Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë vendosur flamurin kombëtar në disa nga qendrat e votimit, ku sot votohet për të zgjedhur presidentin e Serbisë, deputetët dhe drejtuesit lokalë.
Agjencia “Presheva Jonë” bën të ditur se në disa qendra votimi në Luginën e Preshevës janë vendosur flamuj kombëtar dhe të Kosovës.
Gazetarët e agjencisë kanë fotografuar një lider shqiptar, i cili po votonte në zgjedhjet lokale serbe para flamurit kombëtar.
Pas votimit me të qeshur lideri i LPD-së Jonuz Musliu, mësohet të ketë thënë se “në 6 maj ka zgjedhje edhe Kosova edhe Serbia. Kjo këtu është Kosovë Lindore”.
“Ne këtu jemi shqiptarë dhe është drejtë e jona të dalim me flamurin tonë kombëtar në zgjedhje. Pardje në Tërnovc e Breznicë kemi parë automjetet policore me flamuj të Serbisë, të cilët rrethuan fshatrat tona shqiptare, i bastisën, i keqtrajtuan dhe arrestuan bijtë tanë. Tash ne shqiptarët nuk di pse duhet më ta përdorim atë flamur”, deklaroi kryetari i LPD-së Jonuz Musliu, njëherësh kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanovcit.