Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përmes një deklarate për media ka mohuar se ka shtëpi në Stuttgard të Gjermanisë. Ai ka thënë se nuk pa pasur dhe nuk ka blerë kurrë shtëpi private në Stuttgard, as me para të tij, e as me ato të Fondit të Republikës së Kosovës.
Ai përmes një deklarate i ka ftuar mediat që kanë shkruar se ka blerë shtëpi me parat e trepërqindshit në Stuttgard të shkojnë ta verifikojnë rastin para organeve gjermane dhe ta informojnë realisht opinionin.
Mustafa ka thënë se nga mediat ka kuptuar se “paska një shtëpi në Stuttgard të Gjermanisë”.
“’Gazeta, duke u thirrur në Musa Dakën, thotë se pallati i trepërqindëshit, i dhënë në fotografi, është pronë e imja, Isa Mustafës, kryetar aktual i LDK-së, e blerë me para të trepërqindëshit’. Unë, Isa Jakup Mustafa nuk kam pasur dhe nuk kam blerë kurrë shtëpi private në Stuttgard, as me para të miat, as me ato të Fondit të Republikës së Kosovës”, thotë Mustafa.
Ai më tej shprehet “Shtëpia që pashë në fotografinë e botuar nga Express-i dukej e madhe për modestinë time dhe aspak sipas shijes time, por meqë gazeta Express, gazeta Kosova sot, Musa Daka dhe KTV-ja e deklaruan pronë timen, unë këtë shtëpi do ta kërkoj me gjyq nga Express-i, nga Kosova sot, nga Musa Daka dhe nga KTV-ja”.
Mustafa ka deklaruar se ta mbroj personalitetin e tij, prandaj tha se do ta inicioj procedurën para organeve të drejtësisë dhe do të kërkoj dëmshpërblim në vlerë të asaj shtëpie nga ana Express-it, Kosova sot, Musa Dakës dhe KTV-së.