‘Kleçka’, EULEX-i urdhëron lirimin e të paraburgosurve

Gjykatësi kryesues në rastin “Kleçka” ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi. Ndërkohë që Qeveria dhe organizatat e luftës së UÇK-së, e kanë mirëpritur vendimin e Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin “Kleçka”, ku akuzohej edhe deputeti Fatmir Limaj.

Gjykatësi kryesues në rastin “Kleçka” dha urdhër për lirimin e të paraburgosurve, pasi Trupi Gjykues të mërkurën paradite kishte marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, janë të papranueshme.
“Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Vendimit të Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin “Kleçka”, e ka përshëndetur edhe Qeveria e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, siç raporton RTK, ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë në përputhje me normal ndërkombëtare, duke shprehur bindjen për pafajësinë e deputetit Fatmir Limaj. Ai ka thënë se Limaj ka mbështetjen e plotë për t’iu kthyer jetës politike në vend.
Ndërkohë edhe organizatat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë mirëpritur vendimin për lirimin nga paraburgimi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke potencuar se bëhej fjalë për një proces të montuar politikë dhe të porositur nga Beogradi.
Deputeti Fatmir Limaj, dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë akuzuar nga Prokuroria e EULEX-it për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si “rasti Kleçka”. Aktvendimi pritet të jepet brenda disa ditësh.