Djegin para për t’u ngrohur! (Video)

Banka Qendrore e Hungarisë ka dhuruar paratë e vjetra për organizatat humanitare për t’i shfrytëzuar ato si mjet ngrohjeje.
“Për Bankën Qendrore me rëndësi është që t’i shërbejë komunitetit dhe të jetë e përgjegjshme. Në vend se t’i asgjësojmë 50 tonelata para të vjetra, këto para ua kemi dhënë organizatave humanitare, të cilat do t’ua dhurojnë njerëzve si mjete ngrohjeje. Hulumtimi ynë ka treguar se paratë e grira mund të jenë shumë të dobishme për personat të cilët nuk kanë mjete ngrohjeje”, ka thënë drejtori i Bankës Qendrore, Barnabas Ferenczi.
Procesi i grirjes së parave është i mbikëqyrur rreptë, ndërsa punëtorët duhet të veshin rroba pa xhepa gjatë këtij procesi. 

Çmenduria e re ruse (Video)

Kohët e fundit po vijnë video gjithnjë e më të çmendura nga Rusia.
Edhe pse këta djem duket se kanë dashur të dëshmojnë trimërinë e tyre dhe të kënaqen me valën e adrenalinës, por fundin nuk e kanë larg nëse vazhdojnë me budallallëqe të tilla.
As mos guxoni të provoni një gjë të tillë! 

Shikoni se çfarë do të merrni nëse kërkoni Googlein për këtë barazi!

Google është bërë gati për Shën Valentin dhe të gjithë ata të cilët dëshirojnë që inspirimin nga dita e të dashuruarve ta bartin në ekran tani këtë mund ta bëjnë përmes një barazie të cilën vetëm duhet ta kopjoni në kërkuesin e Google.
Kopjoni:
sqrt(cos(x))*cos(500x)+sqrt(abs(x))-0.7)*(4-x*x)^0.01, sqrt(6-x^2), -sqrt(6-x^2) from -4.5 to 4.5
dhe kënaquni me rezultatin. Një vërejtje duhet bërë, e ajo është se barazia nuk do të punoj në Internet Explorer, por do të punoj pa problem në Firefox dhe Chrome.
Nëse ju pëlqeu me të vërtetë, atëherë po ju tregojmë edhe një detaj të vogël me të cilin mund të luani, e ai është pjesa e barazisë që thotë “cos(300x)” e cila është e ndryshueshme kështu që nëse shënoni, për shembull “500”, zemra do të duket më e zgjatur.
Në të vërtetë mund të luani edhe me pjesët e barazisë cos(x) dheabs(x) duke shënuar numra të ndryshëm. Zemrën nuk do ta fitoni kështu por ndoshta paraqitet ndonjë formë tjetër interesante.
Dashuria dhe matematika pra siç shihet shkojnë mirë njëri me tjetrin.

Anonymous sulmuan edhe Interpolin

Grupi i hakerëve ka rrëzuar të shtunën faqen e Interpolit, vetëm një dit pasi që kanë paaftësuar për ca kohë faqen e shërbimit sekret amerikan CIA.
Anonymous dhe anëtarët e tij të shtunën kanë protestuar në mbarë Evropën duke tërhequr vërejtjen në dëmet e marrëveshjes për mbrojtjen e të drejtave autoriale në Internet (ACTA).
Anëtarët e grupit në kohë të fundit kanë nisur aksionet në Internet në mbarë botën, duke rrëzuar faqet e institucioneve shtetërore, faqeve politike dhe organizatave ndërkombëtare të cilat po i akuzojnë për shkeljen e lirisë dhe demokracisë.
Grupi i hakerëve muajin që shkoi për pak kohë paaftësoi punën e faqeve të Ministrisë amerikane të Drejtësisë dhe FBI-së, në shenjë të hakmarrjes për shkak të ndërprerjes së punës së njërës nga faqet më të mëdha për shkëmbimin e fajllave Megaupload.
Anonimët ekzistojnë nga viti 2008 dhe paraqesin një grup joformal në Internet i cili, në mes tjerash, lufton edhe kundër censurës në Internet.

