Dragodani zbut opozitën

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë gjetur “ilaçin” për t’i “urtuar” partitë opozitare. Një presion triorësh i ardhur nga “Dragodani” ka mjaftuar që deputetët e LDK-së dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të kthehen në vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës për të vazhduar seanca e së enjtes.

Deputetët opozitarë, që javën e kaluar kanë braktisur punimet e Kuvendit, dhe të cilët u zotuan se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe në seancën plenare të së enjtes, i kanë “hëngër fjalët”, shkruan “Zëri”.
Megjithatë, i njëjti “ilaç” nuk dha efekt te deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët u treguan më të fuqishëm, duke refuzuar rikthimin në Kuvend.
“Mollë sherri” për gjithë këtë “hallakamë” në mes grupeve parlamentare është bërë Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare. Fillimisht seanca plenare nisi punimet me praninë e opozitës, por pas pak minutash është ndërprerë, pasi që grupet parlamentare opozitare këmbëngulën se do ta lëshojnë sallën nëse nuk tërhiqet nga rendi i ditës Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare.
Ky “kërcënim” i opozitarëve bëri që kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi t’i thërrasë në një takim shefat e grupeve parlamentare, për të gjetur një zgjidhje.
Në konsultën e dytë ndërmjet Krasniqit dhe nënkryetarëve të legjislativit është parë të jetë i pranishëm edhe zëvendësambasadori amerikan, Michael Murphy.