EULEX ia dhuron 23 vetura Ministrisë së Drejtësisë

Misioni i EULEX-it bëri dorëzimin e 23 veturave si donacion për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ceremonia e pranim-dorëzimit të veturave u bë nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac.
Në një fjalim rasti, de Marnhac tha se ka shumë mënyra në të cilat EULEX-i mund të ndihmojë institucionet e Kosovës për të përmirësuar kapacitetet e tyre që të mund të kryejnë detyrat sa më lehtë.
“Ne mund ta bëjë këtë përmes mentorimit, monitorimit dhe këshillimit, mund ta bëjë këtë përmes trajnimit, por ne mund ndihmojmë, sikur që jemi duke e bërë sot, duke siguruar pajisje shtesë që me vlerë të konsiderueshme për këto institucione pasi që kanë nevojë për to”, tha de Marnhac.
Duke e konsideruar këtë dhuratë si të nevojshme dhe e domosdoshme për ngritjen e kapaciteteve në Ministrinë e Drejtësisë, në veçanti për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Kuçi tha se Ministria e Drejtësisë do t’i shfrytëzoj me nikoqirllëk këto vetura, me kujdesin më të madh, pasi që siç tha ai, “është edhe në politikë të tij të mos blej vetura”. 

Serbia i kërkon UNMIK-ut marrëveshje për zgjedhjet

E ashtuquajtura Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka kërkuar nga shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, që në bashkëpunim me këtë mision të arrijë marrëveshje për mënyrën e zbatimit të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.
“Zgjedhjet janë shpallur në tërë territorin e Serbisë. Duke marrë parasysh se Kosova është nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, në përputhje me Rezolutën 1244, është e nevojshme që për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të arrihet marrëveshje me misionin e UNMIK-ut në Kosovë”, thuhet në letrën që ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, i ka dërguar shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara, raporton REL.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi janë caktuar për datën 6 maj. Por autoritetet kosovare kundërshtojnë organizimin e tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Dhe ndonëse Serbia deri më tash ka organizuar disa herë zgjedhje në Kosovë, rezultatet e tyre nuk janë njohur të ligjshme as nga zyrtarët kosovarë, as ata ndërkombëtarë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka kërkuar UNMIK-ut të mos bëhet palë e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, pasi ato sipas saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

PDK-ja çdo herë ka besuar në pafajësinë e Limajt

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, i drejtuar nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, analizoi situatën politike aktuale në Kosovë dhe përshëndeti vendimin për përmbylljen e Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, si fazë e pjekurisë dhe stabilitetit të institucioneve të Kosovës.
Këshilli Drejtues i PDK së mirëpret lajmin për lirimin nga paraburgimi të Fatmir Limajt, nënkryetar i PDK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. “PDK-ja çdo herë ka besuar në pafajësinë e Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe në luftën e drejtë të UÇK-së”, thuhet në komunikatë.
Këshilli Drejtues i PDK-së po ashtu mbështet procesin e reformave demokratike dhe vendimin e Kryesisë së PDK-së që ta formojë Kabinetin e Qeverisjes së Mirë për Prishtinën, si domosdoshmëri për qeverisje evropiane dhe për ta shpëtuar kryeqytetin nga kaosi dhe keqqeverisja.
Këshilli Drejtues i PDK-së në këtë mbledhje mori vendim që të fillojë edhe procesi i zgjedhjeve brenda PDK-së. Ky këshill u pajtua që t’i propozojë Kongresit moton e re: PDK për Kosovën Evropiane.

‘Kleçka’, EULEX-i urdhëron lirimin e të paraburgosurve

Gjykatësi kryesues në rastin “Kleçka” ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi. Ndërkohë që Qeveria dhe organizatat e luftës së UÇK-së, e kanë mirëpritur vendimin e Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin “Kleçka”, ku akuzohej edhe deputeti Fatmir Limaj.
Gjykatësi kryesues në rastin “Kleçka” dha urdhër për lirimin e të paraburgosurve, pasi Trupi Gjykues të mërkurën paradite kishte marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, janë të papranueshme.
“Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Vendimit të Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin “Kleçka”, e ka përshëndetur edhe Qeveria e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, siç raporton RTK, ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë në përputhje me normal ndërkombëtare, duke shprehur bindjen për pafajësinë e deputetit Fatmir Limaj. Ai ka thënë se Limaj ka mbështetjen e plotë për t’iu kthyer jetës politike në vend.
Ndërkohë edhe organizatat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë mirëpritur vendimin për lirimin nga paraburgimi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke potencuar se bëhej fjalë për një proces të montuar politikë dhe të porositur nga Beogradi.
Deputeti Fatmir Limaj, dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë akuzuar nga Prokuroria e EULEX-it për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si “rasti Kleçka”. Aktvendimi pritet të jepet brenda disa ditësh.

Hoxhaj lobon në Karaibe dhe Amerikën Latine

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj jave po viziton disa vende të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, në kuadër të agjendës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për të rritur numrin e njohjeve për Kosovën.
Hoxhaj ka takuar disa përfaqësues të lartë të shteteve latinoamerikane, kryeministra, ministra të Punëve të Jashtme, diplomatë dhe personalitete të tjerë, prej të cilëve ka marrë mbështetje që disa nga këto shtete do të lëvizin pozitivisht drejt njohjes së Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që në çdo formë dhe çdo kusht të përmbyllet procesi i njohjeve të Republikës së Kosovës si dhe integrimi i saj në komunitetin e shteteve të pavarura dhe sovrane.
Në këto takime, ministri Hoxhaj ka thënë se aspirata e popullit të Kosovës ka qenë e njëjtë sikur aspiratat e shumë vendeve të kësaj pjese të botës për liri, demokraci dhe pavarësi, duke përshkruar lëvizjet dhe luftërat e qytetarëve të Kosovës kundër diskriminimit politik, etnik dhe ekonomik.
“Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila përfundimisht e ka përcaktuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, asnjë vend nuk ka arsye që ta shtyjë vendimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj, gjatë takimit me kryeministrin e shtetit të Antigua dhe Barbudas, Winston Baldwin Spencer. 

Qeveria mbështet Edita Tahirin

Disa ditë pasi kryeparlamentari Jakup Krasniqi kërkoi ndryshime në ekipin negociatior të Kosovës në bisedime me Serbinë, ekzekutivi i vendit nëpërmjet zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi e ka mbrojtur fuqishëm punën dhe vetë udhëheqësen e këtij ekipi, Edita Tahiri.
Pas mbledhjes së qeverisë ai tha se qëndrimet që ka prezantuar ekipi i Kosovës në Bruksel janë të Qeverisë së Kosovës dhe si të tilla kanë pasur mbështetjen e plotë. Ai tha se në ekzekutivin e vendit nuk ka ekzistuar deri më tash dilema për punën e ekipit negociues të Kosovës, raporton RTK.
Kuçi ka folur sërish për paralajmërimet e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në territorin e Kosovës. Ai tha se qëndrimi i Kosovës tashmë dihet se ato zgjedhje do të trajtohen si ilegale dhe pa asnjë efekt politik. Ai tha se do të ndërmerren edhe plane për parandalimin por edhe mosmbajtjen e tyre.
Kuçi përsëriti se Pakoja e Ahtisaarit është zgjidhja e vetme për veriun e vendit. Ai tha se askush nuk mund të propozojë zgjidhje të dyfishta për serbët në Kosovë, sepse në atë mënyrë do të prishej balanca e të drejtave etnike.

