Studentët e Fakultetit të Kulturës së Edukatës Fizike, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një hotel në Brezovicë si pasojë e reshjeve të mëdha të borës, tashmë kanë arritur të kalojnë bllokadën e rrugës dhe janë në rrugë e sipër për t’u kthyer në Prishtinë. Studentët nga Qendra e Skijimit, kanë arritur që pengesat deri në rrugë t’i kalojnë me ski dhe disa prej tyre në këmbë.
Aziz Dujaka, profesor në Fakultetin e Kulturës së Edukatës Fizike, i cili qe dhjetë ditë po i shoqëronte studentët e tij në kurset e skijimit në Brezovicë, ka thënë për Kosovapress se tashmë 190 studentët me katër autobusë, janë nisur dhe janë rrugës për në Prishtinë.
Sipas Dujakës, edhe pse studentët kanë qenë të bllokuar, gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur asgjë për t’u shqetësuar, përveç bllokimit të rrugës, gjë që ua ka pamundësuar atyre kthimin në Prishtinë një ditë më parë, siç e kishin planifikuar.