Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i ka shprehur ngushëllime ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, për humbjet e jetëve nga orteku në Restelicë të Dragashit.
MPJ e Shqipërisë ka bërë të ditur se Haxhinasto përmes një bisede telefonike me Hoxhajn, ka shprehur bindjen se në këto çaste hidhërimi të thellë e vështirësish të mëdha me të cilat po përballen familjet e të ndjerëve, Qeveria dhe i tërë populli i Kosovës po demonstrojnë një ndjenjë të lartë solidariteti, duke bërë maksimumin për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, si dhe gjithë banorëve të prekur nga ky mot i acartë.
Ai njëkohësisht shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për të dhënë ndihmën dhe asistencën e nevojshme në zonat më të prekura nga ky dimër i jashtëzakonshëm.