Komision parlamentar për hetimin e SHIK-ut!

Florin Krasniqi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes, është optimist se Kuvendi i Kosovës mund ta hetojë veprimtarinë e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) përmes krijimit të një komisioni parlamentar.
Edhe pse ka mbledhur 21 nënshkrime prej 40 sa i duhen, Krasniqi thotë se këtë do ta bëjë ditët në vazhdim. Por partitë që e kanë zhgënjyer më së shumti, LDK-ja dhe AKR-ja, nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë pozicion. Ato vlerësojnë se SHIK-u duhet të hetohet nga Prokuroria, e jo nga Kuvendi i Kosovës.
Por një muaj pas iniciativës, Krasniqi është optimist se mund t’i mbledhë nënshkrimet e duhura prej 40 sish për të themeluar komisionin parlamentar në Kuvendin e Kosovës që do të hetonte veprimtarinë e SHIK-ut dhe agjencive të tjera. Ai ka thënë se shumë deputetë kanë frikë se SHIK-u disponon dosje, prandaj hezitojnë, por do t’i kontaktojë ata deputetët të LDK-së që nuk kanë dosje.
Krasniqi ka deklaruar për KTV-në se ai është optimist dhe shpreson se Kuvendi do ta hetojë një dit veprimtarinë e SHIK-ut, fillimisht, e pastaj edhe të shërbimeve të tjera ilegale të sigurimit.
Por kështu nuk mendojnë kolegët e Krasniqit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët as që kanë ndryshuar qëndrim. Deputeti Imri Ahmeti thotë se LDK-ja dëshiron që me SHIK-un të merret Prokuroria dhe jo Kuvendi i Kosovës. Ndërsa shefja e Grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, nuk ka dashur të flasë në kërkesën e KTV-së.
Në seancën e 29 marsit kur Krasniqi e bëri publike idenë, pothuajse të gjitha partitë politike i dhanë mbështetje deklarative iniciativës. Përfshirë edhe ata të Grupit parlamentar të PDK-së, një numër i deputetëve të së cilës kanë pranuar se ishin pjesë e SHIK-ut.
Debati për SHIK-un në Kosovë ka qenë spontan, përderisa së fundi në gjykatat kosovare po përfundon një proces i dytë për Nazim Bllacën, që pretendon se si agjent i SHIK-ut ka vrarë kundërshtarë politikë në Kosovë. 

Marrëveshjet e bisedimeve (nuk) duhet ratifikuar!

Opozita i kërkon Qeverisë t’i sjellë në Kuvend për ratifikim marrëveshjet e bisedimeve. Kjo bëhet pas një deklarata të ministrit Enver Hoxhaj, i cili ka pranuar se marrëveshjet e Kosovës me Serbinë kanë karakter ndërkombëtar.
Nëse janë ndërkombëtare, ato duhet të sillen në Kuvend, thonë deputetët opozitarë, ndërsa ka prej tyre që nuk mohojnë mundësinë të marrin një nismë në Kuvend për ratifikim të marrëveshjeve. Por ka edhe deputetë që kritikojnë se deklaratat e qeveritarëve për bisedimet nuk duhet të merren seriozisht, njofton KTV, raporton Koha.net
“A janë marrëveshjet e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë ndërkombëtare? Në interpretimin tonë janë ndërkombëtare”. Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm ka nxitur opozitën të kërkojë që ato marrëveshje të futen në procedurë parlamentare për ratifikim.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend ratifikohet vetëm nëse për të votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve. Deri më tash asnjë marrëveshje bisedimeve të Brukselit, të cilat quhen edhe konkluzione, nuk i janë dërguar Kuvendit nga Qeveria për ratifikim.
Ndërsa, lëvizja Vetëvendosje lë të hapur mundësinë të ndërmarrë një iniciativë parlamentare që ato marrëveshje, nëse janë ndërkombëtare, të vijnë në Kuvend për ratifikim. Partia tjetër opozitare, AAK-ja, vlerëson se nuk duhet të merren serioze deklaratat e qeveritarëve, ndërsa kritikojnë qeverinë se nuk po ka guxim t’i sjellë marrëveshjet në Kuvend.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që në vazhdimësi ka kritikuar bisedimet, ka kërkuar po ashtu ratifikimin e marrëveshjeve në legjislativ. Ndërsa, shefja e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, është arsyetuar se ato nuk kanë nevojë për ratifikim në Kuvend, ngase janë vetëm marrëveshje për çështje teknike.

Dacic propagandon dhunë më 6 maj

Shërbimet sekrete serbe kanë informata se po përgatiten aksioneve për të penguar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacici, i cili njëherësh është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, dikur e udhëhequr nga kryekrimineli i luftrave në ish-Jugosllavi, Slobodan Milosevic.
 Ish-zëdhënësi i Milosevicit, Dacic, i cili në vazhdimësi propagandon dhunë ndëretnike, ka thënë se sulmet po i planifikojnë ekstremistët në Kosovë, të cilët janë anëtarë të lëvizjeve ekstremiste dhe organizatave paramilitare, që sipas tij, gjithnjë qëndrojnë diku në hije, raporton Pravda.
Dacic ka thënë se planifikohen sulme fizike nëpër qendra të votimit në Kosovë, marrja e materialeve zgjedhore, si dhe arrestime të personave që marrin pjesë në zgjedhje. Ai ka thënë se këto aksione me siguri nuk mund të bëhen pa dijen e pushtetit të Prishtinës. Sipas tij, kjo edhe ka qenë arsyeja pse KFOR-i ka shtuar praninë e vet në Kosovë.
Autoritetet e Republikës së Kosovës e kanë bërë të qartë se serbët kosovarë që kanë dyshtetësi mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të organizuara nga OSBE-ja. Po ashtu kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës (jo grupe ekstremiste siç thotë Dacici), do të pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe.
Serbia ka hequr dorë publikisht nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat njëherë kishte thënë se do t’i organizojë të paktën në tri komunat veriore të Kosovës, por strukturat paralele të saj vazhdojnë të pohojnë se do të mbahen edhe këto palë zgjedhje. 

ICO mbështet lehtësimin e zgjedhjeve serbe nga OSBE-ja

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) ka mirëpritur lajmin për marrëveshjen që i hap rrugën OSBE-së për të lehtësuar votimin nga votuesit me të drejtë vote Kosovë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe më 6 maj.
“Përgëzoj përpjekjet e bëra nga Qeveria e Kosovës për t’iu ofruar qytetarëve serbë rezidentë në Kosovë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe. Ne shprehim përkrahjen tonë të plotë për OSBE-në në lehtësimin e procesit”, thuhet në deklaratën e Christopher Rowan, zëvendës i përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë.
“Ne i nxisim të gjitha palët që të sigurojnë që procesi i votimit të kryhet në atmosferë të qetë dhe të sigurt. Këto aranzhime janë shenjë e funksionimit normal të Kosovës si një shtet sovran dhe janë në të mirë të komunitetit serb në Kosovë. Ne shpresojmë se Qeveria do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj me qytetarët serbë të Kosovës”, përfundon deklarata e Rowan.

Nesër verdikti për rastin “Kleçka”

Nesër pritet që trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të marrë vendim për rastin “Kleçka”, në procesin gjyqësor ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.
Mbrojtja e të akuzuarve ka shprehur bindjen se vendimi i nesërm i trupit gjykues do të jetë lirues për katër të pandehurit, pasi që ata mendojnë se nuk ka bazë në këtë lëndë, e cila do ta shtynte trupin gjykues të merrte ndonjë vendim tjetër pos atij për lirimin e tyre, transmeton Express.
Ndaj katër të akuzuarve për krime lufte, i njohur si rasti “Kleçka”, trupi gjykues kishte vendosur kohë më parë që të vazhdonte gjykimi, me arsyetimin se ata gjatë kohës për të cilën akuzohen, kanë pasur pozita komanduese.
Pas vendimit për vazhdim të gjykimit ndaj tyre, prokurori dhe mbrojtja e këtij rasti kishin vendosur që dëshmitë e mbetura në lëndë të konsiderohen si të lexuara, dhe në këtë mënyra ta shmangin një seancë të dytë të shqyrtimit gjyqësor.
Për më tepër, trupi gjykues, kohë më parë, ka marrë vendim që dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”, të jenë të papranueshme duke i veçuar nga shkresat e lëndës.
Mbi bazën e kësaj, mbrojtja shpreh bindjen se vendimi i nesërm do të jetë lirues për katër të pandehurit të mbetur për gjykim në këtë rast, pasi që mbrojtja ka thënë se prokurori ato dëshmi i ka konsideruar si bosht të lëndës.
Sipas orarit të seancave të EULEX-it, seanca e radhës pritet të mbahet nesër në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, prej orës 10:00. 

