Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Erhard Drews thotë se autoriteti në veri të Kosovës nuk mund të shtrihet duke përdorur forcën, por siç thotë ai, duke e fituar respektin e banorëve atje.
Në një intervistë dhënë për Zërin, Drews thotë se kritikat ndaj KFOR-it, kinse nuk po e bën ashtu siç duhet punën, janë të pabaza.
Ai deklaron se KFOR-i nuk ka interes të merret me politikë, mirëpo sipas tij “shumë nga gjërat që bëjmë interpretohen politikisht, e kjo ndodh pasi jemi në një zonë me misione të politizuara”.
“Të fajësosh të tjerët nuk ndihmon këtu. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë shtuar prezencën në tërë Kosovën dhe, për fat të keq, ndonjëherë krimi nuk mund të parandalohet”, thotë ai.
Komandanti Drews njofton se KFOR-i është duke punuar në mbylljen e rrugëve alternative në veri të vendit dhe se nuk do të tërhiqet.
Për zgjedhjet e sotme serbe, thotë se NATO ka dërguar Batalionin 2 rezervë operativë si përforcim në rast se “përballemi me çfarëdo lloj kërcënimi dhe prishjeje të rendit e qetësisë së mjedisit”.
Institucionet e Kosovës publikisht janë ankuar jo vetëm në EULEX-in, por gjithashtu edhe në trupat e KFOR-it, se nuk po mbështesin shtrirjen e autoritetit në veri të vendit.
“Autoriteti nuk është diçka që mund të shtrihet apo të zbatohet me forcë, është diçka që duhet të fitohet”, thotë Drews.
Gjenerali gjerman mohon të ketë thënë se nuk duhet të përsëritet 25 Korriku i vitit të kaluar.
“Më vjen keq të them se unë jam keqinterpretuar në mënyrë vulgare. Në fakt është e kundërta: Unë kam besim të plotë në pjekurinë e Institucioneve dhe në njerëz. Sa i përket 25 Korrikut, unë nuk kam komentuar për të, mirëpo është prezantuar sikur kam komentuar. Citate të tilla të gabuara janë çmimi të cilin duhet paguar kur flisni me mediat”.