Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi të premten u takua me Elizabeth L. Littlefield, Presidente e Korporatës për Investime Private të Jashtme (OPIC), institucion financiar i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Në takim është diskutuar lidhur me mënyrat se si OPIC do të mund të ndihmonte nxitjen e investimeve private të kompanive amerikane në Republikën e Kosovës, me fokus të veçantë në zëvendësimin e importit.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Thaçi falënderoi, Littlefied për ndihmën që OPIC i ka dhënë Kosovës në sektorin e energjetikës dhe në atë të institucioneve mikrofinanciare.
Po ashtu, Kryeministri Thaçi e njoftoi ate për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist dhe mundësitë e ndryshme që ofron ekonomia e Kosovës për investime në sektorët, që do të mundësonin zëvendësimin e importit, si dhe në sektorët e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe turizmit.
Presidentja e Korporatës për Investime Private të Jashtme, Elizabeth L. Littlefield e informoi Kryeministrin Thaçi për projektet në sektorin e institucioneve mikrofinanciare dhe ato të efiçiencës së energjisë, projekte këto që janë në zhvillim e sipër. Po ashtu, ajo rikonfirmoi mbështetjen e nxitjes së investimeve amerikane në Kosovë, përmes ofrimit të fondeve për financim dhe përmes shërbimeve të sigurimit nga risku politik për investimet.
Në vitin 2009, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve me Qeverinë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.