Ashton përshëndet rolin e OSBE-së në zgjedhjet serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian ka përshëndetur edhe marrëveshjen e fundit të arritur me Serbinë, sipas të cilës OSBE-ja do të lehtësojë votimet në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ashton, mirëpret marrëveshjen e arritur për lehtësimin nga ana e OSBE-së për votimet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë dhe shpreh mirënjohjen e saj dhe mbështetjen e plotë për OSBE-në, që të kryejë punën në cilësinë e lehtësuesit, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i baroneshës Ashton, të cilën e transmeton REL.
Ajo më tej thotë se fton si Prishtinën, ashtu edhe Beogradin që të vazhdojnë bashkëpunimin me OSBE-në me vullnet të mirë, në mënyrë që votimet të kalojnë me një situatë të zakonshme dhe paqësore.
Ashton, po ashtu, fton që të gjithë të përmbahen nga çfarëdo veprimi, i cili do të mund të nxiste tensione.
“EULEX-i do të vëzhgojë situatën e sigurisë, dhe të zbatojë mandatin e vet në bashkëpunim të ngushtë edhe me akterët tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë”, thuhet në fund të prononcimit të baroneshës Ashton, për zgjedhjet e Serbisë që do të zhvillohen në territorin e Kosovës.
Në Bruksel vazhdojnë të jenë të shqetësuar për mundësinë e tensionimit të situatës në disa pjesë të territorit të Kosovës, prandaj, si në NATO, ashtu edhe në BE, thonë se janë intensifikuar kontaktet me autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, për të kërkuar nga të dyja palët që të ndihmojnë në evitimin e tensionimeve të mëtejme.

Roma ndalet me barazim

Ka përfunduar pa gola takimi i zhvilluar në Stadio Marc’Antonio Bentegodi, ndërmjet Chievos dhe Romës.
Skuadra mysafire bëri lojë më të mirë gjatë ndeshjes, mirëpo nuk arriti që të rrëmbejë pikë të plota nga ky udhëtim.
Për Chievon në këtë sfidë nga minuta e parë luajti Përparim Hetemaj, i cili pati dy raste të mira, si edhe u ndëshkua me karton të verdhë.
Ky barazim e lë Romën tri pikë larg pozitës së tretë, por skuadrat rivale për këtë vend ende nuk i kanë zhvilluar ndeshjet e tyre. 

Mourinho ia uron gjitha të mirat Guardiolas

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ia ka dërguar urimet më të mira trajnerit në largim të Barcelonës, Pep Guardiola.
“Nuk kam komente rreth Guardolas. Është vendimi i tij. Kur na shkarkojnë, meritojmë solidaritet dhe në shumë raste klubet meritojnë kritika – por rasti i Guardiolas është tërësisht ndryshe. Është vendim personal, ai e di atë”.
“Ai duhet të komentojë rreth kësaj, të tregojë se çfarë e bën më të lumtur në këtë moment... Më e rëndësishmja është se ai është i lumtur me vendimin e tij”.
“Shpresoj që Guardiola ta shijojë pushimin dhe unë ia dërgoj një përqafim të madh prej këtu”, ka thënë Mourinho në një konferencë për media. 

Sanchez në dyshim për Malagan

Sulmuesi i Barcelonës, Alexis Sanchez, mund të mungojë në ndeshjen e të mërkurës ndaj Malagas.
Sport raporton se 23-vjeçari ka një lëndim në këmbën e majtë, ashtu që do t’i bëhet një test fitnesi para ndeshjes.
Sanchez ka shënuar 11 gola në La Liga këtë sezon në 25 paraqitje.
Ndërkaq, kur kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u zhvilluar, Barcelona gjendet shtatë pikë prapa Real Madridit në tabelën e Kampionatit spanjoll. 

