Presidentja vizitoi të mbijetuarën e tragjedisë

Presidentja Atifete Jahjaga e ka vizituar në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.

Gjatë vizitës, presidentja, e cila ishte e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën.
Jahjaga e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.
Ajo veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë.
Me këtë rast, presidentja Jahjaga ndau 10.000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.
“Është një tragjedi e rëndë humbja e jetëve të njerëzve si pasojë e ortekut të borës, një fatkeqësi elementare e paparashikueshme. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve. Ata do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale për të sanuar pasojat e kësaj fatkeqësie. Falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe banorët për gjithë ndihmën e ofruar në shpëtimin e jetëve dhe gjetjen e trupave. Kjo dëshmon solidaritetin e pakursyer të njerëzve që të gjenden pranë njëri-tjetrit në situata të tilla. U shpreh mirënjohje atyre për tërë angazhimin në këtë situatë të jashtëzakonshme që e ka kapluar fshatin Restelicë. FSK dhe PK treguan përkushtim dhe profesionalizëm dhe se janë të aftë të përballin situata të tilla, për çka janë trajnuar dhe aftësuar”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.