Edukimi për mediet domosdoshmëri për shoqërinë

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) ka organizuar diskutim publik me temën “Nevoja e edukimit për medie”, ndërsa me këtë rast është theksuar nevoja e edukimit të shoqërisë për mediet si një formë e re e pjesëmarrjes së audiencës në procesin e komunikimit.
Në këtë konferencë është thënë se edukimi është një domosdoshmëri për shoqëritë në përgjithësi, e sidomos është e rëndësishme për vendet në tranzicion siç është Kosova.
Ligjëruesja për media dhe çështje ndërkombëtare, Susan Moeller e cila njëkohësisht është edhe drejtore e Qendrës Ndërkombëtare për Media dhe Agjenda Publike në Universitetin e Maryland-it në Washington theksoi nevojën e edukimit për medie si një formë e re e pjesëmarrjes së audiencës në procesin e komunikimit.
“Edukimi për mediet është i rëndësishëm duke filluar që nga fëmijëria e hershme duke qenë të përgatitur për reklamat që godasin çdo ditë fëmijët duke tentuar tu shesin produkte të ndryshme. Fëmijët dhe po ashtu të rritur deri në nivelet më të larta të politikës dhe administratës shtetërore duhet të jenë të përgatitur për mendimin kritik ndaj këtyre mesazheve që transmetohen në media”, tha Moeller.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Kosovës, Muhamet Jahiri u shpreh se edukimi për mediet është një domosdoshmëri për shoqëritë në përgjithësi, e sidomos është e rëndësishme për vendet në tranzicion siç është Kosova.
Nga ky diskutim publik i është rekomanduar Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të mundësoj futjen në shkolla të mesme dhe fillore lëndën e “Edukimit për media” si një mundësi që të rinjtë dhe fëmijët dhe të kenë një mendim kritik ndaj formave më të reja të komunikimit media, si dhe është rekomanduar që mediet përmes fletëpalosjeve në rastin e gazetave ose përmes emisioneve të veçanta në rastet e televizioneve të bëjnë edukimin e audiencës së tyre për format e punës në mediumet e tyre, në mënyrë që audience të ketë të qartë se në çfarë mënyre janë duke u informuar.

Wenger: Forma e inspiruar nga dështimi

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është në dijeni se forma e mirë e skuadrës së tij ka qenë rezultat i kujtimeve të dhimbshme të sezonit të kaluar, të cilat inspiruan ekipin nga Emirates që të bëjë përmirësimin e madh.
“Ne ishim në katër gara të ndryshme dhe u eliminuam në tri prej tyre brenda dy javësh. Ne jemi qenie të gjalla. Dy barazime ndaj Liverpoolit dhe Tottenhamit në mesin e prillit të kaluar shuan shpresën për titullin, ndërsa arritëm që mezi të sigurojmë top katërshen”.
“Tani e tutje të gjitha ndeshjet janë të vështira për ne, për Chelsean dhe për Tottenhamin. Absolutisht të gjitha ndeshjet. Por, jam i bindur se nuk do të lëkundemi, kemi mësuar shumë nga sezoni i kaluar”, ka potencuar francezi.

Juventusi kërkon me ngulm Pogban

Paul Pogba mund ta ketë festuar 19-vjetorin e lindjes të enjtën e kaluar, por sulmuesi i Manchester United nuk e di as vet se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pasi Juventusi ka shprehur interesim të madh për të.
United është duke tentuar ta bindë Pogban që të qëndrojë në Old Trafford pasi në Teatrin e Ëndrrave e ka të ardhmen, teksa Juventusi ka ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim.
Gjiganti italian besohet t’i ketë ofruar Pogbas një kontratë pesëvjeçare me përfitime prej 19 mijë eurosh në javë. 

Khedira përcillet nga United

Manchester United ka dërguar agjentin Martin Ferguson në Spanjë të dielën, për të përcjellë nga afër mesfushorin gjerman të Real Madridit, Sami Khedira.
Ferguson besohet të ketë shkuar në Bernabeu për të shikuar mesfushorin Sami Khedira, i cili është synimi kryesor për Sir Alex Ferguson gjatë verës së ardhshme.
Po ashtu besohet se United është i interesuar edhe për mesfushorin 19 vjeç të Malagas, Isco, i cili po kërkohet edhe nga Arsenali dhe Liverpooli. 

Neymar refuzon Realin, kërkon Barcën

Neymar është pjesë e një plani të madh të Barcelonës. Braziliani është shumë pranë kalimit te klubi katalanas pasi refuzoi Real Madridin, teksa pos benefitit në fushë, Barcelona ka edhe plane tjera me super talentin brazilian.
Është presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ai që besohet ta ketë bërë të mundshme që Neymar tashmë të konsiderohet lojtar i Barcelonës, pasi njeriu i cili konsiderohet biznesmen i shkëlqyer, dihet se është agjent i Nike dhe njeriu kryesor pse brendi amerikan i veshjeve sportive ka arritur kulmin e suksesit në futbollin evropian.
Duke shfrytëzuar taktikën e njëjtë sikurse kur u transferua Ronaldinho në Barcelonë edhe Neymar besohet të jetë bindur, kjo falë kontakteve të ngushta që Rosell ka në qarqet e futbollit brazilian.
Kështu, pa dyshim se kontrata prej 20 milionë eurosh në vit të cilën Barca do t’ia ofrojë Neymarit do të sjellë shumë më shumë fitime të një Barcelone të re, jashtë apo brenda fushës, me apo pa Guardiolën. 

“Van Perise jo larg Messit”

Ish-mesfushori i Arsenalit, Ray Parlour, ka lëvduar sulmuesin e klubit nga Emirates, Robin Van Persie, si një prej tre futbollistëve më të mirë në botë krahas Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
“Ai është lojtar i mrekullueshëm dhe e di mjaft mirë se është në nivelet e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos”.
“Nuk po shkoj më larg pasi Messi është lojtari më i mirë në botë, por Van Persie nuk është aq larg prej tij. Ai ka qenë fantastik këtë sezon. Van Persie ka qenë në zjarr. Është Van Persie ai që e ka kthyer Arsenalin në pozitën ku është tani përkundër krizës në fillim të sezonit”, ka deklaruar Parlour. 

Cruyff: Messi, shembull për fëmijët

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka lëvduar asin argjentinas, Lionel Messi, duke thënë se 24 vjeçari është shembull për të gjithë fëmijët në planet.
“Për futbollin, Messi është fantastik, pasi ai është shembull për të gjithë fëmijët”.
“Barcelona luan futbollin që kënaq të gjithë njerëzit dhe kemi një trajner me cilësi njerëzore, diçka që sot është me rëndësi”.
“Messi ka cilësi të shumta dhe i përshtatet shumë ekipit”, ka thënë Cruyff

Coentrao ‘e ndez’ një, Mou e lë në shtëpi

Anësori i Real Madridit, Fabio Coentrao, është në telashe të mëdha me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, pasi ky i fundit e ka lënë bashkëkombasin jashtë sfidës ndaj Villarrealit.
Anësori portugez është lënë jashtë ndeshjes me Villarrealin pas publikimit të fotove që e shohin Coentraon duke pirë duhan.
I pyetur për këtë çështje, numri dy i Realit, Karanka tha: “Është një çështje që do të trajtohet brenda për brenda klubit”.