Sëmundja e sheqerit dhe menopauza

Hulumtimet finlandeze kanë treguar se gratë të cilat kanë sëmundjen e sheqerit të tipit 1, hyjnë më herët në periudhën e menopauzës.
Gratë të cilat kanë sëmundjen e sheqerit të tipit 1, hyjnë më herët në periudhën e menopauzës, përafërsisht në moshën 46 vjeçe, ndërsa simptomat e perimenopauzës i ndiejnë që në moshën 40 dhe 44 vjeçe.
Është e njohur se menopauza e hershme rrit rrezikun nga sëmundja e zemrës dhe e venave të gjakut dhe, meqë edhe sëmundja e sheqerit është faktor rreziku për të njëjtat sëmundje, gratë që lëngojnë nga diabeti këshillohen që të kenë kujdes më të madh dhe preventivë më të mirë.

Jeni kaotike? Jo, gjeniale!

Amerikanët thonë se tavolina e parregullt e punës është shprehje e mendjes kreative. Sikurse që rendi është i lidhur me logjikën racionale, kështu edhe kaosi konsiderohet shprehje e imagjinatës së pashtershme.
Prirja nga jeta e parregullt nuk konsiderohet si mëkat i madh, kështu që mos u hidhëroni shumë nëse dëgjoni nga ndonjë koment ironik në vendin tuaj të punës. Megjithatë, kjo ngandonjëherë mund të marrë përmasa të mëdha dhe të bëhet shprehje e parregullsisë së brendshme dhe e mosstabilitetit të caktuar emotiv. Personi i parregullt vuan në mënyrë kronike nga mungesa e përhershme e mbështetjes konkrete në jetë: ka problem me planifikimin, është i çekuilibruar, gjithherë është me kokën mbi re. Njerëzit vështirë e tolerojnë personin e tillë, i cili vazhdimisht vonohet, i harron gjërat e rëndësishme, pra është tip te i cili njeriu nuk mund të ketë besim.
Në anën tjetër, një nga karakteristikat e inteligjencës emotive është pikërisht parregullsia nga e cila lindin ide brilante. Sikurse që rendi është i lidhur me logjikën racionale, kështu edhe kaosi konsiderohet shprehje e imagjinatës së pashtershme. Prandaj shfrytëzojeni kreativitetin personal në punë. Bëhuni e vendosur dhe përpiquni t’i lini skemat e vjetra, në mënyrë që të krijoni diçka të re. Iniciativa juaj do të shpërblehet.
Shoqërohuni me persona që ju kuptojnë dhe që ju respektojnë kështu çfarë jeni, edhe pse vetë nuk janë të tillë: kur të jetë e nevojshme, me dëshirë do t'ju ndihmojnë, t’ju ulin në tokë, në mënyrë që të mos humbni në parregullsinë tuaj

Madonna kritikon sjelljen e M.I.A-s

Madonna ka kritikuar ashpër reperen M.I.A për gishtin e mesëm të treguar gjatë performancës në Super Bowl, duke thënë se këto veprime nuk i takojnë një eventi familjar.
Pop superylli zbuloi se ajo është e zhgënjyer nga reperja britanike, e cila ngriti gishtin e mesëm para kamerave teksa po performonte në Super Bowl e që në tërësi u radhit ndër performancat më spektakolare ndonjëherë...përpos këtij gjesti.
“Nuk më pëlqeu kjo. Unë e kuptoj se ka të bëjë diçka me punk rock dhe gjithçka tjetër, por për mua që kam një ndjesi të dashurisë dhe energjisë së mirë, kjo duket mjaft negative. Ai veprim u bë në vendin dhe kohën e gabuar”, theksoi Madonna.

Zyrtare: Unikkatili performon në Prishtinë

Reperi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Rebel a.k.a Unikkatil, edhe zyrtarisht do të performojë në koncertin e tij të parë dhe të fundit në Prishtinë gjatë verës së këtij viti.
Kështu njofton kompania POWOW Entertainment që me anë të një komunikate zyrtare në Facebook konfirmoi se Unikkatili do të performojë gjatë verës, më saktësisht siç mëson Telegrafi në fillim të gushtit.
Krijuesi i hit albumit “Kanuni i Katilit” sipas POWOW do të performojë në një festival që do të organizohet në Prishtinë e ku do të performojnë disa emra të njohur të skenës ndërkombëtare. Sipas burimeve tona, megafestivali pritet të jetë tri-katër ditor e ku do të performojnë emra si Lil Wayne, Rick Ross, Ciara, Drake e shumë të tjerë, megjithëse mungon konfirmimi zyrtar për këtë.
Unikkatili është një prej artistëve më të adhuruar ndër të rinjt shqiptarë dhe ky do të jetë koncerti i parë në Prishtinë në të cilin lideri i grupit TBA do të performojë, pas plot 15 ofertave të refuzuara. 

