Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë se çështja e keqpërdorimeve me patentshoferë është një çështje e vjetër dhe nuk i përket periudhës kohore të punës së tij në krye të kësaj ministrie.
Në një intervistë për “Epokën e Re”, Mujota ka thënë se keqpërdorimet e tilla me patentshoferë ka arritur t’i vërejë në muajin e dytë të punës së tij si ministër.
Ai ka thënë se nuk ka gisht në rastin e keqpërdorimit me patenshoferë. “Çështja mund të jetë aq e vjetër për aq sa ekziston organizimi i dhënies së patentshoferëve. Për këtë rast unë mund t’ju them me vendosmëri të gjithë qytetarëve të Kosovës se jam i pastër, i kristaltë. Fajësia ime mund të jetë kjo: ‘se pse kam zbuluar shpërdorimet, pse është njoftuar policia për shkeljet ose daljet e testeve për një kohë të caktuar në publik”, ka thënë Mujota, duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë të merren me rastin dhe të zbardhet e vërteta.