Zgjedhjet serbe pa incidente

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, të cilat po mbahen në Kosovë, deri më tani kanë kaluar pa ndonjë incident. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se procesi ka shkuar qetë, nuk është shënuar ndonjë incident dhe se situata e sigurisë në tërë Kosovën ka qenë në nivel.

“Procesi ka shkuar qetë dhe se gjatë ditës nuk ka pasur asnjë incident. Situatat e sigurisë në tërë Kosovën ka qenë në nivel dhe se OSBE-ja i ka kryer me korrektësi punët e veta deri tani. Ka pasur disa tendenca për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në Zveçan dhe Zubin Potok, siç kanë paralajmëruar. Kanë provuar nëpër objekte private, mirëpo ka qenë një numër shumë i vogël dhe se këto nuk paraqesin kurrfarë legjitimiteti. Procesi ka kaluar shumë mirë, përkundër analizave të ndryshme të cilat kanë parashikuar se do të ketë dhunë dhe probleme”, tha Rexhepi për Kosovapress
Megjithatë në kryeqytet, gjatë tërë ditës është vërejtur prani më e madhe e patrullave policore, Rexhepi pohoi se policia ka rritur nivelin e gatishmërisë, në mënyrë që kjo ditë të kaloi qetë dhe pa ndonjë incident.