Messi e meriton shiritin e kapitenit

Ish-trajneri i Argjentinës, Diego Maradona, e ka mbështetur Lionel Messin në rolin e kapitenit të përfaqësueses.
“Nuk e kam përcjellë Argjentinën qe një kohë të gjatë, por mendoj se Leo ka nevojë për mbështetje”.
“Ai është një djalosh shumë i qetë, ai e ka merituar shiritin e kapitenit përmes virtyteve të lojës së tij dhe të gjithë golat, dhe ndoshta me kalimin e kohës do të mësohet të udhëheqë, të bërtasë ose të kryesojë takimet që i bëjnë kapitenët – por kjo do të vijë me kohë”.
“Është e vështirë ta ndryshosh karakterin e Leos, ai është një djalosh fantastik, i cili nuk mund të shprehë gjithçka që ka brenda. Prandaj atij i duhen lojtarë të shkëlqyer, të cilëve do t’ua japë kohën e nevojshme për forcimin e skuadrës”, ka deklaruar legjenda argjentinase. 

Barca e dëshiron Klosen

Barcelona është e interesuar që të sigurojë shërbimet e sulmuesit të Lazios, Miroslav Klose – shkruan Bild.
Sipas gazetës gjermane, trajneri i ri i Blaugranëve, Tito Vilanova, është në kërkim të një sulmuesi me përvojë, ndërsa 34-vjeçari është zgjedhja e tij.
Katalunasit u përpoqën ta transferonin gjermanin edhe në vitin 2007, mirëpo asokohe ai vendosi të kalonte te Bayern Munichu.
Agjenti i Kloses, Alex Schutt, nuk i ka komentuar spekulimet. 

Gaga incizon albumin e ri

Këngëtarja amerikane, Lady Gaga, ka konfirmuar se së shpejti do të përfundojë xhirimet e albumit të saj të ri.
Ajo ka thënë se detajet e albumit të tretë do t’i publikojë në shtator të këtij viti.
“Kam incizuar këngë të reja për shtëpinë time incizuese. Titullin e albumit do ta publikoj në shtator”, ka shkruar Gaga në Twitter.
Albumi i ri i këngëtares do të pasojë "Born This Way" (2011), i cili është shitur në më shumë se tetë milionë kopje. 

Mustafa: Po punojmë që LDK të dalë e para në zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës po punon shumë që të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Kështu ka deklaruar Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, në manifestimin e organizuar me rastin e shënimit të 22-vjetorit të themelimit të degës së kësaj partie në Han të Elezit.
“LDK-ja do ta ndërtojë një shoqëri të pakriminalizuar dhe ekonomikisht të zhvilluar", citohet të ketë thënë Mustafa.
Sipas tij, partia që ai e udhëheq është në proces të rritjes. “LDK-ja po zhvillohet, po përtërihet dhe po merr forcë. E pas kësaj force do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Mustafa. 

Jahjaga udhëtoi për në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga udhëtoi të shtunën për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga USAID-it, që do të mbahet nën universitetin prestigjioz Georgetown në Washington.
Presidentja do të flasë në një panel për demokratizimin, zhvillimin dhe sigurinë globale në shekullin XXI, krahas presidentes së Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, asaj të Malawit, Joyce banda, administratores së UNDP-së, Helen Clark, dhe ish-presidentes së Irlandës, Mary Robinson.
Presidentja Jahjaga gjithashtu do t’u adresohet pjesëmarrësve në temën e zhvillimit të shoqërive në tranzicion. 

Stefanovic për ngritjen e nivelit të dialogut

Shefi i ekipit serb për dialog me Kosovën, Borislav Stefanovic ka deklaruar se nuk ka marrëveshje sekrete nga Brukseli. Ai ka thënë për Tanjug se bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës duhet vazhduar dhe se ato mund të ngritën në nivel më të lartë politik.
Në intervistë për mediet e Beogradit, Stefanovic ka thënë rrëfimet për “dokumente sekrete shërbejnë vetëm për mbledhje të poenëve politikë dhe jo krijimit të koordinimit të qartë e të bashkëpunimit politik ndërmjet qeverisë dhe kryetarit të Serbisë”.
Ai ka shtuar se çështjet që kanë mbetur për dialog janë shumë konkrete dhe duhet bërë çdo gjë që ato të zgjidhen ashtu që të mos prekën interesat tona.
“Ne po hyjmë në situatën kur duhet gjetur zgjidhje për çështjen e veriut të Kosovës, garanci të posaçme për serbët në anën tjetër të Ibrit, çështjen e kishave e të manastireve dhe të pasurisë sonë”, ka thënë Stefanovic, njofton Koha, duke shtuar se të gjitha këto kërkojnë ngritjen e dialogut në nivel më të lartë.
Stefanovic ka tërhequr vërejtjen se teza e Nikolicit për të udhëhequr bisedimet është e rrezikshme, pasi “në këtë mënyrë faktikisht do të njihej pavarësia e Kosovës”. “Nëse ulën dy kryetarë, qoftë dhe ai tjetri (Atifete Jahjaga) që për ne nuk është kryetar, kjo de facto është njohje e pavarësisë”, ka thënë Stefanovic. 

