Kamishi: VV nuk pati fakte për gjyq

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën Kamishi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është tërhequr nga dërgimi i lëndës në gjykatë për arsye së është dorëzuar para fakteve. Ai për “Tribuna Shqiptare”, ka thënë se “është bërë shumë zhurmë për atë që e kam kërkuar nga Albin Kurti, që të jetë transparent”.
"Pas publikimit të një raporti të policisë nga disa media, Kurti e ka pasur edhe një obligim shtesë të jetë transparent edhe para opinionit publik. Nëse unë jam duke folur të pavërteta, le të më padisin edhe me fakte të ballafaqohemi në Gjykatë. Kjo është arsyeja se përse Kurti edhe Vetëvendosje nuk dëshirojnë të ballafaqohen me faktet”, ka deklaruar Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje, përpos Haxhiut, pati deklaruar se do të ngre padi edhe ndaj shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ky i fundit ka thënë se është i gatshëm që edhe në gjykatë të japë argumente shtesë, për ato që pretendon deputeti Haxhiu.

Tadic: Statusi i kandidatit e arritur e madhe, Kosova ende kusht

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka thënë të premten në një konferencë për media se dhënia e statusit të kandidatit për pranim në Bashkimin Evropian është një e arritur e madhe, por jo epokale.
Sipas tij epokale do të jetë kur Serbia ta kalojë kufirin magjik dhe të hyjë në BE me mundësi për të shfrytëzuar të gjitha potencialet dhe fondet.
Presidenti serb më tej theksoi se kushtet për fillimin e negociatave janë vazhdimi i dialogut për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, në fushë të energjetikës dhe telekomunikacionit, dhe funksionimi i EULEX-it dhe KFOR-it, në gjithë territorin e Kosovës, duke shtuar se “Serbia është e përkushtuar për realizimin e këtyre qëllimeve, ndërsa kusht është edhe vazhdimi i përmirësimit të bashkëpunimit dhe besimit me vendet e BE-së”. 

Kundërshtarët e fusnotës nuk janë antiamerikanë as antievropianë

Mbi dy mijë persona, nga mbi tre mijë të anketuar, nuk mendojë si kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në kohën e marrëveshjes me Serbinë, për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale, kundërshtarët e fusnotës i pati quajtur antiamerikanë dhe antievropianë.
Në anketën e realizuar nga Kosovapress, në pyetjen: A janë kundërshtarët e fusnotës antiamerikan dhe antievopianë, nga 3 223 respodentë, 2 274 prej tyre (71 për qind), janë shprehur se ata që kundërshtojnë fusnotën nuk janë antiamerikanë dhe antievropianë.
Deklarata se ata që janë kundër fusnotës janë antievropianë dhe antiamerikanë, u tha para disa ditësh nga kryeministri, Hashim Thaçi, i cili pranoi se Kosova në nismat rajonale do të përfaqësohet me fusnotën në të cilën, figuron rezoluta e KS të OKB-së 1244 dhe se askush nuk do lejohet ta pengojë këtë. 

UNMIK-u dorëzoi objektin e ish-Jugobankës

Zyrtarët e UNMIK-ut në Mitrovicë ia dorëzuan Komunës së Mitrovicës objektin e ish-Jugobankës, që e kanë shfrytëzuar prej përfundimit të luftës.
Siç njofton RTK-ja, çelësat e këtij objekti i pranoi kryetari i komunës, Avni Kastrati. 

Kryeziu: Kritikuesit e LDK-së janë satelitë të bukur

Ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka akuzuar institucionet për mungesë transparence, ndërsa ka thënë se opozita ka qenë krejtësisht e shkëputur dhe nuk ka ditur asgjë për marrëveshjen e përfaqësimit rajonal.
Në një intervistë për gazetën “Lajm”, Kryeziu ka deklaruar se gjërat nuk duhet të mbahen fshehtë, sepse dikur “s’kanë çare pa dalë në shesh, si bombë”.
“Nëse për kryeministrin Thaçi marrëveshja është jo e lezetshme, neve na duket pelin krejt”, ka thënë ai.
Deputeti Kryeziu ka thënë se po të ishte në vend të Dellit, nuk do të kishte guxuar ta quante antiamerikan një subjekt politik të përbërë nga shqiptarët e Kosovës.
Ndërsa, njerëzit që po përdorin këtë deklaratë të ambasadorit Dell kundër LDK-së, dhe të tjerët që “po kërkojnë ushqim nga të vdekurit e famshëm”, kryeziu i ka quajtur të pa vizion që mbështetën tek fuqitë e mëdha.
“Nuk janë gjë tjetër veçse satelitë të bukur”, thotë Kryeziu, sipas të cilit deklarata e Dellit nuk i përket politikës aktuale amerikane. 

