Ashton përshëndet rolin e OSBE-së në zgjedhjet serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian ka përshëndetur edhe marrëveshjen e fundit të arritur me Serbinë, sipas të cilës OSBE-ja do të lehtësojë votimet në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ashton, mirëpret marrëveshjen e arritur për lehtësimin nga ana e OSBE-së për votimet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë dhe shpreh mirënjohjen e saj dhe mbështetjen e plotë për OSBE-në, që të kryejë punën në cilësinë e lehtësuesit, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i baroneshës Ashton, të cilën e transmeton REL.
Ajo më tej thotë se fton si Prishtinën, ashtu edhe Beogradin që të vazhdojnë bashkëpunimin me OSBE-në me vullnet të mirë, në mënyrë që votimet të kalojnë me një situatë të zakonshme dhe paqësore.
Ashton, po ashtu, fton që të gjithë të përmbahen nga çfarëdo veprimi, i cili do të mund të nxiste tensione.
“EULEX-i do të vëzhgojë situatën e sigurisë, dhe të zbatojë mandatin e vet në bashkëpunim të ngushtë edhe me akterët tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë”, thuhet në fund të prononcimit të baroneshës Ashton, për zgjedhjet e Serbisë që do të zhvillohen në territorin e Kosovës.
Në Bruksel vazhdojnë të jenë të shqetësuar për mundësinë e tensionimit të situatës në disa pjesë të territorit të Kosovës, prandaj, si në NATO, ashtu edhe në BE, thonë se janë intensifikuar kontaktet me autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, për të kërkuar nga të dyja palët që të ndihmojnë në evitimin e tensionimeve të mëtejme.