Qeveria dorëzon përgjigjet për Studimin e Fizibilitetit

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar përgjigjet në pyetësorin për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimi. Përgjigjet në 444 pyetje, në 105 fusha të ndryshme janë përgatitur brenda 30 ditëve, nga 7 maj deri më 8 qershor 2012. Dokumenti final përbëhet nga 1,942 faqe, nga të cilat 504 janë përgjigjet në pyetje specifike dhe 1,483 faqe anekse.
Në njoftimin e Ministrisë së Integrimit thuhet se përgjigjet janë koordinuar nga Ministria e Integrimit Evropian. Të gjitha institucionet shtetërore, të nivelit qendror dhe lokal, kanë kontribuar në përgatitjen e përgjigjeve, të cilat thuhet se prezantojnë situatën faktike dhe të saktë të secilit sektor të pyetësorit.
“Më 8 qershor 2012, Qeveria ka dorëzuar në Komision Evropian përgjigjet në pyetësorin për Studimin e Fizibilitetit. Kontributi i Kosovës për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit përbëhet nga përgjigjet në pyetësorin dhe 80 anekse relevante”, thuhet në kumtesë.
Hapi i radhës drejt finalizimit të Studimit të Fizibilitetit do të jetë misioni fakt-mbledhës i cili do të qëndrojë në Kosovë nga 18 deri 22 qershor 2012.
Sipas Ministrisë së Integrimit, misioni do të përbëhet nga zyrtarë të lartë dhe ekspertë të Komisionit Evropian.
Qëllimi kryesor i misionit do të jetë mbledhja e fakteve rreth gjendjes në vend në raport me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të procesit të Stabilizim Asociimit, gjegjësisht të negocimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi.
Ndryshe, gjatë takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të 28 shkurtit 2012, Këshilli ka marr parasysh mendimin e Komisionit Evropian për fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. 

Parashikimet e Thaçit: Edhe Rusia dhe Kina do ta njohin Kosovën

Kryeministri Hashim Thaçi në Japoni, ka theksuar se në një të ardhme edhe Rusia, edhe Kina, por edhe Greqia, Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Spanja do ta njohin Kosovën.
Duke folur për qëndrimet e Rusisë dhe Kinës, por edhe të pesëshes evropiane, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, Thaçi ka deklaruar se Rusia duke menduar se po e ndihmon Serbinë, po bën të kundërtën, është duke e ngadalësuar atë në integrimet evropiane dhe përparimin e saj ndërkombëtar.
Kryeministri Thaçi në një takim me media, i cili u zhvillua në Press Qendrën Kombëtare Japoneze, ka shpjeguar çështjet politike dhe ekonomike që rrethojnë ambientin kosovar, por edhe atë rajonal, njofton RTK.
Ai ka folur edhe për vizionet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të përparimit nacional.
“Unë kam ftuar edhe kryeministrin, edhe spikerin e parlamentit, edhe ministrat, edhe agjencitë e ndryshme të ekonomisë që ta vizitojnë Republikën e Kosovës dhe jam i inkurajuar me gatishmërinë e tyre që të gjejnë kohën dhe mundësitë e përshtatshme për vizitë në Kosovë dhe rajon”, ka theksuar Thaçi.
Delegacioni i nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka vizituar edhe Parlamentin e Japonisë, Shtëpinë e Përfaqësuesve, ku është pritur nga kryeparlamentari, Takahiro Jokomichi.
Edhe në këtë takim është theksuar miqësia mes dy vendeve, si dhe nevoja që edhe Parlamenti i Japonisë të jetë në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Japonisë. 

Italia do të flasë në fushë

Zëvendëspresidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Demetrio Albertini, është i bindur se Italia nuk do të ndikohet nga skandali Scommessopoli dhe do të përjetojë një sukses në Euro 2012.“Situata nuk ka qenë ajo që duhej pas gjithë asaj që ka ndodhur, mirëpo skuadra jonë do të shfaqet e përgatitur mirë fizikisht dhe mentalisht për këtë sfidë”.

“Me ditë të tëra po flasim vetëm për futboll. Disponimi i lojtarëve dhe ambienti rreth tyre është ndikuar nga një ngjarje shumë e veçantë. Është shumë e kuptueshme, kur kihet parasysh se i shohin nëpër gazeta emrat e kolegëve dhe miqve”.

“Ata duan gjithçka. Ata duan të flasin në fushë”, ka thënë Albertini përMarca

VdV: Robben do të jetë në formën më të mirë

Mesfushori holandez, Rafael van der Vaart, është i bindur se bashkëkombësi i tij, Arjen Robben, do të jetë në formën e tij më të mirë gjatë Kampionatit Evropian.Anësori i Bayern Munichut humbi finalen e Kupës së Gjermanisë, Bundesligan dhe finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa është konsideruar si njëri nga fajtorët kryesorë për dështimin e bavarezëve.

“Robben ishte shumë i lënduar kur erdhi në kampin e Holandës, mirëpo ne të gjithë po e argëtojmë dhe ai do të jetë sërish lojtari që ka qenë gjithmonë”.

“Kam folur me të, ndërsa ai ende nuk po e kupton se si iku finalja Bayernit. Ata luajtën më mirë, mirëpo kur shkon deri në penalti, gjithçka mund të ndodhë. Është një rrezik i madh. Gjermanët u desh ta siguronin fitoren më herët”.

“Jam shumë i sigurt se goditja që mori Robben në finale nuk do të ndikojë në lojën e tij me Holandën në Evropian”, ka thënë VdV për Goal.com

Ronaldo: Unë do t’i ekzekutoj penaltitë

Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, është i sigurt se përfaqësuesja e tij mund të konkurrojë me Gjermaninë në sfidën e tyre në kuadër të Euro 2012.Lojtari i Real Madridit dështoi nga penaltia në një ndeshje miqësore gjatë përgatitjeve për Kampionatin Evropian, mirëpo ai nuk do të hezitojë që të ekzekutojë ndonjë penalti nëse i jepet kombëtares së tij.