Novara fut në krizë Interin

Interi ka pësuar humbjen e radhës nga Novara, me rezultat minimal 1-0, në sfidën e zhvilluar në Giuseppe Meazza.
Është kjo befasia e ditës në futbollin evropian, pasi Interi gjatë gjithë takimit dominoi, por ishte një gol i mysafirëve ai që vendosi sfidën.
Andrea Carraciolo i dha epërsinë Novarës në minutën e 56-të që ishte dhe goli i vetëm i këtij takimi.
Interi në vazhdim sulmoi, por nuk arriti të gjejë portën. Radovanovic la Novarën me një lojtar më pak dhjetë minua para përfundimit të takimit, por as kjo nuk u ndihmoi Nerazzurëve të cilët me anë të Sneijder goditën traversën në momentet finale të sfidës.
Interi me këtë humbje mbetet në vendin e pestë me 36 pikë, pesë më pak se Udinese në vendin e katërt.

Guidolin: Merituam më shumë ndaj Milanit

Trajneri i Udineses, Francesco Guidolin, ndjen se ekipi i tij meritoi më shumë nga sfida e zhvilluar ndaj Milanit të shtunën, ku friulianët kanë pasur epërsinë deri në fazat finale të takimit.
“Ne pranuam dy gola në kundërsulm. Nëse do të kishim qenë më të kujdesshëm në disa rrethana, Milani do të kishte vuajtur”.
“Ne është dashur të shfaqim pjekuri, do të kishim qenë të kënaqur edhe me një pikë, edhe pse merituam shumë më shumë. Ne shkuam përpara për t’i mbaruar gjërat, por ata na dënuan dhe Milani mund t’iu dënojë në çdo kohë. Duhet të rikuperohemi shpejt”, ka thënë Guidolin.
Milani mposhti me rezultat 2-1 Udinesen në Friuli, pas një rikthimi sensacional me dy gola të shënuar në 13 minutat e fundit të takimit pas disavantazhit nga pjesa e parë.

Mancini: Tevez mund të kthehet

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka deklaruar se ai mund të harrojë problemet me Carlos Tevez dhe ky i fundit mund të kthehet në fushë për ‘qytetarët’.
“Carlos e di situatën. Nëse ai kthehet ne do të flasim, sepse unë nuk kam problem me të. Të gjithë e dinë se Tevez është top lojtar dhe do të ishte më mirë për ne nëse ai vjen këtu”.
“Tevez ka aftësinë që të ndryshojë ndeshjet. Unë nuk e di nëse ai do të kthehet këtë javë, por nëse ai kthehet ai mund të luajë rol në tri muajt e ardhshëm. Varet nga gjendje e tij fizike sepse ai nuk ka luajtur për katër muaj. Ndoshta ai mund të rikthehet shpejt”, ka thënë Mancini. 

Pedro i pikëlluar me disfatën

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, është shprehur tejet i zhgënjyer me disfatën befasuese nga Osasuna në Pamplona, duke refuzuar të flasë për gjasat për titull.
Barcelona pësoi disfatë të rëndë prej 3-2 nga Osasuna, që shënon ndeshjen e parë ku Barcelona pranoi tri gola që prej dy vitesh. Hera e fundit kur Barcelona pranoi tri gola ishte ndaj Interit në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në sezonin 2009/2010.
“Ne jemi të pikëlluar se si shkoi ndeshja. Jemi tejet të pakënaqur. Ne kemi vuajtur për të hyrë në lojë dhe Osasuna doli më e fortë. Ne është dashur t’i mposhtim, por nuk kemi arritur dot”, theksoi Pedro. 