Barca dhe Reali paguajnë më së shumti

Shtatë klube evropiane plotësojnë top-dhjetëshin në listën e ekipeve sportive që paguajnë më së shumti, ndërsa Barcelona dhe Real Madridi janë në krye. Këto janë rezultatet e një studimi nga Sporting Intelligence për ESPN.
Barcelona jep pagat më të larta me një mesatare javore për një lojtar prej 126.236 eurosh, ndërsa Real Madridi paguan mesatarisht 113.364 euro në javë për një lojtar.
Pas gjigantëve spanjollë renditen dy klubet angleze, Manchester City dhe Chelsea, ndërsa Milani, Bayern Munichu dhe Interi gjenden në pozitat shtatë, tetë dhe dhjetë.
Pozitat në mes tyre i plotësojnë tre klube sportive amerikane. 
Vendi
Ekipi
Kampionati
Pagesa vjetore për një lojtar (në dollarë)
Pagesa javore për një lojtar (në dollarë)
1.
Barcelona
La Liga
$8,680,569
$166,934
2.
Real Madrid
La Liga
$7,796,637
$149,935
3.
Man. City
EPL
$7,403,754
$142,380
4.
Chelsea
EPL
$6,795,899
$130,690
5.
LA Lakers
NBA
$6,278,088
$120,732
6.
NY Yankees
MLB
$6,186,322
$118,968
7.
AC Milan
Serie A
$6,104,769
$117,399
8.
Bayern Munich
Bundesliga
$5,907,652
$113,609
9.
Philadelphia Phillies
MLB
$5,817,965
$111,884
10.
Internazionale
Serie A
$5,700,915
$109,633
11.
Manchester United
EPL
$5,521,423
$106,181
16.
Arsenal
EPL
$5,280,108
$101,541
18.
Liverpool
EPL
$5,230,525
$100,587
25.
Juventus
Serie A
$4,695,976
$90,307

47.
AS Roma
Serie A
$3,897,660
$74,955

51.
Tottenham Hotspur
EPL
$3,809,476
$73,259

70.
Borussia Dortmund
Bundesliga
$3,122,824
$60,054

71.
Valencia
La Liga
$3,065,511
$58,952


Fabiano: Neymar më i mirë se Ronaldo

Sulmuesi i Santosit, Neymar, është i vetmi lojtar që mund të krahasohet me Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, ndërsa ai tashmë është më i mirë se superylli i Real Madridit – ka thënë Luis Fabiano.
“Mendoj se pasi që nuk luan atje (në Evropë), ai nuk mund ta sfidojë Messin, mirëpo ai padyshim që tani është shumë më i mirë se Cristiano Ronaldo”.
“Por jo akoma sa Messi, unë e admiroj atë dhe e kam parë duke luajtur nga afër”, ka thënë ish-sulmuesi i Sevillas për Sportv.

Juve shqyrton transferimin e Kalou

Juventusi është duke planifikuar që t’i bashkohet garës për transferimin e anësorit të Chelseat, Salomon Kalou – shkruan Goal.com.
Lojtarit nga Bregu i Fildishtë në fund të sezonit aktual i skadon kontrata me Blutë, ndërsa klube, si Arsenali, Tottenhami dhe Liverpooli dëshirojnë shërbimet e 26-vjeçarit.
Mirëpo, sipas Goal.com, agjenti i tij ka kontaktuar me Bianconerët, të cilëve ua ka ofruar Kaloun, që nga drejtuesit e Juventusit konsiderohet si një alternativë e mundshme e Simone Pepes.

Ballack: Bayerni triumfon në finale të LK

Mesfushori gjerman, Michael Ballack, mendon se Bayern Munichu do të triumfojë në finale të Ligës së Kampionëve.
Më 19 maj në Allianz Arena takohen dy ish-klubet e 35-vjeçarit, Bayern Munich dhe Chelsea, ndërsa ai mendon se bavarezët do të jenë ata që do të dalin me trofeun në duar.
“Mendoj se vetëm Barcelona do të kishte qenë e aftë të konkurrojë në një finale si mysafir dhe të fitonte. Bayerni është favorit”.
“Është një avantazh i madh të luash në shtëpi kur je në finale, ku luajnë rol të madh emocionet. Ky është një avantazh emocional, të cilin Chelsea nuk mund ta kompensojë”, ka thënë Ballack përBild.

Barca pas Llorentes

Barcelona raportohet se e ka shndërruar sulmuesin e Athletic Bilbao, Fernando Llorente, në cakun primar gjatë afatit kalimtar veror.
Sipas Sport, Blaugranët e kanë identifikuar spanjollin si lojtarin ideal për të përforcuar repartin e sulmit, falë aftësive të tij në ajër dhe fuqisë së tij në zonën e penaltisë.
Gazeta shkruan se drejtori sportiv i Barcës, Andoni Zubizarreta, tashmë ka marrë dritë të gjelbër për të negociuar transferimin e Llorentes në Camp Nou.
Sulmi i Barcelonës aktualisht mbështetet në Lionel Messi, me David Villa që është jashtë fushe për shkak të lëndimit.
Llorente, 27-vjeçar, i cili ka shënuar 20 herë për vendin e tij, do të përballet me Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit që zhvillohet këtë muaj në Vicente Calderon.