“I kam ekzekutuar penaltitë shumë mirë gjatë sezonit. Duhet t’ua jepni meritat portierëve që i kanë mbrojtur penaltitë e mia”.

“Nëse na jepet ndonjë penalti, unë do të jem ai që do ta ekzekutoj. Do të përpiqem të bëj më të mirën”, u ka thënë CR7 gazetarëve.

Rosicky: Na mposhtën me kundërsulme

Mesfushori çek, Tomas Rosicky, e ka lëvduar lojën e bazuar në kundërsulme të Rusisë, pas humbjes prej 4-1 që i shkaktoi përfaqësueses së tij të premten.“Dëshironim të ishim aktivë që nga fillimi, të përfshiheshim në sulm, mirëpo ne dështuam sa herë që humbëm topin, ndërsa kundërsulmet e Rusisë ishin shumë të vështira për t’u ndalur nga ne”.

“Ishte një fazë në fillim të lojës kur nuk ishim të frikësuar, kishim rastet tona dhe ishim skuadra më e mirë”.

“Me rezultat prej 2-0 në pjesën e parë, nuk mundëm të përballeshim me kundërsulmet në pjesën e mbetur të takimit. Në ndeshjet tona të radhës do të tregojmë se sa të mirë jemi”, ka thënë lojtari i Arsenalit.

Advocaat i vendosur ta kalojë grupin

Përzgjedhësi i Rusisë, Dick Advocaat, është shprehur i kënaqur me fitoren prej 4-1 ndaj Republikës Çeke në ndeshjen e parë të këtyre përfaqësueseve në Kampionatin Evropian.“Kjo është një fitore e rëndësishme. Ne ia vështirësuam vetes punët në fillim të gjysmës së dytë. Mirëpo, në fund kjo ndeshje është e mirë për vetëbesimin tonë”.

“Megjithatë, trofetë do të jepen në fund të turneut. Luajtëm mirë, por jo gjithë ndeshjen”.

“Kështu që pashë shumë gjëra që mund t’i bëjmë më mirë. Jemi të kënaqur, ndërsa do të jemi vërtet të kënaqur kur të kualifikohemi në raundin tjetër”, citon NOS fjalët e strategut holandez.

Pas Republikës Çeke, Rusia do të ketë punë me Poloninë dhe më pas me Greqinë. 

Flamengo: Del Piero në vend të Ronaldinhos

Klubi brazilian Flamengo është duke përgatitur një ofertë sensacionale për legjendën e Juventusit, Alessandro del Piero.
37-vjeçari është lojtar i lirë, pasi Bianconerët vendosën që të mos ia vazhdojnë kontratën, ndërsa tashmë ai ka marrë një ofertë nga klubi argjentinas, River Plate, ku po luan ish-bashkëlojtari i tij, David Trezeguet.
Sipas Sky Sport Italia, Flamengo e ka të gatshme ofertën për ikonën bardhezi, ndërsa edhe skuadrat tjera braziliane, si Botafogo, Corinthians dhe Cruzeiro, kanë shprehur interesim për 

Ferdinand: Karriera ime me kombëtaren ka përfunduar

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, ka pranuar se karriera e tij me përfaqësuesen e Anglisë ndoshta ka marrë fund, pas mospërfshirjes më skuadrën e Roy Hodgson për Euro 2012.
“Mund të thuhet se ndoshta ka marrë fund Anglia për mua. Nëse nuk më marrin tash, sidomos kur ka të lënduar, atëherë ka pak gjasa që të ftohem sërish”.
“Gjithmonë kam thënë se nuk do të pensionohem nga futbolli ndërkombëtar derisa të luaj dhe nuk do ta bëj këtë. Do të jem ende në dispozicion”.
“Kam shpresuar shumë se do t’i arrij 100 paraqitje – mirëpo për arsye të ndryshme kjo nuk ka ndodhur”, citon The Sun fjalët e Ferdinand. 

Newcastle nuk do ta transferojë Kaloun

Newcastle United planifikon të tërhiqet nga bisedimet për transferimin e anësorit të Chelseat, Salomon Kalou.
Lojtari nga Bregu i Fildishtë është lënë si transfer i lirë nga Blutë, menjëherë pas triumfit në Ligën e Kampionëve, ndërkohë Newcastle është një nga klubet që iu është ofruar Kalou.
Megjithatë, transferimi duket se nuk do të ndodhë, pasi The Evening Chronicle raporton se ‘Magpies’ nuk do të nënshkruajnë me lojtarin. 

Mueller dhe shtatë milionë euro për Dzekon

Klubi gjerman Bayern Munich është i gatshëm që ta ofrojë Thomas Muellerin dhe shtatë milionë euro për shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Edin Dzeko.
Kampioni i Anglisë është duke i shqyrtuar ofertat për sulmuesin boshnjak, të cilin para 18 muajsh e transferoi nga Wolfsburgu për 30 milionë euro.
Mes klubeve të interesuara për shërbimet e 26-vjeçarit është edhe Bayerni.
Mediat gjermane raportojnë se 22-vjeçari Mueller mund të largohet nga Allianz Arena gjatë këtij afati kalimtar, prandaj ai mund të përfshihet si pjesë e marrëveshjes së bavarezëve për transferimin e Dzekos