Del Piero në planet e Liverpoolit?

Gjiganti anglez, Liverpool, është duke u lidhur me një transferim të legjendës së Juventusit, Alessandro Del Piero.
E ardhmja e Del Pieros është larg Juventusit dhe pas ofertave nga MLS, mediat italiane raportojnë se ka edhe ekipe nga Liga Premier të interesuara për legjendën Bianconere.
Tuttosport shkruan se përpos Arsenalit dhe QPR-së, është edhe Liverpooli klubi më i ri që ka shprehur interesim për Del Pieron. 

Casillas dhe Mourinho nuk flasin

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho dhe kapiteni i klubit, Iker Casillas, i kanë prishur totalisht marrëdhëniet dhe besohet se as nuk janë duke folur njëri me tjetrin.
El Confidencial shkruan se Casillas dhe Mourinho nuk kanë biseduar që prej muajit të kaluar dhe janë deklaruar edhe para ekipit se nuk po mund ta durojnë njëri-tjetrin. Për situatën është i njoftuar dhe Florentino Perez, i cili ende nuk ka ndërmarrë masa në këtë drejtim.
Për momentin, Reali nuk është prekur nga marrëdhëniet e acaruara të teknikut portugez dhe portierit të kombëtares spanjolle.
Sidoqoftë, në rast se Reali humb më tej pikë në La Liga, ose në rast të ndonjë eliminimi të hershëm nga Liga e Kampionëve, marrëdhëniet do të acarroheshin edhe më tepër dhe do të mund të ndodhte një shpërthim i madh para fundit të sezonit.

Klopp: Nuk shkoj te Chelsea

Trajneri karizmatik i Dortmundit, Jurgen Klopp, e ka bërë të qartë se ai nuk është i interesuar për postin e menaxherit të Chelseat.
“Nuk do të kaloj te Chelsea. Mund t’i refuzoj që tani”.
“Unë ndihem i nderuar që jam përmendur në të njëjtën frymë me Pep Guardiolën dhe Jose Mourinhon, por jo, nuk jam i lirë për të kaluar te ndonjë klub tjetër”, ka thënë Klopp.

Rossi e pranon Interin edhe pa LK

Agjenti i sulmuesit të Villarrealit, Giuseppe Rossi, ka pranuar se italiani do të ishte i interesuar për një kalim gjatë verës te Interi.
25-vjeçari është lidhur me një kalim te Interi dhe Juventusi në verën e vitit 2011, por transferi kurrë nuk u konkretizua. Sidoqoftë, agjenti i Rossit, Federico Pastorello ka zbuluar se klienti i tij ende ka shpresën për t’u bashkuar me një klub të madh.
“Rossi kurrë nuk e ka fshehur faktin se dëshiron të luajë për një top klub. Ne e konsiderojmë Interin top top klub, por atij do t’i pëlqente të luante në Ligën e Kampionëve. Sidoqoftë, kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se ai do të refuzonte Interin, edhe nëse Nerazzurët nuk kualifikohen për garën”, ka theksuar Pastorello për Sky Sport Italia.

Bieber refuzon të fshehë lidhjen

Justin Bieber po refuzon që të fshehë lidhjen e tij të dashurisë me Selena Gomez, sepse ai beson se nuk është e drejtë dhe aspak e shëndetshme.
Çifti, që filloi të takohej më herët gjatë vitit 2010, janë fotografuar shpesh duke mbajtur duart bashkë me njëri-tjetrin dhe duke kaluar kohën së bashku, ndërsa 18-vjeçari, krijuesi i hitit “Baby”, beson se do të ishte e pa shëndetshme që ta fshehte edhe më tej lidhjen e tij.
“Nuk ka gjasa që ta fsheh lidhjen time totalisht, sepse do të ishte e pa drejtë për ne. Është sikur të marrësh veturën dhe t’i thuash eja, e të shkosh në periferi të qytetit. Dhe kështu nuk është as lidhje. Kjo është e pa drejtë dhe e pa shëndetshme”, ka thënë Bieber. 

Katy Perry e sinqertë në tekstet e saj

Katy Perry thotë se gjithmonë dëshiron të jetë e sinqertë në tekstet e saj, pa marrë parasysh se sa mund të jenë lënduese.
Krijuesja e hitit “E.T.”, e cila ishte ndarë nga bashkëshorti Russell Brand në dhjetor, u ka premtuar fansave se ajo gjithmonë do të tregojë të vërtetën në këngët e saj.
“Njerëzit thonë shpeshherë se tekstet janë të rënda, por mendoj se të gjithë duan të dëgjojnë, duan të shijonë të vërtetën, pavarësisht se sa dhemb”, ka thënë Katy Perry. 

Kim ndihet e martuar

Ylli televiziv amerikan, Kim Kardashian, thotë se ajo ndihet ende e martuar dhe ka hedhur poshtë spekulimet se është në lidhje me Kanye West.
31 vjeçarja e cila aplikoi për divorc nga basketbollisti Kris Humphries pas një martese që zgjati vetëm 72 ditë, thotë se ajo ende nuk e ka vënë veten në ‘treg’.
“Unë e di, gjithmonë e them këtë, por po tentoj që të tejkaloj këtë situatë dhe të kënaqem. Unë ende po ndihem e martuar t’iu them të drejtën, respektojmë shumë ende njëri-tjetrin. Dëgjova se jam në lidhje me Kanye Ëest, e këtë e mësova nga mediat, pasi vet nuk di asgjë”, tha Kim. 

Busta Rhymes, koncert tjetër në Kosovë?

Njeriu i cili realizoi koncertin më të mirë në karrierën e tij në Kosovë një vit më parë, Busta Rhymes, është duke kërkuar që në turneun europian të përfshihet dhe një datë për Prishtinën.
Nexhat Morina, promoteri i njohur shqiptar ka deklaruar për Telegrafin se ka biseduar personalisht me menaxhmentin e Busta Rhymes dhe me vet reperin, i cili thotë se ka ende ‘trauma’ nga Kosova.
“Busta është duke kërkuar një koncert tjetër në Kosovë. Turneu i tij evropian mbahet gjatë verës dhe jam në bisedime me kompaninë Next Level që Busta të konfirmohet sa më shpejtë për një datë në një koncert i cili do të mbahej në ambient të hapur dhe me dhjetëra mijëra fansa”, theksoi Morina.
Busta Rhymes njihet për hitet e tij “Arab Money” dhe “Look At Me Now”, ndërsa prillin e vitit të kaluar shfaqi performancën më të mirë deri tani në koncertet e organizuara nga artistët ndërkombëtarë në Kosovë.

