“Si shumë herë më parë, drejtues dhe përfaqësues të PDK-së, mirëpo edhe të partive tjera, gënjyen gazetarët duke ju thënë që edhe Lëvizja Vetëvendosje ishte e ftuar në këtë takim, por ne gjoja kishim refuzuar që të shkojmë”, thanë anëtarët VV-së në një konferencë për shtyp, për të cilët nga konkluzionet që vijnë nga ky takim, më mirë “që nuk na kanë ftuar”.
“Aty u kërkua nga partitë politike që të nënshkruhet një deklaratë që do të ishte një mesazh gjoja konsensual se ka mbetur edhe pak kohë deri në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe se partitë mbështesin përmbushjen e obligimeve nga Pakoja e Ahtisaarit. Ky konsensus, gjithsesi dashakeq në këto rrethana, kërkon pajtim paraprak kolektiv për atë që do të ndodh në vitin 2012. Dhe atë pa e thënë publikisht se çfarë po ndodh”.
Sipas Vetëvendosjes, Qeveria e Kosovës po përgatitet për aktin e fundit të shitjes së Kosovës, në nivelin politik dhe atë ekonomik.
“Pas koncesionit të fundit antikushtetues për të hequr dorë nga Republika dhe për të mos paragjykuar statusin final të Kosovës, të pranuar duarhapur nga Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi, tanimë janë shtuar zërat për paqëndrueshmërinë e situatës në veri, dhe janë shtuar propozimet për statusin special të veriut në Kosovë. Tanimë po diskutohet edhe propozimi katërpikësh i presidentit Tadiç për Kosovën duke shtuar prapë se në asnjë mënyrë nuk do të pranohet pavarësia e Kosovës”.
Vetëvendosje i bën thirrje të gjitha subjekteve politike, si dhe deputetëve dhe anëtarëve të partive pjesë të koalicionit, që “mos të bëhen pjesë e konsensusit të rrejshëm për ta shitur Kosovën”.
“Në këtë tentim dhe synim të Hashim Thaçit për të shitur Kosovën dhe për t’i bërë edhe të tjerët pjesë të saj, po i ndihmon edhe miku i tij i ngushtë dhe strukturat ilegale të cilat ata që një kohë të gjatë po thonë q[ nuk ekziston, pra Kadri Veseli dhe SHIK-u i PDK-së”, u tha në konferencë, për të shtuar se SHIK-u po tenton që të futet edhe në qeverinë e Kosovës përmes procesit të riformatimit të qeverisë, “duke përfshirë këtu edhe udhëheqësin e SHIK-ut, Kadri Veselin”.
Përkitazi me SHIK-un, Lëvizja Vetëvendosje këtë herë i shtron pesë pyetje: Kush e ka themeluar SHIK-un? Kush e financon SHIK-un? Kush e mbikëqyr SHIK-un? Kujt i raporton SHIK-u dhe Kadri Veseli?
Çfarë aktiviteti zhvillon Kadri Veseli dhe SHIK-u?
Çfarë aktiviteti zhvillon Kadri Veseli dhe SHIK-u?