Roma nuk do ta transferojë Rossin

Menaxhmenti i Romës ka përgënjeshtruar raportet në media se Giallorossët dëshirojnë ta transferojnë sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi.
“Të jem i sinqertë, po flasim për diçka që nuk ka kuptim. Fatkeqësisht, ai ka pësuar një lëndim që do ta mbajë jashtë fushe për një kohë të gjatë dhe do të ketë nevojë për operacion”.
“Në rastin më të mirë, ai mund t’i kthehet aksionit në mars. Kështu që, çfarë përfitimi do të kishim nga në një transferim i tillë”.
“Kemi qenë të interesuar për të para se të lëndohej, mirëpo gjithçka duhet të shqyrtohet tash. Nuk mund të themi se atë e kemi shënjestër”, ka deklaruar drejtori gjeneral, Franco Baldini, për Sky Sport Italia

Heigl dëshiron ende fëmijë

Katherine Heigl planifikon që ta zgjerojë edhe më shumë familjen e saj.
Aktorja dhe burri i saj, këngëtari Josh Kelley, kanë dy vajza të adoptuara, ndërsa ajo ka thënë për Us Weekly se dëshiron së paku edhe dy fëmijë.
“Më duket se jemi marrë vesh që të kemi tre fëmijë. Mirëpo, unë i dua katër”, ka thënë 33-vjeçarja.

Tuna e Dafina në një hotel – nuk flasin me njëra-tjetrën

Dy këngëtaret e suksesshme, Altuna Sejdiu dhe Dafina Zeqiri, javën e kaluar kanë qëndruar në Tiranë, ndërsa mikeshat e dikurshme si për ironi janë detyruar të ndajnë të njëjtën skenë, madje edhe të njëjtin hotel.
Gjysmëfinalja e ‘X Factor’ ka bërë që ato “të përballen” sërish, kurse sipas Bluetooth, përveçse nuk janë përshëndetur gjatë qëndrimit në të njëjtin hotel, vajzat kanë refuzuar të flasin me njëra-tjetrën edhe gjatë provave, duke u mjaftuar vetëm me një përshëndetje.
Dy këngëtaret i kanë prishur raportet pas një zënke që thuhet të ketë ndodhur pak kohë pasi lansuan bashkëpunimin e suksesshëm “Vibe”. Ndërkaq, raportet mes tyre pritet të jenë ftohur edhe më shumë që nga koha kur Dafina ka filluar lidhjen me ish-të dashurin e Tunës, Ledri Vula. 

Pas tronditjes në tru bëhet gjeni muzike (Video)

Derek Amato nga Denveri i Kolorados ka përjetuar tronditje në tru pasi ka kërcyer në një pishinë të cekët, mirëpo kjo e ka bërë gjeni muzike. Ai është njëri nga 30 njerëzit në botë që vuan nga sindroma Savant, si pasojë e të cilës njerëzit zhvillojnë aftësi të jashtëzakonshme pas lëndimit të kokës.
Pas shumë vitesh pa punë, ai po përjeton sukses në muzikë, ndërsa edhe pse kurrë më parë nuk kishte ushtruar ndonjë instrument, 40-vjeçari tash luan në tetë instrumente.
Sipas Daily Mail, në tetor të vitit 2006, pak kohë pas aksidentit, ai kishte shkuar te një mik i tij dhe, siç ka thënë, pianoja e ka tërhequr dhe nga ai moment ka filluar karriera e tij muzikore.
Si pasojë e lëndimit, Amato ka pasur kokëdhimbje dhe humbje të pjesshme të dëgjimit, por falë ‘talentit’ të shfaqur ai tash do të lansojë albumin e dytë. 

Obama kërkon tejkalimin e krizës në Eurozonë

Presidenti amerikan Barac Obama u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë që të ndërmarrin "veprime të qarta” për të luftuar thellimin e krizës financiare në Eurozonë.
 Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Obama bëri thirrje për një injektim të kapitalit në bankat e dobëta evropiane dhe për një buxhet më të unifikuar dhe politika bankare.
“Liderët evropianë e kuptojnë seriozitetin e situatës dhe nevojën urgjente për të vepruar", tha Obama.
Gjithashtu ai, parashikoi se vështirësitë e Greqisë do të përkeqësohen nëse ajo del nga Eurozona.
Duke paralajmëruar se një recesion në Evropë mund ta dëmtojë ekonominë e brishtë të SHBA-ve, Obama gjithashtu i bëri thirrje Kongresit që të kapërcejë manovrimet politike të vitit zgjedhor dhe të rishqyrtojë planet e tij për vendet e punës të vitit 2011.

Përhapet kriza ekonomike në Europë

Angel Gurria, sekretari i përgjithshëm i organizatës së zgjerimit të bashkëpunimeve ekonomike evropiane ka paralajmëruar se kriza ekonomike po përhapet në Evropë.
 Gurria ka deklaruar se ekonomia e shteteve evropiane po përballet me probleme mjaft serioze. “Shtetet evropiane po ecin me hapa shumë të ngadalta, andaj duhet të rrisin shpejtësinë e marrjes së masave”.
Institucionet evropiane nuk duhet të jenë thjesht në kërkim të interesave të tyre, u shpreh Angel Gurria duke theksuar se banka qendrore evropiane duhet t’i kushtojë rëndësi bonove dhe investimeve.

