VV: Projektligji për ndërtim– ikje e shtetit nga përgjegjësia

Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi të premten se miratimi i Ligjit për ndërtim një ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës është simptomë e rrugëtimit shkatërrimtar të shtetit dhe e nënshtrimit ndaj interesit dhe logjikës së biznesit, e që sipas tyre bie në kundërshtim me retorikën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, për forcimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarit.

Vetëvendosje më tej shprehet se është e pakuptimtë që ligji për ndërtim t’i paraprijë atij për planifikim hapësinor.
“Dje në kuvend pas presioneve të shumta u kontrabanda futja në rend dite dhe miratimi në parim i projektligjit për ndërtim. I pakuptimtë duket në shikim të parë presioni për kalimin e këtij ligji, pasi kemi të bëjmë me ndërtimet, diçka që duket se është larg politikës. Por ja që pikërisht te ky ligj presioni po merr trajtën e vet brutale që nuk e shohim shpesh”, vlerëson Vetëvendosje.
Sipas VV-së, praktikat moderne të ndërtimeve dhe projektimeve urbane e janë të lidhura ngushtë me qytetarin, të drejtat e tij për jetë cilësore dhe ambient të shëndoshë dhe kushte të mira për punë e zhvillim shoqëror.
“Projektligji i ndërtimit i posakaluar në kuvend në qendër të tij nuk e ka qytetarin. Në qendër të tij është ‘të bërit biznes’ dhe atë në formën më brutale të mundshme. Biznesit i përshtatet ligji i ardhshëm për ndërtim i cili është në kundërshtim më planin hapësinor dhe ligjin për planifikim hapësinor dhe pritet që pas miratimit të ndryshohet edhe ligji për planifikim hapësinor, pra t’i përshtatet ligjit të ndërtimit”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.
Vetëvendosje thekson se për pasojë do të ketë rënie të shtetit në mbrojtje të interesit qytetar.
“Liberalizimi ekstrem i procedurave, madje liria totale për biznesin e ndërtimit, përpos rrezikimit të ambientit dhe interesit qytetar, rrezikon edhe bizneset vendase të ndërtimit para mafias ndërtimit”, thotë Vetëvendosje, duke shtuar se gjatë draftimit janë injoruar të gjitha palët që përfshihen.