Lojërat e fatit “nxehin” debatin në kuvend

Deputetët e Kuvendi të Kosovës në seancën e sotme kanë miratuar disa projektligje, por debati është “nxehë”, derisa po shqyrtohej Projektligji për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve dhe Projektligjin për lojërat e fatit. Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, as sot nuk ka qenë prezentë në seancë.

Ligjvënësit kanë miratuar Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve, por për amendamentin e dytë të propozuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, u zhvillua një debat më i gjerë.
Deputeti Haxhiu e arsyetoi këtë amendament, duke thënë se mosha e punëkërkuesve të ndryshohet nga 15 vjeç në 18 vjeç. “Kam propozuar që mosha 15 vjeç për evidencën e të papunëve të zëvendësohet me moshën 18 vjeçare, sepse ashtu si është propozuar nga ana e komisionit është në kundërshtim edhe me nenet 5, 6 dhe 7 të këtij ligji dhe kushtetutën e Kosovës me nenin 50 për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, ka thënë Haxhiu, raporton Kosovapress.
Ndërkohë, një debat më i gjatë është zhvilluar gjatë shqyrtimit të Projektligjit për lojërat e fatit.
Disa amendamente të propozuara nga deputeti i PDK-së Shaip Muja nuk kanë marrë mbështetjen e deputetëve, madje as të atyre të PDK-së. Për këtë, ai ka thënë se qëllimi i tij ishte që të ketë më shumë transparencë në lojërat e fatit.
Por deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë lojërat e fatit në ekonominë e tregut nuk mund të ndalohen.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se ka evazion fiskal nga këto lojëra dhe se të interesuar për to ka edhe në sallën e Kuvendit. “Unë nuk kam dyshim që në këto lojëra ka të interesuar edhe brenda kësaj salle edhe jashtë sallës, por evazion fiskal në Kosovë ka edhe shumë dhe këtë nuk mund ta bëjnë atë që s’kanë pushtet në këto lojëra”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti me ironi ka përgëzuar pronarët e lojërave të fatit, pasi, siç ka thënë ai, paskan lobuar mirë.
Ndryshe deputetët gjatë seancës së sotme kanë miratuar Projektligjin për bibliotekat në Kosovë, ndërsa në rend dite është Projektligji për fondet pensionale në Kosovë, kërkesa e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Turizmin dhe Shërbimet Turistike dhe shqyrtimi i Planit Hapësinor i Zonës me interes të veçantë "Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë dhe Divjakë".