Shtyhet debati për RTK-në

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë edhe për një javë shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për transmetuesin publik. Propozimin për këtë shtyrje e bëri zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic.
Propozimi i tij mori mbështetje të menjëhershme nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili tha se është konsultuar edhe me grupet tjera parlamentare.
“Jemi dakorduar që Ligji për RTK-në të shtyhet edhe për një javë me qëllim të koordinimit edhe të disa veprimeve që duhen në këtë ligji”, tha ai.
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se jo rrallë po ndodhë që të shkelen procedurat e Kuvendit. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, mendon që për një javë nuk do të zgjidhet çështja për të cilën do të diskutohet. Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, kërkoi që të mos ketë shtyrje të tjera përveç kësaj jave.

Pantic: Barrikadat nuk penguan në rrugën për BE

Kryetari i komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka shprehur kënaqësinë që Serbia ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, duke thënë se doli që barrikadat dhe serbët e Kosovës nuk ishin një pengesë, por ajo ishte njohja faktike e pavarësisë së Kosovës.
Pantic ka vlerësuar se tash është e qartë se kërkesa e vetme ishte që Qeveria e Serbisë de facto të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e Prishtinës të përfaqësohen në takime rajonale.
"Kjo është një tjetër dëshmi se kjo qeveri, në fund të mandatit të saj edhe pse do të duhej të guxonte, të lëshojë pe përballë presioneve dhe shantazheve të bashkësisë ndërkombëtare dhe ngadalë të heq dorë nga mbrojtja e Kosovës", ka thënë Pantic, për portalin serb Vestionline.
Ai shtoi se ditëve në vijim do të shihet nëse ky ishte veprimi i fundit i Qeverisë apo edhe Kryetarja e Parlamentit Serb, Slavica Djukic - Dejanovic do të vendosë të mos respektojnë Kushtetutën dhe nëse do të caktojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë.
Ai tha se nëse qeveria vendos për heqjen e institucioneve serbe në Kosovë, mijëra serbë do të transferojnë fëmijët në shkollat e Serbisë qendrore..
"Jo për 30 vjet, siç ka deklaruara kohët e fundit presidenti Boris Tadic, por serbët do të zhduken nga Kosova për tre vjet", tha ai.
"Serbët sërish janë mashtruar nga qeveria e tyre, e cila i detyron të jetojnë në një Kosovë të pavarur. Serbia heq dorë nga populli i saj dhe është koha e fundit që qeveria publikisht të deklarohet se çfarë do të bëjë me njerëzit që jetojnë në Kosovë, çfarë është fati ynë dhe a jetojmë në Serbi, apo në Kosovën e pavarur ", pyeti ai Pantic.
Kreu i komunës paralele të Mitrovicës shprehu bindjen se serbët në veri të Kosovës nuk do të paguajë doganën dhe maksimalisht do të angazhohen të anashkalojnë pikë kalimet kufitare dhe do të vazhdojë të përdorë rrugë alternative.

Personeli i EULEX-it kthehet prapa nga serbët

Në orët e mëngjesit një grup i serbëve kanë bllokuar rrugët magjistrale për qarkullim në drejtim të pikës kufitari 31, Bërnjak, për më tepër se një orë, për të kundërshtuar lëvizjen e automjeteve të EULEX-it.
Një situatë e ngjashme e vendosjes së bllokadës në rrugë dhe kundërshtimit të lejimit të qarkullimit të konvojit të veturave të EULEX-it, është regjistruar rreth orës 09:55min, në fshatin Banov Do të komunës Zveçan.
“Rreth orës 08:30min, një numër i personave, rreth tridhjetë prej tyre, banor të Zubin Potokut, të tubuar në fshatin Zupq të Zubin Potokut, konsiderohet të kenë mbajtur bllokimin e rrugës magjistrale për qarkullim në drejtim të pikës kufitari 31, Bërnjak, për më tepër se një orë, pasi të njëjtit kundërshtonin lejimin e lëvizjes së automjeteve të EULEX-it në atë drejtim”, thuhet në njoftim.
Vetura e parë e EULEX-it, me personel të monitoruesve dhe prapa tyre edhe gjashtë vetura të tjera të EULEX-it dhe një maunë që ishin nisur në drejtim të pikës kufitare 31, janë ndaluar nga grupi i personave të strukturuar, të cilët kanë obliguar personelin e EULEX-it të kthehen prapa në drejtim të Mitrovicës.
Po ashtu edhe konvoji i EULEX-it, me gjashtë vetura, një maunë dhe një kamion, janë penguar dhe ndaluar për qarkullim në drejtim të Zveqanit, pasi konvoji po kalonte nga rruga lokale që lidhë komunat Zubin Potok dhe Zveqan.
Konvoji i EULEX-it, është ndaluar nga grupi i rreth 70 personave të cilët kishin vendosur automjete të ndryshme si formë të pengesave fizike në rrugë. Thuhet se nuk është regjistruar për incidente tjera, ndërkaq Njësitë policore të stacioneve përkatëse janë në vend të ngjarjes. 