Gotze: Dua ta shpaguaj besimin Low

Mario Gotze shpreson ta shpaguajë besimin e trajnerit të Gjermanisë, Joachim Low, duke luajtur një rol të madh në skuadrën kombëtare në Euro 2012.
Trajneri së fundi deklaroi se ai beson se mesfushori i Dortmundit mund të jetë më shumë se sa një zëvendësues gjatë turneut të verës dhe lojtari dëshiron t’ia shpaguajë këtë besim trajnerit.
“Sigurisht, kjo më motivon mua tepër kur trajneri thotë kështu. Unë do të bëj çdo përpjekje për të shpaguar besimin e trajnerit me performancat e mia”, ka thënë Goetze për Bild. 

Ibra: Sa më shumë plakem, më i mirë bëhem

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka thënë se sa më shumë që plaket aq më i mirë bëhet.
30-vjeçari ka çuar në 26 numrin e golave të shënuar për Milanin këtë sezon, pas dygolëshit të së dielës në fitoren 4-1 ndaj Sienës.
“Unë jam si vera: sa më shumë plakem, më i mirë bëhem. Thjesht shpresoj që të mund të vazhdoj kështu. Ndjehem shumë mirë këtu te Milani. Kam bërë një punë fantastike këtë sezon”, ka thënë Ibra për Aftonbladet
Ibra do të shpresojë ta vazhdojë formën e mirë edhe në ndeshjen e të mërkurës kur Milani përballet me Atalantan në San Siro. 

Statham pendohet për skenat e rrezikshme

Ylli i aksionit, Jason Statham, është penduar që ka vendosur t’i bëjë vetë skenat e rrezikshme filmike, pasi që tashmë gjithmonë pritet nga ai që të luajë skenat e vështira.
Aktori britanik është i njohur për marrjen e rreziqeve mbi supe në filmat, si “The Transporter” dhe “The Expendables”, mirëpo thotë se do t’i pëlqente sikur të mos kishte folur rreth skenave të rrezikshme.
“Kam bërë një deklaratë qesharake para disa vitesh se do t’i bëja vet skenat e rrezikshme dhe që atëherë po ndodh kështu. E bëra ‘The Transporter’ me Luc Besson dhe përfundova duke i bërë të gjitha”, ka theksuar Statham. 

Pozitat e preferuara të yjeve

Zoe Saldana, Jane Fonda dhe Gwyneth Paltrow kanë bërë publike pozitat e preferuara seksuale gjatë intervistave për spektaklin televiziv “The Conversation With Amanda de Cadenet”.
Aktorja e “Star Trek”, Zoe Saldana, e cila së fundmi është ndarë nga Bradley Cooper, ka thënë se i pëlqejnë pozita të ndryshme seksuale, megjithatë ‘doggy-style’ dhe seksi në këmbë janë të preferuarat e saj.
“Më pëlqen pozita e misionarit dhe me pëlqen të jem ulur në gjunjë. Dhe më pëlqen të jem mbi të... E dua ‘doggy-style’ ose në këmbë”, ka pohuar 33-vjeçarja.
74-vjeçarja Jane Fonda ka sqaruar se problemi me gjurin ia ka pamundësuar që t’i shijojë të gjitha pozitat seksuale, megjithatë ka pohuar se është aktive seksualisht. Asaj i pëlqen kur është e shtrirë ose e ulur në krevat.
Aktorja Gwyneth Paltrow, e cila është e martuar me Chris Martin, ka hezituar të flasë shumë, por ka thënë se i pëlqejnë të gjitha pozitat.
Gjatë programit në Lifetime TV, komikja Sarah Silverman ka deklaruar se pëlqen pozitën e misionarit, ndërkaq ka thënë se për të është e rëndësishme që të udhëhiqet nga mashkulli në krevat.

