Katër muaj nga vendimi i shkallës së parë, sipas të cilit, kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, Gjykata Supreme e Kosovës si shkallë e dytë, e ka vërtetuar si të plotë dënimin, me ç’gjë vendimi ndaj Xhemajlit ka marrë formën e prerë.
Me vendimin e Shkallës së Dytë, Bajrush Xhemajlit i mbetet që të shkojë në vuajtje të dënimit, ndonëse ende nuk dihet dita se kur ai do të dërgohet në burg, pasi që është gjetur fajtor për kryerjen e veprës penale rrezikim i trafikut publikm shkruan “Zëri”.
I pari i Komunës së Ferizajt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka dhënë dorëheqje të martën, do të vuajë dënimin për shkak se paraditen e 21 majit të vitit 2009, teksa po udhëtonte nga Ferizaj për në Prishtinë, në lagjen “Vetërnik” në hyrje të kryeqytetit kishte shkaktuar një aksident komunikacioni, ku për pasojë kishte humbur jetën Labinot Rrustemi, 21-vjeçar nga Banulla e Lipjanit.
Mbrojtja e Xhemajlit paralajmëron se do të përdorë mjetet e jashtëzakonshme për të kontestuar vendimin, i cili tashmë ka marrë formën e prerë.
“Mendojmë se Gjykata Supreme nuk ka vendosur në mënyrë të drejtë. Ne kemi të drejtë që të përdorim mjetet e jashtëzakonshme, ku rasti mund edhe të vijë në rigjykim”, ka paralajmëruar mbrojtësi i Bajrush Xhemajlit, avokati Mexhid Syla.
Por, sipas ligjeve në fuqi, mjetet e jashtëzakonshme që tashmë janë paralajmëruar nga mbrojtja nuk e pengojnë ekzekutimin e vendimit të formës së prerë.
Mjetet e jashtëzakonshme mund të kërkohen në afat prej tre muajsh, mirëpo, sipas ligjit, dënimi mund të nisë së ekzekutuari.
Ndërsa nëse janë konstatuar shkelje ligjore gjatë procedurës i njëjti, sipas ligjeve në fuqi, mund të ndërpritet dhe lënda të kthehet në rigjykim.