Iniesta: Ta harrojmë këtë disfatë

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta u ka bërë thirrje bashklojtarëve që të mobilizohen dhe të harrojnë disfatën e befasishme të pësuar nga Osasuna.
“Është një humbje e dhimbshme. Ne reaguam në pjesën e dytë, por nuk mjaftoi”.
“Ne duhet të luftojmë deri në fund, por tani duhet të përgatitemi për Ligën e Kampionëve”, tha Iniesta.

Rooney: Evertoni dhe unë fituam, ditë e përkryer

Asi i Manchester Unitd, Wayne Rooney, ka pranuar se ai është tepër i kënaqur me të shtunën e kësaj fundjave, pasi pos që ekipi i tij mposhti Liverpoolin, është edhe Evertoni që ka dalë fitues në një sfidë të komplikuar ndaj Chelseat.
Rooney shënoi dy gola në fitoren prej 2-1 ndaj Liveproolit dhe nga ana tjetër në Godisson Park, Evertoni, klubi i fëmijërisë së Rooneyt, mposhti rivalin Chelsean.
“Duke u kënaqur me fitoren. Çfarë ndjenjë të shënosh dy gola ndaj Liverpoolit. Fitore e madhe edhe për Evertonin. Çfarë dite”, ka shkruar Rooney në Twitter.

Conte: Nuk kam nevojë për Capellon

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka aluduar se strategu italian Fabio Capello nuk do të ishte i mirëpritur te klubi Bianconer.
Conte është pyetur për Capellon, i cili dha dorëheqje nga posti i menaxherit të Anglisë, ndërsa është spekuluar se ai mund të jetë drejtor i Juventusit.
“Unë kam punuar me shumë strategë të mëdhenj, por kurrë nuk kam pasur fatin të punoj me Capellon, një njeri që respektoj shumë. Jam i kënaqur me klubin dhe ne po bëjmë vërtet punë shumë të mirë”, theksoi Conte. 

Guardiola: Të shikojmë drejt LK

Bosi i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar se epërsia e Real Madridit është shumë e madhe në luftën për titull të kampionit, duke zhvendosur fokusin te Liga e Kampionëve.
“Realiteti është se ne jemi në një distancë substanciale nga Reali dhe unë kam ndjenjën se kjo epërsi e madrilenëve do tëo ngritet të dielën. Por, ne mund të vazhdojmë deri në fund. Ne nuk kemi prespektiva tjera: të shikojmë ndeshjen e radhës dhe të shohim”.
“Tani duhet të mbrojmë titullin e kampionit të Evropës. Ne duhet ta mbrojmë pozitën tonë që dërgon në Ligën e Kampionëve dhe më pas duhet të mposhtim edhe Valencian në La Liga”, ka thënë Guardiola.

Maxi i ngazëllyer me golin e ‘ëndrrave’

Sulmuesi i Milanit, Maxi Lopez, është shprehur se ëndrra e tij është realizuar kur shënoi në fitoren prej 2-1 të Milanit ndaj Udineses, në një rikthim sensacional që mund të jetë në fund krucial për titullin.
“Unë nuk jam thjesht i kënaqur, unë jam jashtëzakonisht i lumtur që shënova për këtë ekip, kjo gjithmonë ka qenë ëndrra ime”.
“Kjo fitore është me rëndësi sepse na jep besim që të shkojmë përpara. Ne duhet të vazhdojmë ta gjejmë momentumin dhe të marrim tri pikët në çdo ndeshje të mbetur”, tha Lopez.

Haxhinasto ngushëllon Hoxhajn

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i ka shprehur ngushëllime ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, për humbjet e jetëve nga orteku në Restelicë të Dragashit.
MPJ e Shqipërisë ka bërë të ditur se Haxhinasto përmes një bisede telefonike me Hoxhajn, ka shprehur bindjen se në këto çaste hidhërimi të thellë e vështirësish të mëdha me të cilat po përballen familjet e të ndjerëve, Qeveria dhe i tërë populli i Kosovës po demonstrojnë një ndjenjë të lartë solidariteti, duke bërë maksimumin për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, si dhe gjithë banorëve të prekur nga ky mot i acartë.
Ai njëkohësisht shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për të dhënë ndihmën dhe asistencën e nevojshme në zonat më të prekura nga ky dimër i jashtëzakonshëm. 