Drews: Veriu kërkon zgjidhje politike

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, ka thënë se kthimi i punëtorëve të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicën e veriut, do të bëhet atëherë kur të krijohen kushtet dhe të gjendet një zgjidhje politike për këtë rajon. Këtë komente ai i bëri gjatë një vizite që i bëri Komunës së Vushtrrisë.
I pyetur nga gazeta “Zëri” se kur do t’u krijohen kushte punëtorëve të Gjykatës që të kthehen në vendet e tyre të punës në veri të Mitrovicës, e të cilët që nga shpallja e pavarësisë janë vendosur në Vushtrri, komandanti i KFOR-it tha se kjo do të bëhet kur të gjendet një zgjidhje politike në veri.
“Një rifillim i suksesshëm i punës së Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, matanë Ibrit, mund të ndodhë atëherë kur të gjendet një zgjidhje politike, e cila do ta përfshinë edhe pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë gjenerali Drews.
Për më tepër, ai tha se drejtësia është shumë e varur nga besimi i qytetarëve dhe nga ambienti i sigurt, të cilat, sipas tij, tani mungojnë në veri.
“Drejtësia varet nga besimi i qytetarëve dhe nga një ambient i sigurt. Momentalisht nuk e kemi këtë gjendje atje”, ka deklaruar gjenerali Drews, pas takimit që kishte me kryetarin e Komunës, Bajram Mulaku. 

Beogradi mos t’i rris tensionet në veri

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Michael Davenport, ka thënë vlerësuar se shpallja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës nuk do t’i kontribuonte shmangies së tensioneve në atë zonë.
“Është me rëndësi që qeveria e Beogradi të shmangin ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës. Duhet peshuar nëse shpallja e zgjedhjeve lokale do t’i kontribuonte këtij qëllimi. Unë mendoj se jo”, ka thënë Davenport për RTV e Vojvodinës, transmeton QIK.
Ai ka rikujtuar se UNMIK-u qartë ka shprehur qëndrimin se mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës “nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare” dhe ka shtuar se “është me rëndësi që ta kuptojmë këtë”.
Davenport ka vlerësuar se marrja e statusit të kandidatit do të thotë “një fillim i ri për Serbinë”, duke vlerësuar se kjo do të forcojë mirëbesimin mes Serbisë dhe BE-së. 

FMN: BQE të shtojë likuiditetin

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) deklaroi se risqet për një rënie të fortë të ekonomisë globale janë reduktuar ndjeshëm, për shkak të masave politike të ndërruara nga Eurozona. Por kredituesi paralajmëroi se tashmë risqet për rënie në ekonominë globale janë të barabarta me shanset për rritjen e saj.
Në raportin e takimit të Ministrave të Financave të G20-ës të publikuar në ditën e Enjte, Fondi ka thënë se Eurozona duhet të veprojë me vendosmëri në shumë fronte për të garantuar suksesin në zgjidhjen e krizës së borxheve sovrane. “Risku kryesor mbeten politika që nuk drejtojnë europën në rrugën e ekuilibrit global dhe dështimi për të rregulluar divergjencat reale midis sektorit të financave dhe sektorit fiskal”, thotë FMN-ja.
Ndërsa për Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Japoni, Fondi thotë se ato duhet të jenë të gatshme për të përdorur mjetet e emergjencës në rast të përkeqësimit të situatës.

Mbështetja e për projektet Energjetike

Gjatë këtij muaji do të vij për një vizitë zëvendësdrejtori i Bankës Botërore për të ofruar përkrahjen e këtij institucioni financiar ndërkombëtarë për projektet energjetike të vendit. Kjo është bërë e ditur pas takimit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi me përfaqësuesin e Bankës Botërore, Jane Peter Olters.
Sipas një njoftimi të Kuvendit për media, kryeparlamentari Krasniqi është njoftuar për vizitën që do ta ketë në Kosovë zëvendësdrejtori i Bankës Botërore, Philipe Le Houerou, në kuadër të përgatitjes së marrëveshjes për mbështetjen e projekteve energjetike të Kosovës.
Po ashtu ai është njoftuar nga përfaqësuesi i Bankës Botërore, Jane Peter Olters, për strategjinë energjetike për katër vitet e ardhshme të Bankës Botërore dhe për vizitën që do ta ketë gjatë muajit mars në Kosovë, zëvendësdrejtori i Bankës Botërore, Philipe Le Houerou, në kuadër të përgatitjes së marrëveshjes për mbështetjen e projekteve energjetike të vendit tonë.
Olters ka pohuar interesimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projekteve energjetike në Kosovë mbi bazën e linjitit, të cilat, sipas ekspertëve të kësaj banke, nuk janë në kundërshtim me parimet bazë kundër ngrohjes globale.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e ka vlerësuar të rëndësishme për Kosovën vizitën e Philipe Le Houerou, kurse e ka përshëndetur përkushtimin e Bankës Botërore për t’i mbështetur, në formë subvencionesh, projektet energjetike në Kosovë.
Bashkëbiseduesit në këtë takim janë pajtuar se gjatë vizitës në Kosovë Le Houerou të ketë takim edhe me të përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të sqarohen politikat e Bankës Botërore dhe prioritetet e këtyre partive, si parakusht për një ratifikim të suksesshëm të marrëveshjes eventuale ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore.

Me apo pa fusnotë në BERZH?

Ende nuk dihet saktë se në çfarë forme do ta nënshkruajë Kosova anëtarësimin e saj në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, siç është Banka Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) apo Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Marrëveshja për bashkëpunim rajonal ndërmjet Kosovës e Serbisë - e arritur në raundin e fundit të dialogut ndërmjet palëve, ka ngritur dilema të mëdha rreth asaj se si do ta nënshkruajë Kosova këtë anëtarësim.
Ekspertët shprehin bindjen se në dokumentet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, Kosova do të figurojë pa termin “Republikë” dhe me një fusnotë që përmban rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë-ashtu siç u pajtuan së fundi palët në Bruksel. “Për shkak të vendeve anëtare nëpër këto organizata që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, zgjidhja do të jetë me fusnotë”, thekson drejtori i Institutit “Riinveset”, Lumir Abdixhiku.
Ndërkaq, këshilltari në Ministrinë e Financave, Mendres Ibra, thotë se anëtarësimi i Kosovës në BERZH do të bëhet si Republika e Kosovës. “Sa i përket çështjes së formës se si do të jetë, synimi i Qeverisë është që të jetë njëjtë si kemi aplikuar për të qenë anëtare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Çështja e fusnotës dhe bisedimet që janë bërë kohëve të fundit, kanë folur për nismat rajonale dhe janë organizata rajonale që i përkasin ministrive tjera. BERZH-i nuk është një organizatë e tillë rajonale, por është një organizëm shumë më i gjerë”, thekson Ibra.
Sidoqoftë, marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe, sipas Abdixhikut nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata ndërkombëtare financiare.
Ai thotë se, parimisht, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk varet nga dialogu, por nga kriteret e parapërcaktuara dhe relacioneve bilaterale me këto organizata. “Përveç anëtarësimit, Kosova do të ketë mjaft sfida drejt përmbushjes së kritereve të përfitimeve të fondeve. Në një rast më optimal, Kosova do të përfitonte më së shumti nga BERZH-i fondet e së cilës do të ishin të domosdoshme për investime kapitale që i ka Kosova”, thekson Abdixhiku.
Vet në BERZH thonë se, pas aplikimit të Kosovës në këtë mekanizëm, do të vlerësohen hapat e mëtejmë për t’i ndërmarrë vendimet përkatëse.
Përmes një deklarate me shkrim që i dërgoi Radios Evropa e Lirë, Svitlana Pyrkalo, nga zyra për informim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në BERZH, dhe sipas saj, kur të jetë bërë ky aplikim, anëtarët e BERZH-it (63 shtete dhe dy organizata ndërkombëtare) do të vendosin për veprimet e mëtejme.
Autoritetet kosovare kishin deklaruar më parë, se anëtarësimi i Kosovës në BERZH do të bëhej në muajt e parë të vitit 2011, ndërsa të mërkurën ata shprehën bindjen se gjatë këtij muaji Kosova do të aplikojë BERZH si Republikë e Kosovës, dhe se do t’i respektojë procedurat e rregullta për anëtarësim.
Përmbushja e kritereve të nevojshme ishte parakusht edhe për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botëror, anëtar i së cilave ,vendi u bë në vitin 2009.

Kroacia rrit TVSH-në në 25 %

Niveli i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në Kroaci u rrit nga 23 në 25 për qind. Kjo rritje e kësaj shkalle tatimore paraqet shkallën e dytë për nga madhësia në Evropë.
Nivel vlen për të gjitha mallrat dhe shërbimet me përjashtim të vajit dhe yndyrave, ushqimit për fëmijë dhe ujit, të cilat kanë një shkallë TVSH-je prej 10 për qind.
Ekspertët presin që shkalla e re e TVSH-së të rezultojë me rritjen e çmimeve të një numri të madh mallrash dhe shërbimesh nga 1.5 deri 2.5 për qind.
Në shtatë ditët e ardhshme pritet edhe rritje e çmimeve të karburanteve, së pari për shkak shkallës së lartë të TVSH-së dhe së dyti në suazën e harmonizimit me çmimin e naftës në bursat botërore. 

Guardiola afër vazhdimit të kontratës me Barcës

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, raportohet se është afër të nënshkruajë kontratën e re me klubin, raporton e përditshmja, El Periodico de Catalunya.
Gazeta spanjolle shkruan se Guardiola dhe asistenti i tij, Tito Vilanova, janë takuar me presidentin e Barcës, Sandro Rosell, dhe zyrtarët Andoni Zubizarreta dhe Josep Maria Bartomeu, gjatë të mërkurës, për të diskutuar marrëveshjen e re gjatë darkës.
Mendohet se e vetmja gjë që ende mbetet e pasqaruar është kohëzgjatja e kontratës së Guardiolës. Barcelona raportohet se dëshiron të nënshkruajë marrëveshje dyvjeçare për të parandaluar një situatë të ngjashme vitin e ardhshëm, derisa 41-vjeçari dëshiron vetëm kontratë njëvjeçare.
Gjatë disa javëve të kaluara, disa lojtarë të Barcelonës i kanë bërë thirrje Guardiolës të vazhdojë qëndrimin e tij në Camp Nou.
Trajneri spanjoll ka fituar 13 tituj që kur është caktuar në drejtim të skuadrës së parë të Barcelonës, në vitin 2008.

Pearce: Euro më e vështirë se Botërori

Trajneri i përkohshëm i Anglisë, Stuart Pearce, e vlerëson kampionatin evropian si një garë më të vështirë se Kupën Botërore.
Anglia është caktuar në grup me Francën, Ukrainën dhe Suedinë, një grup shumë më i vështirë se sa do të kishte mundur të jetë në një Kupë Botërore.
“Franca është këtu, ukrainasit luajnë në shtëpi të tyre dhe të dukshëm janë edhe suedezët. Një gjë që Kupa Botërore e ka është se aty ke një ndeshje kundër një kombi më të vogël, që ju lejon juve të merrni veten në moment duke dalë nga grupi”.
“Në Euro ju duhet të vraponi. Dhe të mos bëni gabime, me Francën në ndeshjen e parë ne duhet të lëvizim shumë shpejt”, ka thënë Pearce.

Cesc nuk ka shpresa për titullin

Mesfusghori i Barcelonës, Cesc Fabregas, thotë se ata duhet ta harrojnë titullin e La Ligës këtë sezon.
Cesc mendon se avantazhi i Real Madridit, që ka arritur në dhjetë pikë, është shumë i madh dhe i paarritshëm.
“Ne duhet të jemi realistë – ta arrijmë Madridin në ligë është po thuajse e pamundshme. Ne duhet të fokusohemi në Kupë dhe në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Cesc. 

Cruyff: Xavi më i mirë se Messi

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, e vlerëson mesfushorin Xavi Hernandez mbi sulmuesin Lionel Messi.
Holandezi mendon se Xavi është më vendimtar për skuadrën se sa argjentinasi.
”Lojtari më i mirë në botë nuk ekziston pasi ka aq shumë pozita të ndryshme. Ka lojtarë spektakolar si Messi”.
“Por nëse shihni një djalosh si Xavi, i cili e kontrollon topin dhe menaxhon ritmin e ndeshjes, ai po ashtu është një lojtar i shkëlqyeshëm, por krejtësisht i ndryshëm nga Messi”.
“Është shumë vështirë të thuash kush është më i mirë. Më spektakolar është Messi, por më i miri është Xavi”, ka thënë Cruyff për ESPN. 

Milani i gatshëm ta shesë Paton

Milani raportohet se është duke u përgatitur ta shndërrojë në para sulmuesin Alexandre Pato.
Corriere dello Sport shkruan se klubi kishte qenë i gatshëm t’ia shesë atë Paris Saint-Germain që në janar, por kishte qenë sulmuesi që kishte refuzuar transferimin.
Milani nuk ka qenë në gjendje të llogarisë shumë në të riun brazilian të shoqëruar nga lëndimet, dhe ai tashmë ka pësuar lëndimin e 13-të që nga viti 2010.
PSG pritet të rikthehet në garë për Paton gjatë verës dhe Rossonerët nuk do ta bllokojnë largimin e tij. 

Gasperini: Inter s’mund të më fajësojë tash

Ish-trajneri i Interit, Gian Piero Gasperini, thotë se klubi i tij i vjetër tash nuk mund ta fajësojë atë për problemet aktuale.
“Ishte pesë muaj e gjysmë më parë dhe klima rreth klubit tash ka ndryshuar. Nëse shikojmë prapa, kishte më shumë pritje, por tash mund të shoh se ka më shumë kuptueshmëri të vështirësive me të cilat unë përballesha”.
“Këto vështirësi më pas nxitën gjithë atë çfarë ndodhi. Kishte fjalë se ku do të ishte Interi nëse Ranieri do të ishte në detyrë që nga vera, por arsyetimi i fillimit të keq tashmë nuk qëndron”, ka shpjeguar Gasperini për Sky Sport Italia. 

NBA: Durant shkëlqen në fitoren e Thunder

Kevin Durant ka udhëhequr skuadrën lidere të NBA-së, Oklahoma Thunder, në fitoren e shtatë të njëpasnjëshme, kësaj here ndaj Orlando Magic.
Durant tregoi një paraqitje fenomenale në çerekun e katërt, kur shënoi 18 nga 38 pikët e tij, për t’i dhënë skuadrës fitoren 105-102 në këtë udhëtim.
Thunder ishin në disavantazh prej 14-pikësh, por shijuan një seri 29-7 në çerekun e fundit për të përmbysur rezultatin.
Russell Westbrook shënoi 29 pikë të tjera për Thunder dhe kontribuoi edhe me 10 asistime, derisa James Harden shënoi 13 pikë i inkuadruar nga karrigia e rezervave.

Abidal dy javë jashtë fushe

Barcelona ka zbuluar në faqen zyrtare se Eric Abidal do të jetë për së paku 10 ditë jashtë fushe për shkak të një problemi në ijë.
32-vjeçari u rikthye te Barca me ankesa fizike, pasi kishte luajtur 90 minuta të plota në fitoren 2-1 të Francës ndaj Gjermanisë.
Abidal iu është nënshtruar skanimeve të enjten, të cilat zbuluan një lëndim të lehtë në ije që do ta lërë atë jashtë fushe për po thuajse dy javë.
Kjo do të thotë se francezi do të mungojë në ndeshjen e La Liga kundër Sporting Gijon dhe Racing Santander, ndërsa po ashtu mund të mungojë edhe në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve, kundër Bayer Leverkusen. 

Pedro: Lojtarët në mbështetje të Pep

Pedro thotë se lojtarë e Barcelonës dëshirojnë që Pep Guardiola të qëndrojë në klub dhe se të gjithë janë në mbështetje të tij.
“Është e qartë se ne të gjithë do të qëndrojnë në krah të tij për ta mbështetur, ne jemi të sigurt se ai do ta rinovojë kontratën, se ai do të vazhdojë më tej”.
“Ai është një person shumë i rëndësishëm për klubin, ai di si të punojë. Mendoj se të gjithë tifozët e Barcelonës e duan atë dhe shpresoj ai të rinovojë ta më parë”.
“Siç thash, ai e ka fjalën e fundit. Ai duhet të vendosë, por ne kemi nevojë ta mbështesim atë dhe shpresojmë për një lajm pozitiv, sigurisht”, ka thënë Pedro. 

M’Gladbach pas Granit Xhakës M’Gladbach pas Granit Xhakës

Drejtori sportiv i klubit të Bundesligës, Borussia Monchengladbach, Max Eberl, ka përcjellë 19-vjeçarin e Baselit, Granit Xhaka, gjatë fitores minimale të skuadrës zvicerane përballë Bayern Munich javën e kaluar, shkruan Sport-Bild.
I riu shqiptar është lidhur me klubin gjerman edhe në të kaluarën, së bashku me shqiptarin tjetër të Baselit, Xherdan Shaqiri, i cili tashmë ka nënshkruar me Bayern Munichun.
Besohet se klubi gjerman dëshiron t’i investojë në përforcime të reja 17 milionë eurot të cilat i fitoi nga shitja e Marco Reus te Borussia Dortmund dhe Xhaka është një prej caqeve kryesore.
Megjithatë, Gladbach do të ketë konkurrencën e Hamburgut, që po ashtu raportohet se është duke përcjellë Xhakën. Hamburg madje ka një përafrisë, pasi drejtohet nga trajneri THorsten Fink, i cili kishte punuar me Xhakën te Baseli.
Ndër stacionet e mundshme të Xhakës përmenden edhe Bayern Munich si dhe skuadra angleze Manchester United.

Cambiasso: Periudhat e mira nuk zgjasin përgjithmonë

Mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso, thotë se skuadra e tij e tashme është shumë më ndryshe nga ajo që fitoi pesë Scudetto një pas një.
“Sot realiteti është më ndryshe, ne duhet të djersitemi siç bëmë kur fitonim me qëllimin për të dalë nga ky moment”.
“Fatkeqësisht, është normale për fansat të mendojnë keq për ne tash. Ju nuk mund të kërkoni më shumë kur gjërat shkojnë mirë, por ne e dimë se në futboll periudhat e mira nuk zgjasin përgjithmonë”.
“Ne e analizojmë këtë krizë në dhomën e veshjeve, por jam i sigurt se e vetmja mënyrë për të dalë nga situata është të punojmë fuqishëm dhe t’i shohim gabimet që i kemi bërë”.
“Secila ndeshje që e kemi humbur ka qenë ndryshe. Ne tash duhet të luajmë mirë për të siguruar rezultate të mira, përndryshe gjithçka do të jetë e pavlefshme”, ka thënë argjentinasi për Sky Sport Italia. 

NRG Band në Balkan Music Awards

Kënga “Rina Ringa” nga grupi NRG Band do të jetë konkurrente në “Balkan Muzic Awards“.
Sipas “Kosova Sot” kënga e grupit “Rina Rina” thuhet se do të jetë konkurrente në ndarjet e çmimeve në “Balkan Music Awards”, madje flitet se do të jetë kënga e përzgjedhur nga organizatorët e këtij evenimenti ballkanik që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës.
Artistët shqiptarë që e kanë provuar këtë ngjarje muzikore janë Flori Mumajesi, Elvana Gjata, Aurela Gaçe dhe Aureli, të cilët në organizimet e kaluara kishin përfaqësuar Shqipërinë.
Balkan Music Awards organizohet kah mesi i këtij muaji në Bullgari. 

