Nepali është në kërkim të mjeteve financiare dhe teknike nga donatorët ndërkombëtarë për ta matur sërish lartësinë e Mont Everest dhe të zgjidhë kontestin me Kinën rreth lartësisë së majës më të lartë në botë.
Nepali është në “luftë” me fqinjin verior rreth lartësisë së saktë të majës malore, e cila për herë të parë është matur në vitin 1856.
Ky vend shfrytëzon matjen nga viti 1954 (që e kanë bërë alpinistët nga India), sipas të cilës, Mont Everest është i lartë 8.848 metra së bashku me borën që e mbulon.
Nga ana tjetër, Kina pohon se alpinistët dhe ekspertët kinezë, të cilët janë ngjitur në Mont Everest në vitin 2005, kanë vlerësuar se lartësia e malit më të lartë në botë është 8.844,43 metra (rreth 3.7 metra më ulët).
Nga Byroja e Statistikave në Kathmandu (kryeqyteti i Nepalit) kërkojnë mbështetje ndërkombëtare në mënyrë që të caktohet lartësia e saktë e këtij mali.
Sipas ekspertëve të Shoqatës së gjeografisë Kombëtare në Washington dhe Muzeut të shkencave në Boston, të cilët në vitin 1999 e kanë matur me anë të teknologjisë satelitore, Mont Everest është i lartë 8.850. Megjithatë ata nuk kanë mundur ta përcaktojnë sa është i lartë vetëm mali, pa dëborën mbi të.
Ndryshe, tetë nga 14 majat më të larta në botë, përfshirë edhe Mont Everestin, gjenden në Nepal ose përgjatë kufirit të këtij vendi me Kinën dhe Indinë.