Arrestohet një serb, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Policia italiane ka arrestuar një serb nga Kosova, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka marrë pjesë në krime të luftës në Kosovë.
Ky aksion është kryer me urdhër-arrest të Interpolit dhe është zhvilluar në kryeqytetin italian Romë.
Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, që e transmeton Koha, dyshohet se serbi i arrestuar 39 vjeçar është pjesë e grupit mafioz serb Pink Panter.
I arrestuari ka qenë në arrati me vite të tëra, kurse gjatë kësaj kohe ishte dënuar me katër muaj burg për vjedhje. Policia italiane zbuloi te ai pasaportë false të Bullgarisë. Sipas Ansa-s ky serb kishte marrë pjesë si ushtar në masakrat serbe në Drenicë gjatë luftës në Kosovë. 

Mbahet testi provues i maturantëve

Rreth 35 mijë maturantë të rregullt dhe ata që kanë dështuar vitin e kaluar, po i nënshtrohen testit të maturës dhe atë në lëndët e përgjithshme: gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë
Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka njoftuar se maturantët do t’i nënshtrohen provimit dy ditë në një afat, më 9 dhe 23 qershor.
Maturantët do të sprovojnë dijet e tyre në lëndët e përgjithshme: gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, të cilat përfshijnë gjashtëdhjetë për qind të totalit të pyetjeve, ndërsa në ditën e dytë të testimit, më 23 qershor ata do të përgjigjen në pyetjet nga lëndët që janë të përafërta me drejtimet që i kanë ndjekur gjatë shkollimit të mesëm dhe që përbëjnë dyzet për qind të pyetjeve.
Publikimi i rezultateve të provimit do të bëhet më 30 qershor, afati i ankesave të nxënësve do të jetë nga 2-4 korrik, ndërkaq publikimi i rezultateve të ankesave do të bëhet më 5 korrik. 

Prishtina s’ka “kaçik” për kushte

Pavarësisht kundërshtimeve që po bëjnë zyrtarët shtetërorë të Kosovës se nuk do të hyjnë në kurrfarë negociatash me Serbinë, analistët politikë thonë se Prishtina zyrtare do të dorëzohet shumë lehtë përballë presionit ndërkombëtar. Madje, sipas tyre, edhe kushtet që i ka vënë Prishtina zyrtare për vazhdimin e bisedimeve janë vetëm sa për konsum të brendshëm politik.
Por, kryenegociatorja e Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, përsëriti të premten qëndrimin e saj se nuk do të ketë vazhdim të dialogut me Beogradin, derisa të zbatohen marrëveshjet e kaluara.
Ajo tha për “Zëri” se vazhdimi i dialogut nuk ka kuptim, derisa nuk janë zbatuar marrëveshjet e deritanishme nga pala serbe.
“Ky është përfundimi i këtij dialogu teknik dhe ai mund të rinisë vetëm atëherë kur të zbatohen marrëveshjet e kaluara. Përndryshe, marrëveshjet e deritashme kanë mbetur vetëm në letra, për të cilat Serbia nuk luajti rol bashkëpunues që ato të zbatohen në praktike, në mënyrë që të ketë një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri.
Që Serbia nuk e ka në plan të zbatojë marrëveshjet e deritashme e tregon edhe deklarata e kryenegociatorit të Beogradit, Borisllav Stefanovic, i cili përkundër marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, me ç’rast serbët e Kosovë obligohen që të heqin tabelat e vjetra të makinave e t’i zëvendësojnë ato me RKS dhe KS, thotë se një gjë e tillë nuk vlen për serbët e veriut.
“Gjatë procesit negociator ne e kemi bërë shumë të qartë se veriu i Kosovës, për arsye specifike nuk bën pjesë në dispozitat e marrëveshjes dhe se ajo vlen vetëm për serbët në jug të lumit Ibër”, citohet Stefanovic nga mediat serbe.
Por, kjo deklaratë është hedhur poshtë menjëherë nga zyrtarë të EULEX-it.
Edhe analistë politikë thonë se nuk duhet të ketë vazhdim dialogu derisa nuk ka zbatim të marrëveshjeve të deritanishme.
“Sigurisht që nuk duhet të ketë vazhdim të dialogut, derisa nuk ka zbatim të marrëveshjeve, nuk ka rezultate. Por, në rast se Brukseli vendos që përkundur kësaj të vazhdohet dialogu, Prishtina zyrtare përsëri do të lëshojë pe”, tha për “Zëri” analisti politik Adrian Airfaj.
Edhe analisti Behxhat Shala, theksoi se Prishtina zyrtare asnjëherë nuk ka qenë në pozitë të refuzojë Bashkimin Evropian, e lëre më të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve. 

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës kërcënon Ballkanin

Politika e jashtme kosovare ia ka vënë qëllim vetes funksionalizim e plotë të shtetit të ri. Funksionalizimi, që veç tjerash do të nënkuptonte edhe krijimin e rrethanave kur Kosova nuk do të kishte më nevojë për KFOR-in dhe EULEX-in, mëtohet të bëhet nëpërmjet arritjes së tri qëllimeve, përkatësisht anëtarësimit në strukturat euroatlantike, pjesëmarrjen aktive në komunitetin rajonal, si dhe promovimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës.
Nëpërmjet një strategjie që Ministria e Punëve të Jashtme e ka hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, Kosova ka vendosur që të bëjë më të qartë gjuhën ndaj shteteve që nuk po e njohin pavarësinë e shpallur në shkurt të vitit 2008.
Mosnjohja e pavarësisë, sipas qëndrimit që do të mbajë politika e jashtme kosovare, kërcënon stabilitetin e Ballkanit, njofton “Koha Ditore”.
Strategjia në qëllimet afatgjata planifikon që Kosova të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme që të njihet edhe nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Mosnjohja kërcënon stabilitetin e Ballkanit, rrezikon investimin evropian ndërtimin e shtetit nëpërmjet integrimit të rajonit, dhe e cenon rëndë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian”, janë argumentet që sipas Strategjisë do të përdorin përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.
Gazeta ka parë një draft të Strategjisë së politikës së jashtme, e cila kohëve të fundit qe kritikuar shumë, për mungesë të njohjeve. 

