Arrestohen tre aktivistë të Vetëvendosjes në Drenas

Aktivistë të Vetëvendosjes të premten realizuan një aksionin për vendosjen e posterëve, për të pasqyruar sipas tyre ndarjen joefikase dhe të padrejtë të buxhetit për vitin 2012 nga Komuna e Drenasit. Pas këtij aksioni, Policia ka arrestuar tre prej aktivistëve që thuhet se ishin pjesë e aksionit.

Në posterat e Vetëvendosjes, shihej fotografia e kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku, ku shkruhej “Ky person po i kushton komunës tonë shumë shtrenjtë”, si dhe shifra për shpenzimet e komunës.
Në njoftimin për media të Vetëvendosjes thuhet se aksioni për shpërndarjen e posterëve në hapësirat publike ka filluar në ora 11:00.
Mirëpo, sipas VV-së, në ora 11:14, policia e stacionit të Drenasit, arrestoi tre prej aktivistëve që ishin pjesë e aksionit, duke i dërguar ata në stacion, ku sipas aktivistëve policët ishin shprehur se kanë urdhër nga Komandanti i Stacionit, Valdet Bujupi.
Të arrestuarit janë: Ismet Dibrani, Zahir Morina dhe Albert Ramaj
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas e dënon arrestimin e padrejtë dhe të paarsyeshëm të aktivistëve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.