Për shkak të gjendjes emergjente, në të cilën ndodhën shumica e komunave të vendit, nga reshjet e mëdha të borës dhe temperaturat e ulëta, LDK kërkon angazhim maksimal nga Qeveria e Kosovës dhe nga institucionet e tjera, për t’u dalë në ndihmë pushteteve lokale dhe qytetarëve.
“Për shkak të borës së madhe dhe mungesës së infrastrukturës së nevojshme, shumica e pushteteve lokale e kanë të pamundur që vetë të kalojnë këtë gjendje. Kjo vlen në radhë të parë për disa nga komunat e Rrafshit të Dukagjinit, si Istogu, Peja, Deçani, Juniku, Gjakova etj., të cilat, për shkak të borës që ka arritur deri në dy metra, janë pothuajse bllokuar tërësisht. Në këtë situatë, ndihma e Qeverisë është e domosdoshme, që të ndihmohet për hapjen e rrugëve dhe për zhbllokimin e vendbanimeve të bllokuara tash e sa ditë. Nëse gjendja mbetet e tillë, ekziston rreziku që të cenohet edhe më shumë siguria e qytetarëve të atyre komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.
Kjo parti, po ashtu, bën thirrje, që përpos institucioneve vendore dhe të pranisë ndërkombëtare, të ndihmojnë të gjitha kompanitë private që kanë makineri të nevojshme, si dhe vetë qytetarët, me aq sa ata do të kenë mundësi