Rexhepi: Jam më i miri

Bajram Rexhepi nuk e ka shqyrtuar asnjëherë mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht ndodhive në Policinë e Kosovës. Ai thotë se është një nga ministrat më të suksesshëm të Qeverisë dhe se për këtë arsye as kryeministri Thaçi nuk do ta shkarkojë. Por, opozita ka një vlerësim tjetër. Ata kërkojnë dorëheqjen e Rexhepit me pretekstin se ka dështuar në punën e tij.
Rexhepi madje është ndier krenar dhe pak modest duke thënë së është njëri ndër ministrat më të suksesshëm që ka qeveria e Hashim Thaçit.
Ministri i Brendshëm ka thënë për “Express” se, pavarësisht krejt gjërave që kanë ndodhur në organin e rendit të cilin e drejton, kurrë nuk ka bërë plan të japë dorëheqjen e tij. Këtë ai thotë se do ta bëjë vetëm kur ai vetë të vendos, apo në qoftë se kërkon kryeministri i Kosovës.
“Kryeministri mundet të më shkarkojë edhe kjo ndodh vetëm në atë moment kur ai e kërkon një gjë të tillë”, ka sqaruar Rexhepi për Express. “Edhe kur të më shkojë mendja vetë jap dorëheqje. Se për të tjerat nuk ndij”, thotë ai. 

Tjetër rekord për Valery Rozov

Sportisti rus i disiplinës B.A.S.E Jump, Valery Rozov, shtoi një rekord të ri në karrierën e tij të sporteve ekstreme duke realizuar një hedhje nga maja e Shivling, një mal 6.543 metra i lartë, në pjesën Indiane të Himalajeve.
Rozov është një “superyll” në disiplinën sportive BASE Jump, një sport ekstrem i cili përfshin hedhjen nga objekte si ura, ndërtesa të larta dhe kulla. Arritjet e 47-vjeçarit janë të shumta, ku mund të përmendim hedhjen në vullkanin aktiv Kamtschatka (2009) dhe nga maja Ulvetanna në Antarktidë (2010), të cilat e kanë bërë atë të njohur në mbarë botën.
Falë aftësive të tij prej një alpinisti profesionist, ai arriti të kapërcejë një tjetër sfidë në karrierën e tij. Pas një ekspedite 30 ditore, përfshirë këtu gjashtë ditë ngjitje, së bashku me shoqëruesit e tij, Alexander Ruchkin dhe Victor Volodin, arritën në majën e malit Shivling, në pjesën indiane të Himalajeve më 25 maj. Rozov gjeti një vend perfekt në lartësinë 6.420m për hedhjen si. Vetëm 90 sekonda më vone, pasi kishte arritur shpejtësinë 200km/h, rusi zbriti 2.200 metra poshtë në akullnaja.
Për anëtarët e tjerë të ekspeditës u deshën tri ditë për të realizuar zbritjen e plotë.
“Ky ishte projekti im i parë në Himalaje. Patëm disa vështirësi përgjatë rrugës, kështu që unë jam shumë i gëzuar që arritën të përmbushnim me sukses misionin tonë”, deklaroi dy herë kampioni i botës në disiplinën “skydiving”, pas thyerjes së rekordit. 

Lucio drejt Fenerbahces

Mbrojtësi i Interit, Lucio, është pranë nënshkrimit me klubin turk, Fenerbahce.
Sipas Gazzetta dello Sport, negociatat mes brazilianit dhe klubit nga Stambolli kanë përparuar shumë, saqë pritet të arrihet një marrëveshje mes klubeve, para se ai ta vë firmën e tij.
Nga ana tjetër, Nerazzurrët janë në kërkim të mbrojtësit të Palermos, Matias Silvestre. 

Van Persie nuk do t’i bashkohet një klubi tjetër anglez

Babai i Robin van Persiet ka deklaruar se djali i tij nuk do të transferohet te ndonjë klub tjetër anglez nëse vendos të largohet nga Arsenali.
Spekulohet se sulmuesi holandez mund të largohet nga Emirates gjatë kësaj vere, kurse ndër klubet më serioze për nënshkrimin e tij është Manchester City.
Mirëpo, Bob van Persie ka heshtur thashethemet e tilla duke qartësuar se golashënuesi më i mirë në Ligën Premier për sezonin e kaluar nuk do të luajë për ndonjë klub tjetër anglez.
“Është e pamundur që të shkojë në një tjetër ekip anglez”, ka thënë Bob për Mundo Deportivo.

City bën ofertë për Cavanin

Kampioni i Anglisë, Manchester City, ka bërë ofertë për sulmuesin e shumëkërkuar të Napolit, Edinson Cavani.
Sipas Il Mattino, ndërkohë që klubi italian po e shqyrton ofertën, përfaqësues të Cityt kanë filluar bisedimet me lojtarin.
Bëhet e ditur se ‘pasanikët’ janë të gatshëm t’i ofrojnë uruguaianit një kontratë pesëvjeçare mjaft luksoze.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, gjatë një prononcimi për media në javën e kaluar nuk e mohoi mundësinë e shitjes së yllit kryesor të skuadrës.