Linda Halimi shpërngulet në Amerikë

Këngëtarja Linda Haimi është duke u përgatitur që në fillim të majit të shpërngulet në Amerikë.
Linda gjatë një prononcimi për Telegrafi ka pohuar se në karrierën e saj do të ketë shumë ndryshime. Por ajo ka hezituar të japë më shumë detaje rreth këtij ndryshimi.
“Ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme në karrierën time, e që do ta kuptoni shpejt arsyen. Më 27 mars mbyllen profilet e mija në Facebook, përveç Fan Page që do ta kontrolloj herë pas here e do të lajmëroj për gjithçka te re, e që do të ketë shumë. Do të lajmërohem shumë shpejt nga Amerika, me te rejat e fundit”, është shprehur Linda.
Këngëtarja kosovare, e cila bëri famë pasi triumfoi në festivalin e muzikës shqiptare Top Fest 6 në vitin 2009, muajin e kaluar është fejuar, por ende nuk ka zbuluar emrin e të fejuarit të saj. 

Dëshira e çmendur e Fjolla Morinës

Pas dilemës së më hershme në lidhje me ngjyrën e flokëve, Fjolla Morina tani ka një tjetër dëshirë, kësaj radhe edhe më “agresive” - t’i prese ato fare.
Këngëtarja seksi nga Kosova dëshiron të bëhet tullace. Këtë dëshirë të sajën ajo e ka diskutuar edhe me fansat e saj në rrjetin social Facebook.
Me këtë komente, këngëtarja ndoshta edhe ka dashur të bëjë edhe pak shaka, shkruan Standard.

Arjola: Dua të dal këtë javë

Konkurrentja e Big Brother Albania 5, Arjola, është shprehur tejet e mërzitur me jetën në shtëpi dhe ka kërkuar që të dalë nga shtëpia më e madhe në Shqipëri.
“Dua të dal, unë dua të dal këtë javë, nuk mundem më kështu”, u shpreh Arjola gjatë një bashkëbisedimi me Edgarin, i cili me anë të përvojës së tij e këshilloi Arjolën e cila po ndihet tepër e ngacmuar nga konkurrentët tjerë për Elvisin.
“Ti nuk vërteton gjë me daljen tënde. Duhet të qëndrosh në shtëpi për t’u vërtetuar të tjerëve se nuk të intereson Elvisi. Kur nuk të djeg diçka, injorimi është zgjidhja”, përfundoi Edgari. 

Femrave u pëlqejnë meshkujt e “këqij”

Një studim i bërë nga Universiteti British Columbia ka treguar se femrave u pëlqejnë meshkujt e “këqij” me dukje të padisponuar të fytyrës dhe me fodullëk. Ndërsa meshkujt pëlqejnë të kundërtën te femrat- buzëqeshjen e madhe në fytyrë.
Autorët e studimit thonë se meshkujt dhe femrat e perceptojnë ndryshe atraktivitetin seksual. Femrave nuk u pëlqejnë djemtë e mirë dhe të buzëqeshur, por ato më shpesh joshen nga meshkujt jo të rregullt dhe të rrezikshëm.
Edhe pse kudo në botë buzëqeshja konsiderohet si armë kryesore për lënien e përshtypjes së parë, megjithatë duket se meshkujt nuk duhet ta shfrytëzojnë atë, pasi që femrat i preferojnë ata të cilët nuk duken edhe aq të gëzuar.
“Duket se femrave u pëlqejnë meshkujt krenarë me dukje të lehtë arrogante në fytyrë, sepse lënë të kuptohet se kanë status të mirë, janë kompetentë dhe mund të jenë parterë të mirë, por edhe prindër të mirë. Meshkujt me buzëqeshje japin mesazh se nuk janë dominues, ndërsa femrave u pëlqejnë meshkujt dominues”, thonë autorët e studimit.

Antidepresivët, ‘alarm” për shtatzënat

Rezultatet e një studimi në Danimarkë kanë rezultuar se foshnjat që lindin nga nënat që marrin ilaçe kundër depresionit gjatë shtatzënisë, kanë një vështirësi më të madhe për t’u zhvilluar se të tjerët.
Mesatarisht, këta fëmijë janë në gjendje për t’u ulur për rreth 16 ditë me vonesë dhe të ecin një muaj më vonë se kolegët e tyre. Por ndikimi prek edhe hapat në fushën e gjuhës, sociale, zhvillimit motorik si dhe aftësinë për të ecur.
Rezultatet e këtij studimi janë botuar në revistën “Pediatrics”, duke alarmuar kështu shumë nëna, të cilat bëhen pre e shumë ilaçeve antidepresive gjatë periudhës së shtatzënisë. 

