Banka Botërore në Kosovë dhe një grup i shoqërisë civile kanë qëndrime të kundërta rreth prodhimit të energjisë në Kosovë. Njëra sugjeron që Kosova ta shfrytëzojë linjitin që ka, kurse tjetra promovon energjinë alternative.Prodhimi i energjisë përmes linjitit konsiderohet si opsioni më i lirë për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë, sugjeron Banka Botërore. Në një raport të saj të nxjerrë këto dite shkruan se opsioni i linjitit është opsioni më i lirë termoenergjetik, edhe në rastin kur futet kostoja relativisht më e lartë e mjedisit.
Nga ana tjetër kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përkrahur prodhimin e energjisë alternative në Kosovë në një tryezë të mbështetur nga Instituti për Politika Zhvillimore me temë “Alternativat e Energjisë në Kosovë”, të mbajtur të premten.
Në këtë tryezë profesori Daniel Kammen, i cili merret me studime të energjisë në Universitetin e Energjisë Laboratori i Kalifornisë, Brekeley, ka thënë se Kosova duhet të përdorë energjinë e ripërtërishme.
BB-ja pro thëngjillit
“Rezervat vendore të linjitit janë vlerësuar të jenë rreth 12.5 miliardë tonë, nga të cilat 10.9 miliardë tonë janë të eksploatueshme. Mihja e propozuar e Sibovcit, i cili është konsideruar si opsioni më i pranueshëm nga pikëpamja ekonomike, sociale dhe mjedisore, ka linjit të mjaftueshëm për të furnizuar kapacitetet ekzistuese të prodhimit deri në fund të jetës së tyre operacionale, si dhe për të furnizuar prodhimin e propozuar të energjisë elektrike prej 600 MË për dyzet vjet të tjera”, thuhet në raport.
Nga ana tjetër disa OJQ thonë se energjia Alternative në vend, mund të gjenerojë minimumi 22 për qind të energjisë totale në vend.
Nga ana tjetër profesori, Daniel Kammen, tha se deri në vitin 2020 duhet të shkojë sipas analizës që ka përgatitur ai, që Kosova të ndjekë rrugën e 20 për qind të zvogëlimit të CO2, për përmirësimin e efiçiencës së energjisë për 20 për qind dhe për shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme për 20 për qind.
“Deri në vitin 2020, Kosova pritet të gjenerojë deri në 800 KË nga blloqet aktuale të KEK-ut, ndërsa 400 KË nga hidrocentrali i zhurit”, ka thënë ai, duke shtuar se duhet kuptuar se hidrocentrali i zhurit nuk mund të shfrytëzohet tërë kohën, por vetëm në kohë piku.
Ai ka thënë se nëse investohet në këtë trend, maksimumi mund të shkojë në 38 për qind të prodhimit të energjisë efiçiente dhe deri në 30 për qind të rritjes së vendeve të punës.
Sipas tij, ai ka thënë se shihet një rrugë që Kosova A duhet të mbyllet, ndërsa Kosova B, duhet të vazhdojë prodhimin e energjisë deri më 2020.
Jakup Krasniqi pro energjisë alternative
Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka shprehur mbështetje për këto projekte të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme. Ai ka thënë se edhe për kundër investimeve në këto 12 vjetëve të fundit, KEK-u nuk ka treguar performancë të mirë.
Sipas tij, Korporata Energjetike, nuk ka ecur si duhet edhe për kundër investimeve që ka pasur dhe nuk ka treguar se mund të vetë financohet.
“Prandaj shfrytëzimi i resurseve natyrore për prodhim të energjisë alternative do të thotë shumë”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se energjia alternative është tej mase e nevojshme, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e importit të rrymës e po ashtu edhe ndikim në zvogëlimin e ndotjes së ambientit.
Sipas tij, duke aprë që ka shumë burime të pashfrytëzuara për prodhim të energjisë së ripërtëritshme, Qeveria e vendit do të mbështesë tërë këtë proces.
“Gjatë 12 vjetëve janë ndjekur politika të gabuara. Ta përmbyllim këtë kapitull dhe të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet për të prodhuar energji alternative”, ka theksuar Krasniqi.
Kammen, ka thënë se privatizimi i distribucionit të KEK-ut duhet të ndodhë, për shkak të mosfunksionimit si duhet.
Ai po ashtu ka shtuar se planet ekzistojnë, për fillim të investimeve për prodhim të energjisë alternative, por sipas tij, ktu ka interes dhe duhet të gjendet dhe të krijohet një interes i përbashkët, edhe për Kosovës edhe për investitorët.