Hummels refuzoi ofertë nga një klub i madh

Mbrojtësi i Dortmundit, Mats Hummels, ka zbuluar se ai ka marrë një ofertë të jashtëzakonshme nga një klub ‘misterioz’ para se ai të nënshkruane për klubin gjerman.
Qendërmbrojtësi i cili rinovoi për Dortmundin javë më parë ka pranuar se për një moment interesimi i tij ishte te një klub tjetër.
“Unë kam pasur një ofertë të jashtëzakonshme. Por, nuk do të tregoj se nga cili klub”, është shprehur Hummels.

Mascherano: Barca ka faj për kritikat ndaj Argjentinës

Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, beson se publiku argjentinas e kritikon atë për së tepërmi dhe se duhet të ketë respekt pasi ai luan te Barcelona.
Në ndërkohë, Mascherano beson se njerëzit në Argjentinë kritikojnë kombëtaren e tyre pasi mendojnë se është lehtë të luhet si Barcelona.
“Kritikat janë pa vend, ata nuk flasin për atë që bëj në klub, por për atë që bëj te Argjentina. Por, e pranoj, ky është futbolli. Është lojë dhe ne nuk duhet të bëjmë tragjedi nga kjo. Nëse një lojtar kritikohet, lojtari nuk duhet të rikritikojë. Në Argjentinë të gjithë mendojnë se lehtë është të luash si Barcelona”, ka theksuar Mascherano.

Jagger: Nuk do të martohem më

Frontmeni legjendar i “Rolling Stones”, Mick Jagger, nuk beson më në martesë, prandaj nuk mendon që sërish t’i ndërrojë unazat.
Këngëtari ka pas vetes dy martesa të dështuara – me manekinen Jerry Hall dhe më herët me aktoren Bianca de Macias.
Ndërsa tani, 68-vjeçari ka thënë se nuk dëshiron që ta kurorëzojë dashurinë e tij me L'Wren Scott dhe të martohet për të tretën herë.
“Të jem i sinqertë, nuk mendoj për martesë. Nuk them që njerëzit nuk duhet të martohen, por e kam kuptuar se nuk është për mua”, ka deklaruar Jagger për revistën Woman and Home. 

Lohan shpëton në një aksident trafiku

Aktorja hollivudiane, Lindsay Lohan, ka shpëtuar pa lëndime në një aksident të rëndë trafiku, pasi vetura e saj Porsche është përplasur me një kamion në një autostradë në Kaliforni.
Policia ka njoftuar se aktorja po udhëtonte me një mashkull të paidentifikuar për në xhirimet e filmit të saj të ri, "Liz & Dick", në momentin e aksidentit.
Reuters raporton se pas analizave është treguar se asnjëri nga vozitësit (as Lohan e as shoferi i kamionit) nuk kanë qenë nën ndikim të drogës apo alkoolit.
Zëdhënësja e aktores ka thënë se LiLo ka qëndruar vetëm dy orë në spital dhe pas analizave është lëshuar. Po ashtu, askush tjetër nga të përfshirët në aksident nuk ka mbetur i lënduar. 

Qëndrimi në këmbë – për kërdhokulla dhe vithe

Nga 15 minuta, sapo të jeni ngritur nga shtrati, derisa jeni akoma të veshura me pizhame, bëni ushtrime tri herë në javë dhe për afro gjashtë javë barku, vithet dhe kërdhokullat do t’ju jenë më të forta.
Qëndroni, këmbët të jenë të mbledhura, thembrat afër njëra-tjetrës, gishtat pak të larguar. Ngrini dorën e majtë, krahu të jetë në drejtim të jashtëm, shuplaka në drejtim të trupit.
Me dorën e djathtë kapuni për ndonjë pjesë të fortë të mobilieve për të mbajtur ekuilibrin. Tërhiqeni kërthizën në drejtim të boshtit kurrizor dhe drejtohuni.
Nxirreni frymën derisa e ngrini këmbën e majtë pak para vetes, gishtat të jenë të shtrirë derisa të numëroni deri në 3.
Qëndroni pak në këtë pozitë, nxirreni frymën dhe derisa të numëroni deri në 3
kthehuni në pozitën fillestare. Përsëriteni 5 herë.
Të njëjtën teknikë e përdorni edhe kur e ngrini këmbën e majtë 5 herë anash. Kthehuni në pozitën fillestare, derisa të numëroni deri në 3 ngrijeni këmbën pas vetes, shputat të jenë në këndin e drejtë. Kthehuni derisa të numëroni deri në 3 dhe përsëriteni 5 herë. Kaloni në anën tjetër dhe përsëriteni. 

Kur duhet të fillohet të përdoret pasta e dhëmbëve?

Nga dalja e parë e dhëmbit të qumështit, thonë stomatologët. Pasta për dhëmbë të fëmijëve e cila përmban florid forcon zmaltin dhe pengon krijimin e kariesit.
Sapo të dalë dhëmbi i parë, fillon edhe larja e tij. Për fillim mjafton t’u pastrohen dhëmbët në mëngjes dhe në mbrëmje me brushë të posaçme dhëmbësh – gjë që njëkohësisht është edhe masazh i mirë.
Nëse fëmija nuk kundërshton, menjëherë mund të përdoret brusha e rëndomtë e dhëmbëve (më së voni pas daljes së dhëmbit të dytë). Brusha më e mirë është ajo që ka kokë të vogël dhe është nga plastika shumë e butë.
Kur t’i dalin të gjithë dhembët e qumështit, më së miri është që t’u pastrohen me brushë me fije të gjata, me kokë të ngushtë dhe me dorezë pak më të trashë, që është e përshtatshme për përdorim – me të fëmija mund të fillojë të mësohet për t’i larë dhëmbët. 