J.Lo dhe Iglesias në turne të përbashkët

Jennifer Lopez këtë verë do të mbajë një turne në Amerikën Veriore së bashku me Enrique Iglesias, e që do të shënojë fillimin e turneut të planifikuar botëror të këngëtares.
Turneu amerikanoverior fillon më 14 korrik në Montreal dhe do të kalojë në 13 qytete, ndërsa do të përfundojë më 31 gusht në Atlanta.
Megjithatë, para Amerikës Veriore, J.Lo do të mbajë disa koncerte në Amerikën Latinë, gjegjësisht në Venezuela, Kili dhe Brazil.
Ndërkaq, ende nuk janë bërë publike datat e turneut evropian. 

Drenusha Latifi me ‘Future love’

Këngëtarja Drenusha Latifi këto ditë është shumë e angazhuar rreth muzikës. Ajo është duke u përgatitur për këngën e saj më të re.
Në një bisedë për Telegrafi, Drenusha ka treguar se kënga e saj e radhës titullohet “Future love” dhe së shpejti do të publikohet edhe me vidoklip.
“Së shpejti do të fillojë me xhirime e videklipit më të ri. Kënga titullohet ‘Future love’ . Muzika është bërë nga Florent Boshnjaku ndërsa teksti nga Big Basta”, ka pohuar Drenusha.
Drenusha Latifi së fundmi kishte realizuar këngën ‘Pasoja Dashurie’ e cila ishte pritur mjaft mirë. 

Xherdan Shaqiri në lidhje me Albana Azizin?

Këngëtarja kosovare e cila jeton në Zvicër Albana Azizi, thuhet se është duke u shoqëruar shpesh me futbollistin e famshëm Xherdan Shaqiri.
Ka shumë thashetheme rreth një lidhje të mundshme mes Albanës dhe Xherdanit.
Thuhet se çifti shumë shpesh janë parë të shoqëruar në Zvicër, ku edhe jetojnë që të dy. 

Çfarë na bën të qeshim gjithmonë

Një hulumtim ka treguar se jemi më të lumtur derisa një copë çokollate shkrihet ngadalë në gojën tonë. Ndërkaq, thuhet se buzëqeshja do të shfaqet në fytyrë edhe nëse vetëm e mendojmë çokollatën.
Çokollata ndoshta nuk është më e mira për dhëmbët tonë, mirëpo është më e mira për buzëqeshje. Sipas ekspertëve britanikë, qeshja është ‘infektuese’, ndërsa ajo që më së shpeshti nxit qeshjen te njerëzit, është qeshja e personit tjetër.
Ushqimi i shijshëm dhe miqtë, janë po ashtu lartë në listën e gjërave që shkaktojnë qeshje te njerëzit, ndërsa përkundër njohurive se çokollata nuk është e mirë për dhëmbët, rreth 60 për qind e femrave që kanë marrë pjesë në hulumtim, e kanë zgjedhur çokollatën si arsyen kryesore të lumturisë.
Nga ana tjetër, arsye për të qeshur meshkujt kanë gjatë skarës në fundjavë.
Studimi ka treguar po ashtu se sa u përket ngjyrave, e verdha është gjithmonë arsye për të qeshur edhe atë për faktin se na kujton diellin.

Pijet energjike trashin

Pijet energjike mund të përmbajnë më shumë kalori se sa shpenzoni gjatë kohës së ushtrimeve. Ekspertët pohojnë që gjatë kohës së ushtrimeve më së miri është të pihet uji i thjesht nga rubineti.
Përveç stimuluesve dhe vitaminave të ndryshme, pijet energjike përmbajnë edhe sheqer, edhe kafeinë, prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte uji.
Pijet energjike nuk hidratojnë më mirë se uji dhe ka probabilitet më të madh të pini sasi më të madhe të pijes energjike sesa të ujit, sepse pijet energjike nuk e shuajnë etjen si uji. Për shembull, nëse personi ecën 1.5 km, do të shpenzojë rreth 85 kalori, ndërsa 500 ml pije energjike mesatarisht përmbajnë 140 kalori.
Hulumtimi është kryer në Britani të Madhe. Rreth 11 milionë njerëz përdorin pijet energjike pas ushtrimeve me intensitet të lehtë, për t’u zgjuar ose kthjellur.
Në disa vende pijet energjike janë të ndaluara për shkak të veprimit të dëmshëm, çka na jep edhe një arsye më shumë pse ujin duhemi ta kemi në vend të parë.