Interesim i madh për Windows 8 CP

Lëshimi në distribucion nga Microsoft i versionit Consumer Preview i të ardhshmit Windows 8 siç pritej tërhoqi interesim të madh. Kompania përmes Twitterit lajmëroi se 24 orë nga paraqitja Windows 8 CP u shkarkua nga një milion njerëz në mbarë botën.
Edhe pse ka funksionalitet më të madh në krahasim me Developer Preview të vitit të kaluar, versioni CP i Windows 8 ende i dedikohet kryesisht testimit dhe zbulimit të risive të ndryshme të cilat mund të presim të paraqiten në versionin final të këtij sistemi operativ. Të interesuarit të cilët ende nuk kanë shkarkuar ekzemplarin e tyre të Windows 8 CP (në versionin 32- ose 64-bitësh) mund ta bëjnë atë nga faqet zyrtare

Arsimtarja e palodhshme

Amerikania Lois Hayes edhe pas pensionimit ka mbajtur kontakt me të gjithë nxënësit e saj nga shkolla fillore, duke iu dërguar atyre urime të shkruara për ditëlindje.
66-vjeçarja dërgon nga 400 urime secilin vit, ndërsa thotë se këtë e bën në mënyrë që nxënësit e saj të ndjehen të veçantë.
“Mua më bën të lumtur fakti që ta kujtoj dikë se sa i mrekullueshëm dhe sa i veçantë që është. Më kthen kujtime për ditët e bukura kur kam punuar me ata”, citon Huffington Post fjalët e Hayes.
Ajo ka thënë se blen kartolina dhe të gjithëve u shkruan nga zemra.
Të gjitha adresat i ka marrë pas çdo përfundimi të klasave, ndërsa pohon se është jashtëzakonisht e lumtur që ka qenë pjesë e edukimit dhe rritjes së 400 fëmijëve. 

Padit gruan pse ka qenë e shëmtuar – del fitues!

Kinezi Jian Feng u martua me një femër të bukur dhe jetuan të lumtur derisa u lindi fëmija i parë.
Fëmija ishte “i shëmtuar” dhe nuk u ngjante prindërve, prandaj Feng mendoi se gruaja e kishte tradhtuar, edhe atë më keq - me një mashkull të shëmtuar.
Gruaja e tij, duke tentuar ta bindë se nuk e ka tradhtuar, ia ka treguar disa fotografi të saja para ndërhyrjeve të mëdha estetike, të cilat e kishin bërë të bukur.
Mirëpo, Feng ‘u çmend’ kur mësoi se si është dukur gruaja e tij më parë. Kërkoi divorc dhe 120.000 dollarë dëmshpërblim.
Gjykata vendosi në favor të burrit, sepse “gruaja është bërë sikur dikush tjetër dhe duke e mashtruar e ka shtyrë në martesë”.
Kështu, gruaja në fjalë, përveç 100.000 dollarëve të shpenzuar në ndërhyrjet estetike, duhet t’i paguajë tashmë ish-burrit të saj edhe 120.000 dollarë të tjerë.

Qeni që ruan biçikletën

Qeni me emrin Li Li është bërë i famshëm në Nanning të Kinës për shprehinë e tij që të ruajë biçikletën e pronarit të tij.
Luo Wencong nuk ka nevojë për ta bllokuar biçikletën, sepse qeni i tij gjithmonë kujdeset për të. Për këtë shprehi të tij, banorët lokalë e quajnë Li Li “qeni që përqafon biçikletën”.
Sipas pronarit, qeni është aq i mençur saqë mund të numërojë, të mbajë shporta gjatë blerjes dhe të hedhë mbeturinat.
“Kudo që e lë biçikletën time, ai e mbërthen me këmbët e përparme për ta parandaluar vjedhjen”.
“Ai është qen shumë i mençur. Unë flas me të gjithë kohën dhe ai më kupton shumë mirë”, ka thënë Luo Wencong, duke shtuar se i kanë ofruar rreth 1.200 euro për ta shitur, por ai kishte refuzuar. 

Sa është i lartë Mont Everesti?

Nepali është në kërkim të mjeteve financiare dhe teknike nga donatorët ndërkombëtarë për ta matur sërish lartësinë e Mont Everest dhe të zgjidhë kontestin me Kinën rreth lartësisë së majës më të lartë në botë.
Nepali është në “luftë” me fqinjin verior rreth lartësisë së saktë të majës malore, e cila për herë të parë është matur në vitin 1856.
Ky vend shfrytëzon matjen nga viti 1954 (që e kanë bërë alpinistët nga India), sipas të cilës, Mont Everest është i lartë 8.848 metra së bashku me borën që e mbulon.
Nga ana tjetër, Kina pohon se alpinistët dhe ekspertët kinezë, të cilët janë ngjitur në Mont Everest në vitin 2005, kanë vlerësuar se lartësia e malit më të lartë në botë është 8.844,43 metra (rreth 3.7 metra më ulët).
Nga Byroja e Statistikave në Kathmandu (kryeqyteti i Nepalit) kërkojnë mbështetje ndërkombëtare në mënyrë që të caktohet lartësia e saktë e këtij mali.
Sipas ekspertëve të Shoqatës së gjeografisë Kombëtare në Washington dhe Muzeut të shkencave në Boston, të cilët në vitin 1999 e kanë matur me anë të teknologjisë satelitore, Mont Everest është i lartë 8.850. Megjithatë ata nuk kanë mundur ta përcaktojnë sa është i lartë vetëm mali, pa dëborën mbi të.
Ndryshe, tetë nga 14 majat më të larta në botë, përfshirë edhe Mont Everestin, gjenden në Nepal ose përgjatë kufirit të këtij vendi me Kinën dhe Indinë.