Kuvendi i Kosovës ka shtyrë edhe për një javë shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për transmetuesin publik. Propozimin për këtë shtyrje e bëri zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic.
Propozimi i tij mori mbështetje të menjëhershme nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili tha se është konsultuar edhe me grupet tjera parlamentare.
“Jemi dakorduar që Ligji për RTK-në të shtyhet edhe për një javë me qëllim të koordinimit edhe të disa veprimeve që duhen në këtë ligji”, tha ai.
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se jo rrallë po ndodhë që të shkelen procedurat e Kuvendit. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, mendon që për një javë nuk do të zgjidhet çështja për të cilën do të diskutohet. Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, kërkoi që të mos ketë shtyrje të tjera përveç kësaj jave.