Gradualisht te njohja

Dimitris Moschopoulos, shef i Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë ka thënë se njohja e Kosovës nga Greqia do të vijë natyrshëm dhe në kuadër të perspektivës evropiane.

Në një bisedë për gazetën “Express”, Moschopoulos ka thënë se marrëdhëniet tradicionale me Serbinë kanë ndikuar në pozicionin grek, por ai theksoi se duan marrëdhënie të mira edhe me shqiptarët.
“Gjithçka është graduale në këtë jetë. Jam i lumtur që vota greke do të jetë vendimtare për anëtarësimin e Kosovës në BERZH”, ka thënë shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë.
Pse Greqia ende është njëra nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Moschopoulos ka thënë se ekzistojnë disa arsye.
“Ajo që është më e rëndësishmja është se ne veprojmë si shtet i rajonit, si fqinjë. Ne e shohim se duhet të mbajmë një lloj balanci mes fqinjëve tanë, dhe në këtë logjikë ne kemi një qasje shumë konstruktive karshi Kosovës. Po, ne ende nuk e kemi njohur Kosovën, por në të njëjtën kohë, ne plotësisht e mbështesim perspektivën evropiane të Kosovës, dhe ne plotësisht e mbështesim zhvillimin e saj ekonomik. Ne besojmë se zhvillimi ekonomik do të ishte në të mirë të popullit të saj, dhe në të mirën e paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe në këtë logjikë për të gjithë ne. Ne dëshirojmë të shihemi si fqinjë miqësorë. Ky është mesazhi që unë kam, dhe ne ju shohim ju si fqinjë miqësorë, gjithmonë ju shohim si fqinjë miqësor”, tha ai.
Mirëpo, se a ka ndonjë arsye specifike për mosnjohjen, p.sh. shtete të caktuara thonë se pavarësia e Kosovës përbën precedent ose arsyetime të tjera, cili është arsyetimi i Athinës, Moschopoulos vlerësoi se në raste të tilla, nuk mund të gjesh vetëm një arsye dhe të thuash se kjo është arsyeja kryesore.
“Sa i përket pyetjes nëse Kosova përbën precedent, ajo është e qartë, dhe ne pajtohemi me partnerët dhe aleatët tanë, se Kosova nuk përbën precedent, ajo është rast unik. Kjo është pozita jonë, ne e kemi pranuar këtë, e kemi adoptuar këtë brenda Bashkimit Evropian, dhe për këtë arsye iu referohem partnerëve tanë, dhe brenda NATO-s, dhe për këtë arsye përmenda aleatët tanë. Pra po, ne nuk mendojmë se Kosova paraqet precedent. Ekzistojnë shtete të cilat janë frikësuara për këtë, ne nuk jemi mes atyre shteteve. Tani, ne duhet të respektojmë qasjen e secilit shtet, dhe ndjeshmërinë e secilit shtet. Ajo që ka më së shumti rëndësi është se si veprojmë në fund. Dhe, çdo çështje që është e rëndësishme për Kosovën brenda Bashkimit Evropian, ne kemi adoptuar një qasje shumë konstruktive. Pra, çështja e njohjes është diçka që do të vijë natyrshëm”, tha ai.