Komunat e Dukagjinit të mobilizuara

Në përputhje me rrethanat e krijuara pas borës së fundit, komunat e Dukagjinit- Pejë, Deçan, Gjakovë e Junik, si më të atakuarat nga reshjet e mëdha, janë në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe të veprimit për zhbllokimin e jetës, të qarkullimit dhe të vështirësive të krijuara nga bora e madhe- thuhet në një njoftim të AAK-së.
“Krerët e këtyre komunave kanë ngritur shtabet emergjente të veprimit dhe janë 24 orë në krye të detyrës për përballimin e situatës”.
“Ata i njoftojnë qytetarët e këtyre komunave se nuk ka vend për panik dhe se janë marrë të gjitha masat që të përballohet situata e rëndë e krijuar nga reshjet e mëdha të borës në këto komuna”, thuhet në komunikatën e Zyrës së informacionit të AAK-së. 

Vizitohen njësitë e FSK-së në Restelicë Vizitohen njësitë e FSK-së në Restelicë

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, gjeneral Brigade, Imri Ilazi, të dielën kanë vizituar njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së në vendincidentin e Restelicës në komunën e Dragashit, ku ndodhi tragjedia nga orteku i borës.
Delegacioni i MFSK-së dhe FSK-së ka shoqëruar edhe delegacionin e Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga Kryeministri Thaçi, zëvendëskryeministri Kuqi dhe ministri i Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Kryeministri dhe delegacioni qeveritar, ministri Çeku dhe komandant Kastrati në fillim u njoftuan me përmasat e fatkeqësisë dhe dëmet e shkaktuara nga orteku. Ata panë nga afër angazhimet e pjesëtarëve të FSK-së që po punonin në gjetjen edhe të personit të fundit të kërkuar.
Forcat e FSK-së janë marrë edhe me transportin e trupave të pajetë deri te vendi i caktuar në fshat, nga ku do të fillojnë përgatitjet edhe për ceremoninë e varrimit të tyre

Studentët kalojnë pengesat në Brezovicë

Studentët e Fakultetit të Kulturës së Edukatës Fizike, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një hotel në Brezovicë si pasojë e reshjeve të mëdha të borës, tashmë kanë arritur të kalojnë bllokadën e rrugës dhe janë në rrugë e sipër për t’u kthyer në Prishtinë. Studentët nga Qendra e Skijimit, kanë arritur që pengesat deri në rrugë t’i kalojnë me ski dhe disa prej tyre në këmbë.
Aziz Dujaka, profesor në Fakultetin e Kulturës së Edukatës Fizike, i cili qe dhjetë ditë po i shoqëronte studentët e tij në kurset e skijimit në Brezovicë, ka thënë për Kosovapress se tashmë 190 studentët me katër autobusë, janë nisur dhe janë rrugës për në Prishtinë.
Sipas Dujakës, edhe pse studentët kanë qenë të bllokuar, gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur asgjë për t’u shqetësuar, përveç bllokimit të rrugës, gjë që ua ka pamundësuar atyre kthimin në Prishtinë një ditë më parë, siç e kishin planifikuar. 

Presidentja vizitoi të mbijetuarën e tragjedisë

Presidentja Atifete Jahjaga e ka vizituar në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.
Gjatë vizitës, presidentja, e cila ishte e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën.
Jahjaga e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.
Ajo veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë.
Me këtë rast, presidentja Jahjaga ndau 10.000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.
“Është një tragjedi e rëndë humbja e jetëve të njerëzve si pasojë e ortekut të borës, një fatkeqësi elementare e paparashikueshme. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve. Ata do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale për të sanuar pasojat e kësaj fatkeqësie. Falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe banorët për gjithë ndihmën e ofruar në shpëtimin e jetëve dhe gjetjen e trupave. Kjo dëshmon solidaritetin e pakursyer të njerëzve që të gjenden pranë njëri-tjetrit në situata të tilla. U shpreh mirënjohje atyre për tërë angazhimin në këtë situatë të jashtëzakonshme që e ka kapluar fshatin Restelicë. FSK dhe PK treguan përkushtim dhe profesionalizëm dhe se janë të aftë të përballin situata të tilla, për çka janë trajnuar dhe aftësuar”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.

