Pantic: Barrikadat nuk penguan në rrugën për BE

Kryetari i komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka shprehur kënaqësinë që Serbia ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, duke thënë se doli që barrikadat dhe serbët e Kosovës nuk ishin një pengesë, por ajo ishte njohja faktike e pavarësisë së Kosovës.

Pantic ka vlerësuar se tash është e qartë se kërkesa e vetme ishte që Qeveria e Serbisë de facto të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e Prishtinës të përfaqësohen në takime rajonale.
"Kjo është një tjetër dëshmi se kjo qeveri, në fund të mandatit të saj edhe pse do të duhej të guxonte, të lëshojë pe përballë presioneve dhe shantazheve të bashkësisë ndërkombëtare dhe ngadalë të heq dorë nga mbrojtja e Kosovës", ka thënë Pantic, për portalin serb Vestionline.
Ai shtoi se ditëve në vijim do të shihet nëse ky ishte veprimi i fundit i Qeverisë apo edhe Kryetarja e Parlamentit Serb, Slavica Djukic - Dejanovic do të vendosë të mos respektojnë Kushtetutën dhe nëse do të caktojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë.
Ai tha se nëse qeveria vendos për heqjen e institucioneve serbe në Kosovë, mijëra serbë do të transferojnë fëmijët në shkollat e Serbisë qendrore..
"Jo për 30 vjet, siç ka deklaruara kohët e fundit presidenti Boris Tadic, por serbët do të zhduken nga Kosova për tre vjet", tha ai.
"Serbët sërish janë mashtruar nga qeveria e tyre, e cila i detyron të jetojnë në një Kosovë të pavarur. Serbia heq dorë nga populli i saj dhe është koha e fundit që qeveria publikisht të deklarohet se çfarë do të bëjë me njerëzit që jetojnë në Kosovë, çfarë është fati ynë dhe a jetojmë në Serbi, apo në Kosovën e pavarur ", pyeti ai Pantic.
Kreu i komunës paralele të Mitrovicës shprehu bindjen se serbët në veri të Kosovës nuk do të paguajë doganën dhe maksimalisht do të angazhohen të anashkalojnë pikë kalimet kufitare dhe do të vazhdojë të përdorë rrugë alternative.