Deputeti i PDK-së, Azem Syla, ka deklaruar se shkrimet në media lidhur me keqpërdorimin e shtetit zviceran nga ai nuk janë të vërteta.
Në emisionin “Debat” të RTK-së, Azem Syla ka theksuar se këto akuza kanë për qellim të vetëm “njollosjen e veprimtarisë së tij dhe madje edhe të luftës së shenjtë të popullit të Kosovës”.
“Kam marrë ndihma të azilantit politik prej vitit 1994, por asnjëherë nuk kam marrë pension. Atje kam jetuar me familje. Mbi 1000 franga kam marrë për banesë, ndërsa rreth 1000 franga i kam marrë për nevoja jetësore që kam pasur unë dhe familja ime”, ka thënë ai.
Syla ka theksuar se për të marrë statusin e azilantit politik ka paraqitur dokumentet për veprimtarinë e tij kombëtare, të vërtetat për përndjekjen që i ka bërë regjimi serb dhe qëndrimin në burg.
“Prej momentit të kandidimit për deputet në Kuvendin e Kosovës nuk kam marrë ndihma nga shteti zviceran. Kurrë nuk kam marrë edhe ndihmat zvicerane edhe pagën në Kosovë. Pra, moralisht dhe sinqerisht them se nuk e kam mashtruar shtetin zviceran”, ka deklaruar Syla.
Ai ka përsëritur se shkrimet në media për përfitim qindra mijëra euro nga shteti zviceran nuk janë të vërteta.
Sipas tij, nuk është e vërtetë as marrja e lejeqëndrimit.
“Gjithnjë qarqe të caktuara kanë bërë thashetheme, jo Azem Syla kështu, jo ashtu, për Azem Sylën e SHIK-un, e tani gjoja për përfitimet nga shteti zviceran. Por, që të gjitha janë të pavërteta dhe kanë si qëllim denigrimin e Azem Sylës”, ka deklaruar ai.
Kërkesa e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Urlike Lunacek, për dorëheqjen e tij nga posti i deputetit se kështu po e dëmton imazhin e Kosovës, sipas Sylës, tregon se Lunacek është e painformuar.
Syla ka thënë se për të dorëheqja nuk paraqet asnjë problem, por siç ka thënë ai, përpara duhet të dalë e vërteta në dritë.
Lidhur me përfoljen se Azem Syla, duhet ta dijë se ku kanë mbetur 40 mijë marka për blerjen e armatimit për komandantin legjendar Adem Jashari, Syla ka thënë se të gjitha mjetet kanë shkuar në destinacion.
“Gabojnë të gjithë ata që me të pa vërteta të tilla mundohen ta përfitojnë dhe gënjejnë edhe popullin”, ka pohuar Syla.
Ndërsa, duke folur për rastin Bllaca dhe akuzat e drejtuar ndaj tij për përfshire në disa vrasje të ndodhura gjatë luftës, ai ka thënë se këto kanë qenë të rënda dhe aspak të lehta.
“Këto janë shpifje”, ka thënë Syla duke i bërë ftesë EULEX-it dhe të gjithë organeve që të bëjnë gjithçka për zbardhjen e të gjitha vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë.