeverinë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

U hap edhe në Kosovë Spitali Amerikan

Është hapur të premten në Kosovës Spitali Amerikan i cili do të ofrojë shërbimet e përgjithshme brenda 24 orëve. Sipas zyrtarëve, të këtij spitali, pacientet nga Kosova nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë për shërim në Shqipëri.
Në hapjen e Spitalit Amerikan edhe në Kosovës, ka marrë pjesë edhe Presidentja e vendit Atifete Jahjaga si dhe zyrtarë të lartë qeveritarë.
Ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani tha se me hapjen e këtij spitali është rritur oferta shëndetësore në vend. Ai theksoi se me hapjen e Spitalit Amerikan pacientet nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë për tu shëruar.
Ndërkaq drejtori i përgjithshëm i Spitalit Amerikan në Kosovës, Driton Ukmata ka treguar se spitali do t’i ofrojë shërbimet e përgjithshme 24 orë në ditë 7 ditë në javë me standardet më të larta amerikane.
Ai ka bërë të ditur se ky spital aktualisht ka rreth 100 persona të punësuar.
Hapjen e Spitalit Amerika edhe në Kosovë e ka mirëpritur edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasali i cili ka marr pjesë në ceremoninë e organizuar.
Spitali gjendet në kilometrin e 7 të rrugës Prishtinë-Gjilan përkatësisht në Hajvali. 

Kosova dhe përvoja sllovene

Fakulteti Ekonomik i Lubjanës ofron dy drejtime masteri në Prishtine – në Menaxhim Bankar dhe Financiar, si dhe në Ndërmarrësi.
Të dy këto programe zgjasin dy vite (4 semestra). Gjate tre semestrave të parë vijojnë ligjëratat dhe mbahen provimet (ka mundësi për riprovime), ndërsa semestri i katërt i dedikohet përgatitjes se Temës se Masterit dhe eventualisht provimeve të mbetura.
Të dy drejtimet kanë 11 lende obligative, që përmbajnë 120 kredi (ECTS). Mësimi zhvillohet në gjuhën angleze, ndërsa profesorët që ligjërojnë janë nga Universiteti i Lubjanës. Përveç funksioneve akademike, stafi ka ushtruar edhe funksione të larta shtetërore, si ekspertë, ministra ekonomie apo financash.

Hyrja në objektin e Fakultetit është digjitale (me kartela) dhe studentët kanë 24 orë qasje në Fakultet (në librari, klasa dhe laborator të kompjuterit).
Fakulteti së shpejti planifikon të mbajë konsulenca për kompani, trajnime dhe konferenca nga fusha të ndryshme të menaxhimit.
Shembull për këtë është konferenca që u mbajt ditë më parë, nga profesori dhe Dekani i Universitetit të Lubjanës, ish ministër i Financave të Sllovenisë, Dusan Mramor. Ai prezantoi në Prishtinë transicionin financiar të Sllovenisë: nga valuta e tolarit deri te euro.
Ai ka folur për vështirësitë e këtij kalimi, për krizat eventuale që ka mundur t’i pësoj ekonomia sllovene etj. Qëllimi i tij ishte institucionet të mësojnë nga përvojat, por edhe gabimet sllovene në këtë aspekt.
Shembulli më i mirë - në këtë aspekt - për të mbrojtur bizneset sllovene në këtë periudhë, ishte jo ngritja e çmimeve të energjisë, por rritja e efikasitetit në prodhim.
Të pranishmit kanë bërë pyetje, ndërsa përgjigjet i kanë dhënë profesori Mramor dhe profesori Bostian Jasbec, tashmë këshilltarë në Bankën Qendrore të Kosovës.
Në konferencë u prezantua edhe konferenca e online-marketingut që do të mbahet më 4 maj, nën organizimin e Ceed Kosova, Telegrafi dhe Organizata Stikk.

Autostrada Prishtinë–Shkup nuk ndërtohet as sivjet

Në bazë të Kornizës Afat-Mesme të Shpenzimeve për periudhën 2012-2014, punimet në autostradën që lidh Kosovën me Maqedoninë është dashur të fillojnë në fund të muaj mars të këtij viti, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Zyrtarë të Qeverisë thonë se punimet për ndërtimin e rrugës 6 Prishtinë – Shkup, do të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.
Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pretendimet e ekzekutivit për vitin 2012, kanë qenë që të kryhen të gjitha procedurat teknike dhe të realizohet shprehja e interesit. “Shpresojmë shumë që ky kalendar të mund të respektohet dhe në fillim të vitit 2013, të fillojmë me punimet e para. Sipas Kornizës Afat-Mesme të Shpenzimeve, mjetet e parapara nënkuptojnë shpronësimet në një segment të caktuar të rrugës, sepse kjo rrugë kalon edhe në prona private dhe ky është destinimi i këtyre mjeteve”, bën të ditur Nitaj.
Ai tregon se tashmë Ministria e Infrastrukturës ka bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe pakoja tenderuese, sipas tij, është e gatshme.
Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim më mekanizmat ndërkombëtarë, thotë Nitaj, janë duke shikuar mundësitë dhe burimet e financimit, në mënyrë që të rruga të fillojë me kohë, ndërsa buxheti i Kosovës të kursehet në masën e mundshme. “Me institucione financiare ndërkombëtare dhe akterë të rëndësishëm në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është në kontakte të vazhdueshme dhe presim që deri në muajin qershor të kemi marrjen e vendimit për formën e investimeve. Janë disa alternativa, sot nuk mund të them cila mund të jetë. Por, po shihen dhe po analizohen thellësisht të gjitha anët financiare dhe sigurisht alternativa më e favorshme për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës do të zgjidhet për realizimin e projektit”, sqaron Nitaj.
Ndryshe, në Kornizën Afat-Mesme të Shpenzimeve për periudhën 2012-2014, thuhet se fillimi i ndërtimit të rrugës 6 Prishtinë - Shkup, në vlerë prej mbi 600 milionë eurosh, supozohet të fillojë nga tremujori i fundit i vitit 2012, ndërsa projekti në tërësi, sipas Kornizës, pritet të përfundojë brenda afatit trevjeçar.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, realizimin e projektit Prishtinë - Shkup e quajnë ëndërr të ekzekutivit dhe jo mundësi reale që mund të ofrojë kapaciteti i buxhetit të Qeverisë.
Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike, megjithatë thekson se ky projekt është kundërshtuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore. “Zbatimi i këtij projekti është kundërshtuar ashpër qoftë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar apo Bankës Botërore, për shkak se nuk ka rrethana, nuk ka ambient, nuk ka mundësi financiare që ministria të fillojë këtë projekt, përderisa nuk përfundon autostrada Vërmicë – Merdare. Kështu që, ajo që është thënë, se do të kryhen procedurat teknike, fizibiliteti, shprehja e interesit, tenderi, apo diçka tjetër mund të përfundojnë sivjet, në mënyrë që puna të fillojë vitin e ardhëm, më tepër janë lojë fjalësh sesa që paraqesin një ambient real apo një situatë të qëndrueshëm, të cilën mund të përballojë buxheti i Kosovës”, vlerëson Rexhepi.
Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë - Shkup është prezantuar në vitin 2010. Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.
Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra. 

Conte pret rrëshqitjen e Milanit

Antonio Conte shpreson për një rrëshqitje të Milanit e cila do t’i ndihmonte Juventusit të rikthehet në maje të renditjes së Serie A.
“Ne nuk mendojmë për atë çfarë Milani do të bëjë, por çfarë do të bëjmë ne. Ne do të kemi një ndeshje të rëndësishme kundër Palermos të shtunën, që mund të na lejojë neve të mbajmë gjallë ëndrrën”.
“Milani ka dy pikë avantazh dhe një renditje më të lehtë të ndeshjeve se ne. Ne jemi në rrugë të duhur, duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të presim Milanin të rrëshqasë”.
“Ne do të japim gjithçka nga vetja që të mos kemi pendime pas ndeshjeve tona”, ka thënë Conte.

Albiol dëshiron La Ligën dhe LK-në

Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Albiol, ka deklaruar se skuadra e tij synon të fitojë titullin e kampionit të Spanjës dhe atij të Evropës këtë sezon.
Klubi nga Santiago Bernabeu është lider në tabelën e La Liga me gjashtë pikë epërsi ndaj Barcelonës dhe është në kërkim të titullit të parë të kampionit të Spanjës që nga sezoni 2007/08. Los Blancos po ashtu janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ku do të përballen me Bayernin e Munichut.
“Ne jemi ambiciozë dhe synojmë ta fitojmë titullin në dy garat në të cilat jemi, La Liga dhe në Ligën e Kampionëve. Edhe një përpjekje e fundit nga secili dhe mbase mund ta arrijmë këtë”.
“Atmosfera në dhomën e veshjeve është fantastike, ne të gjithë shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Ju mund ta shihni këtë edhe në fushë”, ka thënë Albion për Bwin.

Wenger krenar me shpirtin ekipor të Arsenalit

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka lavdëruar shpirtin e skuadrës së tij.
Wenger thotë se ky sezon e ka testuar fuqinë mentale të të gjithë individëve të përfshirë në klub, dhe se ata kanë përfituar nga përvojat e këtij sezoni.
“Ne të gjithë kemi treguar një përgjigje të jashtëzakonshme, unitet dhe besim. Jam shumë krenar për këtë pasi me mënyrën se si ne u rikthyem kundër Tottenhamit, ne e fuqizuam atë besim dhe po ashtu krijuam optimizëm në skuadër ndaj tifozëve tanë”.
“Ky rezultat po ashtu na ndihmoi të rikthehemi kundër Liverpoolit dhe Newcastle. Andaj ishte një test i mirë për ne, dhe ne do të vazhdojmë të jemi të tillë deri në fund të sezonit”, ka thënë Wenger. 

Gomez ka refuzuar Real Madridin

Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, kishte refuzuar Realin e Madridit, ka bërë të ditur gjyshi i tij.
Ish-sulmuesi i Stuttgartit ka qenë në formë këtë sezon duke shënuar 37 gola në të gjitha garat. Dhe Bayerni e ka vlerësuar kontributin e tij duke i ofruar së fundi vazhdim të kontratës, të cilën ai e nënshkroi më herët gjatë kësaj jave.
“Madridi e ka kërkuar atë... por ai nuk dëshironte të shkojë atje. Ai thotë se është shumë komfort te Bayerni, veçanërisht tash që trajneri ka fituar besimin e tij”.
“Ai sapo ka rinovuar deri në vitin 2016 dhe është shumë i lumtur”, ka thënë Jose Gomez për Goal.

Ancelotti: Vetëm Reali mund ta ndalojë Barcën

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, thotë se vetëm Real Madridi mund ta ndalojë Barcelonën në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Barca eliminoi ish-skuadrën e Ancelottit, Milanin, në çerekfinale të garës evropiane, dhe do mund të takohet me Realin në finale nëse eliminon në gjysmëfinale ish-skuadrën tjetër të Ancelottit, Chelsean.
“Milani bëri gjithçka që mundi kundër skuadrës më të fuqishme në botë. Tash për tash, vetëm Real Madridi mund të dalë kundër katalanasve”, ka thënë Ancelotti për La Gazzetta dello Sport

Rami: Vështirë kundër Atleticos

Mbrojtësi i Valencias, Adil Rami, ka thënë se skuadra e tij do të ketë një sfidë të vështirë përballë Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Europa League.
Rami shënoi dy gola derisa skuadra spanjolle demoloi holandezët e AZ Alkmaar me rezultat 4-0 në shtëpi (5-2 nga të dyja ndeshjet) për të arritur në katërshen e fundit të garës evropiane.
“Sfida kundër Atletico Madrid do të jetë shumë e vështirë. Ne do të luajmë kundër një skuadre shumë të mirë dhe po ashtu kundër një prej sulmuesve më të mirë në botë [Falcao], së bashku me Benzema”.
“Do të jetë një punë e patjetërsueshme dhe ne do të japim një mund të madh dhe do të shohim se ku qëndron fati ynë”, ka thënë Rami.