A është ky tableti Google Nexus?

Faqja e famshme e telefonave, Phone Arena, ka pranuar disa fotografi të cilat aludojnë se pajisja e cila është paraqitur në internet, është ajo e tabletit të ri të Google, Nexus Tablet, i cili do të prodhohet nga Asus.
Sipas raporteve të PhoneArena, tableti i Google do të vijë me Android 4.1 dhe procesorin e fuqishëm të NVIDIA Tegra 3. 
Megjithatë, ne shpresojmë që së shpejti do të publikohën më shumë informacione për tabletin e ri të Google, Nexus Tablet, në konferencën e zhvilluesve të kompanisë të njohur si Google I/O, ndërsa nëse kjo ndodh me siguri se lajmin do ta kenë fillimisht në rubrikën tonë të teknologjisë. 

Tel Avivi, destinacion më mikpritës i homoseksualëve

Dhjetëra-mijëra izraelitë kanë dalë në rrugët e Tel Avivit për të marrë pjesë në paradën vjetore të homoseksualëve.
Festimet janë karakterizuar me muzikë, vallëzim dhe flamuj me ngjyra ylberi.
Sipas REL, asnjë incident nuk raportohet të ketë ndodhur.
Mbështetësit e homoseksualëve thonë se Tel Avivi është njëri nga destinacionet më mikpritëse në botë të kësaj kategorie të shoqërisë.

OKB, ekonomia kineze do të rritet sivjet me 8.3 %

Ekonomia kineze pritet të shënojë një rritje prej 8.3 për qind këtë vit. Parashikimi u bë nga OKB-ja në raportin "Gjendja dhe Perspektiva e Ekonomisë Botërore 2012".
 Dokumenti nënvizon gjithashtu se për shkak të kërkesës së dobët dhe shtimit të faktorëve të pasigurisë së ekonomisë globale, vendet në zhvillim po ndodhen para një mjedisi serioz ekonomik ndërkombëtar.
Parashikohet se rritja ekonomike e vendeve në zhvillim do të arrijë në 5.3 për qind, shifër kjo më e ulët se 5.9 për qind që ishte në vitin 2011 dhe 7.5 për qind në vitin 2010

Mujota: Keqpërdorimi me patentshoferë çështje e vjetër

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë se çështja e keqpërdorimeve me patentshoferë është një çështje e vjetër dhe nuk i përket periudhës kohore të punës së tij në krye të kësaj ministrie.
Në një intervistë për “Epokën e Re”, Mujota ka thënë se keqpërdorimet e tilla me patentshoferë ka arritur t’i vërejë në muajin e dytë të punës së tij si ministër.
Ai ka thënë se nuk ka gisht në rastin e keqpërdorimit me patenshoferë. “Çështja mund të jetë aq e vjetër për aq sa ekziston organizimi i dhënies së patentshoferëve. Për këtë rast unë mund t’ju them me vendosmëri të gjithë qytetarëve të Kosovës se jam i pastër, i kristaltë. Fajësia ime mund të jetë kjo: ‘se pse kam zbuluar shpërdorimet, pse është njoftuar policia për shkeljet ose daljet e testeve për një kohë të caktuar në publik”, ka thënë Mujota, duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë të merren me rastin dhe të zbardhet e vërteta.

Propozimi për shkurtimin e mandatit është jokushtetues

Presidentja Jahjaga i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë antikushtetues propozimin e Kuvendit për shkurtimin e mandatit të saj.
Në letrën që e ka siguruar gazeta “Express”, Jahjaga ka shkruar se kalimi i këtij amendamenti shkel të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe cenon demokracinë në vend.
Presidentja Jahjaga i ka dërguar një letër Gjykatës Kushtetuese, në të cilën ka argumentuar se propozimi i Komisionit për ndryshime kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të saj është antikushtetues.
Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit në prill të vitit të kaluar, pas një marrëveshjeje mes liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, që i pati dhënë fund krizës institucionale.
Bazuar në marrëveshjen mes tre liderëve, Jahjaga kishte marrë postin e Presidentes me një mandat të shkurtuar, pavarësisht se betimin e kishte bërë për mandat të plotë pesëvjeçar.
Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese, duke u bazuar në marrëveshjen e Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, e cila është votuar edhe në Kuvend në formë rezolute, ia ka paraparë përfundimin e mandatit Presidentes aktuale para mandatit kushtetues.
Komisioni i udhëhequr nga Arsim Bajrami ka dërguar në shkurt të këtij viti njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Ky institucion ka kërkuar qëndrimin e Presidentes rreth këtyre ndryshimeve. 

Rexhepi: S’ka shtyrje të afatit për targat ilegale

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend që të jap as edhe një ditë afat shtesë për lejim të qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në territorin e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një prononcim për “Tribuna Shqiptare”, ka bërë të ditur se vendimi për targat në asnjë mënyrë nuk do të shtyhet.
“Definitive jo. Nuk do të ketë asnjë shtyrje të afatit, vendimi do të zbatohet plotësisht”, ka thënë ministri Rexhepi.
Kjo deklaratë e ministrit Rexhepi vjen pas kërkesës disa përfaqësueseve të organizatave të komunitetit serb, kanë kërkuar shterjen e afatit për targat.