‘Angazhim maksimal për të kaluar gjendjen emergjente’

Për shkak të gjendjes emergjente, në të cilën ndodhën shumica e komunave të vendit, nga reshjet e mëdha të borës dhe temperaturat e ulëta, LDK kërkon angazhim maksimal nga Qeveria e Kosovës dhe nga institucionet e tjera, për t’u dalë në ndihmë pushteteve lokale dhe qytetarëve.
“Për shkak të borës së madhe dhe mungesës së infrastrukturës së nevojshme, shumica e pushteteve lokale e kanë të pamundur që vetë të kalojnë këtë gjendje. Kjo vlen në radhë të parë për disa nga komunat e Rrafshit të Dukagjinit, si Istogu, Peja, Deçani, Juniku, Gjakova etj., të cilat, për shkak të borës që ka arritur deri në dy metra, janë pothuajse bllokuar tërësisht. Në këtë situatë, ndihma e Qeverisë është e domosdoshme, që të ndihmohet për hapjen e rrugëve dhe për zhbllokimin e vendbanimeve të bllokuara tash e sa ditë. Nëse gjendja mbetet e tillë, ekziston rreziku që të cenohet edhe më shumë siguria e qytetarëve të atyre komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.
Kjo parti, po ashtu, bën thirrje, që përpos institucioneve vendore dhe të pranisë ndërkombëtare, të ndihmojnë të gjitha kompanitë private që kanë makineri të nevojshme, si dhe vetë qytetarët, me aq sa ata do të kenë mundësi

E hëna ditë zie shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shpallur ditën e hënë (13 shkurt 2012) ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.
Sipas vendimit të presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës, flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtize.
Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.
Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që dita e hënë të shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës.
“Qeveria edhe njëherë u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave, dhe rithekson gjithë përkushtimin dhe vendosmërinë institucionale për ndihmë dhe shpëtim të qytetarëve, të rrezikuar nga gjendja e rëndë klimatike. Qeveria falënderon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë qytetarët për sakrificën që janë duke bërë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Restelicës”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së kryeministrit. 

Heynckes: Treguam lojë të mirë

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes, ka lëvduar paraqitjen e lojtarëve të tij ndaj Kaiserslauternit, duke thënë se ata shfaqën futboll të mirë në këtë fitore.
“Është dëshmi e trenit të ngritjes tonë. Ishte një fitore plotësisht e merituar. Ne kemi luajtur shumë futboll të mirë”.
“Nuk ishte e lehtë në pjesën e parë, sepse Kaiserslautern u mbrojt shumë mirë, por ne krijuam shumë raste të mira. Ne kemi mundur të fitojmë me rezultat më të thellë. Jam i kënaqur me mënyrën se si jemi mbrojtur. Ne kemi mbajtur portën të pastër edhe një herë dhe mbajtëm larg kundërshtarin. Jam i kënaqur për këtë”, tha Heynckes.

Ferguson: Suarez nuk duhet të luajë kurrë

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, e quajti të turpshëm refuzimin e Luis Suarez për t’ia shtrënguar dorën Patrice Evras dhe shtoi se sulmuesi i Liverpoolit nuk duhet të luajë kurrë më.
“Nuk kam mundur ta besoj. Unë thjesht nuk kam mundur të besoj. Unë kam pasur një bisedë me Evran këtë mëngjes dhe ai më tha se do t’ia shtrëngojë dorën pasi nuk ka pse të turpërohet dhe se dëshiron ta mbajë dinjitetin. Dhe më pas Suarez refuzon – ai është turpi i Liverpoolit”.
“Lojtari në fjalë nuk duhet të lejohet që të luajë më për Liverpoolin. Me tërë atë histori të atij klubi dhe ai bën këtë në këtë qytet – ai ka mundur të shkaktojë incidente. Ishte zhgënjyese ajo që kam parë nga ai djalosh. Ishte e tmerrshme ajo që ai bëri. Krijoi tension, a e keni parë gjyqtarin, ai nuk ka ditur çfarë të bëjë. E zuri të pa përgatitur dhe ishte mënyrë e tmerrshme për të filluar ndeshjen. U krijua atmosferë e tmerrshme”, deklaroi Ferguson pas fitores ndaj Liverpoolit.