Nicki Minaj, fytyra e re e Pepsit

Nicky Minaj ka edhe një angazhim të ri - këngëtarja është fytyra e re e Pepsit.
29-vjeçarja ka nënshkruar një marrëveshje multimilionëshe për të udhëhequr kampanjën e pijes së re të kompanisë, “Pop”.
Derek Jackson, menaxheri i agjencisë Glu i cili ka ndërmjetësuar në marrëveshje, konfirmon se ylli ka xhiruar një reklamë televizive për produktin në Amerikën e Jugut muajin e kaluar.
“Do ta shihni reklamën mbase pas dy muajsh. Kjo do të jetë një reklamë për pijen e re që ka nxjerrë Pepsi, të quajtur ‘Pop’, dhe ajo do të jetë fytyrë e kësaj marke... do të jetë eksplozive”, ka thënë Jackson.

Adelina dëshiron të bëhet një kuzhiniere e mirë

Edhe pse di të përgatisë vetëm makarona, këngëtarja Adelina Berisha në të ardhmen shpreson të mësojë përgatitjen e më shumë gjellërave.
“Me shumë dëshirë përgatis makaronat, jam shumë e dhënë pas tyre dhe asnjëherë nuk përtojë t’i përgatis. Falë mamit unë di t’i gatuaj shumë mirë. Mirëpo besoj se kjo nuk mjafton sa duhet sepse duhet mësuar edhe për shumë ushqime tjera. Por megjithatë shpresoj që me kohë do t’i mësoj të gjitha, e kryesisht ato që më pëlqejnë më së shumti”, ka thënë ajo për “Zëri”.
Adelina shijon edhe ushqimet tradicionale, ku në mesin e tyre edhe turshitë.
“Ushqimet tona tradicionale, si flijat dhe pitet, më pëlqejnë shumë, por jam e dhënë edhe pas turshive, që shpresoj se në të ardhmen do të mësoj t’i përgatisë”, shton ajo.

Ftohja me ujë për portativët

Kompania Asetek demonstroi një teknologji interesante të ftohjes me ujë të portativëve dhe kompjuterëve AIO.
Teknologjia kombinon sistemin e ftohjes me ujë dhe zgjidhjen standarde për ftohje me gypat që përçojnë nxehtësinë në një sistem mbresëlënës për ftohjen e kompjuterëve të cilët kanë dimensione të kufizuara fizike.
Asetek mendon se ftohja me ujë e këtij lloji ka më së shumti kuptim të përdoret te portativët e fuqishëm për lojëra dhe stacionet mobile punuese dhe te kompjuterë krejt-në-një-vend si dhe ofron performancat më të mira dhe nivel më të ulët të zhurmës në krahasim me ftohjen me ajër. Sistemi është demonstruar në portativin M18x të Alienware me procesorin e overclockuar nga 3.5 në 4.4 GHz dhe me taktet e GPU-së të ngritur nga 680 në 800 MHz.
Portativi në rastin me ftohje ajrore nga fabrika nuk arriti të ftoh komponentët në taktet e përmendur punuese, derisa tek zgjidhje e Asetek ai tregon punë të qetë dhe mbresëlënëse me performanca 23% më të larta në 3DMark Vantage. 

Apple: “iPad nuk po tejnxehet”

Kur nga Apple deklarohen për problemet eventuale të pajisjes së vet, qoftë edhe me një demanti, atëherë mund të jeni të sigurt se nuk është çdo gjë në rregull. Kësaj here ata u deklaruan në lidhje me çështjen e pretendimeve për tejnxehjen e iPadit të ri.
Në të vërtetë, gjatë disa ditëve të kaluara blerësit e shumtë të iPadit të ri nxitën një debat në të cilin u arrit në përfundimin se iPadi i ri po nxehet më shumë se modeli i vjetër. Disa teste treguan se shtëpiza është më e nxehtë për pesë shkallë në krahasim me versionin më të vjetër të tabletit, derisa disa përdorues të tjerë thoshin se pajisa po bëhet e pakëndshme për tu mbajtur në duar. Të gjitha këto, sipas Apple, nuk janë arsye për brengë. Në një lajmërim për publikun nga Apple thanë: “iPadi i ri ka Retina ekranin e mrekullueshëm, çipin A5X, përkrahjen për 4G LTE dhe kohëzgjatjen e baterisë prej dhjetë orësh, dhe punon brenda specifikave termale të caktuara”.
Të gjithë atyre të cilët kanë pyetje shtesë nga Apple ju sugjeruan që të këshillohen me AppleCare.

Dëshiron të bëhet femra më e trashë në botë

Amerikania Susanne Eman, e cila peshon 330 kilogramë, ka për qëllim që të arrijë peshën prej 730 kilogramësh dhe të bëhet femra më e trashë në botë.
Në planin e saj do t’i ndihmojë i dashuri i ri, Parker Clack, me të cilin është njohur përmes internetit, ndërsa ai është kuzhinier.
“Mua më pëlqen të ha, Parkerit i pëlqen të gatuajë. Ne jemi çift i ëndrrave”, citon Huffington Post fjalët e Susanne.
33-vjeçarja ka dy fëmijë, ndërsa planifikon të martohet me Parkerin, i cili do t’i ndihmojë për t’i realizuar ëndrrat e saj.
Ndërkaq, derisa thotë se ata janë një çift i përsosur, Parker është i shqetësuar për gjendjen shëndetësore të të dashurës së tij, e cila konsumon rreth 20.000 kalori në ditë, prandaj po përpiqet që ta bindë atë për të punuar dhe për të ushtruar.

Manekinet e holla, jashtë pistave të modës!

Parlamenti izraelit ka sjellë një ligj, i cili ua ndalon manekineve shumë të holla që të shfaqen nëpër pistat e modës dhe në fushatat reklamuese.
Deputetët izraelitë, të cilët kanë për qëllim të promovojnë një dukje të shëndetshme, shpresojnë se me këtë masë do të arrijnë të zvogëlojnë numrin e femrave që vuajnë nga çrregullimet e të ushqyerit, si bulimia dhe anoreksia.
Ligji i ri thotë se femrat dhe meshkujt me indeks të masës trupore (BMI) më të vogël se 18.5 nuk kanë të drejtë të angazhohen si manekinë, përveç në rastet kur kanë dëshmi mjekësore se nuk kanë problem me ushqyerje.
Me këtë ligj, po ashtu, ndalohet edhe “shfrytëzimi i personave me peshë të vogël” për fushata marketingu dhe kërkohet nga kompanitë reklamuese që të kenë kujdes në përdorimin e ‘photoshopit’. 

Punët më të lehta në botë

Nëse nuk jeni të kënaqur me punën tuaj ose nëse po kërkoni punë, atëherë lista e punëve më të lehta në botë që po ju sjellim, ose do t’ju frymëzojë ose do t’ju bëjë të qani.
Gjumash profesionist
Gjumashët profesionistë vërtet ekzistojnë. Ata testojnë dyshekët nëpër dhomat e hotelit. Puna e vetme që kanë është që të flenë dhe në mëngjes duke pirë kafen të vlerësojnë si kanë fjetur.
Degustator çokollate
Kompania e prodhimit të çokollatës, Godiva, paguan nga 24.000 deri 70.000 dollarë në vit për degustatorët, të cilët provojnë çokollatat e tyre. Edhe pse tingëllon si punë e lehtë, ka të tillë që thonë se pas një kohe bëhet shumë e vështirë.
Analist televiziv
Njerëzit anekënd botës kalojnë me orë të tëra para televizorit dhe askush nuk i paguan. Megjithatë, ka njerëz që përfitojnë nga 25.000 dollarë në vit për të analizuar përmbajtjen e programeve dhe reklamave të caktuara.
Këshillues për gjithçka
Ka shumë gjëra të cilat do të donim t’i dimë, mirëpo kemi turp të pyesim sepse gjërat e tilla zakonisht i dinë të gjithë. Por ka njerëz që punojnë në xhirimin e manualeve për, p.sh, lidhjen e kravatës, bërjen e makijazhit, si të fishkëllejmë etj.
Kritik banje
Po, ekzistojnë edhe këta punëtorë, të cilët gjatë gjithë ditës bëjnë masazh dhe provojnë lloje të ndryshme të baltës, dhe në fund ulen dhe e shkruajnë raportin.

Nëndetësja sikur balenë

Një nëndetëse që i ngjan një balene vrasëse ka dalë në shitje për shumën prej 95.000 dollarësh.
Nëndetësja e Hammacher Schlemmer mund të dalë nga uji ngjashëm sikurse një balenë e vërtetë.
Nën ujë ajo mund të përshkojë shpejtësi prej 40 kilometrash në orë, ndërsa në sipërfaqe të ujit arrin shpejtësi prej 80km/h. Motori zhvillon 255 kalëfuqi.
Piloti e ka të gjithë kontrollin e lëvizjes, ndërsa nëndetësja ka edhe kamerë për të xhiruar nën ujë. 

Urdhëroni minj të pjekur...

Në dyqanin e tij, kasapi Wan Shen garanton se mishi që ofron nuk është i përzier, sepse ai shet vetëm mish të freskët të minjve.
Banorët në provincën jugore të Kinës, Guangdong, janë të njohur për aftësitë e tyre për të gatuar dhe për të ngrënë çfarëdolloj ushqimi, pavarësisht se sa i çuditshëm mund të jetë.
Tash ata po mundohen që të eksportojnë në pjesën tjetër të vendit njërin nga ushqimet e tyre më të shijshme, i cili është shumë më i shtrenjtë sesa mishi i pulës ose derrit.
Wan Shen thotë se blerësve mund t’u ofrojë edhe një proshutë speciale, ndërsa pohon se minjtë që ai gatuan janë mjaft të shëndetshëm.
Ndërsa disa nga klientët thonë se kanë ngrënë mish miu me vite të tëra dhe asnjëherë nuk janë sëmurë.
“Mund t’i skuqësh, pjekësh ose t’i ziesh. Janë shumë të ëmbël dhe shumë të shijshëm”, ka deklaruar një klient. 

VV: Kushtetuesja ka "huqur" çështjen

Gjykata Kushtetuese e ka “huqur” tërësisht çështjen, interpretimin e së cilës e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ka shprehur hamendje gjatë marrjes së vendimit për të vlerësuar kushtetutshmërinë e mocionit për reciprocitet me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 20 janar të këtij viti, thanë përfaqësues të kësaj lëvizjeje.
Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje, gjë për të cilën, Visar Ymeri, nga kjo lëvizje, tha se “gjykata ka dështuar të përmbushë detyrën e saj si instancë më e lartë juridike e vendit”.
Në një takim me gazetarët në Prishtinë, Ymeri nuk e ka përjashtuar “mundësinë e ndërhyrjes politike që thuhet se mund ta ketë ndikuar këtë institucion në dhënien e përgjigjes për këtë çështje”.
Mocioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 janar përmban 4 pika.
1. Kuvendi i Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm;
2. Qeveria e Kosovës, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të vendosë për masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura;
3. Qeveria obligohet t’i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit;
4. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Kuvendit në lidhje me këtë çështje.
Në një komunikatë për opinion, në të cilën Vetëvendosje pati botuar një pjesë të kërkesës, kjo parti, mes tjerash, pati thënë se “Kuvendi i Kosovës, në pikën e parë të vendimit të kontestuar, ka mirëpritur arritjen dhe ka mbështetur zbatimin e tërësishëm të këtyre marrëveshjeve”.
Duke cituar dispozitat e nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mbi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, VV kishte pohuar se mënyra e miratimit të mocionit më 20 janar "është në kundërshtim me të gjitha dispozitat e këtij neni”.
Të hënën, më 19 mars, 53 ditë pas marrjes së kërkesës, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se njëzëri ka vendosur që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme. Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të gjykatës.

Serbët e veriut s'heqin dorë nga zgjedhjet

Këshilltarët e katër komunave të veriut të Kosovës i kanë kërkuar Qeverisë së Serbisë dhe të gjitha që zgjedhjet lokale serbe të zhvillohen edhe në Kosovë.
 Në takimin e mbajtur në Zveçan, ata kanë thënë se instalimi i pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinë është i papranueshëm, ndërsa kanë shfaqur shpresën se “autoritetet e Beogradit nuk do të marrin pjesë në krijimin e kufirit midis Serbisë dhe Kosovës”.
Serbët po ashtu i kanë kërkuar misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX, “të ndalojë të punojë në drejtim të krijimit të një shteti tjetër shqiptar në Ballkan”, transmeton REL.
Duke kujtuar “rezultatet e referendumit të veriut”, ata kanë thënë se ato obligojnë përfaqësuesit politikë të Serbisë të luftojnë kundër institucioneve të “shtetit të vetëshpallur të Kosovës”.
Në referendumin e mbajtur në muajin shkurt, që është shpallur i paligjshëm nga Kuvendi i Kosovës, serbët e veriut i kanë thënë “jo” autoritetit të Prishtinës në veri të vendit. 

Lehne: BE nuk importon konflikte

Ndonëse dëshira e Beogradit është që politikën e saj për Kosovën ta lë "mënjanë" në raport me ambiciet e saj evropiane, u bë e qartë se të dy politikat nuk mund të jetë aq të ndara sa do të donin serbët, sidomos kur nga Brukseli thonë se "normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës" është kusht i domosdoshëm për integrimin evropian, thotë ish-drejtori i BE-së për Ballkanin, Stefan Lehne.
“A do të thotë kjo njohje apo jo, për këtë çështje është herët të flitet. Serbia nuk do të futet në BE para vitit 2020 dhe askush nuk mund ta di se cili do të jetë qëndrimi evropian në atë moment. Ajo që është e çartë është se BE-ja nuk do të importoj konflikte të pazgjidhura”, thotë Lehne.
Sipas tij, dialogu teknik midis Beogradit dhe Prishtinës ishte i suksesshëm sepse të dy palët e larguara erdhën deri te rezultatet e para. Në të njëjtën kohë dialogu tregon se edhe me “hapa të kufizuar” ka probleme të mëdha deri te implementimi. Lehne për këtë kërkon dialog politik dhe marrëveshje gjithëpërfshirës me të cilat do të “stabilizohej vërtet situata”.
"Kjo marrëveshje duhet të përfshijë një autonomi rajonale për veriun, garanci ndërkombëtare për manastiret serbe, kornizë për bashkëpunim bazuar në marrëveshjen e dy Gjermanive të vitit 1972, kur u la mënjanë konflikti rreth statusit të Gjermanisë Lindore - për çka nuk merreshin vesh - por u pajtuan për bashkëpunim, marrëdhënie kontraktuale dhe misionet të veçanta diplomatike. Ky do të ishte një përmirësim i madh, por jo njohja e Kosovës nga Serbia, gjë që nuk është reale në këtë moment”.
Në të njëjtën kohë, Beogradi, sipas Lehnes, duhet ta ndalë politikën joproduktive të bllokimit të Kosovës në skenën rajonale dhe ndërkombëtare. 

Autonomia e veriut të Kosovës?

Në qarqet ndërkombëtare janë paraqitur kohët e fundit disa ide për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës. Ndër to është edhe propozimi për autonominë e veriut të vendit
 Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë ofruar disa plane dhe ide për zgjidhjen e problemit të serbëve të veriut të Kosovës. Ndër propozimet e fundit është ai i Stefan Lehnes, ekspert i fondacionit Carnegie, i cili thotë se në kuadër të bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit duhet shtruar edhe mundësia e autonomisë së veriut të Kosovës.
Dialogu teknik ka shtjelluar shumë tema të rëndësishme dhe në qarqet ndërkombëtare tani po mendohet edhe për hapat tjerë që duhet të vijnë pas kësaj faze të bisedimeve, pohon për DW Predrag Simic, politolog nga Beogradi.
“Por, më duket se në këtë moment nuk ekziston ndonjë vullnet në Prishtinë që serbëve t'u jepet ndonjë autonomi, ndërkohë që as serbët nuk do ta pranonin atë. Mendoj se këto gjëra me të vërtetë nuk do të jenë të lehta dhe se ekziston mundësia që dialogu të ndërpritet për një kohë më të gjatë, e që mund të bllokojë edhe fillimin e negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk e besoj se ndonjë qeveri e re do të pranojë këto kushte të bashkësisë ndërkombëtare - ku Kosova është kushti kryesor për anëtarësim në një BE të dobësuar“, mendon Simic.
Fuqitë perëndimore kanë vendosur të merren seriozisht me çështjen e veriut të Kosovës, ndër tjerash edhe për shkak të angazhimit më të fuqishëm të Rusisë në Ballkan, thotë Ognjen Pribicevic nga Instituti i Shkencave Shoqërore.
“Vështirë është të paramendosh se Prishtina ka hequr dorë nga veriu. Por, as Beogradi nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e veta. Në këtë kuptim, mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte një sovranitet i dyfishtë ku shkollimi, institucionet juridike dhe gjëra tjera të jetës së përditshme të ishin në duart e organeve lokale, të cilat do të vendosnin për zhvillimet në këtë rajon. Autonomi të tilla ka edhe në Evropë“, pohon ai.
Çështja e autonomisë duket kontradiktore. Nga njëra anë kërkohet zhbërja e institucioneve paralele e nga ana tjetër flitet për autonomi. Pribicevic thotë se ky është paradoks më vete.
“Autonomia nënkupton edhe institucionet dhe shtohet pyetja se cilat do të jenë kompetencat e tyre. Mendoj se zgjidhja mund të gjendet në sovranitetin e dyfishtë i cili do t'i mundësonte Prishtinës dhe Beogradit të thonë se ata e kanë kontrollin mbi këtë pjesë. Ndryshe, problemet nuk do të zgjidhen, sepse asnjëra palë nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e veta. Siç e kemi parë edhe për çështjen e prezantimit është arritur zgjidhje, ku secila palë thotë se ka fituar“, pohon ai.
Perëndimi me siguri që është i interesuar që çështjen e Kosovës ta heqë sa më shpejtë nga rendi i ditës, por është po ashtu e sigurt që edhe Moska ka qëndrimet e veta, mendon Simix. Rusia do që serbët e Kosovës të futen në negociata nga pozicione më të fuqishme dhe jo si të dobët dhe çështjen e veriut e shikon si një çështje e prestigjit.
“Të gjitha këto ide natyrisht që nuk nënkuptojnë heqjen dorë të Perëndimit nga njohja e pavarësisë së Kosovës. Por, tani më nuk flitet që çështja e Kosovës është punë e kryer”, pohon Pribicevic. 

Mancini: Do ta fitojmë titullin

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i bindur se skuadra e tij do ta fitojë Ligën Premier këtë sezon.
City aktualisht është në një betejë intensive me rivalin lokal, Manchester United, dhe do të shkojë në ndeshjen e sotme me synimin për të ngushtuar diferencën në vetëm një pikë.
“Ne do ta fitojmë titullin – ose ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar titullin. Dhjetë ndeshje nuk janë asgjë. Ne nuk mund të mendojmë për këtë, ne duhet të mendojmë pozitivisht”.
“Deri tash kemi pasur një kampanjë fantastike në Ligën Premier dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë italiani.

Di Matteo: Chelsea i mirë sa edhe City

Trajneri i përkohshëm i Chelseat, Roberto di Matteo, thotë se ata janë të aftë ta mposhtin Manchester Cityn në derbin e sotëm të Ligës Premier.
“A është i aftë Chelsea ta mposhtë Cityn? Po, është. Mendoj se ne kemi një skuadër shumë të mirë, shumë të fuqishme, dhe ne e kemi treguar këtë ndër vite”.
“Tabela tregon se ata kanë fituar më shumë ndeshje këtë sezon se sa ne. Por mendoj se ne jemi shumë konkurrues”, ka thënë italiani. 

Totti rikthehet ndaj Milanit

Francesco Totti do të jetë i gatshëm për ndeshjen derbi të vikendit kundër Milanit, raporton La Repubblica.
Sulmuesi 35-vjeçar mori një lëndim në kofshë dhe mungoi në fitoren 1-0 ndaj Genoas. Por ai është rikthyer shpejt në formë të plotë dhe raportohet se do të jetë në 11-shen startuese për ndeshjen e të shtunës ndaj Milanit.
Roma u mposht me rezultat 3-2 në Stadiumin Olimpico më herët gjatë këtij sezoni dhe do të kërkojë të shmangë disfatën e dyfishtë këtë sezon, gjatë këtij vikendi.
Giallorossët aktualisht pozicionohen të gjashtë në tabelën e Serie A me 44 pikë nga 28 ndeshje, 16 pikë prapa Milanit që është lider i tabelës. Pozita e tretë, e cila dërgon në Ligën e Kampionëve, aktualisht pushtohet nga Lazio me 48 pikë.

Hazard: United ëndërr për çdo lojtar

Ylli i Lille, Eden Hazard, edhe një herë ka shprehur ngazëllimin e tij për interesimin që ka shfaqur për të kampioni i Ligës Premier, Manchester United.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, e kishte përcjellë vetë nga afër lojtarin dy javë më parë, që ka nxitur spekulimet për një ofertë të mundshme për belgun.
“A është i interesuar Manchester United për mua? Sigurisht, kjo më josh mua. Është një klub që do të ishte realizim ëndrre për secilin, çdokënd që luan futboll për ta. Por për momentin unë mendoj vetëm për Lille”, ka thënë Hazard.

Edhe Dzeko në listën e Juventusit

Juventus raportohet se e ka shtuar në listën e dëshirave edhe sulmuesin e Manchester Cityt, Edin Dzeko.
Burime nga Torino bëjnë të ditur se Juve është e vetëdijshme për frustrimin e boshnjakut me situatën në Etihad Stadium dhe shpreson ta joshë atë në Itali gjatë verës.
Interesimi i Cityt në sulmuesin e Real Madridit, Gonzalo Higuain, i cili është edhe cak i Juves, mund të jetë në favor të Bianconerëve.
Nëse një sulmues i ri arrin te City gjatë verës, Dzeko sigurisht se do të kërkojë të largohet dhe besohet se ai do të kërkojë të provojë veten në Spanjë ose Itali.

Dalglish: Tifozët kanë besim tek ne

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, është i bindur se ai dhe lojtarët e tij ata e kanë besimin e tifozëve, derisa Redsat synojnë të përfundojnë në top katërsh këtë sezon.
“Tifozët shikojnë kah ne dhe besojnë në atë që ne bëjmë. Mendoj se ata po ashtu e dinë se mund t’i lejojnë vetes të jenë ca më romantik se sa ne”.
“Njerëzit të cilët e mbështesin këtë klub futbolli e dinë se çfarë na pret dhe mendoj se ata kanë besim në njerëzit të cilët punojnë këtu. Dhe ata mendojnë se mënyra më e mirë për të ecur përpara është e njëjta që bëjmë ne – të mendojmë për secilën ndeshje që vjen”, ka thënë Dalglish.

Holanda mbështet integrimin e Kosovës

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli është takuar me një delegacion nga Mbretëria e Holandës, ku diskutuan për progresin e Kosovës në Integrimin e saj në BE. Zyrtarët holandezë kanë shprehur gatishmërinë e shtetit të tyre për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës në proceset e konsolidimit dhe integrimi.
Në njoftim bëhet e ditur se delegacioni ishte i kryesuar nga ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch dhe Jaap Werner, drejtori i Departamenti për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës.
Kasapolli njoftoi delegacionin për situatën momentale në Kosovë, duke potencuar që po punohet sa i përket agjendës evropiane.
Megjithatë, sipas tij, mbetet shumë punë për të bërë, në mënyrë që të gjitha detyrat që janë në sektorin politik, në sundimin e ligjit, ekonomik dhe atë të standardeve evropiane, të përmbushen sa më shpejt dhe integrimi i Kosovës në BE të jetë realitet për kosovarët.
Ndërsa, Jaap Werner ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës në proceset e konsolidimit dhe integrimit të saj në strukturat evropiane, duke potencuar që Kosova është në rrugë shume të mbarë në integrimin e saj në Bashkimin Evropian. 

Syla: Nga Zvicra kam marrë vetëm ndihma si azilant

Deputeti i PDK-së, Azem Syla, ka deklaruar se shkrimet në media lidhur me keqpërdorimin e shtetit zviceran nga ai nuk janë të vërteta.
 Në emisionin “Debat” të RTK-së, Azem Syla ka theksuar se këto akuza kanë për qellim të vetëm “njollosjen e veprimtarisë së tij dhe madje edhe të luftës së shenjtë të popullit të Kosovës”.
“Kam marrë ndihma të azilantit politik prej vitit 1994, por asnjëherë nuk kam marrë pension. Atje kam jetuar me familje. Mbi 1000 franga kam marrë për banesë, ndërsa rreth 1000 franga i kam marrë për nevoja jetësore që kam pasur unë dhe familja ime”, ka thënë ai.
Syla ka theksuar se për të marrë statusin e azilantit politik ka paraqitur dokumentet për veprimtarinë e tij kombëtare, të vërtetat për përndjekjen që i ka bërë regjimi serb dhe qëndrimin në burg.
“Prej momentit të kandidimit për deputet në Kuvendin e Kosovës nuk kam marrë ndihma nga shteti zviceran. Kurrë nuk kam marrë edhe ndihmat zvicerane edhe pagën në Kosovë. Pra, moralisht dhe sinqerisht them se nuk e kam mashtruar shtetin zviceran”, ka deklaruar Syla.
Ai ka përsëritur se shkrimet në media për përfitim qindra mijëra euro nga shteti zviceran nuk janë të vërteta.
Sipas tij, nuk është e vërtetë as marrja e lejeqëndrimit.
“Gjithnjë qarqe të caktuara kanë bërë thashetheme, jo Azem Syla kështu, jo ashtu, për Azem Sylën e SHIK-un, e tani gjoja për përfitimet nga shteti zviceran. Por, që të gjitha janë të pavërteta dhe kanë si qëllim denigrimin e Azem Sylës”, ka deklaruar ai.
Kërkesa e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Urlike Lunacek, për dorëheqjen e tij nga posti i deputetit se kështu po e dëmton imazhin e Kosovës, sipas Sylës, tregon se Lunacek është e painformuar.
Syla ka thënë se për të dorëheqja nuk paraqet asnjë problem, por siç ka thënë ai, përpara duhet të dalë e vërteta në dritë.
Lidhur me përfoljen se Azem Syla, duhet ta dijë se ku kanë mbetur 40 mijë marka për blerjen e armatimit për komandantin legjendar Adem Jashari, Syla ka thënë se të gjitha mjetet kanë shkuar në destinacion.
“Gabojnë të gjithë ata që me të pa vërteta të tilla mundohen ta përfitojnë dhe gënjejnë edhe popullin”, ka pohuar Syla.
Ndërsa, duke folur për rastin Bllaca dhe akuzat e drejtuar ndaj tij për përfshire në disa vrasje të ndodhura gjatë luftës, ai ka thënë se këto kanë qenë të rënda dhe aspak të lehta.
“Këto janë shpifje”, ka thënë Syla duke i bërë ftesë EULEX-it dhe të gjithë organeve që të bëjnë gjithçka për zbardhjen e të gjitha vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Kuçi takoi në Ulqin të zgjedhurit politik shqiptarë

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Mal të zi, ka vizituar Komunën e Ulqinit, me ç’rast ka takuar kryetarin e Komunës, Nazif Cungu, deputetët e partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, si dhe me Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi.
Kuçi gjatë këtyre takimeve është njoftuar për së afërmi me zhvillimet politike në Mal të zi, përfaqësimin e shqiptarëve në këtë shtet si dhe nevojat e popullatës së atjeshme, për çka ka siguruar kryetarin e komunës së Ulqinit, Nazif Cungu dhe deputetët shqiptarë se do të kenë përkrahjen absolute të Prishtinës zyrtare drejt fuqizimit të rolit shtet formues të tyre dhe pjesëmarrjes demokratike të tyre në institucionet e Malit të Zi.
Ai siguroi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i ndihmojë shqiptarët atje nëpërmjet disa mënyrave, siç është çështja e studimeve, duke ruajtur kështu traditën e regjistrimit të studentëve shqiptarë të këtij vendi në Universitetet publike të Kosovës dhe lehtësimin e procedurave dhe vendosjes se tyre nëpër qendrat e banimit (konvikte).
Ndërsa, kryetari Cungu dhe deputetët shqiptarë siguruan zëvendëskryeministrin Kuçi se shqiptarët do të ruajnë rolin e tyre konsolidues në drejtim të fuqizimit të identitetit dhe pjesëmarrjes aktive dhe qytetare në institucionet e këtij vendi dhe u pajtuan që kryetari Cungu t’i bëjë një vizitë shumë shpejt Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, zëvendëskryeministri Kuçi mori pjesë në konferencën “Bashkë kundër diskriminimit”, e cila u mbajt në Budva, nën patronatin e kryeministrit të Malit të Zi, Igor Llukshic.
Në margjina të kësaj konference, Kuçi takoi edhe Rene Weingartner, drejtorin e Drejtoratit për të Drejtat e Njeriut dhe Anti-diskriminim të Këshillit të Evropës.

Shpallen të pavlefshme dëshmitë dhe ditari i “X-it”

Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut, në Prishtinë, në rastin “Kleçka” i ka shpallur të papranueshme të gjitha deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit “X”, me arsyetimin se deklaratat i ka dhënë në cilësinë e të pandehurit dhe jo në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues.
 Sipas Trupit Gjykues, edhe ditarët hidhen poshtë për shkak se dëshmitari “X” ka vdekur dhe nuk mund t’i mbrojë ato që i ka shkruar, raporton Koha.net.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës Tahir Rrecaj ka thënë se më në fund drejtësia triumfoi. Ai pret që edhe aktgjykimi të jetë lirues dhe dëshmitarët të shpallen të pafajshëm.
Siç dihet, padia ndaj dhjetë ish-luftëtarëve të UÇK-së ishte ngritur nga Prokuroria e EULEX-it, duke u bazuar në dëshmitë e dëshmitarit tashmë të ndjerë, Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”. Aktvendimi pritet të jepet brenda disa ditësh. Ndërsa sot pritet që Trupi Gjykues të vendosë nëse do t’i lirojë nga paraburgimi dhe arresti shtëpiak të akuzuarit.

Jep dorëheqje Sekretari i MPB-së

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elhami Gashi, ka dhënë sot dorëheqje nga ky post.
Arsyet e dorëheqjes së Gashit nuk janë të ditura, por mësohet se kohëve të fundit ai është përballur me problem të shumta, si pasojë e hetimeve që janë duke u bërë në këtë Ministri për keqpërdorimet e bëra me rastin e lëshimit të lejeqëndrimeve dhe shtetësisë, raporton KosovaOnline.
Dorëheqja e Gashit vjen pas suspendimit Islam Cakës - drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion - i cili dyshohej për shkeljet e sipërpërmendura. 

Shkollë për pilotë

Ministri i Infrastrukturës (MI) Fehmi Mujota, priti të mërkurën një delegacion nga Jordania. Delegacionin në fjalë e udhëhiqte drejtori gjeneral i Akademisë Mbretërore-Ajrore të Jordanisë, Muhammed F. Khawaldeh.
Interesimi i këtij delegacioni ishte themelimi i një shkolle për pilotë dhe mekanikë të aviacionit civil, në vend . Sipas planifikimeve kjo shkollë mund të organizohet në Gjakovë, ndërsa pjesa praktike do mbahej në Aeroportin e Gjakovës.
Akademia Mbretërore Jordaneze është lidere rajonale në Lindjen e Mesme në fushën e edukimit dhe trajnimit të Aviacionit Civil, e cila akademi punon sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit.
Me aftësimin e pilotëve dhe mekanikëve të rinjë, edhe në Republikën e Kosovës do të jetë e mundur që këto standarde të aviacionit civil të zbatohen në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota e falënderoi Khawaldehun, për këtë iniciativë si dhe për interesimin e tij për të realizuar një projekt të tillë në Kosovë. Me këtë rast ministri Mujota vlerësoi se ne si shtet i ri kemi nevojë që të kemi këtë profil të pilotëve dhe mekanikëve të fluturakeve civile.
Në anën tjetër ministri Mujota, shprehu mbështetjen nga ana e tij për këtë projekt në mënyrë që kjo iniciativë të realizohet sa më parë.

Produktet e ASK Foods edhe në SHBA

Pas Kroacisë, Gjermanisë e Zvicrës dhe vendeve të tjera Europinane Kompania ASK Foods nga Gjilani produktet e veta do t’i ekspertojë edhe në Shtetet e Bashkuar të Amerikës (SHBA).
ASK Foods e cila me produktet e veta ka hyrë fuqishëm në tregun vendas e edhe në atë ndërkombëtarë me cilësinë e produkteve, nga e marta të gjithë konsumatorët mund t’i gjejnë edhe në SHBA.
Në SHBA, ASK Foods do të eksportojë produkte kryesisht që kanë përbërje të madhe natyrale siç janë gjemërat lëngjet etje.

Ministria mohon se ka dëmtime në rrethrrotullim

Plasaritje dhe rrëshqitje të trasesë së rrugës vërehen në afërsi të rrethrrotullimit që lidh rrugët Prishtinë-Fushë Kosovë dhe Prishtinë-Mitrovicë. Veturat pa ndërprerje kalojnë nëpër këtë projekt, i cili është konsideruar si ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji në Ballkan, dhe që kap koston prej afro 15 milionë eurove. Me gjithë devijimin e bazës dhe trashësisë së trasesë, sidomos në pjesën që lidh magjistralen për Mitrovicë, Ministria e Infrastrukturës ia lë fajin mospërfundimit të punës në këtë projekt.
Shtresa përfundimtare e asfaltit, e cila parashihet të shtrohet këtë pranverë, sipas Lah Nitajt, këshilltar i ministrit Fehmi Mujota, ka ndikuar që traseja të ketë devijime të vogla.
“Projekti i rrethrrotullimit është në fazën finale të realizimit. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj çarjeje. Në fakt, vijat që duken janë pjesët lidhëse të segmenteve të udhës, përkatësisht fugat e dilatimit, të cilat parashihen për projektet e tilla, dhe ato do të mbyllen me elementet e parapara me projekt shumë shpejt. Kompania ndërtuese është zotuar se brenda pak kohe do t’i vendosë ato”, ka thënë Nitaj.
Sipas tij, ky rrethrrotullim është projektuar nga një kompani projektuese vendore. “Ka pasur disa vonesa të evidencuara të punëkryerësit, prandaj me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve është bërë lëshimi i përkohshëm në shfrytëzim vjeshtën e kaluar”, ka thënë Nitaj, shkruna Koha Ditore.
Ai ka vlerësuar se rrethrrotullimi është në fazën finale të realizimit, ndërsa Ministria pret finalizimin e plotë të punimeve dhe lëshimin në qarkullim të përhershëm të tij brenda pak ditësh. “Nuk ka rrezik, dhe shpresojmë të mos ketë asnjë rrezik për asnjë nga shfrytëzuesit e tij”, u është referuar Nitaj dëmtimeve të këtij rrethrrotullimi. 

Lagarde: Ekonomia botërore po largohet nga gremina

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christin Lagarde, tha se ekonomia botërore është larguar nga gremina, por që dobësitë serioze vazhdonin të ndikonin në sistemin botëror financiar.
Duke folur në një konferencë në Nju Delhi, drejtoresha Lagarde gjykoi se situata financiare nuk është aq shqetësuese si në fillim të vitit. "Po largohemi nga gremina pranë së cilës ndodheshim tre muaj më parë", theksoi ajo.
Christine Legarde ka këmbëngulur se në masat e marra nga Banka Qendrore Evropiane dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë stabilizimin e ekonomisë botërore.