Ronaldo: Reali ose Barca do ta fitojnë LK-në

Legjenda braziliane Ronaldo beson se fituesi i Ligës së Kampionëve do të jetë ose Real Madridi ose Barcelona.
“Real Madridi dhe Bayern Munichu që të dyja janë në një nivel të lartë dhe do të jetë një gjysmëfinale e vështirë, por besoj se Reali do të shkojë më tej”.
“Spanja vuan nga kriza ekonomike por të dyja skuadrat [Madrid dhe Barcelona] janë në një nivel më të lartë se të tjerët. Finalja e Ligës së Kampionëve do të jetë në mes tyre”, ka thënë Ronaldo për ESPN. 

NBA: Bulls zgjohen vonë ndaj Celtics

Lideri i Konferencës Lindore, Chicago Bulls, është rikthyer nga deficiti prej 13 pikësh në pjesën e parë për të mposhtur Boston Celtics me rezultat 93-86.
Luol Deng shënoi pikët më të larta të sezonit, 26 gjithsej, 18 nga të cilat në pjesën e dytë, derisa Bulls, të cilët ishin pa lojtarin kryesor Derrick Rose për të 12-tën ndeshje radhazi, deklasuan Celtics-at 55-37 në pjesë të dytë.
Pierce udhëhoqi te Celtics me 22 pikë dhe Kevin Garnett shënjoi 12 pikë dhe 14 kërcime.
Nga ndeshjet tjera, New York Knicks kanë mposhtur Orlando Magic me rezultat 96-80 dhe Los Angeles Clippers ka ndaluar Sacramento Kings me rezultat 93-85.

Diego: Ende herët të flitet për trofeun e EL

Mesfushori i Atletico Madrid, Diego, beson se është ende herët të thuhet nëse skuadra e tij do ta fitojë Europa League pavarësisht se ka arritur në gjysmëfinale të garës evropiane.
Spanjollët mposhtën Hannoverin 2-1 në Gjermani dhe me po të njëjtin rezultat edhe në Spanjë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4-2. Atletico tash do të luftojë me Valencian për t’u kualifikuar në finale.
“Është ende herët të themi nëse ne do të jemi kampionë ose jo. Ne duhet të luajmë shumë mirë kundër Valencias, pasi ata janë një skuadër e shkëlqyeshme”.
“Por sigurisht, objektivi ynë është të jemi kampionë. Mendoj se ne mund t’ia dalim por duhet të shkojmë hap pas hapi dhe të përqendrohemi në ndeshjen e radhës. Nëse luajmë mirë, atëherë mendoj se kemi shanse të mëdha”, ka thënë Diego. 

Ferdinand: Jemi aty duam të jemi

Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, thotë se ata janë aty ku kanë dashur të jenë në këtë fazë të sezonit.
“Ne jemi në pozitën në të cilën donim të ishim në këtë stad të sezonit, por nuk ka mbaruar. Ka ende shumë futboll të luhet nga tash deri kur trofetë të dorëzohen”.
“Ne duhet të sigurohemi që t’i qasemi vetes në mënyrën e duhur. Nëse ne bëjmë performanca të mira dhe nxjerrim rezultatet e duhura, shpresojmë se do të ngremë trofe në fund të sezonit”, ka thënë Ferdinand.
United është pesë pikë mbi rivalin lokal Manchester Cityn në tabelën e Ligës Premier.

Kaka: Duhet ta mposhtim Valencian

Mesfushori i Real Madridit, Kaka, e di se derbi i vikendit përballë Valencias është një ndeshje që patjetër duhet fituar.
Reali aktualisht është gjashtë pikë mbi Barcelonën në krye të tabelës së La Ligës dhe Kaka shpreson ata ta ruajnë këtë diferencë.
“Ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen tonë kundër Valencias, tash”.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme për momentin, pasi ne kemi gjashtë pikë avantazh ndaj Barcelonës në ligë dhe duam ta mbajmë këtë të tillë”, ka thënë Kaka.