AVB: Humbja më e keqe e sezonit

Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, ka thënë se humbja me rezultat 2-0 nga Evertoni është humbja më e keqe e sezonit për Blutë e Londrës dhe nuk ishte i sigurtë nëse ka parë diçka të mirë në këtë takim.
“Mendoj se ishte një prej ndeshjeve më të këqija të sezonit. Mendoj se ishte më e keqja në çdo sens të fjalës. Evertoni ishte fantastik dhe mendoj se po ngriten në formë”.
“Në performancën tonë nuk jam i sigurtë nëse kishte diçka të mirë. Është ditë e vështirë për ne dhe këtë duhet ta përmirësojmë në FA Cup dhe Ligën e Kampionëve”, potencoi portugezi. 

Allegri lëvdon guximin e lojtarëve

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se shpirti ekipor bëri që skuadra e tij të fitonte në ndeshjen e vështirë ndaj Udineses.
Rossonerët ishin në disavantazh prej një goli deri në minutën e 77-të, por në fund ata dolën fitimtarë.
“Mendoj se luajtëm një ndeshje të mirë. Filluam mirë, por u dënuam në pjesën e parë”.
“Në gjysmën e dytë u përmirësuam dhe treguam më shumë kurajë dhe rrezikuam më shumë”.
“Shpirti ynë bëri dallimin. Ishim të bashkuar, sidomos në gjysmën e dytë”, ka thënë Allegri.

Barca jashtë garës për titull

Barcelona e ka pësuar edhe humbjen e dytë të sezonit në La Liga, duke u mposhtur si mysafir i Osasunas me rezultat 3-2.
Vendasit krijuan avantazh të dyfishtë në pjesën e parë, ndërsa të dy golat mbanin firmën e të njëjtit lojtar, Dejan Lekic (5’ dhe 22’).
Pak minuta brenda gjysmës së dytë (51’), Blaugranët e ngushtuan diferencën me anë të Alexis Sanchez, mirëpo shumë shpejtë atë e riktheu, Raul Garcia, me golin e tretë të vendasve.
Cristian Tello shënoi një gol të bukur për ta dramatizuar pjesën e mbetur të takimit (73’), mirëpo mysafirët nuk arritën ta barazojnë rezultatin. Ndërsa vlen të përmendet një gol i anuluar për pozitë jashtë loje, vendim që do të hapë mjaft polemika kundrejt arbitrit të ndeshjes.
Kjo humbje e lë Barcelonën shtatë pikë prapa liderit Real Madrid, që e ka mundësinë ta shtojë edhe më shumë këtë diferencë me fitore eventuale kundër Levantes.

Milani tregon dhëmbët

Kampioni i Italisë në fuqi, Milan, ka regjistruar fitore prej 2-1 si mysafir i Udineses, edhe pse deri në minutën e 77-të ishte në disavantazh.
Antonio di Natale kaloi vendasit në epërsi (19’) dhe me këtë rezultat u mbyll gjysma e parë.
Vetëm në minutën e 77-të, Rossonerët e barazuan rezultatin përmes transferit të ri, Maxi Lopez.
Tre pikë të plota nga ky takim i siguroi Stephan El Shaarawy, i cili e shënoi golin e fitores pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit.
Pas kësaj fitoreje, Milani ngjitet në pozitën e parë në tabelë me dy pikë më shumë se Juventusi që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara

“Vizioni” i Qeverisë, i kotë

Kosova nuk ka nevojë për dokumente, por ka nevojë për implementimin e atyre që i ka.
Kështu thonë për “Zëri”, përfaqësues të partive opozitare dhe analistët politikë, derisa vlerësojnë dokumentin më të ri të Qeverisë për shtrirjen e autoritetit të Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit.
Ata janë skeptikë nëse me këtë dokument ekzistues ekzekutivi do të arrijë t’i shuajë strukturat paralele dhe ta integrojë edhe atë pjesë të vendit. Sipas tyre, me këtë “vizion” qeveria kosovare vetëm sa po e rrezikon Pakon e Ahtisaarit