Android me aplikacion kundër rrezatimit mobil

Një aplikacion i ri për platformën mobile Android, i quajtur Tawkon, do t’i eliminojë brengat e atyre që merakosen për valët elektromagnetike të cilat telefoni mobil i dërgon në trurin tuaj.
Për më shumë, ky aplikacion mobil gjithashtu ju tregon se kur preferohet që jut ë qëndroni larg pajisjes tuaj mobile për pak kohë.
Megjithatë, përdoruesit e telefonave të Apple, iPhone, nuk do ta kenë këtë fat, pasi që krijuesit e këtij aplikacioni ishin refuzuar nga ish-drejtori i Apple, Steve Jobs, i cili u kishtë thënë me email “nuk jam i interesuar”. 
Aplikacioni ju paralajmëron për nivelin e rrezatimit, sa herë që i njëjti mund të jetë i lartë, duke marrë parasysh edhe çfarë po ndodh në antenën e saj, si dhe ju këshillon për mënyrat se si mund ta zbritni këtë nivel rrezatimi. 
"Tawkon është një aplikacion i lirë i cili ju jep alarme kur nivelet e rrezatimit mund të rriten, si dhe ju ndihmon për të reduktuar atë", thonë krijuesit. 

Konkurs i mirëfilltë ‘breakdance’ në Kosovë

Në datat 2 dhe 3 maj në Kosovë do të zhvillohet konkursi i mirëfilltë ‘breakdance’, “Red Bull BC One Cypher Kosovo”, ku i ftuar special do të jetë Pelezinho - breakdanceri i mirënjohur brazilian.
Pelezinho do të zhvillojë një ‘ëorkshop’ me të gjithë pjesëmarrësit, si dhe do te jetë pjesë e jurisë, për të përzgjedhur katër më të mirët.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur ky konkurs u zhvillua për të matur potencialin e breakdancers në Kosovë, këtë vit katër më të mirët që do të përzgjidhen do të vazhdojnë më tej me etapën kualifikuese që do të zhvillohet në Shqipëri më 5 maj.
Juria përfaqësohet nga B-Boy brazilian Pelezinho, i ftuari special i këtij eventi, breakdanceri kosovar Sahit Aliu dhe B-Boy fitues i vitit të kaluar, Besart Mehmeti. Këtë vit fituesi i këtij konkursi breakdance nga Kosova ose Shqipëria do të ketë mundësinë të vazhdojë konkurrimin në etapat e tjera kualifikuese, në St Pertersburg (Rusi), për Finalen Botërore për Red Bull BC One.
Çfarë është Red Bull BC One All Stars
Për herë të parë në historinë e breakdance, shtatë B-Boys më të mirë në botë, nga të katër kontinentet janë mbledhur dhe kanë formuar grupin “Red Bull BC One All Star”. Qëllimi i tyre është të zhvillojnë skenën e breakdance, duke mësuar të tjerët dhe duke ndarë njohuritë e tyre në këtë fushë.
Secili prej shtatë anëtarëve të këtij grupi është një talent më vete, duke sjellë stile dhe lëvizje nga më të veçantat – të gjithë së bashku ato sjellin artin e B-Boying.
Pelezinho nga Sao Jose do Rio Pret i Brazilit është mjeshtër i rrotullimeve akrobatike, ndërsa stili i tij ndërthur edhe elementë të kërcimit samba. Gjatë kërcimit ai ndërthur “gingën” braziliane, nëpërmjet stilit të tij kreativ dhe dinamik.

Nuk ka marihuanë për të huajt që shkojnë në Holandë

Holanda do të fillojë kufizimin e shitjes së kanabisit në disa pjesë vetëm për banorët vendas, duke anuluar politikën kombëtare të gjatë disa dekada, që marihuana t’iu shitej të gjithë vizitorëve në Holandë.
Banorët në pjesën jugore të këtij vendi, tani duhet të nënshkruajë një "kartë kanabisi", që do t’i lejojë ata që të blejnë kanabis nga kafenetë.
Zyrtarët në Amsterdam kundërshtojnë masën që do të hyjë në fuqi në mbarë vendin në vitin e ardhshëm, ndërsa pronarët e kafeneve në qytetin jugor të Maastricht kanë thënë se do t’i injorojnë masat e reja.
Nga ana tjetër, disa holandezë mirëpresin ndryshimin, sepse ata janë të lodhur nga bllokimi i trafikut, zhurmat dhe tregtarët e drogës që furnizojnë miliona vizitorë të huaj të tërhequr nga ligjet liberale ndaj drogës.
Kanabisi është teknikisht i paligjshëm, por në sasi të vogël nuk penalizohet.