Terry: Barcës nuk do t’i pëlqejë të përballet me ne

Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se Barcelona duhet të ketë frikë në prag të ndeshjeve gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Është një arritje shumë e mirë të shkojmë në gjysmëfinalen e gjashtë në nëntë vite, por ne duam të shkojmë deri në fund”.
“Është e qartë se do të jetë vështirë kundër Barcelonës, por ne po luajmë mirë. Nuk jam i sigurt se dikush do të pëlqente të luajë kundër nesh për momentin, pasi jemi një skuadër shumë e mirë, veçanërisht në këtë garë”, ka thënë Terry. 

Man Utd në negociata me Julio Cesar

Manchester United vazhdon të lidhet me portierin e Interit, Julio Cesar.
Gazzetta dello Sport shkruan se United është në negociata konkrete në tentim për të nënshkruar me Julio Cesar nga Interi.
32-vjeçari pritet të largohet nga Giueppe Meazza gjatë verës dhe pavarësisht progresit të David De Gea, United është i interesuar ta ketë edhe një portier me përvojë në radhët e veta.

Reality shou për prodhimet vendore

Një eveniment, për përkrahje të prodhimeve vendore, do të organizohet në qendër të Prishtinës në muajin maj.
Përmes një shtëpie të improvizuar me xhama, ku do të qëndrojnë katër persona të mbyllur një javë,do të përkrahen prodhimet vendore, mënyre kjo e përkrahjes që nuk është aplikuar më parë në vendin tonë.
Këta katër persona, që do të jetojnë afër qendrës së Prishtinës, për të gjithë ata që do të jenë të interesuar, mund t’i shohin ‘live’ për një javë.
Ky lloj i ‘reality shou’, nuk do të transmetohet në asnjë kanal televiziv, por do të jetë i hapur për vizitor,dhe kalimtar të rastit. Këtë evenimet gjithashtu e ka  përkrahur edhe  Oda Ekonimike e Kosovës . 

Rozi: Kresha më thërret Dumbo

Këngëtarja Rozana Radi, ka konfirmuar se ajo se është në lidhje serioze dashurie me reperin kosovar, Mc Kreshën, për tashmë gjashtë muaj.
Rozi ka rrëfyer se tashmë është njoftuar me nënën, motrën, dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes së Kreshës.
“Kam 6 muaj e dashuruar, Kresha me thërret Dumbo. Deri tani kam takuar nënën, motrën dhe shumë familjarë të tjerë të tij”, ka thënë Rozana për mediat shqiptare.
Përveç kësaj, Rozi ka folur edhe për fotot e saja nudo që ishin postuar në internet. Ajo ka pohuar se nuk e ka idenë se si kanë arritur të publikohen këto foto.
“As që e kam idenë se si kanë arritur të përhapen”, ka thënë Rozi duke shtuar se këto foto janë publikuar menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale në gjoks.
E pyetur se a konsumon cigare apo drogë, ajo ka pohuar se është vetëm duhanpirëse.
“Konsumoj shumë cigare, drogë jo, por ujin e kam te domosdoshëm dhe e konsumoj shumë”, ka shtuar më tej Rozi. 

‘Emra.com’ sjell videon humoristike ‘Ujqit 2012’

Tashmë është realizuar videoja humoristike ‘Ujqit 2012’, nga produksioni ‘Emra. com, që pritet të jetë njëra ndër videot humoristike më të shikuara në Kosovë dhe diasporë.
Në këtë video luajnë aktorë të njohur kosovarë si: Naser Rafuna, Adhurim Demi dhe Sabri Fejzullahu.
Përveç kësaj, Emra.com së shpejti pritet të publikojë edhe CD-në më të re “Lutem për ty”, me këngëtarët, Sabri Fejzullahu, Gili, Mahmut Ferati, e të tjerë.