Kosova në pat pozicion

Oferta për përfaqësim të Kosovës në nismat rajonale me emër që shoqërohet me fusnotën “1244 – Opinioni i GJND-së”, nuk do të pranohet nga Qeveria e Kosovës.
Këtë qëndrim të autoriteteve përgjegjëse vendëse ka shpërfaqur për “Koha Ditore” zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
“Ajo ofertë nuk pranohet”, ka thënë shkurt Kuçi, përmes një “sms”-je.
Ndërkohë, burimet ndërkombëtare kanë paralajmëruar se nëse deri nga fundi i javës së ardhshme pala kosovare nuk e pranon versionin që i është ofruar, atëherë gjasat janë që rreth datës 20 shkurt palët të thirren në një takim maratonik.
Të njëjta burime kanë njoftuar se Serbia tashmë është pajtuar me versionin e fundit që e ka nxjerrë ekipi i ndërmjetësit të BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, dhe se tash “topi” ka mbetur te pala kosovare.

Paralajmërimet e Gjeneralit

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Drews, ka deklaruar se konfliktet e mundshme në veri, për shkak të referendumit të paralajmëruar, duhet të parandalohen me të gjitha mjetet.
Ai ka prognozuar se madje 98 për qind e serbëve në referendumin e planifikuar do të votojnë kundër institucioneve të Kosovës, derisa ka theksuar se nëse nacionalistët shqiptarë do të ndihen të provokuar, do të mund të ketë konflikte me pakicën serbe në Jug.
“Kjo duhet të parandalohet me të gjitha mjetet”, ka thënë Drews, transmeton “Express”.
I pyetur se a administron ende Serbia me serbët e Kosovës, për shkak se referendumi mund të bllokojë kandidaturën e këtij shteti për anëtarësim në BE, Drews ka thënë se Beogradi edhe më tej financon jetën publike në Veri dhe me këtë Beogradi ka edhe ndikim te përfaqësuesit atje.
“Por interesat e serbëve në Veri të Kosovës, tani nuk po përputhen plotësisht me ato të Beogradit. Kompromiset që Beogradi po i bën, atyre nuk po u konvenojnë”.
“Ka forca të fuqishme politike, të cilat duan që atë pjesë ta mbajnë në Serbi. Njëkohësisht, banorët frikësohen se me marrjen e kontrollit kufitar nga BE-ja dhe policia e Kosovës, do t’i humbin burimet e të ardhurave të tyre - e ato janë para nga Beogradi dhe kontrabanda. Për këtë arsye, gjithmonë refuzimi ndaj integrimit shfaqet në nivelin politik, përmes rrjeteve ilegale”, ka thënë Drews.
I pyetur për praninë e trupave të KFOR-it, Drews ka thënë se kur bëhet fjalë për një bojkot të përgjithshëm në Londër ose Paris dhe shfaqen barrikadat, askujt nuk i shkon në mendje ideja që të mobilizojë divizionin e këmbësorisë.
“Por ne nuk jemi në Evropën Qendrore, por në Kosovë”, ka thënë ai, duke theksuar se edhe gjëra të tilla janë për KFOR-in.
Gjenerali ndërkaq ka kërkuar më shumë policë nga BE-ja për Kosovën.
“Një prani më e madhe policore mua do të më përshtatej, por diskutimet nuk sjellin asgjë, sepse prania e policisë evropiane varet nga gatishmëria e shteteve evropiane. Gatishmëria i ka kufijtë e vet, ashtu siç po e shohim çdo ditë këtë. Po ashtu, as Gjermania nuk e sheh veten në pozicion të tillë që të sjellë më shumë policë në dispozicion”, ka thënë Drews.
Një ditë më parë, Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka komentuar edhe për barrikadat në Veri duke thënë se ato kanë natyrë politike dhe simbolike, duke ritheksuar edhe një herë se trupat e NATO-s mund t’i heqin këto barrikada fizike vetëm me mjete ushtarake.
Mirëpo, sipas tij, me mjete ushtarake nuk mund të hiqen, siç i ka quajtur ai, “barrikadat mendore”.